Besmira është një grua e re dhe e hijshme që kalon ditë të tëra duke vështruar telefonin e saj të vjetër në pritje të një telefonate nga bashkëshorti i saj, Arbeni, që ndodhet larg në Angli.
Çifti, të dy 32 vjeç, dëshirojnë të kenë fëmijë bashkë, por ëndrra e tyre për t’u bërë prindër mbetet ende një ëndërr.
Kanë kaluar katër vjet që nga hera e fundit kur Besmira, ish-statisticiene shtetërore, ka parë Arbenin nga afër. Në vitin 2021, ai la Shqipërinë për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke paguar 5000 £ për të kaluar ilegalisht Kanalin e La Manshitme një varkë të vogël nga Franca.
Më pas shkoi në Liverpool për të punuar si kopshtar me punë të përkohshme, para se të vendosej në Manchester, ku aktualisht punon në një kantier ndërtimi, fle në një dhomë të vogël me qira dhe punon 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë për të fituar mjaftueshëm para që t’ia dërgojë gruas së tij dhe të afërmve në shtëpi.
Besmira është një nga qindra gra në Has, në Shqipërinë veriore, që janë viktima të një fenomeni emigrimi. Ashtu si Arbeni, të dashurit apo burrat e tyre janë kontrabanduar drejt Britanisë sepse në vend nuk ka punë.
Vetëm në vitin 2022, 13,000 shqiptarë, disa vetëm nxënës shkolle, hynë ilegalisht në Britani me varkë, me bindjen se ajo është një “tokë e premtuar”, e mbushur me mundësi për të fituar para (kryesisht në tregun e zi).
Në një periudhë, tre vjet më parë, gati katër në dhjetë migrantë që udhëtonin me varkat e trafikantëve të njerëzve në Kanal vinin nga Shqipëria, dhe askund ky eksod nuk ishte më i lartë se në Has, një bashki me vetëm 5000 banorë, rreth tri orë me makinë përmes maleve nga Tirana.
Dy vjet më parë, bashkia vendosi një monument në sheshin kryesor me një zemër të zbukuruar me flamurin britanik dhe atë shqiptar, si një nderim për lidhjet e jashtëzakonshme, për të mos thënë kontroverse, me Britaninë. Nëpër bare është pikturuar flamuri britanik nëpër mure dhe tavolinat e kafeneve kanë të stampuar fotografi të Big Benit.
Një statujë madhështore e mbretëreshës së ndjerë Elizabeta II po ndërtohet për të qëndruar pranë bashkisë, dhe kur ajo ndërroi jetë, Hasi shpalli ditë zie. Në pamje të parë, ky mund të duket si një nderim i mrekullueshëm nga një komunitet i vogël dhe i largët për një vend që u ka dhënë kaq shumë qytetarëve të tij mundësi për punë. Por pasojat shoqërore kanë qenë shkatërrimtare.
Kur djemtë adoleshentë lënë shkollën, shpesh duke refuzuar të vazhdojnë gjimnazin, i përshëndesin mësuesit me fjalët: “Shihemi në Londër,” në vend të “Shihemi rrotull.”
Në qendër të Hasit, vajzat bredhin pa ndonjë gjë për të bërë.
“Ato vetëm rrinë kot gjithë kohës dhe shikojnë thonjtë apo telefonat,” më tha një kamerier herën e fundit që vizitova qytetin.
“Nuk kanë pse të punojnë sepse vëllezërit ua dërgojnë paratë nga Anglia. Ndërkohë, djemtë që duhej të ishin duke i frekuentuar apo martuar janë të gjithë në Angli.”
Ka të drejtë. Këtë javë pashë vajza adoleshente nëpër kafenetë e Hasit të ulura në grupe vetëm vajzash. Gjatë 12 orëve që qëndrova atje, u panë shumë pak djem të moshës së tyre.
Largimi i kaq shumë burrave dhe djemve ka lënë pas një shoqëri të zhbalancuar ku shumë familje drejtohen nga gra, madje edhe pastrueset e rrugëve të bashkisë, një punë që zakonisht bëhet nga burra në Shqipëri, janë gra.
Fëmijët rriten pa baballarë, të cilët i shohin vetëm përmes një objektivi kamere në biseda interneti.
Besmira është tepër e njohur me këtë formë komunikimi të largët dhe pa shpirt. “Jam në depresion, si shumë nga gratë këtu që kanë mbetur pas,” thotë ajo.
“Emigrimi i burrave shkatërron lidhjet familjare. Familjet copëtohen.
“Burrat që largohen mund ta harrojnë familjen që kanë këtu. Ka një rritje të divorcit, ndërkohë që më parë pothuajse nuk kishte të tillë në shoqërinë tonë të ngushtë. Qyteti është përmbysur. Ka para që vijnë, sigurisht, nga Britania. Por paratë nuk janë gjithçka.”
Po flasim në një dhomë të pasme të një kafeneje lokale, ku Besmira refuzon të fotografohet dhe i kërkon gazetës Mail të përdorë pseudonime për të dhe Arbenin, sepse ndihet në siklet për ta bërë publike vuajtjen e saj.
Na është prezantuar nga një punonjës bamirësie, i cili është i shqetësuar për ndikimin e eksodit mashkullor, jo vetëm në Has, por në gjithë Shqipërinë.
Në një kthesë tjetër dramatike, që nuk ia përmenda Besmirës, ndodh që burrat që ikin, gjejnë partnere të tjera në Britani, martohen me to në mënyrë bigame dhe zhduken përgjithmonë. Besmira e ka menduar të largohet drejt Britanisë, por kostoja për t’u futur kontrabandë është e pamundur për t’u përballuar.
Në dy vitet e fundit, qeveria konservatore britanike e shtrëngoi kontrollin ndaj kalimeve me varkë në Kanal nga emigrantët shqiptarë ekonomikë, duke i deportuar ata si jo-refugjatë në “vendin e sigurt” të origjinës me avion.
Si rezultat, shqiptarët tani gjithnjë e më shumë përdorin kamionë në tragetet e Kanalit për të hyrë ilegalisht në Britani nga Franca, dhe kjo është një sipërmarrje shumë më e kushtueshme. Një biletë trafikanti për këtë udhëtim ka arritur në shifrën marramendëse prej 22,000 £, më thanë këtë javë në Has.
“Të gjitha paratë që më dërgon burri shkojnë për prindërit e tij, me të cilët jetoj, ose për të afërmit tanë të tjerë që ai i ndihmon,” thotë ajo. “Nuk mbetet asgjë për rrugën drejt Anglisë.”
Besmira dhe Arbeni u njohën në Has kur të dy ishin 24 vjeç, u martuan dhe jetuan bashkë për katër vjet para se ai të largohej. Ata duhen, thotë ajo. “Duam të kemi fëmijë, sigurisht,” shton ajo, ndërsa sytë i mbushen me lot.
“E dimë që po humbasim shumë. Ideja ishte që ai do të kthehej, por kjo nuk ndodh kurrë sepse duhet të na dërgojë para. Këtu nuk ka punë për të.”
Kur Besmira largohet nga kafeneja, më bashkohet një zyrtar lokal që po ndërton një “fshat turistik”, 15 km jashtë Hasit. Përveç ndihmës për të ndalur eksodin e të rinjve duke u ofruar punë, ai shpreson të tërheqë mbrapsht edhe ata që kanë emigruar.
“Ka 300 ditë me diell në vit, prandaj zhvillimi i turizmit është e ardhmja,” thotë Jahir Cahani, një ish-mësues 50-vjeçar, i cili ka parë nga afër ndryshimin dramatik demografik të qytetit.
“Zinxhiri normal i njohjes, fejesës, martesës dhe pastaj ardhjes së fëmijëve është ndërprerë,” thotë ai. “Është e vështirë që vajzat këtu të njohin djem që në fillim, për të nisur këtë zinxhir. Djemtë janë në Britani.”
Në tryezë ndodhet edhe profesori Festim Dauti, një tjetër ish-mësues. “Burrat largohen dhe kjo është pozitive për situatën ekonomike të familjes,” shpjegon ai. “Por është e kundërta për unitetin familjar. Për djemtë adoleshentë është problem nëse nuk kanë një figurë atësore pranë. Ata kanë nevojë për një baba dhe një nënë për t’u rritur si qytetarë të mirë dhe të lumtur.”
Ai thekson se gratë mbajnë barrën e rritjes së fëmijëve të vetme. Por përveç kësaj, ato kujdesen për prindërit e tyre, siç është zakon në Shqipëri. Dhe tani, gjithashtu kujdesen për prindërit e burrit.
“Kjo është e tepërt për to,” thotë ai. “Po bëjnë një punë të jashtëzakonshme që duhej ta ndanin me burrat e tyre.”
Korriku është sezoni i dasmave në Has, dhe kjo është periudha kur burrat që kanë të drejtë qëndrimi në Britani, dhe që mund të kthehen pa frikë se nuk do të lejohen të hyjnë sërish, vijnë për t’u martuar me vajzat që kanë lënë pas.
Por kjo nuk do të thotë se pas dasmës, nuset e tyre do të marrin automatikisht të drejtën për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Për të marrë një të ashtuquajtur “vizë bashkëshortore”, ata duhet të plotësojnë disa kritere, përfshirë një prag minimal të të ardhurave për çiftin.
Kështu që i presin shumë burokraci dhe falë këtij zinxhiri procedurash nga Home Office shumë nuse nuk do të mund të ndjekin burrat e tyre kur ata largohen pak javë pas dasmës.
Në dyqanin e nuseve të Hasit, shitësja Doriana Laçi, 19 vjeçe, është shumë e zënë kur shkoj. “Kur djemtë mbarojnë shkollën, nuk punojnë këtu, por emigrojnë,” thotë ajo.
“Vajzat që vijnë këtu janë pothuajse gjithmonë vetëm ose me ndonjë shoqe. Ato po presin dhëndurët që të vijnë nga Anglia. Në shkollën e mesme, vajzat e klasës sime e kishin të vështirë të gjenin të dashur sepse të gjithë djemtë kishin shkuar në Britani për të punuar. Ata dëshironin më shumë të bënin para sesa një marrëdhënie.”
Doriana, që studion për mjekësi në universitet, shton duke tundur kokën: “Edhe unë jam beqare.”
Më prezanton me pronarin e saj, një burrë i sjellshëm me mjekër në të pesëdhjetat, i cili nuk dëshiron të përmendet me emër.
Kur një kliente e re hyn vetëm për të provuar një fustan nga rreshtat shumëngjyrësh përgjatë mureve, ai më merr jashtë. Dyqanin e zotëron bashkë me motrën e tij. “Emigrantët meshkuj që kthehen për pushime kanë plot para për të shpenzuar, prandaj na ecën mirë çdo verë kur kthehen për t’u martuar,” thotë ai.
“Ata kanë dokumente të rregullta për të punuar në Britani. Mund të kthehen atje, ndryshe nga ata ilegalët që nuk vijnë të martohen sepse, sapo të dalin nga Britania, nuk mund të kthehen më.”
Një familje, një gjyshe, dy vajzat e saj të rritura dhe tre fëmijë, ndalet jashtë dyqanit të nuseve dhe thotë se kanë shumë të afërm, kushërinj, vëllezër apo xhaxhallarë (por jo burra) në Mbretërinë e Bashkuar.
“Që një martesë të funksionojë duhet ta kesh dorën e majtë, gruan, dhe dorën e djathtë, burrin,” thotë njëra prej vajzave, në të tridhjetat. “Dora e djathtë shpesh mungon në një familje shqiptare sot. Babai nuk është aty.”
Tetë nga dhjetë familje në Has varen nga paraja që dërgojnë burrat që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo që po ndodh këtu është një mikrokozmos i tronditjes demografike që ndodh edhe në vende të tjera më të varfra, teksa burrat largohen për të kërkuar para, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme.
Në Iran, Afganistan, Siri dhe Eritre, për shkak të një eksodi masiv drejt Britanisë, qytete dhe fshatra janë zbrazur nga gjaku i tyre jetik: burrat dhe djemtë e rinj. Tani kanë mbetur vetëm gra dhe vajza për të drejtuar punët, ndërkohë që kujdesen për gjeneratën më të vjetër.
Këtë javë më thanë se çdo qytet shqiptar ka një trafikant që, për çmimin e duhur, do të organizojë kontrabandimin e një djali apo burri të ri drejt Anglisë. E vendosin migrantin në një fluturim me vizë drejt BE-së, pastaj organizojnë një udhëtim me kamion në traget për në Britani.
Teksa po ecja nëpër Has javën e kaluar, më ndali një djalë i ri i quajtur Edmir, që po priste për t’u qethur te berberi.
Për habinë time, më kujtoi se ishim takuar më parë. E kisha takuar në aeroportin e Tiranës në nëntor 2022, kur kishte mbërritur me një fluturim çarter të organizuar nga Home Office për të deportuar 22 kriminelë dhe emigrantë të paligjshëm shqiptarë.
Teksa deportuesit dilnin nga aeroporti, Edmiri, tani 29 vjeç, pranoi të fliste. Nuk kishte precedent penal, por ishte dëbuar pas nëntë vitesh për shkak se kishte punuar si ndërtues në të zezë dhe nuk kishte paguar taksa.
Atë mëngjes nëntori, ai më tha se ishte zemërthyer që ishte kthyer në Shqipëri, ku nuk kishte punë apo perspektivë. Por nëse ka një fije shprese për një Shqipëri të zbrazur nga burrat, atëherë është Edmiri. Gjeti të dashur pak pasi u kthye.
U fejuan, pastaj u martuan në Has, dhe muajin tjetër presin fëmijën e tyre të parë.
“Do të jemi një familje e vërtetë, por më mungon paraja që fitoja në Britani,” pranon ai me keqardhje, duke shtuar se nuk ka një punë të qëndrueshme.
Besmira do ta kuptonte ndjenjën e tij. Pas intervistës sonë, ajo u kthye në shtëpi drejt një jete me punë të lodhshme, duke u kujdesur për prindërit e burrit të saj dhe për prindërit e saj. E dëshpëruar nga largimi i bashkëshortit në Angli, ajo e kishte lënë kohët e fundit punën si demografe në bashki.
“Ndihem sikur po jetoj një jetë të dorës së dytë,” më tha pak para se të largohej. “Të presësh e presësh burrin tënd nuk është e mirë as për shëndetin tim mendor dhe as për atë të qindra grave dhe vajzave të Hasit që janë në të njëjtin pozicion.”
“Sa herë që Arbeni nuk është në punë, flasim në telefon. Por jemi të martuar, duhemi, duam të kemi një fëmijë. Të bësh thjesht telefonata për katër vjet nuk është një martesë e vërtetë, apo jo?”
I vihet faj? sn
https://www.dailymail.co.uk/news/article-14964103/migrant-surge-Albanian-town-single-women-Abandoned.html