Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Letërsisë, organizoi tryezë shkencore me rastin e 80-vjetorit të lindjes së profesoreshës, studiueses dhe shkrimtares së njohur, Dr. Resmije Kryeziu, duke nderuar kështu veprën e njërës prej albanologeve më të çmuara që ka Kosova.
Dr. Resmije Kryeziu ka qenë punonjëse shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një emër i respektuar në qarqet akademike dhe kërkimore. Në këtë tryezë shkencore morën pjesë studiues të njohur të letërsisë shqipe, si: Floresha Dado, Dr. Hysen Matoshi, Dr. Fadil Grajçevci, Dr. Gëzim Aliu dhe Dr. Meliza Krasniqi, të cilët vlerësuan lart kontributin kërkimor dhe krijimtarinë letrare të Dr. Kryeziut. Ata theksuan rolin e saj të veçantë në zhvillimin e studimeve albanologjike dhe në pasurimin e letërsisë shqiptare.
Gëzim Aliu, shef i Degës së Letërsisë në Institutin Albanologjik, u shpreh se vepra e Resmije Kryeziut përfaqëson një ndër zërat më të veçantë në studimin e letërsisë shqipe.
“Ajo ka lënë gjurmë të thella në studimet albanologjike, si njëra ndër gratë e para studiuese në Kosovë. Dallohet për thellësinë dhe qartësinë e analizave të saj. Kushdo që merret me periudhën e letërsisë ndërmjet dy luftërave botërore, apo me romantizmin, nuk mund t’i shmangë monografitë e saj, që tashmë janë bërë referenca të rëndësishme”, ka thënë mes tjerash Aliu.
Ndërsa Dr. Fadil Grajçevci ka theksuar se tri romanet e saj janë dëshmi historike, ngjarje të përjetuara.
“Botimi i romanit të saj të parë “Rrota e ujit” ishte befasi e këndshme jo vetëm për lexuesit por edhe për shumë njohës të krijimtarisë të cilët e njihnin kryesisht si studiuese e letërsisë. Vlerësimi i lartë që iu bë romanit nga kritika, Resmijes ia shtoi guximin që të dilte para lexuesve edhe me dy romane të tjera “Nën saç” dhe “Atë natë edhe bunarët kanë gjëmuar”, ka thënë Gajçevci.
Floresha Dado studiuese e letërsisë shqiptare, historiane e letërsisë dhe specialiste e Teorisë së Letërsisë në Tiranë përmes video – lidhjes, ka thënë se kjo punëtore shkencore është njëra ndër studiueset më të zellshme dhe me një krijimtari të gjerë artistike.
“Resmie Kryeziu në radhë të parë është studiuese e letërsisë me një kontribut të jashtëzakonshëm në tërësinë e veprave që ajo na sjell në krijimtarinë tonë letrare. Kjo autore na sjell një gjerësi të problematikave në veprat e saj. Duhet vlerësuar së pari për karakterin monografik të veprës së saj, që në shkencën tonë letrare ka vlerë të rëndësishme. Ajo njihet në rrethet shkencore si studiuese e disa veprave të rëndësishme. Vit pas viti ajo ka shënuar rritje edhe në vëllim të krijimtarisë së saj edhe në cilësi”, ka thënë Dado.
“Projektet e saj janë rezultat i synimeve për të studiuar periudha ose aspekte të cilat i përkasin si temë studimore zhvillimeve të përgjithshme të letërsisë shqipe, kulturës dhe mendimit shqiptar. Sintezat e këtilla janë esencialisht më të rëndësishme se projektet që trajtojnë aspektet e veqanta dhe parciale të qështjeve studimore krahas faktit se kërkojnë një punë të madhe analitike”, ka thënë Dr. Hysen Matoshi.
Dr. Meliza Krasniqi po ashtu ka çmuar lartë punimet shkencore të studiueses Kryeziu.
“Këto studime të shpërndara në periudha të ndryshme kohore përbëjnë bazën e interest të qëndrueshëm që u konkretizua më vonë në mënyrë të plotë me një vepër të veqantë “Peronazhi i gruas në letërsinë shqipe mes dy luftërave botërore”, është vazhdimësi e këtij interesimi dhe përbën kultmin e hulumtiveve të saj shumëveqare për këtë temë të rëndësishme të letërsisë shqiptare”, ka theksuar Krasniqi.
Vetë studiuesja Kryeziu, në fjalën e saj, falënderoi kolegët për këtë organizim të veçantë dhe theksoi rëndësinë që ka pasur për të, Instituti Albanologjik.
“Përveç angazhimeve në projektet shkencore të Institutit, shumica prej nesh janë frymëzuar edhe për të shkruar romane e vepra artistike, që përçojnë tematika nga vendlindja, shoqëria dhe zhvillimet e kohës”, ka thënë ajo.
Në fund të tryezës, Dr. Meliza Krasniqi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institutit Albanologjik, i dorëzoi një mirënjohje Dr. Resmije Kryeziut, si shenjë vlerësimi për kontributin e saj të çmuar në fushën e studimeve dhe krijimtarisë letrare.
Resmije Kryeziu ka lindur në Gjakovë në vitin 1945. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme në Pejë, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës shqipe dhe më pas si gazetare në të përditshmen “Zëri i Rinisë”. Prej vitit 1977 e deri në pensionim, ka qenë këshilltare shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas punës kërkimore, Kryeziu ka botuar edhe dhjetëra vepra letrare dhe studimore, ndër to: “Personazhi i gruas në letërsinë shqipe në mes të dy luftërave botërore”, “Femina Litterarum”, “Akti i krijimit”, “Nga Lindja në Perëndim”, “Nën saç”, “Rrota e ujit” e të tjera.
