I biri i Ismail Qemalit, Qamil Vlora
Nuk i lejuan ta takonte për herë të fundit i biri i tij, ushtar në Korçë – Asnjë njoftim zyrtar për vdekjen
Trajtimi barbar në qelinë e ftohtë të burgut të ndërtuar nga Italia fashiste, në të cilin ishte arrestuar prej një viti për akuzën banale “Armëmbajtje pa leje”, i shkaktoi sëmundjen fatale Qamil bej Vlorës. “Bronkopneumoni në mushkëri” do të ishte epikriza që do të shënonin mjekët në sanatoriumin e Tiranës, ku u paraqit menjëherë sa doli nga burgu.
Pas kësaj, ai do të numëronte ditët e fundit të jetës.
Ishte pikërisht viti 1950, kur djali i “Burrit të Pavarësisë” kombëtare, i cili sa kishte mbushur 55 vitet, do të mbyllte përgjithmonë sytë, duke përjetuar edhe një brengë të fundit. Në çastet kritike atij nuk do t’i plotësonin as kërkesën më njerëzore, për t’i lejuar të shihte djalin e tij, që kryente shërbimin ushtarak në repartet e Korçës.
Qemal Vlora vijon rrëfimin e tij të mëtejshëm, duke thënë: “Gjyshi im, gjashtë muaj pasi kishte dalë nga burgu, vdiq në sanatorium dhe në një moment kërkoi t’i dërgonte një letër të birit që e kishte ushtar, për t’i qenë pranë gjatë momentit të vdekjes. Të birit të tij, pra babait tim, nuk i dhanë leje nga ushtria për të takuar babain e vet. Pra, nipit të Ismail Qemalit nuk i dhanë leje për të takuar djalin e Ismail Qemalit në momentin fatkeq të vdekjes”.
Kështu, ai vdiq në mister, pasi askush nuk do të mësonte as në atë çast dhe asnjëherë, se pikërisht arkivoli që po dilte nga sanatoriumi i Tiranës ishte me trupin e të birit të Ismail Qemalit. Ashtu siç tre vjet më vonë nuk do të mësoheshin as vdekjet e njëpasnjëshme të tre fëmijëve të tjerë, përkatësisht Qazimi në vitin 1953, Myvedeti në vitin 1954 dhe Alija në vitin 1955.
Ndërkohë, Orhan Zarshati, nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit, shprehet për mënyrën dhe vdekjen e fëmijëve të Ismail Qemalit që jetonin në Tiranë:
“… Asnjë njoftim. Edhe për vdekjen e Qazim Beut, edhe për vdekjen e Qamil Beut, edhe për vdekjen e Myrvedetit, gjyshes së Nerminit, edhe për vdekjen e Halies nuk është bërë asnjë njoftim. Ndërsa kur gjyshja ime vdiq, në kohë të Zogut, e kanë nderuar me një ceremoni të mirë mortore, duke dërguar edhe një skuadër pushkatarësh, të cilët, kur u varros ajo, shtinë në ajër siç është kuvendi. Domethënë, në ’34-ën e kanë varrosur me nderim ceremonial”.
Edhe djalit tjetër të Ismail Qemalit, Qeveria komuniste i refuzoi jetesën në Tiranë
Po kush ishte Qazim bej Vlora, që do të përplasej egër me Enver Hoxhën?
E kush nga banorët e Rrugës së Durrësit të viteve të para të çlirimit mund ta mendonin se pikërisht ai burrë trupshkurtër që dilte çdo ditë i menduar nga banesa e tij me qira e ndodhur në oborrin e fabrikës së cigareve “Flora”, ishte jo vetëm i biri i Ismail Qemalit, por edhe njeriu më i afërt në të gjithë veprimtarinë e tij patriotike. Ai quhej Qazim Ismail Qemali ose ndryshe Qazim Bej Vlora.
“Qazimin e mbaj mend pak mbas çlirimit. Bile edhe pak para çlirimit, se unë kam qenë shumë i vogël, po kujtimet e fëmijërisë së hershme është e çuditshme se mbesin fort në kujtesë”, – dëshmon, në vijim të kujtimeve të tij për fëmijët e Ismail Qemalit, vetë nipi i vajzës së vogël të tij, Ylvies. Më tej, Orhan Rarshati vazhdon “Ishte një burrë i shkurtër në shtat. Me prindërit e mi fliste vazhdimisht në turqisht, se kishin qenë në Stamboll. Mua më dukej i shkathët dhe shumë i lëvizshëm. Babai im gjithmonë e mburrte dhe tregonte historinë e tij, se ky Qazimi kishte marrë pjesë në luftën turko-greke të vitit 1897 dhe gjithmonë thoshte Epir Harbo, Epir Harbo, d.m.th, Lufta e Epirit, Lufta e Epirit. E përmendte shpesh atë ndërhyrjen turko-greke, që ajo qe një fitore e Turqisë, e fundit fitore e Perandorisë Osmane në gjithë historinë e saj të gjatë 6-7 shekullore. E fundit fitore e ushtrisë otomane në Ballkan kundër ushtrisë greke që kishte synime, që po të fitonte atë luftë Shqipëria s’do ekzistonte kurrë më.
Qazim bej Vlora lindi në Stamboll më 1893. Që nga viti 1900, kur Ismail Qemali u arratis nga Stambolli, qëndroi gjithmonë pranë të atit. Ka qenë i pranishëm në çdo aktivitet, takim, udhëtim të kryer nga Ismail Qemali, duke e shoqëruar kudo, gjë që vihet re, jo vetëm në “Kujtimet” e Ismail Qemalit, por edhe në dokumentet dhe fotot e kohës. Gjithmonë kur e prezantonte tek miqtë, Ismail Qemali shprehej “Ky është arkiva ime e gjallë, ruan në kokë çdo material të botuar ose të folur, që më hyn në punë për problemin e madh shqiptar. Është im bir, Qazimi!”.
Gjatë viteve 1910-1912 ai zhvilloi një aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë.
Por Qazim bej Vlora ishte i pranishëm në Podgoricë, gjatë përgatitjeve për Kuvendin e Gërçes.
Më 25 tetor shoqëroi të atin për në Bukuresht, ku mori pjesë në mbledhjet e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, si dhe në të gjitha takimet që Ismail Qemali zhvilloi përgjatë gjithë udhëtimit të tij për Shpalljen e Pavarësisë.
Mori pjesë në delegacionin diplomatik, drejtuar nga Ismail Qemali, në mbrojtje të çështjes shqiptare, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Së bashku me të vëllanë, Et’hemin, shoqëroi të atin në Peruxhia (Itali). Nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit, Qemal Vlora, në lidhje me Qazim bej Vlorën tregon “Shumë pak veta e dinin që në vitet ’50-’60 ishte akoma gjallë çuni i Ismail Qemalit, i cili ka qenë dhe krahu i djathë i Ismail Qemalit, sepse ka qenë edhe sekretar edhe këshilltar i Ismail Qemalit. Ai ka qenë një natyrë fjalëpake dhe shumë i mprehtë e shumë i heshtur. Unë kam të fiksuar një fakt që më ka bërë me të vërtetë përshtypje për Qazimin, që Ismail Qemali e quante ‘memoria ime’ , pra të gjitha takimet, të gjitha bisedimet, të gjitha tematikat që Ismail Qemali kishte zhvilluar apo do të zhvillonte, për rifreskim kishte Qazimin. Pra për çdo gjë “Qazim, kur e kemi këtë takim?”, “Qazim, si e lamë për këtë problem?”. Këtë e them me shumë bindje, se është shprehur vetë Ismail Qemali dhe unë e kam dëgjuar gojë pas goje nga prindërit e mi dhe nga xhaxhai, që Qazimi ishte quajtur ‘memoria e Ismail Qemalit’. Pra, për çdo lloj problematike që i dilte të atit ai ka qenë i bashkangjitur si të thuash. Ndërkohë, Orhan Zarshati, nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit, dëshmon: Djali i tretë, të themi Qazim Bej Vlora, ka qenë një person mjaft i afërt me të atin, për arsye se e ka shoqëruar në çdo ndërmarrje që ka marrë Ismail Qemali, në favor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai ka qenë në krahë të tij nëpër Konferenca, nëpër takime me diplomatët e Evropës dhe më tej. Kudo ku ka qenë i ati, ai ka luajtur rolin e sekretarit të tij. Historia e tij fillon që në veprimtarinë ose me angazhimin e tij pranë veprimtarisë së Ismail Qemalit. Që në kuvendin e Vlorës, edhe më para, kur Ismail Qemali u detyrua të ikte në mërgim, se sulltan Abdul Hamiti filloi ta përndjekë…
Edhe në momentet e Pavarësisë, d.m.th në aktivitetet që u zhvilluan dhe përfunduan në shpalljen e {avarësisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912, Qazimi ishte pranë tij, pranë Ismail Qemalit, pra pranë babait të vet dhe e ndihmonte në veprimtari të ndryshme kancelarike dhe sekretarie. Madje ai ka qenë edhe në Konferencën e Ambasadorëve në atë kohë që u zhvillua në Londër, ku ka qenë pranë Ismail Qemalit së bashku me Isa Boletinin, fotoja e të cilëve është shumë e njohur, që janë në një varkë duke shkuar në atë konferencë. Është e njohur edhe historia e pabesueshme e Isa Boletinit kur hyri në zyrën e ministrit të Jashtëm anglez Eduard Grein, ku i pranishëm ka qenë jo vetëm Ismail Qemali, por edhe vetë Qazim Bej Vlora për të cilin po flasim. Është pikërisht momenti që i tha Isa Buletinit që “ja, të çarmatosën ty gjeneral trim”, ndërkohë që ai nxori nga xhamadani koburen tjetër dhe i tha “nuk më ke çarmatosur, ja ku e kam koburen”. D.m.th kishte tjetrën të fshehur.
Edip Ohri: Qazim bej Vlora ishte njerku im
Në vitin 1936, kur ishte pak a shumë në një moshë të thyer, fati e çoi Qazim Vlorën të martohej me gruan e një dere fisnike të Strugës, Behije Masllafin, e cila ishte e veja e Inajet Bej Ohrit dhe u mor denjësisht me rritjen dhe edukimin e fëmijëve që ajo kishte. Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djali i vogël i Ismail Qemalit tregon në dëshminë e vet se “Qazimi është martuar vonë me një grua, por nuk ka pasur fëmijë. Historia e Qazimit është një çikë e komplikuar dhe si përfundim ai ngeli në Strugë, pra shumë afër Shqipërisë që i kishte lënë amanet i ati kur kishte vdekur, por që e cila nuk e pranoi të mbante por e la të vdiste në vetmi jashtë kufirit të saj shtetëror”. E ndërsa memoria historike elauron emrin e Qazim Ismail Qemalit apo Qazim bej Vlorës siç quhej ndryshe, ne takojmë djalin e tij adoptiv apo i biri i të shoqes, që pakkush e di se ai është pikërisht Edip Ohri, i cili për katër dekada ka qenë krijuesi dhe drejtuesi i aviacionit shqiptar. Më mbrapa ai është arrestuar me akuzën se “do të bombardonte Bllokun e udhëheqjes komuniste”, gjë që vetëm rastësia e shpëtoi nga ekzekutimi i padiskutueshëm.
Orhan Zarshati konfirmon “Qazim Bej Vlora është martuar vonë, me Behie Strugën, ose me Behie Ohrin më saktë, që ishte nëna e katër fëmijëve, dy djemve e dy vajzave, Edip Ohrit dhe Elibe Ohrit, Dashman Ohrit dhe Hermet Ohrit. Ata ishin, si të thuash, fëmijë adoptivë të tij.
Pikërisht Edip Ohri flet me një mirënjohje të jashtëzakonshme për njerkun e tij, Qazim Ismail Qemalin, i cili e ka treguar një ndjenjë të thellë prindërore në rritjen dhe edukimin e tij.
“Neve, – tregon ai, – u emigruam që nga Struga, nga trevat shqiptare të Maqedonisë, erdhëm në Tiranë dhe u vendosëm fillimisht në Rrugën e Kavajës. Babai im vdiq në vitin 1936. Ka qenë kryetar komune në Shën Vlash të Durrësit dhe pas vdekjes së babait ne ramë në një gjendje ekonomike shumë të rëndë. Pas kësaj, miqtë dhe farefis ynë i thanë nënës që duhet të martohej, se përndryshe nuk mund të mundte të përballonte vështirësitë ekonomike që ishin të asaj kohe. Dhe nëna ime u martua me djalin e Ismail Qemalit. Ky ishte djali i pestë i Ismail Qemalit. Ne kemi banuar në disa lagje të Tiranës. Por së fundmi kemi banuar në Rrugën e Durrësit, në një oborr me fabrikën e cigareve FLORA që ishte e Haziz Biçakut dhe Esat Dishnicës, i cili ishte dhe administrator. Shtëpia ku kemi banuar familjarisht deri në çlirimin e Shqipërisë ishte pronë e Isuf Tufës”. Ndërsa nipi i Ylvies, vajzës së vogël të Ismail Qemalit, Orhan Zarshati, vijon konfirmimin e tij në lidhje me ato ç’ka deklaruar për njerkun e vet Edip Ohri “Po, Qazim bej Vlora ata i ka ndihmuar shumë që të arsimohen dhe shkollohen që para çlirimit. Dhe është mirë që ata ia njohin si mirësi Qazim Beut, që u përkujdes për ta derisa i futi nëpër shkolla që para çlirimit. Pastaj gjatë luftës ata u inkuadruan në repartet e partizanëve.
Qazim bej Vlora, – tregon Edip Ohri, – ka qenë një njeri shumë korrekt, i sjellshëm, jo vetëm me nënën time, por edhe me gjyshen tonë.
Qazim Beu ose Be Ahmuxha që i thërrisnim neve, na trajtonte tamam si fëmijët e tij, interesohej personalisht për shkollimin tonë dhe ka bërë të mundur që të katër fëmijët, të arsimoheshim deri edhe në studime të larta. Ai ishte shumë korrekt, i sjellshëm, kërkonte që neve të rriteshim mirë, pa vese, është interesuar personalisht për shkollimin tonë. Por fakti është që ne të katër fëmijët morëm jo vetëm arsimin e mesëm, por edhe arsimin universitar”.
Qazim bej Vlorës i refuzohet mundësia e jetesës në Shqipëri
Enver Hoxha i ndërpret pensionin patriotik
12 shkurt 1919, trupi pa jetë i Ismail Qemalit mbërrin në Vlorë
Me gjithë përpjekjet e palës italiane dhe shumë peripeci të tjera që dolën pas vdekjes së Ismail Qemalit, djemtë e tij nuk reshtën së përpjekuri që babanë e tyre ta sillnin në Vlorë, e cila e priste me padurim për ta varrosur në lartësinë madhështore të Kaninës. Vdekja e tij në atë kohë kishte tronditur mbarë kombin dhe grupe të shumta shqiptarësh, të ardhur nga të gjitha trevat, po përqendroheshin në Vlorë për t’i bërë nderimet e merituara diplomatit të famshëm. Së fundmi gjithçka u bë realitet. Ishte pikërisht data 12 shkurt e vitit 1919, kur trupi pa jetë i Ismail Qemalit, i shoqëruar nga tre djemtë e tij, Ethemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme italiane mbërriti në portin e vogël të Vlorës. Ai ishte transportuar fillimisht me tren dhe së fundmi me anijen e posaçme italiane. Sipas bashkëkohësve të atyre momenteve, siç ishin vetë djali i Ismail Qemalit, Qazimi apo edhe mikut të tij, Safet bej Vlorës, bëhet e ditur se hyrja e arkivolit në Vlorë ka qenë tepër emocionuese. Të qarat e njerëzve dhe shkrepjet e armëve shkaktuan një gjendje emocionale të papërshkrueshme. Gjithë rrugët, kodrat dhe çdo gjë nxinte nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme në atë varrim, i cili, ashtu siç ishte menduar në atë kohë, u bë pikërisht në lartësitë dominante të Kaninës. Konkretisht për ato momente, në shënimet e Safet bej Vlorës, të gjendura në dosjen e posaçme të Ismail Qemalit në Arkivin Qendror të Shtetit, shkruhet: “Nëse e masim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apoteozë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit”.
Kush ishte Qazim Bej Vlora
Qazim bej Vlora, lindi në Stamboll më 1893. Që nga viti 1900, kur Ismail Qemali u arratis nga Stambolli, qëndroi gjithmonë pranë të atit. Ka qenë i pranishëm në çdo aktivitet, takim, udhëtim të kryer nga Ismail Qemali, duke e shoqëruar kudo, gjë që vihet re, jo vetëm në “Kujtimet” e Ismail Qemalit, por edhe në dokumentet dhe fotot e kohës. Gjithmonë kur e prezantonte tek miqtë, Ismail Qemali shprehej “Ky është arkiva ime e gjallë, ruan në kokë çdo material të botuar ose të folur, që më hyn në punë për problemin e madh shqiptar. Eshtë im bir, Qazimi!”. Pas fitores së Revolucionit xhonturk, më 1908-ën, shoqëroi të atin në Vlorë ku, siç dihet, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Ishte i pranishëm në takimet e Ismail Qemalit me Hasan Prishtinën, për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, gjatë viteve 1909-1912, gjë që vërtetohet edhe nga foto të kohës. Gjatë viteve 1910-1912 zhvilloi një aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë: “…akuzohet një shoqëri gjoja klandestine, – lexojmë në një relacion të konsujve në Vlorë, – e cila gjendet nën drejtimin suprem të Qazim beut (djalit të Ismail Qemalit) që, ndër të tjera, përfshika përsëri edhe personat e komprometuar në çështjen shkollore, sepse mbledh të holla për t’u ndihmuar shqiptarëve të Veriut kundër trupave osmane, si dhe importon fshehurazi armë dhe municione për një kryengritje të mundshme…” (“Ismail Qemali – Përmbledhje Dokumentesh””, Tiranë 1982, dok.114). Ishte i pranishëm në Podgoricë, gjatë përgatitjeve për Kuvendin e Gërçes (23 qershor 1911) dhe është autori i përkthimit në shqip të këtij Memorandumi (“Le Figaro”, Paris, 8 korrik 1911, f.2). Për t’u shpërndarë kryengritësve Memorandumin, shtypur si libër më vete, dhe për të marrë aprovimin e tyre, Ismail Qemali e dërgoi në Podgoricë, së bashku me Qazim Kokoshin (Bardhosh Gaçe, “Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878-1912”, Tiranë 1999, f.155). Më 25 tetor shoqëroi të atin për në Bukuresht. Mori pjesë në mbledhjet e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, si dhe në të gjitha takimet që Ismail Qemali zhvilloi përgjatë gjithë udhëtimit të tij për Shpalljen e Pavarësisë. Mori pjesë në delegacionin diplomatik, drejtuar nga Ismail Qemali, në mbrojtje të çështjes shqiptare, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Gjatë Luftës I Botërore qëndroi në Francë, Itali e Spanjë. Së bashku me të vëllanë, Et’hemin, shoqëroi të atin në Peruxhia (Itali).
Komentet