Trafiku i drogës dhe historia e vrasjeve kanë rrethuar vazhdimisht 41-vjeçarin Dëfrim Kasmi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në një atentat mafioz poshtë pallatit të tij në Tiranë.
Ai kishte ndërruar emrin nga Dëfrim në Devi Kasmi për shkak të hasmërive kriminale me Domart Konjarin, i cili është shpallur në kërkim si i dyshuar për atentatin.

Tvklan.al ka mundur të mësojë të tjera detaje rreth viktimës. Dëfrim Kasmi njihej me pseudonimin Dëfrim “qorri”. Ai njihej ndryshe edhe si “fantazma”. Asnjë foto e tij nuk është ende publike dhe për këtë arsye ai njihej me nofkën “fantazma”, pasi shumë pak persona ia njihnin fytyrën.
Dëfrim Kasmi ka qenë i përfshirë në trafikun e kokainës në Francë dhe në Spanjë. Pista ku po heton policia për vrasjen e tij, është ajo e hakmarrjes për shkak të kontrolleve për territor në Evropë.
Në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku 41-vjeçari u vra nga dy persona me motor, u gjetën edhe dy pistoleta. Armët e zjarrit i përkisnin viktimës, të cilat i mbante gjithmonë me vete pasi ruhej për shkak të konflikteve ku ka qenë i përfshirë. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë, policia gjeti rreth 3 kilogramë kokainë dhe një kallashnikov me silenciator që i përkisnin viktimës/ TVKlan
Komentet