Është e natyrshme që vëmendja dhe shigjetat kritikuese popullore të përqendrohen te performaca e qeverisë, jo për të konkretizuar shprehjen “pema me kokrra gjuhet”, se nga kjo pemë 2-vjeçare akoma nuk kemi parë një kokërr të vetme, por sepse në fund të fundit ata janë votuar për të dhënë llogari një me një, sidomos për ato punë që nuk bëjnë. Por në rastin tonë, që kemi të bëjmë me një qeveri arrogante që vrau çdo shpresë, sytë dhe veshët e njerëzve, me të drejtë, drejtohen nga opozita e vendit. A është ajo njësoj fajtore për skandalet që plasin përditë në këtë vend? Absolutisht jo…! A ka ajo përgjegjësi në këtë aspekt? Absolutisht po. Nëse është e vërtetë që populli, pas dy vitesh në pushtet të Partisë Socialiste, e ka kthyer shikimin nga Partia Demokratike, atëherë kjo e fundit duhet të ndjehet tepër e privilegjuar. Mirëpo privilegjet në shumicën e rasteve janë të shoqëruara me përgjegjësi të mëdha dhe PD duhet të jetë gati të marrë këto përgjegjësi. Mbase nuk e kishte parashikuar, mbase qeverisja e keqe e kundërshtarit politik e ka gjetur të papërgatitur, por ky nuk është justifikim. Popullit nuk i intereson fare kjo. Ky vend nuk mund të jetë përgjithmonë një mësimore apo një laborator gjigant, ku rrotullohen njerëz që vijnë për të mësuar dorën. Pra, PD duhet të jetë gati gjithsesi. Por, çfarë do të thotë të jesh gati? Sipas mendimit tim, nuk mjaftojnë denoncimet nga foltorja e partisë, edhe pse kohët e fundit kanë qenë në nivelin e duhur. Është e vërtetë që skandalet dhe “bombat” në këtë vend plasin aq shpesh, sa nuk ke kohë t’i përtypësh, por duhet t’i gëlltisësh, por një opozitë e përqendruar di ta krijojë kauzën të bazuar në të vërtetën dhe sidomos në interesin publik. Opozitarët duhet të përqendrohen dhe të vihen në krah të njerëzve në nevojë, e jo të flirtojnë me kundërshtarin për interesat e veta. Njerëzit nuk besojnë më. Ata me të drejtë janë të tmerruar, të neveritur, u ka hyrë frika në palcë nga politika, sjellje e cila reflektohet në takimet e kryeopozitarit me popullin, madje shoqërohen me fjalinë “ju jeni të gjithë njësoj. Si ta dimë ne që ti je ndryshe? Pse duhet të ta japim votën ty?”. Ky është ai momenti kur njerëzit po ta thonë troç “na bëj të të besojmë”. Të qenit i besueshëm është hapi i parë dhe më i rëndësishëm i dikujt që pretendon të qeverisë nesër. Mirëpo që të të besojnë të tjerët, fillimisht duhet të besosh vetë i pari. Në fund të fundit çfarë duam të dëgjojmë në? Ne duam të dimë a do kemi më shumë të ardhura? A do mjekohemi më mirë? A do edukohemi më mirë. A do ushqehemi më shëndetshëm? A do shkollohemi më cilësisht? A do ketë ndonjëherë vlerësim sipas meritokracisë në këtë vend? A s’do na heqin nga puna kur të ndërrohen partitë? A do ulet çmimi i naftës? A do zgjidhet problemi i pronave? A do kemi përsëri nevojë të ikim nga sytë këmbët, të emigrojmë nga vendlindja? A do vetëflijohemi se s’kemi më çfarë të paguajmë faturat? Dhe në fund të fundit, a do ketë dritë në fund të këtij dreq tuneli të zi sterr, që po na verbon përditë? Ne duam shpresë. Që një opozitë të jetë e besueshme përballë një populli që ka të tilla pyetje ekzistenciale, duhet të ketë një projekt të qartë me tri shtylla kryesore: “çfarë do bëjë”, “si do e bëjë” dhe “sa kushton”. Prandaj e dashur opozitë, prezantoi popullit një skuadër të re me njerëzit e duhur, merr një laps e një letër dhe mbaj shënim si një nxënës i bindur dhe mbi të gjitha, thuaju njerëzve atë që duan ata të dëgjojnë. Krijo besim dhe vetëm besim.
Komentet