NDEJA E DYTË 26-12-1918
Mbledhja u hap në orën 3 pasdreke; Kryeson kryetari Z. Mehmet Konica i cili mbajti këto fjalë : mbasi delegatët me shumicën absolute pëlqyen formimin e nji qeverije të përkohshme ai pranon vêndimin e dhânun në mbledhje të djeshme edhe thotë se komanda italjane së cilës iu dha lajmi për formimin e qeverisë së përkohshme pati mirësinë të na zotohet se do t’ia kumtojë qeverisë së vet. Duhet pritë dy a tri dit përgjigja e saj nga Roma në do të pranohet apo jo.
- Hiqmet Bej Delvina : i falet nderës komandës Italjane për mirësinë qi ka tregue, por thotë se nuk ka rândësi fakti se a do të pranohet ai vêndimi i mbledhjes; por në ka rândsi vetëm qi populli Shqiptar me anë të dërguamvet të tjerë në mbledhjen kombtare desh edhe shpalli me të përgjithme (?) Qeverin e përkohshme.
Kryetari : Gjindemi nën pushtimin ushtarak Italian pra duhet të jemi në marrëveshtje të mirë me Qeverín Italiane.
- Myfid Bej : Bolshevikët nxuerën në shesh nji traktat të mshefët më 1915, ndërmjet Qeverivet të marraveshtjes. Nji nyje e ati traktati flet për coptimin e Shqipnisë. Na protestojmë me energji vêndimin e tij për dam të Shqipnisë.
- Mehdi Beu : Na jemi të gjithë Shqiptarë e kemi zakon të flasim sheshit. Përhapen fjalë se shqiptarët s’kanë ndjenja kombtare. Kjo s’âsht e vërtetë, âsht nji gabim për t’u dënuem, na kemi luftue gjithnji për liri e mvetsi e kurrë nuk do t’i ungjemi asnjeriu. Thëres zz. Dhimo e Dilo nga Gjinokastra të tregojnë sheshazi mendimin e ndjenjat e tyne si Shqiptarë për të mirën e Atdheut qi këso mënyre të pushojë çdo përçarje. Na s’duhet të jemi as Grekë as Serbë as Italianë; na duem të jemi vetëm Shqiptarë. Na duem të lirohen dhenat t’ona gjithku ka Shqiptarë.
- Polë Mekshi : mbasi Z. Mehdi Beu shqoi emnat e delegatvet të Gjinokastrës, un e ndiej nevojën si i dërguem i Gjinokastrës e duke interpretue edhe dëshirën e popullit të Shqiprisë së poshtme të them qi të gjithë e duen Shqipninë qi na kemi barrë nga populli të punojmë si të jetë mâ mirë për fatin e Atdheut.
- Dilo : proteston kundra Mekshit qi përkrah fjalët e Mehdiut duke iu përgjegjë n’ êmën të tija. I vjen keq nga fjalët e Mehdi Beut qi shqoi si mosdashës të Shqipnis. Ai thotë na jemi aq Shqiptarë sa kushdo tjetër prej jush. Në Shqipni të lirë duam të jemi të lirë të thomi mendimet t’ona. Jemi kundër vêndimevet të djeshme përse na patën thëritë për formimin e nji komitetit ekzekutiv e me këtë mision erdhëm këtu. Nuk na u duk punë e mirë për Shqipni të lamë ato vêndime e të marrim udhë tjetër. Ju mund t’a dini punën mâ mirë por neve na u duk se nuk duhesh qi na të bëjshim hapa të mëdha dhe duke bâ pas mêndjes tonë të prishemi me të vetmin mik qi kemi, me Italinë. Prandej themi se mendimin tonë s’mund t’a ndërrojmë. Sepse nuk duam t’i apim shesh anmiqvet qi të punojnë kundra nesh. Në doni me thânë se lypsesh të bâhesh nji Qeveri e përkohshme atherë kjo duhet bâmë me rregull e jo si u bâ. Pra na me ato sharte qi erdhëm në ato ndejëm se s’mund të bashim nga të rrezikshme për popullin qi na vu barrën të marrim pjesë në këtë mbledhje. Qeverija duhet të përmbahet nga populli, i cili duhet të jetë në shkallë të derdhi gjakun për Atdhenë. Nuk më duket e mirë qi pjesa e Shqipnis poshtme, qi kemi nderin me përfaqësue, të lihet jasht si e huej ashtu si tregon veprimi e sjella e huej.
- Myfid Beu : vërtet erdhëm për të formuem nji komitet ekzekutif, por kur shumica desh me nji zâ Qeveri, e pranuem; kjo punë pra u mbarue dhe shpresojmë e urojmë të na dali për të mirë. Z. Dilo nuk qe në njiment me ne qi kur u nisëm nga Gjinokastra, sepse donte të shkonte në Romë.
- Dilo – Në më njofti për përfaqësues të Gjinokastrës, nuk duhet qi nashti Myfid Beu të më çfaqi atë qi doja me bâ. Këto janë kallzime qi sjellin dâm të madh dhe s’duam të hyjmë thellë në çâshtje vetjake, qi kanë ngjarë në Gjinokastër. Na nuk mundemi të dalim nga kufijt e misionit qi kemi. Le të na thonë e le të paraqesin dokumentat ata qi thonë se kanë plot pushtet, se atherë edhe na lypset të vemë e të marrim dokumenta të tjera plotpushtetsije.
- Myfid Beu – Z. Dilo âsht avokat e pra do t’a dijë se përfaqësuesi për interesën e atij qi përfaqëson ka të drejtë me e zgjanuem pas nevojës pushtetin e marrun.
- Mehmet Bej Konica – Ju na thatë në Gjinokastër se s’dojshit me ardhë në Durrës edhe na thamë të zgjedhen të tjerë, por mbasi erdhët na ju pranuem.
- Dilo – I lamë ato qi thamë në Gjinokastër, po të marrim parasysh ato qi ngjajnë nashti këtu.
- Mehmet Bej Konica – Në Gjinokastër u zgjodhën Zz. Myfid Beu, Polo Mekshi e Petër Poga.
- Dilo – Nuk qe kështu.
- Mustafa Kruja – Kërkoj qi të mbyllet kjo çâshtje e të rrahet nji gja tjetër me rândsi.
- Hiqmet Delvina – Diloja thotë se s’i dinte këto punë për me formue Qeveri, por un u thomi se ne këtë gjâ e patëm kërkue dy muej mâ parë nga Komanda Italiane ; pra nashti, kur u nisëm për këtu nuk erdhëm si kuklla, por erdhmë të shofim dëshirën e vullnetin e popullit, i cili po kërkon me nji zâ vetqeverim.
- Polo Mekshi – Na kemi dokumentat qi na autorizojnë të bâjmë çdo gjâ qi të jetë për të mirë të Kombit, po kujtuet se s’asht dobi me u zgjatë mbi kët çâshtje, le të pushohet.
- Mehmet Konica – Âsht e vërtetë se na erdhëm këtu me programin qi thotë Z. Dilo, po, mbasi populli desh Qeveri, kështu e bâmë edhe shpresojmë se Italia do të na përkrahi në këtë punë.
- Tutulani – Vërtet edhe jam i detyruem t’u thom se s’kam dokumenta plotpushtetsije nga populli, pra edhe un nuk jam për vêndimin qi u muer për Qeveri të përkohshme.
- Dilo – Na s’jemi delegatë me pushtet për të formuem nji Qeveri.
- Mehdi Frashëri – Nga Gjinokastra ka edhe tre delegatë të tjerë me dokumenta, të cilët s’janë në mendim t’uej.
- Namik Delvina – Populli nuk mund të mos ketë dëshirë e të mos e dijë këtë punë qi po bâhet, si thotë Z. Dilo, sepse po ky popull sot gjashtë muej me anë të delegatëvet të tij, proklamoi vet qeverimin e tij e që atherë e deri nashti nuk ka pasun tjetër mendim veçse këtij qi po bâhet. Nuk besoj kurrë se fjala e Italisë, e cila nga kalaja e Gjinokastërs proklamoi indipendencën e njisin e gjith Shqipnis, të lihet mënjanë sot, qi populli Shqiptar po tregon vullnetin e tij bujenisht duke formuem Qeverín e përkohshme. Pra nuk duhet të kemi frikë as nga Italia liridashëse, as se me vendimin t’onë s’mund t’i shkojmë kundër vullnetit të popullit, i cili me padurim dëshiron liri.
- Mehdi Frashëri – nga përgjegja e Z. Dilo ndiej nevojë qi t’i thom se ai i ka marrë vesht keq fjalët e mija duke emnue ata. Un desha vetëm të thom qi sot duhet lanë mënjanë çdo ndryshim mendimesh ndërmjet Shqiptarësh të çdo feje : duhet të kemi vëllazni të plotë e qi mos kujtojë ndonji se kemi ndërmênd të marrim nëpër kâmbë të krishtênët; pra duke êmnue Z. Dilo e Z. Dhima nuk pata fare ndër mênd të thomi qi ata s’janë Shqiptarë të mirë. Duke qênë se duem nji Shqipni të lirë me plotsinë tokësore të sajë nuk duem aspak dhe as mundet qi të bajmë anmiq miqtë tanë Italianë. Mirdashjen e saj na e ka tregue me proklamën e Gjinokastrës në të cilën shpalli se do nji Shqipni të lirë e të madhe atje ku ka kufijt e saj naturalë. Nisiatorët e mbledhjes duke pyetë disa qarqe të Qeverisë Italiane ishin këshillue qi do t’ishte mirë formimi i nji komiteti ekzekutiv ; por mbasi ky emën tingëlin keq në veshët e Shqiptarvet prandêj mbledhja pëlqeu qi të bâhet nji qeveri e përkoshme, sepse kjo formë ka rândësi mâ të madhe si përmbrenda ashtu edhe përjashta, pa marrë përpara sŷsh a do të ketë fuqi apo jo.
- Xhavid Laskoviqi: këndon dy pikat të mbledhjes së Tiranës qi janë këto:
Nyja 4. me 11-1-1919 në Krue të bahet nji mbledhje e përgjithshme në të cilën çdo kazá të dërgojë delegatët. Kruja mbasi âsht vênd historik u pëlqye për vênd mbledhje.
Nyja 5. Mbledhja e përgjithshme në Krujë ka për qëllim: a) Formimi i nji kabineti të përgjithshëm i cili të përfaqësojë gjith Shqipninë e të mprojë të drejtat dhe interesat kombëtare përpara qeverive të hueja të Kongresit të Paqit. – Mbasi mbledhja kombtare e Durrësit e mbushi kët qëllim, e pëlqeu vêndimin e sajë.
- Pjetër Poga – Mundem t’ju siguroj të gjithë se Shqipnia e poshtme, duke qenë fjeshtë Shqiptare, âsht me nji mendim me delegatët e Shqipnís për të tâna vêndimet qi kanë me marrë për shndetin e Atdheut.
- Mustafa Kruja – Bân me të shkruem nji parvume për me zgjedhë Shkodrën si Kryeqytet të përtardhmë të Shqipnís. (shif në fund).
- Mehdi Frashëri – Këshillon se sot s’asht koha të merremi me këso çashtjesh. Në âsht se do të kemi lirí të punojmë në nji vênd qi të na pëlqejë, atëherë mundemi me zgjedhë edhe Shkodrën.
- Mustafa Kruja: Na kanë shtŷ qi të japim këtë shkresë shkaqe politike përmbi të cilat s’duem të zgjatemi. Themi vetëm se Slavët po e quejnë Shkodrën si qytet qi i përket atyne. Pra duhet bâ njí protestë energjike dhe nji manifestatë për Shqiptarín e Shkodrës.
- Mehmet Bej Konica: Qeverija e përkohshme ka me protestue për të gjithë qytetet e Shqipnis qi lakmohen prej të huejsh.
- Myfid Bej Libohova: Thotë se të mbyllet kjo çâshtje duke futë paravuemen e z. Mustafa Krujës në procesverbal;
Ndeja mbaroi n’ orën 7 duke dërgue në të nesërmen punët qi ngelen pa marrë vêndim.
Komentet