Tiranë, më 15.08.2025
Ekrem Spahiu ka dhënë një konferencë për mediat, ku ka shprehur qëndrimet e ”Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”:
… ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se, shteti e ka detyrë me ligj për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Prandaj shteti ka përgjegjësi shumë të madhe …
Deklarata e plotë për media
Shqipëria gjatë kësaj jave, si asnjëherë tjetër më parë është përfshirë nga zjarre masive, ku u dogjën me mijëra hektarë pyje, kullota dhe drufrutorë. Sikur të mos mjaftonte kjo katastrofë mjedisore, humbi jetën dhe një i moshuar, ndërkohë që shumë qytetarë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme apo u plagosën. U dogjën shtëpi, objekte, stalla, gjë e gjallë, bletari e çdo gjë që mori zjarri përpara.
Natyrisht që janë edhe pasojat e grohjes globale, ku temperaturat gjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë tmerrësisht të larta, si pasojë e të cilave mjafton një shkëndijë për të përfunduar në zjarr masiv. Edhe pakujdesia sjell pasoja shumë të rënda. Por ajo që nuk mund të tolerohet është se shumica dërmuese e tyre, rezultojnë të jenë zjarrvënie të qëllimshme, të organizuara për interesa kriminale, ku nga më kryesoret mund të veçojmë:
• Zjarrvënie për interesa ndërtimore të mafies së pronave, për të hapur rrugë të reja për ndërtime pa leje si vila, resorte, etj, veçanërisht në zonat turistike dhe malore.
• Zjarrvënie për të zgjeruar aktivitetin e nxjerrjes së gurëve apo materialeve ndërtimore.
• Zjarrvënie për ripërtëritje të kullotave.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh qëndrimin e saj se, shteti e ka detyrë me ligj për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile. Prandaj shteti ka përgjegjësi shumë të madhe.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” sugjeron që të marren këto masa:
• Kreu i shtetit të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
• Të vendoset gjendja e fatkeqësisë natyrore në zonat më të prekura.
• Dëmshpërblimin e plotë për gjithshka, sipas ligjit për të gjithë të dëmtuarit nga djegiet.
• Qeveria të informojë Kuvendin e Shqipërisë për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten, masat e marra për menaxhimin e situatës, sidomos për masat rehabilituese për komunitetet e prekura
• Qeveria të informojë Kuvendin, opinionin publik dhe mediat se si po ecet me “Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë”, se ku përfundojnë fondet e alokuara për këtë qëllim, posaçërisht për fatkeqësitë e natyrës së zjarreve masive.
• Mobilizimin maksimal të kapaciteteve të emergjencës dhe mbrojtjes civile.
• Të zhvillohen hetime të thelluara për autorët dhe nxitësit.
• Të ashpërsohet ligji për dënimin e zjarrvënësve dhe nxitësve të tyre.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” mendon se shteti nuk duhet të mbetet thjesht apo vetëm te menaxhimi i fatkeqësisë, por të marrë rolin që i takon për të ndërtuar vizione dhe plane veprimi perspektiv që fatkeqësitë të parandalohen në maksimumin e mundshëm, duke këmbëngulur veçanërisht në zbatimin e ligjit “Për Pyjet”, për mbrojtjen e tyre si pasuri me rëndësi të veçantë, për vlerat e mëdha dhe të pazëvendësueshme në mbrojtjen e klimës, të tokës, ruajtjen dhe përmirësimin e potencialeve prodhuese, të ekuilibrave të mjedisit natyror, biodiversitetit, burimeve energjitike dhe regjimit hidrik, si detyrime me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.
”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, shpreh vlerësim e mirënjohje për të gjithë efektivët e Forcave Ushtarake, zjarrfikësit, pilotët si dhe ekipet e Urgjencave, të cilët u përballën me situatat shumë të rënda nga zjarret. Një falenderim të veçante kemi edhe për vendet mike që na ndihmuan me mjete ajrore për fikjen e zjarreve.
Në të njëjten kohë ”Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, nuk mund të hesht dhe të mos shpreh indinjatën e saj për trajtimin çnjerzor që j’u bëhet zjarrëfiksëve, ku pas shumë orëve në luftë me zjarrin, flenë rrugëve në tokë. Ato pamje që po bëjn xhiron e botës na turpërojnë si shtet.