FJALA IME NË PËRKUJTIMOREN PËR HAVZI NELËN MBAJTUR MË 11 GUSHT 2023 NË “HOTEL TIRANA”!
I nderuar Dr Berisha!
Të nderuar organizatorë të kësaj përkujtimoreje!
Të nderuar pjesëmarrës!
Jam i nderuar të marr pjesë në këtë 35 vjetor të ekzekutimit të martirit dhe antikomunistit të pathyeshëm Havzi Nela.
Ndihem sado pak në konflikt interesi duke qenë se i përkas të njëjtit trung të Nelajve të Kollovozit.
E për këtë ju kërkoj ndjesë.
Do të mundohem të flas shkurt për Havziun ashtu siç do të flisja me të njëjtin pasion për Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin apo Genc Lekën!
Unë ndryshe nga shumë prej jush kam qenë fatlum pavarësisht se në moshë të re të takohem e flas me Havzi Nelën në periudhën e shkurtër mes lirimit nga burgu dhe internimit në Arrën!
Buzëqeshja e përhershme në fytyrën e tij do ngelet me mua deri në frymën e fundit.
Havzi Nela rrezatonte mirësi.
Ai duke qenë i mirëshkolluar në një kohë kur arsimimi ishte i kufizuar në Shqipërinë e asaj kohe e sidomos në anët tona ai i kishte të gjitha mundësitë të përthyhej, të ishte opurtunist e të “korrte” avantazhet që i jepte sistemi i asaj kohe.
Por jo, ndryshe nga shumë të tjerë ai zgjodhi rrugën e IDEALEVE të tij megjithëse e dinte që pasojat do të ishin të paevitueshme.
Me këtë rast dua të shfrytëzoj rastin të falenderoj në radhë të parë e publikisht vëllain e Havziut, Shukri Nelën, i cili me aktin e tij të jashtëzakonshëm të nxjerrjes së asaj pjese të veprës së tij nga burgu nën hundën e xhahilëve dhe më vonë pas ekzekutimit të Havziut duke ruajtur dorëshkrimet e tij në rrënjët e mollës bëri të mundur që për opinionin publik brenda dhe jashtë Shqipërisë Londineze Havzi Nela të mos ishte thjesht një emër nga mijëra të pushkatuarit e të zhdukurit.
Pa aktin e Shukriut ne ndoshta nuk do ishim duke folur në këtë sallë për martirin.
Pjesa kryesore e krijimtarisë së Havziut ngelet akoma e pagjetur pas arratisjes së vitit 1967. Ndoshta ndodhet në arkivat e MUP-it serb ndoshta nuk do gjendet kurrë.
Dua të theksoj për këtë panel të nderuar se Havzi Nela fillimisht u burgos e më vonë u ekzekutua jo se ishte poet disident.
Jo.
Ai ishte poet dhe shkrimtar por nuk u dënua si i tillë.
Foli hapur për luftën e klasave kur askush nuk guxonte!
Foli për Helsinkin kur shumica prej nesh përveç se ishte një qytet përendimor nuk dinim asgjë tjetër për të.
Havzi Nela ishte poet por në dijeninë time rregjimit asnjeherë nuk i ranë në duar poezitë dhe vepra e tij.
Ai mbi të gjitha ishte kundërshtar i hapur i regjimit bolshevik dhe ideologjisë komuniste me të cilën nuk u pajtua asnjë moment të jetës së tij dhe i qëndroi përballë pa u përkulur asnjëherë deri në fund.
Ai u ekzekutua jo si poet por si antikomunist i pakompromis dhe kundërshtar i regjimit.
Nëse atyre do ju binin në dorë poezitë e tij ai me siguri do ishte ekzekutuar si Trifon Xhagjika apo Vilson Blloshmi e Genc Leka shumë shpejt pas arrestimit dhe do kishte fatin e tyre.
Dua të them që vetëm kostumi i poetit Havziut i rri shumë ngushtë.
Ne duke filluar nga unë i pari i jemi borxh Havzi Nelës.
Amanetin e tij, të Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit e Genc Lekës ne e kemi lënë në mes e të parealizuar.
Ne kemi dështuar sepseshteti demokratik dhe një nga presidentët e tranzicionit Alfred Moisiu ka dekoruar vrasësin e Havzi Nelës (Fehmi Abdiun) në vend që të jepte drejtësi për të.
Vrasësit dhe ekzekutorët e Havzi Nelës në një periudhë kur kishte filluar rënia e perdes komuniste janë me emër e mbiemër e disa prej tyre akoma gjallë e nuk ju ka hyrë gjemb në këmbë.
As nuk ju ka shkuar mendja thjesht të kërkojnë falje.
Sot ju jemi borxh martirëve sepse e kemi atdheun lakuriq siç e pa Trifon Xhagjika.
Sot ju jemi borxh martirëve sepse e kemi Shqipërinë SAHARA të shkretë ashtu siç e pa Vilson Blloshmi.
Sot ju jemi borxh martirëve sepse Shqipëria në duar të bijëve të ATYRE është bërë e pabanueshme.
Eshtë boshatisur përtej edhe parashikimit më të çmendur.
Sot partia që doli nga levizja studentore e që mbetet partia e vetme opozitare e mbijetuar e pas vitit 90-të në të gjithē Europën Lindore nuk ka as statusin e një shoqate pasi legaliteti i saj është marrë peng nga mafia vendase dhe ajo ndërkombëtare është marrë peng nga bijtë e atyre.
Ky është realiteti i hidhur i pluralizmit të sotëm.
Në se do ta perkufizonim kauzen e Havzi Nelës me një fjali ajo do ishte sipas meje LIRI DHE DINJITET NJERËZOR.
Ne nuk e kemi sot as njerën e as tjetrën.
Sot jemi të lirë të ikim nga vendi por jo të jetojmë dhe prosperojmë në atdheun tonë.
Sot jemi në demon-kraturë e atdheu është shitur apo janë në proces shitjeje edhe ato pak resurse që kanë ngelur pa u shitur.
Sot atdheu na është shitur e shqiptarët ndihen skllevër apo të huaj në vendin e vet.
Gjaku i Havzi Nelës na apelon të gjithëve që të zgjohemi nga kllapia e të reagojmë që të sjellim ndryshimin e shumëpritur pasi koha nuk pret.
Po ikën truri.
Po ikën rinia.
Femijet po lindin ne vend te huaj e ata që lindin në dhe të huaj me përjashtime shumë të rralla nuk ka gjasa të kthehen ne Shqiperi!
Shqipëria po shpopullohet!
Shpirti i martirit nuk do gjejë qetësi për sa kohë ne nuk jemi të lirë.
E liria sot kërkon sakrifica.
Le të marrim pak nga idealizmi i Havzi Nelës për ta bërë ndryshimin për të cilin flasim e nuk e bëjmë dot.
Ai luftoi gjithë jetën e tij për liri e dinjitet njerëzor!
Të fillojmë e luftojmë me mjetet që kemi në dorë edhe ne sa kohë nuk është tepër vonë.