Foto:Ekrem dhe Lumtëri Bardha, me Presidentin George HW Bush
U arratis nga kufiri natën, me vëllanë e vogël për dorë dhe nënën në kurriz…
– Ekrem Bardha, si u pasurua, si u lidh me politikën amerikane, historia e shqiptarit që takoi çdo president të Shteteve të Bashkuar të zgjedhur gjatë një gjysëm shekulli –
Nga Ruben Avxhiu
Kam shkruar pak kohë më parë për takimin e Ekrem Bardhës me Presidentin Richard Nixon.
Ata që nuk e kanë lexuar, apo e kanë harruar, mund ta gjejnë këtu: https://www.facebook.com/ruben.avxhiu/posts/pfbid0nVëUKKcKSRWgaxbJQJH69NKdN4HdyDXxNeXWpfDLFostkHYardyBhp4WkAHA5qGUl
Siç e kam përshkruar, ishte hera e parë që një shqiptaro-amerikan takohej me Presidentin e Shteteve të Bashkuar, gjati gjysëm-shekulli pasi Imzot Fan Noli kishte marrë pjesë në një takim të udhëheqësve të komuniteteve etnike me Presidentin Woodrow Wilson.
Noli druhej se shqiptarët mund të mbeteshin pa shtet në Evropën e re që lindte pas rrëzimit të perandorive otomane, austro-hungareze, dhe ruse. Ekrem Bardha ishte i shqetësuar se Nixon, i fiksuar për një fitore kundër komunistëve, do të përkrahte një sulm të regjimit të kolonelëve në Greqi kundër Shqipërisë. Sulmi do të rrëzonte regjimin e izoluar të Enver Hoxhës dhe për shpërblim Athina do të merrte jugun e vendit.
Ndoshta ishte fantazi shoviniste greke, por disa greko-amerikanë pretendonin se kishin mbështetjen e Presidentit Amerikan për atë punë kurse nacionalistët shqiptarë në SHBA druheshin nga përshkrimet në publik të grekëve si properëndimorë dhe shqiptarëve si komunistë.
Kur në shtatorin e vitit 1960, plot 65 vjet më parë, Mehmet Shehu kishte ardhur në New York, për të marrë pjesë në OKB si vijnë çdo vit tani udhëheqësit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova etj, shqiptaro-amerikanët dolën përpara OKB-së dhe mbajtën një protestë kundër regjimit komunist në Shqipëri.
Anash tyre, një grusht nacionalistësh grekë po mbanin edhe ata protestë kundër “Shqipërisë komuniste” që kishte pushtuar sipas tyre Vorioepirin. Atëhere, nacionalistët shqiptarë lanë protestën e tyre dhe u rrahën me greko-amerikanët. Këta të fundit e donin kufirin deri në Vjosë, por mbetën nga tjetër e Avenusë së Parë në Manhattan, të fshehur pas kordonit policor se shqiptarët ishin nxehur shumë.
Kur u takuan Nixon e siguroi Bardhën se për të të gjithë amerikanët ishin të barabartë, pavarësisht se nga vinin dhe se e kuptonte që edhe shqiptarët ishin antikomunistë, madje ia dha edhe me shkrim se nuk do të lejonte një sulm kundër Shqipërisë. Kombi ishte mbi ideologjinë për nacionalistët shqiparë.
Arsyeja në fakt se pse u riktheva te kjo histori është se ky takim i Ekrem Bardhës me Presidentin e Amerikës, bëhej pak më shumë se 20 vjet pasi shqiptari nga Kolonja kishte kaluar fshehtas kufirin e Shqipërisë, me nënën e moshuar në kurriz dhe vëllanë e vogël që e tërhiqte nga dora.
Kishte mbërritur në SHBA me asgjë, i gatshëm për të bërë çdo punë, dhe pas dy dekadash, jo vetëm që kishte mbijetuar por po takohej edhe me presidentin e vendit, njeriun më të fuqishëm të botës.
Ky është një shembull klasik i realizimit të asaj që e njihet si Ëndrra Amerikane, që dëshmon shumë se çfarë vendi i jashtëzakonshëm janë Shtetet e Bashkuara dhe për vendosmërinë e shqiptarëve jo thjesht për t’ia dalë mbanë e për t’u pasuruar, por për të përdorur arritjet e jetës në shërbim të diçkaje më të madhe se vetja.
Historia e tij e veçantë ngjan me atë të shumë bashkatdhetarëve të tjerë, të cilët erdhën vetëm me teshat e trupit në Botën e Re dhe krijuan një jetë më të mirë për familjet e tyre por nga ana tjetër nuk e harruan kurrë vendlindjen dhe njerëzit që lanë pas aty. Puna e këtyre njerëzve kontribuoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe historike në fatin e kombit tonë. Nëse sot shqiptarët jetojnë në një nga periudhat me fatlume të historisë së tyre (me gjithë përjashtimet e natyrshme – është edhe merita e këtyre njerëzve.)
Katër vëllezër, Njazi, Ekrem, Myfit, dhe Agim si dhe Nënë Bulja e cila realisht matriarke, udhëheqëse e familjes u vendosën shumë shpejt në zonën e Detroitit, në Michigan, ku për shkak të industrisë së famshme të automjeteve ende tërhiqeshin shumë emigrantë. Shqiptarët kishin histori të vjetër në këtë qytet, me një kishë ortodokse të ngritur që në 1929 me bashkëpunimin e shqiptarëve të të gjitha feve. Brezi i Ekrem Bardhës do të ngrinte Teqenë e famshme Bektashiane të Baba Rexhebit si dhe një nga xhamitë më të njohura të shqiptarëve të drejtuar nga Imam Vehbi Ismaili që në 1962. Nga dallgët më të vonshme të emigracionit do të vinin pastaj dy Kishat e njohura Katolike, ajo e Shën Palit në Rochester Hill dhe Zoja Jonë e Shqiptarëve në Southfield.
Industria e automjeteve do të shënonte një rënie drastike për shumë arsye që shqiptarët që emigruan pas Luftës së Dytë nuk mund t’i dinin duke detyruar shumë syresh të kërkonin punësim tjetër, ose të lëviznin në kërkim të një zgjedhje tjetër ekonomike.
Ekrem Bardha nuk kishte shumë shkollë, por tregoi që herët një nuhatje të fortë për biznes dhe guxim e kuriozitet për të eksperimentuar.
Një ditë të bukur, gjatë rrugës për në punë kishte parë një sallon bukurie që kishte nevojë për stilist dhe që ishte gati t’ua mësonte kandidatëve mjeshtërinë nga fillimi. Ekremi nga Shqipëria trokiti në derë dhe shumë shpejt mësoi se si të priste flokë, të krijonte modele, të stilonte pamje të ndryshme.
Kur e morën vesh vëllezërit dhe miqtë shqiptarë u shokuan. “Po kjo është punë për gra”, i thanë. Ekremi nuk vuante nga këto komplekse. Në fakt, disa nga stilistët më të mirë të flokëve ishin burra.
Që në vitin e parë, fitoi një çmim si stilisti më i talentuar i rajonit. Shumë shpejt, filloi të rritej numri i klientëve dhe klienteve që kërkonin Ekremin me emër. Ata që e kishin vështirë t’ia shqiptonin emrin, e thërrisnin “Eric”. Ekremi nuk mërzitej nga ky amerikanizim. Autori i këtij shkrimi ka parë mjaft amerikanë që torturohen duke u përpjekjur t’ia shqiptojnë emrin dhe i ka shpëtuar nga sëkëlldia duke u thënë që ta thërrasin thjesht me emër.
Diku nga mesi i viteve 1960, Ekrem Bardha me paratë e mbledhura dhe famën e krijuar, hapi sallonin e tij të bukurisë. E gjithë klientela e ndoqi nga pas. Salloni “Bardha” kishte kaq shumë kërkesë, saqë Ekremi punësoi vëllain e tij e disa të tjerë, u mësoi profesionin dhe zgjeroi punën. Sa interesant që ata të cilët e përqeshën në fillim, iu bashkuan në këtë punë e biznes. Megjithë suksesin Bardha ishte vazhdimisht në kërkim të ideve të tjera.
Kur në fillim të viteve 1970 mësoi për një zinxhir të ri restorantesh që e përgatisnin ushqimin brenda dy-tre minutave, të quajtur “McDonalds”, ai kërceu menjeherë. Ndoqi kurset mësimore në Universitetin e korporatës. Bleu liçensën dhe u bë nga të parët në shtetin Michigan që eksperimentoi me të.
Përsëri e këshilluan që të mos merrej me atë punë, se po hidhte të gjithë pasurinë e vënë në një eksperiment të destinuar për të dështuar. Shqiptarët kishin traditë në restorante, po kjo nuk ishte punë tjetër. Këto histori kanë ngjashmërira gjithandej, dhe më kujtojnë rastin kur për shembull, Fan Noli i qante hallin Anthony Athanasit dhe u lutej miqve që ta shpëtonin duke ia mbushur mendjen që të mos e hapte restorantin në Pier 4 se kush do të shkonte të hante aty. Do të humbte gjithshka. Biznesmenët e suksesshëm kanë një shqisë më shumë që sado libra të kesh lexuar nuk e imiton dot.
Jo vetëm që restoranti i tij i parë pati një sukses të jashtëzakonshëm por Ekrem Bardha hapi në vitet që vijuan më shumë se dhjetë të tjerë – numrin e saktë nuk e mbaj mend – dhe u bë një nga milionerët e parë shqiptarë në SHBA.
Vëllai i tij, Agim Bardha, që vijoi të administronte sallonin e suksesshëm, u bë edhe lojtar i njohur i golfit në SHBA.
I frymëzuar nga brezi i Fan Nolit dhe i Faik Konicës, këtë të fundit e kishte pasur nga krahina e tij, Ekrem Bardha u bë pjesë e të gjitha përpjekjeve për organizimin e komunitetit. Që nga teqeja, organizata e parti politike, e lobime të politikanëve amerikanë.
Ditën që u hap restoranti i parë McDonalds, nga Ekrem Bardha, ushqimi ishte falas pwr tw gjithw. Një nga ata që u shfaq pwr ta provuar, bashkë me gazetarë e reporterë ishte edhe Guvernatorit i Michigan-it.
Emri i tij do të kishte rëndësi përtej ngjarjes së ditës: George Romney, babai i kandidatit republikan për President të Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney. Brezat më të rinj mund t’u falet nëse nuk e dinë që edhe George Romney kandidoi për President. Një nga arsyet se pse ndodhej atë ditë ishte pikërisht për të vendosur lidhje me komunitetet etnike ndërsa planifikonte të kandidonte për postin më të lartë në vend.
Ishte një lidhje që Bardha e kishte farkëtuar me kohë. Guvernatori e figura të tjera politike ishin edhe klientë të tij të Sallonit “Bardha”, ku ai kishte vendosur lidhjet e para politike në një nga shtigjet më origjinale. Predikimin e priftit edhe mund ta shmangësh po të mos shkosh në kishë. Mirëpo, atë të njeriut që të pret apo rregullon flokët je i detyruar ta dëgjosh të paktën një herë në muaj.
Romney humbi në betejën e primareve, zgjedhjeve paraprake në Partisë Republikane përballë Richard Nixon-it, por Bardha kishte emër tashmë në rrethin e politikanëve dhe drejtuesve të fushatave zgjedhore.
Ishte dhurimi bujar në fushatat zgjedhore që i siguroi takim vetëm për vetëm me rivalin republikan që pasi kishte mundur Guvernatorin Romney ishte zgjedhur President e tani kishte hallin nëse do të fitonte dot kundër Demokratëve në Michigan. Takimi me Presidentin Nixon do të ishte i pari në radhë. Ekrem Bardha do të takohej rregullisht pastaj me çdo President që do të zgjidhej në Shtetet e Bashkuara, deri në shekullin tonë, një ritual në të cilin paraqiste kërkesat për të drejtat e shqiptarëve.
Ekrem Bardha ka kontribuar dhe marrë pjesë në çdo organizatë madhore shqiptaro-amerikane në vite e lobimit modern që nga Liga e DioGuardit, në Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan.
I lindur në jug të Shqipërisë, Ekrem Bardha u rrit me një dashuri të madhe për Kosovën dhe bashkatdhetarët jashtë atdheut. Për të është Shqipëri nga fshati më jugor i Çamërisë te trualli më verior ku ka jetuar dikur shqiptari. Patriot i një brezi tjetër, që gjithmonë besoi te ideja e bashkimit kombëtar, u bë një mbështetës i menjëhershëm i luftës për çlirimin e Kosovës dhe dhuroi për çdo kauzë kombëtare pavarësisht në cilën pjesë të trojeve autoktone ndodhej.
Në vitin 1998, u bë botues i gazetës “Illyria” duke vazhduar punën e nisur nga patrioti Harry Bajraktari dhe në vitin 1999, më ftoi bashkë me Dalip Grecën që të bëheshim pjesë e redaksisë. Ishin vite të rëndësishme e vendimtare për kombin shqiptar dhe “Illyria” ka qenë pjesë e pandashme e lobimit të komunitetit shqiptar në SHBA. Ekremi e bindi personalisht Richard Holbrooke dhe figura të tjera me rëndësi në SHBA që të abonoheshin e të lexonin regullisht gazetën. Nga viti 2006, stafetën e mori Vehbi Bajrami që kishte qenë gazetar dhe kryeredaktor i “Illyria”-s.
Janë disa figura të komunitetit të cilët edhe për shkak të jetëgjatësisë dhe shtrirjes së angazhimit veprimtarisë në kohë, bëhen figura lidhëse të brezave historikë. Ashtu si dikur Anthony Athanasi lidhte brezin e veprimtarëve të ditës në komunitet me brezin e Fan Nolit, Ekrem Bardha lidhi brezat e sotëm me ata të pasluftës. Këta veteranë të komunitetit shpresh të nderuar si patriarkë historikë shërbejnë si shembuj frymëzimi për veprimtarët më të rinj.
Këtë vit, me rastin e ditëlindjes së tij dhe promovimit të librit të tij më të fundit: ““E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, 23 maj 2025, në Kishën e Shën Palit, figura nga më të njohurat të komunitetit nga mbarë Amerika, por edhe personalitete nga atdheu udhëtuan në Michigan për të marrë pjesë dhe për ta nderuar Ekrem Bardhën, bashkëpunëtorin e tyre të dekadave dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Me Guvernatorin George Romney në ditën e hapjes së restorantit të parë McDonalds, në Michigan.Guvernatori është edhe babai i kandidatit presidencial republikan Mitt Romney, në 2012.Edhe George Romney kandidoi për president. U mund nga Richard Nixon në garën brenda Partisë Republikane.

Ekrem dhe Lumtëri Bardha, patën katër fëmijë: Vera, Gani, Ilir, dhe Donika

Me Guvernatorin Milliken të shtetit Michigan dhe gruan e tij Helen.
Zonja Bardha, ulur e para, majtas. Ekrem Bardha, kryetar i Komitetit, në këmbë djathtas
.
Takim privat me Presidentin Bill Clinton, 16 prill 1998, një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ekrem dhe Lumtëri Bardha. Pranë presidentit një nga djemtë, Ilir Bardha
Ekrem Bardha, i treti nga e djathta, në takimin e NAAC me Presidentin Bill Clinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë Luftës në Kosovë, 1999.