Raportet e përsëritura për ndërhyrje ruse në hapësirën ajrore të NATO-s kanë intensifikuar diskutimet rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara nëse Moska ndërmerr veprime të mëtejshme agresive kundër vendeve evropiane.
Në këtë kontekst, Presidenti i SHBA-së Donald Trump u pyet të dielën nëse do të ndihmonte në mbrojtjen e anëtarëve të Bashkimit Evropian nëse Rusia do të përshkallëzonte armiqësitë.
“Po, do të doja. Do ta bëja”, u tha ai gazetarëve, pak para se të nisej për shërbimin përkujtimor të Charlie Kirk.
I pyetur nëse ishte informuar për ngjarjet në Estoni, Trump konfirmoi se ishte informuar dhe shtoi:
“Nuk na pëlqen”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për ndërhyrjet ruse në Estoni
Një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sot për çështjen e hyrjes së tre aeroplanëve rusë në hapësirën ajrore kombëtare të Estonisë. Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për rreth 12 minuta, njoftuan të premten Estonia dhe NATO.
Italia, e cila ka marrë përsipër një mision të NATO-s për të ruajtur qiellin mbi Detin Baltik, por edhe Suedia dhe Finlanda ngritën aeroplanë për të kapur tre ndërhyrësit.
Është hera e parë në 34 vitet e pjesëmarrjes së Estonisë në OKB që ky vend, gjithashtu anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe një mbështetës i vendosur i Ukrainës, ka kërkuar zyrtarisht një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit. Kryeministri estonez njoftoi të premten se vendi i tij do t’i kërkojë NATO-s të aktivizojë Nenin 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon konsultime midis aleatëve në rast se një nga anëtarët e tij kërcënohet. gsh