“Bella gerant alii, tu felix Austria nube.” – Derisa të tjerët luftojnë, martohu ti, Austri e lumtur!
Kujtova sot këtë thënje latine, ndërsa ndjek votrat e vogëla politike që, në këto mote të vështira, lumnojnë statusin komod të opozitës.
Natyrisht, konteksti është tjetër.
Atëherë, Maria Terezia, nga Dera e madhe e Habsburgëve, me politikën e martesave arriti të ruaj paqen me fqinjët e saj.
Tani këmbana e historisë tingëllon ndryshe. Është e rëndë e lajmëtare…
E drejta dhe morali, nuk përkojnë përherë. Ka të drejta, disi, të ftohta ligjore. Por, që njëkohësisht, dalin matanë moralit civil apo, madje, kombëtar.
Opozita, në fakt, per definitio, gëzon privilegjin prehës të gabimit apo pasivitetit. Por ky privilegj është i pak thartë. Sepse, më pas, merr revansh në provën zgjedhore.
Ndonjëherë qielli i kohës së popujve mbushet me korba që presin plojën. Dhe ky i tashmi është mnerisht i tillë.
Pa prekur të drejtën e gëzimit të jetës, megjithatë,
jashtë arithmetikës shkollore të pushtetmarrjes, kjo kohë i merr opozitës së Prishtinës komocionin, të drejtën imorale të pasivitetit dhe gabimit.
Aq më shumë galdimin e fshehtë përbetues për shteghumbjen e qeverisë, anipse, bashkë me të, mund të rrëzohet dhe Republika që lëkundet në arenë stuhish…