Sot Faton Hajrizi është varrosur në varrezat e fshatit Klinë e Ulët të Komunës së Skenderajt në Kosovë.
Dy javë pas vrasjes, trupi i pajetë i Faton Hajrizit mbërriti në Kosovë, pas lejimit nga autoritetet serbe për të tërhequr trupin në Serbi.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë familjarët, miqtë dhe një numër i madh qytetarësh.
Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më datën 6 korrik. Ai kishte vuajtur më shumë se 17 vite burg në Kosovë, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se atij i kishin mbetur dënim edhe 7 vite e 6 muaj. Ai ishte i dënuar për vrasjen e një ushtari rus gjatë vitit 2000, si dhe për disa vepra penale tjera.
Hajrizi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, ndërsa rasti i tij mori krejtësisht rrjedhë tjetër me datën 18 korrik, kur mediat serbe raportuan për vrasjen e një polici serb në Loznicë.
Pas vrasjes së policit serb, autoritetet në Serbi e shpallën në kërkim Faton Hajrizin. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë më 19 korrik njoftoi se pas një kërkim intensiv për Faton Hajrizin, ai është gjetur dhe ekzekutuar gjatë një shkëmbimi me armë zjarri.