Papa Leone XIV iu bëri thirrje të shtunën udhëheqësve botërore që t’i japin fund asaj që ai e quajti si “çmenduria e luftës”, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë u takuan në Pakistan për të diskutuar përfundimin e konfliktit gjashtë-javor.
Në një vigjilje të veçantë lutjeje në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa i parë amerikan tha: “Ndaloni! Është koha për paqe! Uluni në tryezën e dialogut dhe ndërmjetësimit, jo në tryezën ku planifikohet riarmatimi.”
“Të dashur vëllezër dhe motra”, tha Papa i lindur në Çikago. “Sigurisht që udhëheqësit e kombeve kanë përgjegjësi të pashmangshme. Ne u bëjmë thirrje atyre: ndaloni! Kjo është koha për paqe! Uluni në tryezat e dialogut dhe ndërmjetësimit, jo në tryezat ku planifikohet riarmatimi dhe mendohet vdekja!
Megjithatë, ekziston një përgjegjësi po aq e madhe për të gjithë ne, burra dhe gra nga shumë vende të ndryshme: një turmë e madhe që e hedh poshtë luftën, me vepra, jo vetëm me fjalë. Le të kthehemi te besimi në dashuri, në moderim, në politikë të mirë, le të edukohemi dhe të angazhohemi në to drejtpërdrejt, secili duke iu përgjigjur thirrjes së vet. Secili ka vendin e vet në mozaikun e paqes!”, tha Papa.
Leo, i cili njihet për zgjedhjen e kujdesshme të fjalëve të tij, është shfaqur si një kritik i hapur i luftës me Iranin. Të shtunën, ai përdori një gjuhë të fortë për të denoncuar konfliktin, duke cituar letra nga fëmijët në zonat e luftës që ai tha se përshkruanin “tmerr dhe çnjerëzim”.
Komentet e mëparshme të Papës u interpretuan nga komentatorët konservatorë katolikë si të synuara ndaj Sekretarit të Mbrojtjes amerikan Pete Hegseth, i cili ka thirrur gjuhën e krishterë për të justifikuar sulmet e përbashkëta SHBA-Izraelite ndaj Iranit që nisën luftën. Shërbimi special i lutjes së së shtunës u njoftua nga Leo të dielën e kaluar, në mesazhin e Pashkëve të Papës. Panorama