VOAL

VOAL

EDHE ISA BOLETINI U ‘KOSOVARIZUA’ – Nga GËZIM MEKULI

June 6, 2015

Komentet

VIDEO- “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

Valona Tela
Arben Hoti

Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026. Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë. Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.

Transporti urban në Kosovë rifillon punën pas grevës njëjavore

Pas grevës 1-javore, Transporti Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga sot.

Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh nga sot.

“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

Punëtorët e Transporti Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave.

Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.

Ervin Salianji: Belinda Balluku të dorëhiqet- Bashkohuni me PD në protesta

Ervin Salianji thotë se Belinda Balluku duhet të dorëhiqet, pasi siç thotë ai ky është standardi i demokracisë perëndimore.


Me anë të një postimi në Facebook ish-deputeti demokrat akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij “se e  kanë marr peng politikën dhe Shqipërinë me hallet e veta”.

Ai thekson se ‘duhet të rikthejmë politikën për të mundur Edi Ramën’, ndërsa bën thirrje që qytetarët ti bashkohen PD dhe protestave.

Reagimi i Salianjit

Edi Rama e ka prishur politikën! E ka bërë politikën të papërgjegjshme, të shthurur, pa mision e pa kontratë me njerëzit.

Ministra, deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë përballen me drejtësinë, por nuk lëshojnë postet. Nuk japin doreheqjen, nën pretekstin  e pamoralshëm të prezumimit të pafajësisë. Ligji gjykon faktin, politika përgjegjësinë. Belinda Balluku duhet të dorëhiqet, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Ky është standarti i demokracisë perëndimore!

Edi Rama dhe qeveria e tij e  kanë marr peng politikën dhe Shqipërinë me hallet e veta. Dhe kjo është një papërgjegjshmëri historike!

Në këtë tablo, jo më pak e rëndë është administrata dhe institucionet e sigurisë të cilat janë mbushur me njerëz pa arsim e pa integritet, thjesht halabakë të emëruar për vota. Shteti është kthyer në presion, në frikë dhe në mbytje të lirisë së qytetarëve.

Institucionet nuk janë më vend shërbimi, por hapësira banaliteti dhe vjedhjeje. Shqiptarët ikin; të rinjtë ikin; vendi zbrazet dhe politika është reduktuar në një çështje private, të turpshme.

Duhet të rikthejmë politikën për të mundur Edi Ramën.  Do ta mundim, sepse kemi moralin dhe të vërtetën, forcat e vetme që ai nuk mund t’i kontrollojë.

Bashkohuni me Partinë Demokratike! Bashkohuni në protestë dhe reagim! gsh

MPJD: Serbia arrestoi dhe më pas liroi një ish-polic të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se mëngjesin e 30 nëntorit, autoritetet e Serbisë kanë arrestuar dhe e kanë liruar pas disa orësh një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, Nexhat Pireva, që kishte shërbyer në Policinë e Kosovës për rreth 14 vjet, u arrestua mëngjesin e së dielës në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre, tha MPJD-ja.

“Pas marrjes në pyetje për rreth katër orë, zoti Pireva është liruar dhe aktualisht ndodhet në liri”, u tha në njoftim.

MPJD-ja tha se dënon “veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, të cilat përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve”.

Kjo ministri përsëriti thirrjen për shtetasit e Kosovës që të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë.

Arrestimi dhe më pas lirimi i Pirevës vjen vetëm disa ditë pasi autoritetet në Serbi arrestuan një shtetas të Kosovës, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

MPJD i ka kërkuar informacione Serbisë për Avni Qenajn nga fshati Romajë i Prizrenit, i cili kishte qenë luftëtar i brigadës 138 Agim Ramadani në Koshare. Serbia e akuzon atë për “krime lufte” në Koshare.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Kurti përkujtoi sulmin terrorist në Ibër-Lepenc: Shteti triumfoi përballë ekstremistëve

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti e cilësoi këtë rast si sulmin e parë ndaj infrastrukturës kritike të vendit, pas një incidenti paramilitar në Banjskë të Zveçanit dy vite më parë.

 

KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi dje sulmin terrorist një vit më parë ndaj akuaduktit të Ibër Lepencit në Varagë, Zubin Potok. Me anë të një postimi në Facebook, Kurti e cilësoi këtë rast si sulmin e parë ndaj infrastrukturës kritike të vendit, pas një incidenti paramilitar në Banjskë të Zveçanit dy vite më parë.

Kurti shpjegoi se sulmi ndodhi rreth orës 19:00 dhe ka pasur pasoja të rënda. Shpërthimi me eksploziv dëmtoi pjesën fundore të akuaduktit, duke rrezikuar furnizimin me ujë për konsumatorët, përfshirë Termocentralin “Kosova B”.

Postimi i Plotë:

Sot një vit më parë, rreth orës 19:00, akuadukti i Ibër Lepencit në Varagë të Komunës së Zubin Potokut ishte cak i një sulmi kinetik terrorist. Ky ishte sulmi i dytë i rëndë ndaj Republikës sonë nga aktorë të jashtëm në dy vite rresht, pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit, dhe i pari ndaj infrastrukturës sonë kritike. Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u dëmtua rëndë pjesa fundore dhe njëra ballinë e akuaduktit, duke rrezikuar kështu seriozisht furnizimin me ujë për të gjithë konsumatorët që shërbehen nga ky sistem, përfshirë këtu Termocentralin “Kosova B”.

Reagimi institucional ishte i menjëhershëm dhe kritik në parandalimin e pasojave katastrofike që kishte për qëllim sulmi: uljen për 60% të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, ndërprerjen e furnizimit me ujë për komunën e Mitrovicës, Skenderajt, Drenasit, Vushtrrisë, Fushë Kosovës dhe gjysmës së Prishtinës, ndërprerjen e shërbimeve të ngrohtores qendrore në kryeqytet dhe përgjysmimin e kapaciteteve telekomunikuese në vend si pasojë e mungesës së energjisë elektrike në stacionet bazë.

Veprimet profesionale dhe të suksesshme të institucioneve siguruan që, përkundër dëmit fizik dhe përgjatë gjithë procesit të riparimit, të ketë rrjedhje të mjaftueshme të ujit për ftohjen e termoelektranave dhe mirëmbajtjen e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe furnizim me ujë të pijshëm për banorët e komunave të prekura. Në afat rekord prej vetëm një muaji akuadukti i dëmtuar u rindërtua, rrjedha e ujit bashkë me sistemin u rikthyen në kapacitete të plota operative. Përgjigjja jonë dëshmoi aftësinë e lartë reaguese të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore. Shteti dhe Republika triumfuan përsëri përballë grupeve ekstremiste dhe terroriste që mbështetjen e financimin e gjejnë te Beogradi zyrtar, e inspirimin dhe metodat i gjejnë te Rusia – sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Ibër Lepenc i ngjasonte sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës.

Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me këtë sulm, ishin konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe ishin gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë. Edhe sot, ato janë dëshmi të qarta për përfshirjen e grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që synim e kanë destabilizimin e vendit tonë dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

KQZ certifikon rezultatin e balotazhit të 9 nëntorit

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në 18 komuna më 9 nëntor, duke i hapur rrugën marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj në 38 komuna të Kosovës.

Në ràundin e parë, të mbajtur më 12 tetor, qytetarët zgjodhën kryetarët në 20 komuna të tjera.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se votojnë kundër certifikimit të rezultatit për kryetar komune në Kllokot.

Bazuar në dy rundet e votimit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë fituar nga shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës gjashtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë komuna dhe Lista Serbe dhjetë.

Lëvizja Vetëvendosje në rundin e dytë fitoi në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Obiliq. Kjo parti, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në raundin e parë mori udhëheqjen e Kamenicës, Podujevës dhe Shtimes.

Në rundin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në pesë komuna: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik. Në rundin e parë, kjo parti fitoi në Istog dhe Lipjan.

Partia Demokratike e Kosovës në balotazh fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik. Ndërkaq, më 12 tetor, kjo parti fitoi në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 9 nëntor kori fitore në Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec. Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj më 12 tetor, ndërkaq, fitoi në Deçan.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – është partia që ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 10 komunat e banuara me shumicë serbe. Në rundin e balotazhit, ajo fitoi në Kllokot, ndërkaq më 12 tetorit mori drejtimin në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë të Veriut.

Partia turke, KDTP në balotazh fitoi në Mamushë.

Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate në rundin e parë ka fituar në Malishevë, ndërkaq në Drenas ka fituar nisma e Ramiz Lladrovcit.

Dalja në rundin e parë ishte mbi 40 për qind, ndërkaq në balotazh mbi 32 për qind.

Dy rundet e votimit u zhvilluan pa ndonjë incident të madh.

Lëvizja Vetëvendosje e nominon Albin Kurtin kandidat për kryeministër të Kosovës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës.

 

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje, (LVV), e ka nominuar të mërkurën kreun e partisë, Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kurti, ashtu siç pritej, mori besimin e të gjithë delegatëve të partisë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm në Prishtinë.

“Atëherë, konstatoj se me votat e të gjithë delegatëve të Lëvizjes, pra unanimisht, miratojmë propozimin që Albin Kurti të jetë kandidati ynë për kryeministër të Kosovës”, tha Arbërie Nagavci, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Duke folur pas nominimit, Kurti tha se “ndihem i nderuar që edhe një herë më besuat si kandidatin tuaj për kryeministër”.

Ai gjithashtu i kritikoi partitë e tjera në vend për mungesën e gatishmërisë për të bashkëpunuar me partinë e tij pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.

“Jemi para zgjedhjeve të reja pa vullnetin dhe dëshirën tonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet e tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Së pari më refuzuan mua e pastaj edhe Glauk Konjufcën”, tha Kurti.

Kurti bëri përpjekje disamuajshe për ta siguruar një mandat të tre në krye të vendit, por as ai e as bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, nuk e morën mbështetjen e Kuvendit për ta bërë qeverinë e re muajt e fundit.

LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 vende në Kuvend ishin të pamjaftueshme dhe Kurti nuk arriti të gjejë një partner koalicioni, qoftë për ta arritur minimumin e kërkuar prej 61 ulëseve për një qeveri të pakicës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ditë më parë e nominoi kreun e vet Lumir Abdixhiku për kryeministër në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, kishte oferta nga Kurti për të bashkëqeverisur, por ajo vazhdimisht i hodhi poshtë ato.

Pasi Kuvendi nuk arriti ta votojë qeverinë e re, presidentja Vjosa Osmani e shpërbeu Kuvendin javën e kaluar dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 28 dhjetor.

Si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe lëshimeve politike, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që nga shkurti i këtij viti.

Vendi tani shkon në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna – Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.

Kryeministri Kurti shtroi drekë për të Ngarkuarën me Punë, Anu Prattipati, dhe stafin e saj, në shënim të Ditës së Falënderimeve

 

Prishtinë, 25 nëntor 2025

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shtroi drekë për të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, dhe stafin e saj me rastin e Ditës së Falënderimeve.

 

Kjo drekë e përbashkët e Ditës së Falënderimeve ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së tashmë është në vitin e saj të dytë, me synim që të shndërrohet në një traditë shumëvjeçare.

 

Dreka përfshiu shumë nga ushqimet që tradicionalisht shërbehen gjatë një darke të Ditës së Falënderimeve. Kjo festë është kremtuar në Shtetet e Bashkuara për gati 400 vjet dhe u shpall festë vjetore kombëtare nga Presidenti Lincoln në vitin 1863.

 

Ajo ofron një mundësi të mirë për të shprehur falënderim për marrëdhëniet që ndajmë, të cilat vazhdojnë të thellohen. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë ndërtuar në vlera të përbashkëta, mirënjohje dhe respekt të ndërsjellë. Këtë vit, me qëllim të forcimit të raporteve tona bilaterale, kemi marrë vendim për 0% tarifa për mallrat amerikane, kemi arritur dakordim për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta dhe kemi bërë prokurime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes. Zyra e Kryeministrit

Persona të panjohur dëmtojnë një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit

Policia e Kosovës ka njoftuar se një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok është dëmtuar “me mjete të forta” nga persona të panjohur.

 

Petrit Fejza nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se punëkryesi në këtë kanal e ka raportuar dëmin më 25 nëntor dhe hetuesit tani janë duke punuar për të zbardhur rastin.

“Dje është lajmëruar nga punëkryesi që najloni që është duke punuar është dëmtuar. Është një pjesë e najlonit që është shtruar kanali dhe është dëmtuar. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë kryer vendshikimin. Është hap rast dhe hetuesit janë duke punuar në këtë drejtim”, tha ai.

I pyetur se me çfarë mjetesh të forta konkretisht dyshohet të jetë shkaktuar dëmi, ai tha se “nuk kemi më shumë informacione”

Raportimet për dëme në këtë kanal vijnë pothuajse një vit pasi në Ibër-Lepenc, në fshatin Varragë, ndodhi një shpërthim.

Për shpërthimin e 29 nëntorit të vitit 2024, Kosova e fajësoi Serbinë, por Beogradi i mohoi akuzat.

Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist.

Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar pas shpërthimit se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, por se ishte herët për të nxjerrë përfundime. Në hetimet për shpërthimin janë përfshirë edhe agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Prokuroria Speciale është duke e hetuar shpërthimin e 29 nëntorit, por deri më tani nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur. Për rastin janë arrestuar dhjetëra të dyshuar dhe janë sekuestruar armë dhe eksplozivë.

Megjithatë, vetëm Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.

Autoritetet dhe Policia e Kosovës kanë dekaruar më herët se janë përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë për të hedhur në erë kanalin dhe se ky ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të vendit në periudhën pas luftës.

Dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro./rel/

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

 

 

Prishtinë, 25 nëntor 2025

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se me ndjesi feste dhe ngazëllimi ka ardhur sot në këtë ditë festimi, dy ditë pasi ishte në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes. “Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shënjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve”, tha kryeministri Kurti.

 

Në shënim të 113- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.

 

“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë ”, tha ai.

 

Sot, teksa e shënojmë 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri potencoi se çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër, ai tha se ky përvjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ai tha se ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.

 

“Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!”, uroj në fund kryeministri Kurti.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuara presidente e Republikës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari kryetar i Kuvendit, z. Dimal Basha,

Shkëlqesia e juaj, z. Petrit Malaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe e nderuara zonja Aneta Malaj,

Të nderuar z. Fatmir Sejdiu dhe znj. Atifete Jahjaga, ish-President të Republikës së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve e të martirëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Shkëlqesi ambasadorë dhe ju të tjerë diplomatë të misioneve në Kosovë,

Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, e drejtues dhe zyrtarë në institucione të shtetit,

Të nderuar profesorë dhe intelektualë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

 

Disa ditë më parë, kur në zyrën time erdhi ftesa nga Ambasada e Shqipërisë për kremtimet e 28 Nëntorit, një mori kujtimesh dhe ndjesish festive m’u rikthyen, sikur në çdo nëntor, kur shumë ngjarje kyçe në historinë e shqiptarëve, përbashkohen te data e 28 Nëntorit.

 

Një ftesë e dërguar nga Ambasada e Shqipërisë, disi gjithmonë më ngjason me ato telegramet e transmetuara me telegraf në vitet e largëta të fillimshekullit XX, kur patriotët shqiptarë po koordinoheshin mes vete për veprimet që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës. E kam fjalën për telegramet me njoftime dhe udhëzime që Ismail Qemali ua dërgonte nga Vjena bashkëpunëtorëve të tij në Durrës dhe Vlorë, e me të cilat u jepte lajmin e madh se çështja e Shqipërisë ishte siguruar dhe se duhej njoftuar të gjithë delegatët për t’u bashkuar në Kuvendin e Vlorës. Këto telegrame, më së shumti na janë ngulitur në kujtesën tonë auditive, me zërat e aktorëve të filmit “Nëntori i Dytë”, prodhim i vitit 1982, i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

 

Andaj edhe kur e mora ftesën për kremtimin e sontëm, pashmangshëm e lexova me zërin e vetë Ambasadorit Petrit Malaj, që te filmi “Nëntori i Dytë”, luan si aktor rolin e njërit prej nipave të Isa Boletinit. Ky film i pashqitshëm nga kujtesa jonë që prej fëmijërisë, hapet me një skenë, ku Hasan Prishtina kuvendon me Idriz Seferin për organizimin e kryengritjeve antiosmane dhe mbyllet me skenën aq të mirënjohur, ku Isa Boletini e puthë flamurin kombëtar të mbajtur në duar nga Ismail Qemali. Në historinë e kinematografisë shqiptare, vështirë të gjendet një tjetër film artistik si “Nëntori i Dytë”, i cili është parë me aq besim sikur të ishte një film dokumentar dhe skenat e të cilit janë përvetësuar aq natyrshëm në ikonografinë e festimeve të 28 Nëntorit.

 

Kështu edhe kjo mbrëmja e sontme, duket sikur ka diçka nga teatraliteti i skenave të atij filmi dhe nga zëri i dialogjeve të tij, sidomos kur e dëgjojmë aktorin Petrit Malaj duke na uruar 28 Nëntorin, nga detyra e nderuar e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

 

Me të tilla ndjesi feste dhe ngazëllimi erdha sot këtu mes jush, dy ditë pasi isha në Manastir me rastin e 117- vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe diskutimeve e vendimeve të marra aty për alfabetin e shqipes. Këto data, si 22 nëntori i 1908-ës ashtu edhe 28 nëntori i 1912-ës, janë data historike të shenjuara një herë e mirë në kalendarin e kronologjisë së historisë së kombformimit dhe të shtetndërtimit të ne shqiptarëve.

 

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve.

 

58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës. Është hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë.

 

Sot, teksa e shënojmë 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, çdo angazhim për forcimin e dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, vazhdon ta ketë bekimin e atyre burrave dhe grave që dhanë gjithçka nga dija dhe përvoja, nga guximi dhe jeta e tyre, për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për jetësimin e ideve të shqiptarizmës siç i konceptuan ato rilindësit tanë. Për më tepër që ky 113-vjetor i shtetit shqiptar, po kremtohet në sfond të 81-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga nazifashizmi dhe 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Le të kujtojmë që Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend në Evropë që u çlirua me forcat e saj, duke u rreshtuar drejt pas Aleatëve. Ky rreshtim politik i shqiptarëve, duhet ruajtur si i tillë, bashkë me angazhimin tonë për ruajtjen e aleatëve tanë.

 

Të bekuara qofshin Shqipëria dhe Kosova përgjithmonë dhe së bashku i jetofshim dhe festofshim përherë!

 

Urime kremta e 28 Nëntorit dhe gëzuar të gjithë shqiptarëve!/Zyra e Kryeministrit

 

OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

Radio Evropa e Lirë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

Më herët gjatë 25 nëntorit, Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.

Sipas kësaj ministrie, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.

Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës.

Në korrik të këtij viti, Lulzim Halili u arrestua nga Serbia nën dyshimet për krime lufte dhe nën pretendimet se kishte qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Atëbotë, Organizata e Veteranëve të UÇK-së, tha se emri i tij nuk figuronte në listën e veteranëve e as në atë të pjesëmarrësve në këtë betejë.

Në Koshare ishte një post ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave. Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.

Beteja në këtë post kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.

NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 9 prill në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

Ikja e kapitalit: Investimet jashtë Kosovës rriten për 55%

Nadije Ahmeti

Bizneset kosovare po zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre jashtë vendit, duke parë mundësi më të sigurta dhe më fitimprurëse në tregjet e rajonit.

Ky trend reflektohet qartë edhe në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat tregojnë rritje të ndjeshme të investimeve direkte jashtë vendit.

Sipas BQK-së, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, investimet direkte të kosovarëve jashtë Kosovës arritën në 166.6 milionë euro – një rritje prej 55% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shuma ishte 107 milionë euro.

Për krahasim, vlera e këtyre investimeve ishte 59.1 milionë euro në vitin 2020, u rrit në 100.3 milionë euro në vitin 2021 dhe vazhdoi të ngjitej deri në 224.3 milionë euro në vitin 2024.

Shqipëria – destinacioni kryesor i investitorëve kosovarë

Një nga bizneset që e ka zhvendosur fokusin jashtë Kosovës, është kompania ndërtimore “Uni Projekt”, e drejtuar nga Fitim Bacaliu, i cili prej gjashtë vjetësh operon në Shqipëri.

Ai tregon se i ka zvogëluar investimet në Kosovë dhe i ka orientuar ato drejt tregut shqiptar.

Arsyeja kryesore: fitimet më të qëndrueshme.

“Në Kosovë, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, ndërsa në Shqipëri ka shumë blerës të gatshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Bacaliu investon deri në 4 milionë euro në vit në Shqipëri, kryesisht në Shëngjin dhe Lezhë, dhe punëson vetëm staf vendas.

Thotë se ky model u ka dhënë më shumë stabilitet investimeve të tij.

“Blejmë toka, shesim dhe ndërtojmë objekte të larta banimi… Vetëm unë jam nga Kosova – inxhinier. Të gjithë punëtorët janë nga Shqipëria”, shpjegon afaristi.

Një tjetër rast është edhe kompania prodhuese e këpucëve “Solid Shoes” nga Suhareka, e cila prej muajit mars zotëron 40 për qind të aksioneve të një fabrike në Tiranë.

Drejtori menaxhues, Shpejtim Kuçi, thotë se zgjerimi në Shqipëri është bërë për shkak të përvojës më të madhe prodhuese, numrit më të madh të klientëve, si dhe lehtësive për eksport drejt vendeve që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Ai, po ashtu, thekson se transporti detar përmes porteve shqiptare është shumë më i favorshëm për kompanitë që synojnë tregjet ndërkombëtare.

“Ka shtete ku si Kosovë hasim barriera, ndërsa Shqipëria ka marrëveshje më të hershme tregtare”, thotë Kuçi për Radion Evropa e Lirë.

“Arsye tjetër është se ne synojmë edhe tregun amerikan dhe në Shqipëri tregtia mund të organizohet më lehtë për shkak të transportit detar”, shton ai.

Kompania e tij punëson rreth 600 punëtorë në Shqipëri, 200 në Kosovë dhe 80 në Preshevë.

Sipas Institutit për Studime të Avancuara – GAP në Prishtinë, vetëm vitin e kaluar kosovarët investuan mbi 80 milionë euro në Shqipëri, ndërsa në vitin 2023 mbi 95 milionë euro.

Në Mal të Zi, ndërkaq, investimet e tilla në vitin 2024 kapën vlerën e 18.2 milionë eurove.

Pse largohen bizneset?

Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve e shohin si shqetësuese rritjen e investimeve jashtë Kosovës.

Ata paralajmërojnë se ky trend mund të intensifikohet, nëse nuk merren masa urgjente.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se burokracia, mungesa e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë po i shtyjnë bizneset drejt tregjeve të tjera.

“Ne ende funksionojmë me sistem klasik. Mungesa e digjitalizimit ngadalëson proceset. Kjo e komplikon procesin për bizneset dhe ato heqin dorë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Ai rikujton edhe daljen e kompanive të mëdha në tregun e hapur të energjisë, më herët këtë vit.

Kjo ka bërë që çmimi i rrymës për to të shtrenjtohet dhe ato të bëhen më pak konkurruese në treg, krahasuar me vendet e rajonit.

Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se orientimi i bizneseve drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe shteteve të tjera tregon se jashtë vendit ato gjejnë kushte më të favorshme.

Sipas tij, shqetësuese është sidomos largimi i bizneseve prodhuese.

“Përveç procedurave burokratike dhe problemeve me energji, imazhi i produkteve që prodhohen në Kosovë, nuk është ai që do ta dëshironim, për shkak se edhe Kosova, edhe bizneset nuk kanë pasur fuqi financiare për të zhvilluar marketing në vendet e ndryshme”, shton Mulaj.

Çfarë humb Kosova?

Largimi i bizneseve nga Kosova ka pasoja të ndjeshme për buxhetin dhe ekonominë.

Përveç daljes së kapitalit financiar, Kosova humb edhe nga të hyrat doganore, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatimi mbi fitimin e korporatave, si dhe tatimet dhe kontributet pensionale, të cilat përfundojnë në shtetet ku kompanitë operojnë.

Për më tepër, këto biznese shpesh kthehen edhe si konkurrentë të drejtpërdrejtë në tregun vendor.

“Të gjitha këto i ulin të ardhurat publike që do të mund të përdoreshin për shërbime publike, qoftë për shëndetësi, arsim, infrastrukturë”, thotë Mulaj.

Varësia e Kosovës nga importi, ndërkaq, vazhdon të rritet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar importet kapën vlerën e mbi 6 miliardë eurove, ndërsa eksportet rreth 900 milionë euro.

Edhe këtë vit situata duket e ngjashme: nga janari deri në korrik importet kanë arritur mbi 4 miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 521 milionë euro.

“Krejt paratë e gatshme po i nxjerrim jashtë dhe kjo është shumë e dhimbshme”, thotë Rafuna.

Ekspertët kërkojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat, veçanërisht për industrinë prodhuese, si dhe digjitalizim të shërbimeve përmes modelit “one stop shop”.

“Nuk kërkohet ndonjë kosto e lartë për t’i realizuar shërbimet digjitale, kurse bizneset do të përfitonin shumë – qoftë në shpejtësi të shërbimit, qoftë në zvogëlim të mundësisë për korrupsion”, thotë Mulaj.

Ministria në detyrë e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ekziston ndonjë strategji për të frenuar këtë trend të largimit të bizneseve.


Send this to a friend