Për herë të parë në histori, Shqipëria arriti të siguronte një medalje ari në atletikë në një kampionat madhor si Evropiani. Luiza Gega shkëlqeu në Mynih me një paraqitje fantastike në garën e 3000 m me pengesa. Atletja kuqezi, e veshur me ar, u rikthye këtë të hënë në atdhe ku u prit në Rinas nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.
Luiza Gega shënoi kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga fillimi e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, e cila u ngjit në majën e Europës.
Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Europës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin.
Një triumf i madh për Luiza Gegën, trajnerin e saj Taulant Stërmasi dhe atletikën shqiptare.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Evis Kushi tha se Luiza përfaqëson shumë më tepër sesa një kampione Evrope në atletikë. Ajo është modeli i shkëlqyer jo vetëm në sport por në çdo fushe te jetës.
“Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin. Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”- theksoi Ministrja Kushi.
Ajo tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.
“Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport.
Por nga ana tjetër, Kushi theksoi se zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme. Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin.
“E dashur Luiza, Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjate punës sime si Ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitët flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit,” – theksoi ministrja Kushi.
(BalkanWeb)
Komentet