Rillogaritja e pensioneve për ata që kanë punuar gjatë diktaturës.
Nuk mjaftuan 45 vite diktaturë mizerabël, për këta qytetarë që janë të detyruar të përballojnë edhe 35 vite me pensione të mjerueshme, që nuk i lejojnë të jetojnë me dinjitet.
Ata dhanë rininë e tyre në fabrika, në fusha, në zyrat shtetërore. Ndërtuan vendin me sakrifica dhe djersë. Sot marrin në këmbim pensione që nuk mjaftojnë as për bukën e përditshme.
Kjo është një padrejtësi që rëndon në ndërgjegjen e të gjithëve ne.
Rillogaritja e pensioneve duhet të jetë shumë e konsiderueshme, jo një korrigjim i vogël për të qetësuar ndërgjegjen e politikës. Ka ardhur koha të bëhet një manovër e guximshme patriotike dhe humanitare, pjesë përbërëse e programit të qeverisë së re, si shenjë respekti për ata që kanë duruar tashmë shumë.
Lexues, gazetar, politikan, qytetar. Nuk është më koha e like-ve.
Është koha e veprimit civil, në respekt të ligjeve dhe edukatës së mirë.
Çfarë do të bësh nesër? Do të vazhdosh të shikosh në heshtje apo do ta ngresh zërin për ata që nuk kanë më zë?