Duke qenë se i përkas të njëjtit trung dhe për të shmangur sado pak “konfliktin e interesit” në sytë e miqve dhe publikut që më lexon do t’i them disa gjëra për Havzi Nelën – martirin që u var në litar më 10 Gusht të vitit 1988.
Dje të nderuar miq ju thashë që do hesht, megjithëse vreri i patronazhistëve më detyroi të dal sado pak nga heshtja e premtuar!
Ditën e djeshme në 34 vjetorin e ekzekutimit në litar është folur për Havzi Nelën në media, rrjetet sociale dhe dita u mbyll me një përkujtimore të organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Dr
Sali Berisha me bashkëvuajtës të Havzi Nelës, të afërm dhe kontribues të nxerrjes në dritë të figurës së tij.
Shumë është shkruar e shumë është thënë për Havzi Nelën por duke parë prononcimet dhe disa keqkuptime dhe mbi të gjitha duke qenë një nga të parët që kam patur akses tek vepra (e mbijetuar) e Havziut falë vëllait të tij Shukri Nela dua të sqaroj disa pika;
A. Havzi Nela nuk është dënuar në vitin 1967 si poet por si antikomunist i deklaruar hapur kundër revolucionit alla-kinez të Enver Hoxhës që u iniciua me fjalimin e tij famëkeq të 6 shkurtit 1967.
Formalisht akuza ishte pēr tradhëti ndaj atdheut.
Havzi Nela në një mbledhje të rëndësishme të asaj kohe në Shishtavec ishte deklaruar;
1 – kundër kolektivizimit të pronës sepse e konsideronte të shenjtë pronën private
2 – kundër ndalimit të Fesë pasi besimi ishtë shumë i rëndësishëm për njeriun
3 – kundër ndalimit të veshjes tradicionale pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për kulturën kombëtare.
Unë tē paktën as nuk di as nuk kam lexuar pēr ndonjë person tjetër të ketë bërë rezistencë apo sfide të hapur publike ndaj revolucionit të mesipërm.
Pas kësaj ngjarje sigurimi famëkeq i shtetit i ishte vënë këmba këmbës Havzi Nelës asokohe mësues i letërsisë dhe gjuhës shqipe në Topojan duke rekrutuar edhe kolegë të tij.
Havziu e donte shumë vendin e tij dhe nuk kishte ndërmend ta braktiste atë por ishte vënë në dijeni që arrestimi ishte çeshtje kohe ndoshta orësh.
Ai do merrtë bashkëshorten e tij dhe një valixhe me të gjitha dorëshkrimet e tij deri në atë kohë, dhe do arratisej në Jugosllavi
Në dosjen e tij është gjetur letra me shkrim dore e shkruar në kufi “LAMTUMIRË ATDHE I DASHUR, PO TË LË PO ZEMËRPLASUR”!
Si person i futur në rreth të kuq edhe nga autoritetet jugosllave ai do ti dorëzohej autoriteteve shqiptare, në bazë të marrëveshjeve që kishin vëllezërit ideologjike të të dy anëve.
Dorëshkrimet e tij nuk dihet sot e kësaj dite çfarë fati kanë pësuar, nëse ekzistojnë diku në Prizren, janë djegur apo janë diku në arkivat serbe!
U dënua herën e parë me 15 vjet burg me akuzën për tradhëti ndaj atdheut dënim që do ti shtoheshin edhe 8 vjet të tjera pas revoltës së Spaçit.
Dëshmitarët e asaj kohe konfirmojnë qëndrim burrëror në sallën e gjyqit duke deklaruar pa ju dridhur syri, po jam kundër rregjimit tuaj se është antikombëtar.
Dua të ju kujtoj lexuesve të mi se pas luftës civile që komunistët akoma e quajnë nacional-çlirimtare ishin pushkatuar 3 vetë nga Nelajt e Kollovozit, ishin arratisur disa po nga i njëjti fis.
Mes të arratisurve ja vlen të theksohet arratisja nga Lushnja e dy vellezërve të të pushkatuarit Ilmi Nela (Mustafe dhe Idriz Nela) ku ishin të internuar për në Jugosllavi.
Këta bashke me Qemal Hoxhën arritën që për 30 ditë duke sfiduar operacionin e udhëhequr direkt nga Mehmet Shehu ku e gjithe ushtria, policia dhe forcat vullnetare të asaj kohe nuk arritën që ti kapnin. (Kjo ngjarje meriton një skenar filmi sepse është spektakolare).
Unë kam patur fatin ta takoj Mustafe Nelën në vitin 1994.
Sherif Nela vëllai i të pushkatuarit tjetër Zaim Nela ishte i internuar në Lushnje.
I internuar në Lushnje ishte po ashtu Billal Shaban Nela vëllai i Rrahim Shaban Nelës i arratisur në Francë.
Avdulla Baftjar Nela ishte sa brenda e sa jashtë burgut.
Të gjithë këta nga Nelajt e Kollovozit!
E bëra këtë ndërhyrje për të treguar se pse Havzi Nelën e priste pashmangshmërisht një dënim shumë i ashpër.
U lirua pas 20 viteve burg duke shlyer 3 vjet me punë në burg (njihej kjo nga regjimi i asaj kohe).
Pas lirimit nga burgu sigurimi nuk do t’i ndahej e do ta ndiqte këmba këmbës.
Unë kam qenë në shkollën e mesme në atë kohë e kam patur rastin ta takoj e të rri dy herë me Havziun megjithëse ishte shumë i rezervuar me njerëzit dhe më ka ngelur në mendje shprehja që e përdorte shumë shpesh: ‘më falni se u zgjata shumë’!
Me babën tim ka patur afërsi që në fëmijëri dhe kanë marrë pjesë edhe në festivale folklorike të asaj kohe kryesisht lokale pasi Havziu e ka patur artin të shkruar në ADN-në e tij, këngëtar, valltar i shkëlqyer (shikoni foton më poshtë e ruajtur nga familja ime) dhe poet.
Kur i thashë që dua të vazhdoj shkollën (isha në shkollë të mesme asokohe) i shkëlqente fytyra. Mua më ka ngelur në kujtesë vështrimi i syve të tij që rrezatonin dashamirësi dhe më ka lënë përshtypjen edhe pse ja kishin shkatërruar pjesën më të bukur të jetës ai kishte një buzëqeshje permanente në fytyrë.
B. Pas arrestimit të dytë dhe internimit në Arren (që ai do ta quante Arrni me arrna) ku ishte ballafaquar me kushte çnjerëzore ai kishte vendosur të arratisej nga internimi sepse durimi i tij kishte arritur fundin.
Janë hedhur shumë hipoteza dhe është spekuluar shumë por versioni më i besueshëm është që ai donte të takonte edhe njëherë nënën e tij dhe ti jepte fund jetës. Dëshpërimi dhe lodhja e tij reflektohet edhe në poezitë e tij të shkruara në Arrën.
C. Havzi Nela është dënuar me vdekje në litar nga Gjykata e Rrethit Kukës me gjykates Agim Hoxha, me pretencën e prokurorit Nikollaq Helmi në kundërshtim me ligjet e asaj kohe. E theksoj në KUNDËRSHTIM me ligjin e kohës. Në dosjen e tij ështē një shënim me shkrim dore i shkruar me stilograf me bojë blu ku kërkohet të dënohet që të bëhej shembull!
Pra është dënuar me urdhër nga lart e ligji është sajuar për të justifikuar aktin.
Është dënuar për tentativë arratisje pa u provuar tentativa.
Eshtë denuar për terrorizëm pa u provuar vepra penale.
Të mos harrojmë se kishte filluar vala e shembjes së rregjimeve në Europën qëndrore e lindore.
Havzi Nela ishte kurbani perfekt për rregjimin të cilit i lëkundej toka nën këmbë.
D. Havzi Nela nuk është varur në qendër të qytetit të Kukësit siç thuhet gabimisht por në vendin më publik që quhej Agjencia që ishte një vend afër kryqëzimit ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët dhe ishte hyrje dalja e qytetit dhe stacioni i autobuzëve urbane, lidhjes me fshatrat dhe atyre nacionalë. Ishte vendi më i ekspozuar dhe kjo ishte bërë qëllimisht për të ngjallur terror.
Unë po ashtu nuk do ti harroj datat 10 dhe 11 Gusht të vitit 1988. Në qendrën e Kollovozit ku ishin përqendruar zyrat, dyqanet, shkolla dhe shumë aktivitete të asaj kohe njerëzit ishin nē zi të pashpallur. Këmbeheshin me njëri tjetrin dhe nuk flisnin por përshëndeteshin duke salutuar njeri tjetrin vetëm me lëvizje koke. Flisnin me minimumin e fjalëve vetëm kur e kishin të domosdoshme.
Ishte vapë gushti dhe dukej një atmosferë që mund ta krahasoj vetëm me ndjesinë pas eklipsit të diellit që kam përjetuar në Londër në vitin 1999. Ishte dritë por një dritë e frikshme, ishte diell por një diell i çuditshëm sikur mbaje një hekur të rëndë në gjoks po nuk ja thoje kujt.
Kjo të paktën ishte ndjesia ime.
Është dënuar Trifon Xhagjika për poezi, është dënuar Vilson Blloshmi e Genc Leka për krijimtarinë e tyre por Havzi Nela nuk është denuar si poet pasi sa ishte gjallë poezitë e tij nuk i ranë në dorë makinerisë së diktaturës. Po t’i kishin rënë ai nuk do ishte liruar nga burgu pas dënimit të dytë dhe me shumë gjasa do ishte ekzekutuar para vitit 1988.
Havzi Nela është dënuar si antikomunist i deklaruar pa e fshehur apo kamufluar asnjëherë kundërshtimin dhe mospajtimin me rregjimin komunist.
Ai shkroi për lirinë dhe demokracinë kur pak kush e njihte si koncept!
Ai shkroi për konferencën e Helsinkit kur shumë pak shqiptarë nga ata që ishin demek të lirë kishin njohuri se ekzistonte.
Ai ka shkruar dhe folur kundër luftës së klasave kur askush nuk guxonte ta artikulonte hapur një gjë të tillë.
Milaim Nela
Durrës më 11 Gusht 2022.
P.S: Në foton e parë poshtë: I pari nga e majta është Shukri Nela (vëllai i Havziut), i dyti është babai im Lutfi Nela, dhe i treti është i ndjeri Havzi Nela. Fotoja është e ruajtur nga familja ime dhe i përket një festivali zonal në vitin 1956.
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka komentuar në rrjetet sociale një reagim të kryeministrit Edi Rama kur është pyetur nga një gazetar Italian në lidhje me emrin e biznesmenit Ergys Agasi, tashmë i akuzuar nga SPAK si kreu i një grupi kriminal që në bashkëpunim edhe me drejtoreshën e AKSH-it Mirlinda Karaçanaj, kanë abuzuar me tenderat dhe kanë vjedhur miliarda lekë.
Shehaj thotë se tashmë që SPAK ka zbardhur mënyrën si vepronte Ergys Agasi duke kontrolluar të gjithë administratën shtetërore dhe të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë, mund të kuptohet edhe më qartë reagimi i kryeministrit kur i përmendej emri i biznesmenit.
Sipas Shehajt, është e qartë se Ergys Agasi është personi që fshihet pas kryeministrit Edi Rama dhe se ka punuar për llogari të kreut të Qeverisë.
“Prandaj të gjithë shkonin edhe jepnin llogari te Agasi dhe merrnin urdhrat nga Agasi, koordinoheshin nga ai. Sepse atë kishte Edi Rama si njeriun kyç, ‘njeriun hije’ që asnjë nuk duhet ta njihte, por që ishte njeriu i plotfuqishëm për të gjitha aferat e Edi Ramës. Që mos të merrej vesh sepse nuk mund të ishte Edi Rama që t’i jepte urdhër një drejtori apo një ministri apo një zv.ministri që të jepte një tender. Ai kishte ‘njeriun-hije’ dhe kjo e shqetësoi jashtë mase Edi Ramën dhe sot ne e kuptojmë sikletin e tij sepse doli haptas se çfarë pushteti kishte ai dhe për llogari të kujt punonte ai”, shprehet Shehaj.
Kreu i Mundësia thotë se kryeministri është tashmë zbuluar para të gjithë shqiptarëve për lidhjet me korrupsionin dhe duhet që sa më parë të japë dorëheqjen.
“Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministri i Shqipërisë. Duhet të japë dorëheqje sa më shpejt dhe duhet të kemi sa më shpejt zgjedhje të parakohshme”, thotë ai.
Dëgjoni se si Edi Rama mbronte Agasin kur e pyeste gazetari italian: “Mos e ul nivelin e gazetarisë” i thoshte, “ai është në punën e vet, ai nuk është këtu dhe nuk mund të mbrohet, mos mbani njerëzit në gojë kot”.
Kjo ishte përgjigja e Edi Ramës. Edi Rama ishte kapur shumë ngushtë sepse Agasi ishte projektuar për të qenë ‘njeriu në hije’ pa asnjë post, pa asnjë lidhje zyrtare me Edi Ramën por me një pushtet të jashtëzakonshëm. Prandaj të gjithë shkonin edhe jepnin llogari te Agasi dhe merrnin urdhrat nga Agasi, koordinoheshin nga ai.
Sepse atë kishte Edi Rama si njeriun kyç, ‘njeriun hije’ që asnjë nuk duhet ta njihte por që ishte njeriu i plotfuqishëm për të gjitha aferat e Edi Ramës Që mos të merrej vesh sepse nuk mund të ishte Edi Rama që t’i jepte urdhër një drejtori apo një ministri apo një zv.ministri që të jepte një tender.
Ai kishte ‘njeriun-hije’ dhe kjo e shqetësoi jashtë mase Edi Ramën dhe sot ne e kuptojmë sikletin e tij sepse doli haptas se çfarë pushteti kishte ai dhe për llogari të kujt punonte ai. Imagjinoni se si mundet një njeri të mbajë nën kontroll të gjithë administratën, të rrëmbejë qytetarë shqiptarë, të ketë në dispozicion të gjitha të dhënat e shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse Edi Rama është zhdukur, kjo është arsyeja pse Edi Rama ka kyçur gojën.
Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministri i Shqipërisë. Duhet të japë dorëheqje sa më shpejt dhe duhet të kemi sa më shpejt zgjedhje të parakohshme. gsh
Kur Odhise Paskali konceptoi idenë për të hedhur në bocet, dhe më pas për të gdhendur dhe jetësuar monumentin e themeluesit dhe shtetarit të parë të Shqipërisë, Ismail Qemalit, ai nuk po kërkonte thjesht të realizonte një vepër artistike për të arritur kulmin e ngjashmërisë fizike të një burrështetasi me peshë historike.
Qëllimi i mjeshtrit të madh të gdhendjes në gur ishte më i thellë dhe më i guximshëm: t’i jepte Shqipërisë profilin moral të një shtetari.
Një fytyrë ku dinjiteti, maturia dhe përgjegjësia të lexoheshin pa fjalë. Një figurë që të mos ishte vetëm një kujtim me gjurmë historike, por një model krahasimi për ata që do të vinin pas, për të vazhduar stafetën dhe amanetin e tij me dinjitet.
Në atë statujë, Ismail Qemali nuk paraqitet triumfator, as i ngurtë në autoritet. Ai është i menduar, i përmbajtur, i rënduar nga përgjegjësia. Është portreti i një burri që nuk e pa shtetin si pronë, por si një barrë të madhe që ia ngarkonte historia. Dhe pikërisht këtu qëndron aktualiteti i dhimbshëm i veprës së Paskalit.
Kanë kaluar mbi 113 vjet nga ajo ditë kur plaku i urtë i Vlorës, bashkë me shumë patriotë të tjerë, bëri gjithçka që Shqipëria të mëvetësohej, të ngrihej më vete dhe të ecte drejt lirisë dhe përparimit.
Ai dhe bashkëkohësit e tij menduan për brezat që do të vinin — për një vend më të drejtë, më të zhvilluar, më të prosperuar, më dinjitoz, sesa ai që lanë pas.
Por rruga që pasoi tregoi se ky amanet me peshë të rëndë për fatet e vendit nuk u mbajt gjithmonë.
Breza pushtetarësh erdhën e ikën në këtë rrugëtim historik dhe, jo rrallë, Shqipëria u trajtua jo si përgjegjësi dhe mision për t’u ndërtuar, por si mundësi për t’u shfrytëzuar.
Jo si shtëpi e përbashkët, por si plaçkë e përkohshme. Në këtë udhëtim të gjatë, ideali i shtetarit që jep më shumë sesa merr, që shërben më shumë sesa sundon, u zbeh, u shtrembërua, madje u harrua.
Dhe pikërisht këtu, statuja e Ismail Qemalit, e gdhendur nga Odhise Paskali, bëhet një akuzë e heshtur.
Si për ironi të fatit, monumenti qëndron i heshtur, i padukshëm, në mes tre institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar: Presidencës, Kryesisë së Kuvendit dhe Kryeministrisë.
Pikërisht ku sot, në atë vend po zhvillohet protesta e radhës, që pason protestat e pafundme të një Shqipërie të pagjumë, e cila klith kundër një regjimi të rrënuar dhe të zhytur në skandale e korrupsion.
Atje ku sot bijtë dhe bijat e Shqipërisë, pasardhësit e Ismail Qemalit, protestojnë për të mbajtur gjallë amanetin e tij — për një Shqipëri që duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe jo e një grushti njerëzish që e sundojnë dhe e plaçkitin ditë pas dite.
Në këto kohë të trazuara, kjo skenografi përfaqëson një simbolikë mjaft domethënëse, që na kujton se Plaku Ismail Qemali, ashtu si në ato mote, duket ende i shqetësuar dhe, me sa duke, nuk gjen dot prehje për krijesën që la pas — Shqipërinë e vërtetë të shqiptarëve.
Me heshtje të përunjur dhe me sytë e qetë e qortues, ai na kujton atë akt të madh historik, duke na pyetur çdo ditë:
Sa jemi larg asaj fytyre?
Sa i ngjajmë atij profili?
Odhise Paskali, me intuitën e artistit të madh, e dinte se shteti nuk mbahet gjallë vetëm nga ligje e institucione, por nga modele morale. Prandaj Ismail Qemali i tij nuk është i zhurmshëm. Ai është i qetë, sepse dinjiteti nuk ka nevojë të bërtasë.
Sot, kur Shqipëria ende përballet me plagë të vjetra dhe zhgënjime të reja, kjo vepër merr një kuptim domethënës edhe më të mprehtë.
Ajo na kujton se problemi nuk ka qenë mungesa e figurave historike, por mungesa e vazhdimësisë morale. Amaneti i shtetit si shërbim, jo si përfitim, nuk u mbajt gjithmonë me dinjitet.
E megjithatë, statuja qëndron atje. Si dëshmi e kohërave, duke na gjykuar për gjërat që kemi bërë dhe ato që i kemi lënë në mes të rrugës pa i bërë. Si një standard. Si një kujtesë se Shqipëria e meriton ende atë profil shtetari që Odhise Paskali e gdhendi me aq përkushtim: një njeri që i jep vendit të vet, pa ia marrë atij shpirtin.
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion në lidhje me grupin e strukturuar kriminal të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka edhe dëshmi tronditëse që kanë të bëjmë me rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Gerond Meçes, biznesmeni që garonte në tenderat e AKSHI-t.
Vetë biznesmeni në datën 22 gusht 2025 është marrë në në pyetje nga Prokurorët e SPAK, ku ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në 6 orë rrëmbim.
Vetë Meçe tregon se kanë qenë 4 persona, të cilët janë shtirur sikur ishin agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai tregon se fillimisht i ka besuar, pasi i janë drejtuar duke i thënë “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.
Meçe tregon më tej se në këtë moment nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.
Më pas biznesmeni ka parë brenda në makinë që ky person ka patur të veshura xhinse të zeza. Në atë moment ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të njëjtë me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët, të cilin është në gjendje ta identifikojë lehtësisht.
“Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi tre) kanë qenë me tatuazhe, personi i dytë ka patur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “b” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e darës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi”, thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga Panorana Online.
Në makinë ndërkohë ishte dhe një person i katërt, shoferi i automjet “Range Defender”. Ndryshe nga tre të parët, ky ishte i maskuar. Ai urdhëron një prej pengmarrësve që të merrte dy çantat, të cilat Gerond Meçe sapo i kishte futur në bagazhin e makinës së tij.
Në momentin që merren çanta, Meçe pyet: Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni? Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë që është i arrestuar dhe urdhëron personin mbrapa në të djathtë të Gerondit t’i vinte prangat.
Meçe i thotë se duhet të telefonojë në familje. “Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit. Personat mbrapa tentuan të vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vinte prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që deklaruesi të dyshojë që këta nuk ishin punonjës siç u prezantuan”, thuhet në dosje.
Në momentin që po vinin prangat Gerond Meçe u thotë “o çuna unë nuk jam kriminel”.
Personi i dytë thotë “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!!”, ndërkohë që shoferi u thotë vini kapuçin. Kur po dilnin nga parkingu i oborrit ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë. Ka kuptuar që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, Meçe mendon që do ecte drejt, ndërkohë që makina devijon majtas, ai i pyet se “në cilin kamisariat do më çonin”. Personi i parë i thotë “në kamisariatin më të afërt”.
Edhe pse personat që kishte para komunikonin me zë të ulët, Gerond Meçe e kupton që në fakt atë po e nxirrnin jashtë Tiranë dhe jo në komisariat.
“Çuna e mora vesh se çfarë jeni…unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen”, u thotë ai.
Pasi kalojnë zonën e Astirit rrëmbyesit ia heqin kapuçin. Njëri prej tyre mundohej t’ia mbante kokën ulur poshtë, por ai kishte arritur ta shikonte itinerarin e rrugës. Destinacioni ishte Elbasani, jo nga autostrada por nga rruga e Kërrabës.
Ishte ora 11:20 kur janë gjendur në një shesh të madh, afër fshatit Gracen, pa zbritur në qytetin e Elbasanit.
I thonë të dalë jashtë nga makina dhe me insistim i kërkojnë kodin e telefonit, ai refuzon dhe në këtë moment vjen shoferi dhe e godet me shpulle. Marrin celularin, ia vendosin te gishti dhe arrijnë ta zhbllokojnë.
Menjëherë e kalojnë telefonin në “airplane mode”. Kjo mbase pasi gjatë rrugës celulari i biznesmenit kishte rënë pa pushim.
“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëord-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”, i thotë njeri prej të pengmarrësve që në makinë kishte ndenjur në vendin e pasagjerit, teksa i tregonte armën që kishte në brez.
Tjetri nxjerr pistoletën nga brezi, fuste dhe nxirrte karikatorin, duke i thënë “do bashkëpunosh apo si e ke”.
“Ore për çfarë të bashkëpunoj?!”, pyet Gerond Meçe.
Personi i parë, i veshur me jelek me mbishkrimin BKH (të cilin tashmë e kishte hequr) shkon te makina dhe merr një zarf të bardhë, e hap dhe i tregon një tabelë exel, që tregonte tenderat, që biznesmeni kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).
Ata e pyesin “E njeh këtë letër”? Fillimisht i thotë jo por e kupton se për çfarë bëhet fjalë.
“Janë tendera që ti ke ankimuar dhe duhet të tërhiqesh, nuk kemi punë me lekët e tua, i gëzofsh ato”, i thonë pengmarrësit
“Nuk behet kështu kjo punë, sepse edhe po u be, u prish pune me shume juve sesa mua”, i përgjigjet ai.
“Ndërkohë Gerondi mundohet t ‘u mbushe mendjen qe nuk behet në këtë moment tërheqja, duke u sjelle ne vëmendje se nuk është me administrator, por po u kërkonte kompromis qe do ta bënte ditën në vijim nëse e lironin”, thuhet në dosje.
Biznesmeni u ka treguar agjentëve të BKH-së në SPAK, se përmes telefonit të tij ata kanë marrë administratorin kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku, ndërsa dyshon se një person i pestë ishte afruar me një makinë Volvo në vendin e ngjarjes.
Ata e kanë futur në makinë, i kanë kthyer telefonin, dhe e kanë lejuar të flasë me gruan dhe të tjerët që e merrnin.
Ora kishte shkuar 15:10 dhe në këtë moment pengmarrësit e konfirmojnë që në asnjë komisarit nuk kishte denoncim nga familjarët e Meçes. Presin edhe 1 orë e 20 minuta, futen në makinë në pozicionet siç ishin në fillim.
Pas 6 orësh pengmarrje, e zbresin të rrethrrotullimi që të çon direkt për në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit, dhe i thonë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.
Ky ishte kontakti i fundit që Gerond Meçe thotë se pati me pengmarrësit e tij, ndërsa denoncim thotë se nuk bëri sepse nëndrejtori i policisë së Tiranës Erion Ismaili, kohë më parë, nëpërmjet një personi që thotë se nuk i kujtohet, i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI-i. gsh
Ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së dikurshme të Jugosllavisë në qendër të Beogradit, ku autoritetet serbe, së bashku me kompaninë e Jared Kushnerit, planifikuan të ndërtonin një kompleks banimi dhe biznesi.
Sonja Goçanin, Svetllana Bozhiq-Krainçaniq
Pas njoftimit të kompanisë së Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump – se tërhiqet nga ndërtimi i një kompleksi luksoz në qendër të Beogradit, rasti i ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Serbi nuk është mbyllur.
Tërheqja e kompanisë së Kushnerit, “Affinity Partners”, nuk e ka përjashtuar mundësinë e planeve të reja për ndërtim në vendin ku dikur ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë.
Me një ligj të veçantë, autoritetet serbe u kanë hequr statusin e trashëgimisë kulturore godinave të dëmtuara gjatë bombardimeve të NATO-s, më 1999, duke i hapur rrugë shembjes së kompleksit.
Informacione zyrtare për planet e mëtejshme nuk ka, por në publik përmenden investitorë të mundshëm të rinj, përfshirë edhe kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Eagle Hills”, e cila është partnere e Serbisë në projektin “Beogradi në ujë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në reagimin e tij të parë, i ka akuzuar të gjithë ata që kanë qenë kundër projektit, duke thënë se kanë shkatërruar një investim të vlefshëm.
Demonstruesit dhe aktivistët antiqeveritarë, të cilët nuk e mbështesin ndërtimin, kanë thënë – edhe pas tërheqjes së kompanisë së Kushnerit – se do ta vazhdojnë “luftën” e tyre.
Projektit i janë kundërpërgjigjur edhe ekspertët, të cilët insistojnë se duhet të bëhet rindërtimi dhe jo shembja e kompleksit të dikurshëm të Shtabit të Përgjithshëm.
Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi, gjithashtu, ka njoftuar se do të vazhdojë me rastin, pasi ka ngritur një aktakuzë kundër ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për falsifikim dokumentesh – gjë që ka çuar në humbjen e statusit të trashëgimisë kulturore për Shtabin e Përgjithshëm.
Që nga maji i vitit 2024, kur është nënshkruar kontrata me kompaninë e Kushnerit, autoritetet janë përballur me probleme gjatë përpjekjeve për realizimin e projektit.
Çfarë do të ndodhë tani?
Përfaqësuesit e pushtetit, të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, nuk kanë folur konkretisht për hapat e ardhshëm.
Deri më tani, prej tyre janë dëgjuar vetëm kritika.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur kundërshtarët e projektit “idiotë”, duke thënë se, për shkak të tyre, ka dështuar një investim prej 750 milionë eurosh.
Ai ka paralajmëruar se do ta heqë reklamën e Ushtrisë së Serbisë, e cila mbulon fasadën e njërës prej dy ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm tash e sa vite.
“Tani do të zbulohet, që njerëzit të shohin se sa e tmerrshme duket”, ka thënë Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 16 dhjetor, duke shtuar se është “vetëm çështje kohe, para se tulla dhe gurë të fillojnë të bien”.
Disa ditë më vonë, paralajmërimi i Vuçiqit është realizuar, pasi pankarta është hequr.
Ai ka paralajmëruar edhe kallëzime penale, të cilat, siç ka thënë, “do t’i paraqesë personalisht” kundër “të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në shkatërrimin e investimit”.
Vuçiq e ka akuzuar për pengim të projektit edhe një pjesë të policisë dhe prokurorisë.
Prokuroria vazhdon hetimet
Lajmi për tërheqjen e kompanisë “Affinity Partners” ka dalë disa orë pasi Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka ngritur aktakuzë kundër disa zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve në rastin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm.
Mes tyre është edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Nikolla Sellakoviq.
Prokuroria po zhvillon hetime që nga maji i këtij viti.
Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ka pranuar falsifikimin e dokumentacionit.
Për pasojë, Ministrisë së Kulturës i është dorëzuar një iniciativë për heqjen e statusit të trashëgimisë kulturore për ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm.
Sellakoviq ka bërë disa herë akuza dhe fyerje ndaj Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Duke komentuar hetimin e Prokurorisë, Vuçiq ka paralajmëruar se “do t’i falë” të gjithë ata që, sipas tij, “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrimet financiare”.
Ai ka deklaruar se në këtë projekt nuk ka pasur korrupsion.
Prokuroria, pas ngritjes së aktakuzës, ka njoftuar se do të vazhdojë punën për të zbuluar nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në vepra penale.
Autoritetet e Serbisë, në përpjekje për të përshpejtuar projektin, i cili është ngadalësuar nga puna e Prokurorisë, kanë përdorur edhe një ligj të veçantë.
Në fillim të nëntorit, Kuvendi i Serbisë ka miratuar ligjin, me të cilin është hequr mbrojtja e trashëgimisë kulturore për kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm.
A dihen veprimet e mëtejshme të kompanisë së Kushnerit?
Në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, kompania e Kushnerit, “Affinity Partners”, nuk ka treguar se cilët do të jenë hapat e saj të mëtejshëm.
Po ashtu, nuk dihet se cilat janë të drejtat e kompanisë tani kur projekti ka dështuar, pasi kontrata midis Qeverisë së Serbisë dhe investitorit amerikan nuk është bërë publike deri më sot.
Në përgjigjen për REL-in, kompania e Kushnerit nuk ka përmendur ndonjë procedurë ligjore kundër ministrit, as nuk ka shpjeguar drejtpërdrejt arsyet për të cilat ka hequr dorë nga ndërtimi.
Sipas saj, vendimi është marrë “nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit”, ndërsa vizion i tyre ka qenë “ofrimi i një zgjidhjeje arkitekturore elegante dhe inspiruese, që nxjerr në pah përparimin e Serbisë”.
Ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm ishte e mbuluar me reklama të Ushtrisë së Serbisë për vite me radhë, por ato u hoqën me iniciativën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Partner i ri në projekt?
Zyrtarët e Serbisë, deri më tani, nuk kanë folur konkretisht për një mundësi të tillë.
Ata që janë kundër projektit, nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë një investitor të ri dhe përmendin emra të caktuar.
Shpesh përmendet kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Eagle Hills”.
Bashkëpunimi midis Serbisë dhe investitorit nga Emiratet ka nisur në vitin 2012, me marrjen e pushtetit nga Partia Përparimtare Serbe.
Që nga viti 2015, ata kanë punuar në ndërtimin e kompleksit luksoz “Beogradi në ujë”, për të cilin Kuvendi i Serbisë, gjithashtu, ka miratuar një ligj të veçantë për të përshpejtuar procedurat e ndërtimit përgjatë bregut të lumit Sava.
Edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare nëse kompania nga Emiratet është investitori i ri i mundshëm në kompleksin e dikurshëm të Shtabit të Përgjithshëm, dihet se “Eagle Hills” ka qenë e planifikuar të bashkëpunonte me kompaninë e Kushnerit në projektin në Serbi.
Çfarë planifikojnë kundërshtarët e projektit?
Demonstruesit antiqeveritarë, të cilët kanë zhvilluar shumë protesta që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Kushnerin, tani paralajmërojnë vazhdimin e “luftës” së tyre.
Ata thonë se janë të bindur se autoritetet nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për të ndërtuar në atë vend.
Disa parti opozitare kanë reaguar, duke kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të ligjit të veçantë dhe rikthimin e statusit të ndërtesave të Shtabit të Përgjithshëm si pasuri kulturore.
Disa shoqata ekspertësh kanë paralajmëruar qysh para tërheqjes së partnerit amerikan, se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë një vlerësim të kushtetutshmërisë së ligjit të veçantë.
Ekspertët janë kundër rrënimit dhe insistojnë në restaurimin e godinës moderniste, e cila është ndërtuar midis viteve 1956 dhe 1963.
Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i protestës kombëtare mbrëmë, u tha mbështetësve se PD është gati të bashkëpunojë me çdo faktor për front të gjerë opozitar dhe rrëzimin e qeverisë së korruptuar “Rama”.
Ai deklaroi se nga sot “Rilindja dhe Rama janë kufoma politike” dhe se “funeralin do ia bënin ata”.
“Në emrin tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, guximtar në këtë betejë vendimtare, për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet. Për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bij dhe bijat tona që nuk besojnë më, edhe pse ka pasuri përallore, për familjen shqiptare që këta duan ta shkatërrojnë, ta shuajnë. Ne tani duhet ta zhdukim këtë racë armiqsh. I bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, intelektuali ka armik numër një konformizmin, është virusi shkatërrimtar i tij, dilni në shesh për familjet tona dhe qytetarët që na besojnë. Dilni se nuk munden kurrë një bandë si këta të privatizojnë shtetin e gjithçka”, tha ai.
Berisha u bëri thirrje edhe fermerëve që të ndiqnin rrugën e fqinjëve të tyre në Greqi.
“Thirrje fermerëve shqiptarë, shikoni fqinjët tuaj që bllokojnë rrugë, edhe pse kanë të drejta njëqind herë më shumë se ju, bashkohuni për familjet dhe fëmijët tuaj, të shpëtojmë sa më shpejt nga ky regjim”, vijoi ai.
Më tej lideri i selisë blu tha se është i hapur për front të gjerë opozitar dhe bashkim. Berisha deklaroi se është i bindur se regjimi do të rrëzohej dhe vendi do shpëtohej ashtu siç u shpëtua edhe opozita prej PD-së.
“PD është e vendosur të bashkëpunoj me çdo faktor, forcë politike e qytetarë, për një front të gjerë që vendi ka parë. Edi Rama sonte është një kufomë politike, Rilindja sot është një kufomë politike, do ia bëjmë ne funeralin. Duke ju falënderuar sepse shmanga edhe fjalimin dhe fola nga zemra dhe shpirti para jush. I keni bërë vendit një shërbim të jashtëzakonshëm, keni dalë nga shtëpitë tuaja dhe keni ardhur anekënd dhe rrallë ndonjëherë keni dhënë kontribut kaq të madh. Kini besim, se ashtu siç shpëtuam opozitë, do ju shpëtojmë ju, vendin dhe çdo shqiptar. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, fitore, fitore, fitore”, përfundoi ai. gsh
Kryedemokrati Sali Berisha mbajti edhe një fjalim të fundit pas përfundimit të protestës, kësaj here në oborrin e PD-së ku u mbyll dhe protesta kombëtare.
Berisha: Edhe një herë u shpreh mirënjohje ju dhe gjithë atyre që u përgjigjën sot thirrjes së PD, në një protestë historike. Miq, duhet ta kuptojë secili prej nesh misionin. Nëse në protestat e para 11 majit, ne u ngritëm për të shpëtuar PD, për të shpëtuar pluralizmin, tani jemi në këmbë për të shpëtuar Shqipërinë, demokracinë, familjen. Ky është misioni më i lartë, më sublim i jetës sonë.
Ky është mision edhe më i lartë edhe më i rëndësishëm se ai që përmbushëm në 90. Ky do përcaktojë fatin e Shqipërisë fatin e demokracisë e familjes shqiptare, përulem para secilit prej jush dhe të betohemi ta vazhdojmë këtë betejë. Gjer në fitore. Ne jemi të pamposhtur. Nuk mund të mundemi kurrë. Kemi nisur këtë rrugës, si njerëz të pamposhtur. Kemi para një kufomë politike që do i groposim. Do ti arkivojmë aty ku e kanë vendin. Aksionin do e informojmë për çdo hap.
Ky aksion nuk ndalet më kurrë deri në largimin e Edi Ramës. Ai është armiku. 3 do jenë drejtimet, kryeministria, ndërtesa e krimit ku hajdutë mbrojnë njëri tjetrin, firmosin me duart e tyre të zeza shkresat për të vjedhur qytetarët shqiptarë, parlamenti, që asgjëson pluralizmin, Surreli pallati tjetër i krimit. Rrënjët e AKSHI janë në Surrel. Baxhanaku Ramës janë epiqendra e atyre zhvillimeve në AKSH, një sipërmarrje shtetërore që duhet të ishte model, kush i mori pengjet. Edi Rama urdhëroi Ergys Agasin. Ai ishte më i fuqishëm se çdo ministër. E keni pa dosjen? I kanë hequr, se aty shkonte çdo ministër. Mirlinda është viktimë. Ne do e shpëtojmë Shqipërinë.
Analisti Fatos Lubonja komentoi protestën kombëtare të opozitës këtë të hënë përpara kryeministrisë. Lubonja u shpreh në “Studio24” se protesta tregon se PD ka ende njerëz.
Megjithatë ai shtron si problem jo vetëm rrëzimin e qeverisë Rama dhe ardhjen e PD-së në pushtet, por shkatërrimin e bandës kriminale që udhëheq vendin në bashkëpunim me qeverinë.
Nga ana tjetër, shton se protestës i mungon përveç mbështetja ndaj drejtësisë, por edhe kërkesa apo presioni për drejtësi gjer në fund.
Lubonja:Që tregon se ka një fuqi për të grumbulluar njerëz. Por pikëpyetja që ngrihet është kjo, ça kërkohet tjetër. A ka aty zemërimi i popullit apo thirrja që bëri PD? më shumë është një thirrje që bëri PD-ja. Mendoj se ka kohë që populli nuk ndjek me një besim një forcë politike përtej militantëve. Edhe 21 janari me 700 mijë euro e Metës, shkoi një popull i thirrur nga opozita, me 300 petrita. Por ishte një protestë e thirrur nga partia. E vetmja është e armëve që refuzuan edhe opozitën. Shkaqet duhen kërkuar me zhgënjimin që kanë me politikanët në përgjithësi. Këtu ka dhe elementë të tjerë. Për shembull, kjo mpirje, jo vetëm nga koha e gjatë në pushtet e Ramës.
Por për tu bërë indiferent ndaj protestës. Protesta ka diçka, njeriu proteston kur në një farë mënyre ndryshon diçka. Kështu siç ka vajtur puna njerëzit më shumë janë të punësuar nga partia shtet. Kanë njerëz, familjarë. Nuk dalin. Shkak tjetër edhe ajo që shqiptarët nuk kanë një kulturë demokratike që këtu po i dhunohet e drejta e votës. Ngrihen kur u preket kuleta. Tregon se PD-ja ka njerëz akoma. Edhe nuk mendoj se një bashkim me partitë e vogla tani siç jemi, edhe po të shkojnë në zgjedhje prapë fiton Rama.
Po nuk u çmontua sistemi kriminal i vjedhjes së votës. Krimi kontrollon gjithçka me paratë. Ka hyrë një element i ri, nuk kam hallin a po ndërrohet qeveria dhe vjen PD-ja. A po shkatërrohet kjo bandë kriminale, ky tumor i madh? Apo shkatërrohet? A mund të shkatërrohet? Kjo që ka bërë drejtësia që zbulon gjithë rrjetin, që nuk ka shkuar vetëm te Edi Rama. Te protesta mungon një mbështetje por erdhe kërkim i drejtësisë gjer në fund. Presioni për të shkuar gjer në fund.
Vetëm revolta dhe rezistenca e opozitës bashkë me qytetarët mund ta rrëzojë këtë qeveri, që e ka lakun në fyt.
Shteti është zhytur në afera korruptive dhe ka rënë, kurse zgjidhja do të ishin dorëheqja, qeveria teknike dhe zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë, lokaleve dhe të përgjithshme.
Kështu tha sot në studion e “News 24” ish-deputeti Lefter Maliqi. Ai e sheh suksesin e opozitës vetëm tek bashkimi dhe përballja, sepse në të kundërt Rama nuk ngopet me pushtete dhe do i kapë të gjitha.
“Sot do jetë vendimmarrje, revoltë popullore. Qeveria ka rënë, duhet vetëm qëndresë qytetare dhe opozitare e fortë. Së shpejti do të dalin edhe informacione e përgjime të reja të Ergys Agasit dhe të tjerëve dhe përgjimet që ai ka bërë”, tha ish-ligjvënësi, njëkohësisht kandidat për deputet i opozitës në disa zgjedhje në qarkun e Beratit.
Maliqi e konsideron situatën alarmante, kurse qeveria ka si plane të saj vetëm të përçajë opozitën, siç bëri me Berishën dhe Metën. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka as mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-ve.
“Jemi në një situatë alarmante, shpopullim masiv, tenderët janë përqendruar në një grup të qeverisë. Duke blerë McGonigalin dhe përçarë PD-në. Duke futur në burg zotin Meta dhe duke vënë nën arrest liderin e opozitës Berisha, këto janë mënyrat e kësaj qeverie. Opozita e dha një shenjë bashkimi që në zgjedhjet e pjesshme lokale të nëntorit. Por ka edhe parti të tjera që duan të faktorizohen, si Lapaj dhe Shehaj, dhe mirë bëjnë, sepse edhe ato kanë nevojat e tyre”, vijoi ai.
Maliqi shtoi se qëllimi i opozitës duhet të jetë vetëm rrëzimi i qeverisë nëpërmjet dorëheqjes dhe synimi i një qeverie teknike që çon drejt zgjedhjeve të reja.
“Por synimi është dorëheqja e qeverisë Rama dhe Ballukut, qeveri teknike për një vit dhe më pas zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një kohë. Qëllimi është rrëzimi i kësaj qeverie. SHBA-të nuk i kanë bërë asnjë urim qeverisë Rama për zgjedhjet e 11 majit, ka lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, niveli i lartë i korrupsionit. Rezolutën popullore nuk e ndalojnë dot”, tha ish-deputeti.
Ai informoi edhe për zhvillimet e fundit nga dosja e bujshme e AKSH-it, ku vuri theksin tek përgjimet që ka bërë i akuzuari nga SPAK, Ergys Agasi, por edhe tek aferat e zv/kryeministres Belinda Balluku, që gjithashtu sipas tij, mban peng kryeministrin me mesazhet e saj.
“Rama nuk ngopet me pushtet dhe kërkon që t’i marrë të gjitha. Kur Ergys Agasi ka bërë gjithë këto përgjime, imagjinoni se çfarë përgjimesh ka bërë Balluku, mjafton të shohësh edhe mënyrën se si komunikon, duke i thënë “palloshi i gjatë”. Atij i është afruar laku, tani po hetohet edhe AKSH-i, i kanë ikur shefat e kabinetit dhe po i hetohen. Ai po kërkon të mbrojë veten e tij me çdo kusht”, përfundoi Maliqi.
Qytetarët duhet të ishin ngritur në protesta në të gjitha qytetet e vendit dhe jo vetëm në Tiranë, përballë këtyre skandaleve qeveritare me abuzime në tenderë, buxhetin e shtetit dhe madje dyshimeve për lidhjet me krimin e organizuar.
Kështu shprehet analisti dhe gazetari Agim Baçi në studion e “News 24”, disa orë para protestës kombëtare të Partisë Demokratike, që do mbahet në orën 18:00 para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë pas skandaleve të zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Duhet të kishim jo thjesht një protestë sot, por disa protesta mbarë shqiptarë, kur dalin ato përgjime ku implikohen zyrtarë të lartë, deri edhe te krimi i organizuar dhe grup i strukturuar kriminal. Shqiptarët duhet të kishin treguar refuzimin e tyre ndaj talljes, ndaj vjedhjes. Partitë politike mund të organizojnë dhe kanë tagër për protesta, në të gjithë vendin, por nëse do të shkojë deri te qeveria, e ka në dorë opozita. Mosbindja civile nuk shkoi siç duhej, pasi nuk prodhoi asgjë. Mund të kenë ndarje për shumë gjëra, PD dhe Lapaj, por për protesta, kauza është e njëjtë. Protestat janë për të rregulluar jetën e brendshme të partive”, tha ai.
Analisti nënvizoi se jo domosdoshmërisht protestat sjellin rrëzime qeverish, por krijojnë frymë qytetare, ku populli refuzon vjedhjet e zyrtarëve dhe u përgjigjet, por ai mendon se opozita ka problemet e saj, të cilat ndikojnë edhe në pjesëmarrjen jo të lartë.
“Në 21 janar nuk u rrëzua qeveria, edhe pse ndodhi ajo që ndodhi. Pse kjo pengesë dhe mospjesëmarrje në protestat e thirrua nga PD. PD nuk ishte e sinqertë me votuesit e vetë. Nuk bëri një analizë të fortë për zgjedhjet e 11 majit. Populli kur përmbys diçka, kërkon diçka tjetër. Por a nuk e ka kuptuar populli që Rama ka shkelur Kushtetutën? Populli ka përgjegjësinë e vetë, që mos të duartrokasë atë që e vjedh dhe mos të adhurojë atë që bën të fortin. Por përse nguron që të shoh opozitën si forcë fituese? Ja rrëzoi Ramën, thotë populli, por kë do të mbështesë?! Ne duhet të jemi kritikë ndaj pamundësisë që ka treguar opozita për t’u kthyer në një qeverisje alternative”, vijon Baçi.
Ai vë theksin tek përfshirja e sa më shumë qytetarëve përballë kësaj situate dhe tek një analizë e fortë brenda opozitës.
“Populli duhet të kishte reaguar ndaj këtyre shkeljeve. Nuk mendoj dot se ka shpjegim tjetër se përse nuk ka dorëheqje, shkarkime dhe largime!”, tha ai.
Baçi nënvizon se në fund të fundit luftën me padrejtësinë dhe shkeljet po e bën Drejtësia, por nuk është ajo që votohet në fund, por partitë, të cilat nga ana e tyre nuk krijojnë frymëzimin e duhur në popull, ndoshta edhe për shkak të mungesës së një transparence me mbështetësit, sidomos pas 11 majit.
“Kjo duhet të ishte një protestë pa nxitjen e Berishës apo të Agron Shehajt e Lapajt, qytetarët duhet të ngrihen vetë. Protestat janë gjithmonë të rëndësishme. Pyetja është pse kjo mospjesëmarrje në protestat e PD-së. Besoj se kjo vjen nga mungesa e analiza e thellë brenda PD-së për zgjedhjet e 11 majit dhe mungesa e sinqeritetit me mbështetësit e saj. Këta presin se çfarë do bëjë SPAK, por SPAK nuk votohet, Dumani nuk votohet dhe as Braho. Ndryshe kjo situatë kthehet në normalitet. Qytetarët duhet të refuzojnë talljen që u bëhet”, tha ai.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për Neës24 detaje nga dosja hetimore ku janë regjistruar bisedat mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqiraj dhe Mirlinda Karçanajn.
Regjistrimet janë bërë me kamera të vendosura në zyrë, e lidhur gjithashtu me telefonin.
Videot janë pamje filmike të ruajtura nga Agasi, megjithatë ka të dhëna për dhjetëra takime të tjera.
Pjesë nga bisedat:
Ermal Beqiri: Informacioni është një gjë shumë më e madhe se numrat
Ergys Agasi: Ueee
Beqiri: Ça me i bo atij…
Agasi: Nuk e diskuto fare mo burrë, tani jemi goxha shumë shumë lart
Agasi: E ke bërë gati kallëzimin penal për Nardin se ka nxjerrë sekret shtetëror Edhe filloi pastaj e pa situatën si shkoi, filloi prap jo Nardi kshu jo ashtu, filloi t’u shpjegu.
Karçanaj largohet.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka avancuar me hetimet në lidhje me veprimtarinë dhe përfitimet e kompanisë “Gogel” sh.p.k., e cila rezulton në emër të Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka ndërmarrë edhe disa veprime hetimore në disa kompani të tjera të lidhura ngushtë me shoqërinë “Gogel”.
Sipas burimeve, mësohet se SPAK ka zbuluar marrëdhënie financiare ndërmjet Bashkisë së Tiranës, shoqërisë “One Albania” sh.a. dhe shoqërisë “Gogel” sh.p.k. Në kuadër të këtyre hetimeve janë evidentuar disa lidhje tregtare dhe financiare me disa shoqëri që kanë pasur marrëveshje financiare gjatë viteve 2020–2024. Këto shoqëri kanë përfituar fonde për aktivitete të ndryshme që Bashkia e Tiranës ka organizuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me shoqërinë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, aktualisht i pandehur me 13 akuza.
Nga këqyrja që i është bërë disa dokumentacioneve të sekuestruara nga SPAK, rezulton se për katër vite Bashkia ka dhënë 2.4 milionë euro për aktivitete artistike dhe kulturore, si edhe për sponsorizime.
Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit (Fiskalizimi), rezulton se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., me administrator Erald Simixhiu, i cili rezulton lidhje e afërt familjare e Ajola Xoxës, ka regjistruar një sërë faturash shitjeje gjatë vitit 2024, ndër të cilat përfshihet edhe ajo me një subjekt tregtar, me vlerë 698,285 lekë.
ARBËR VELIAJ NË AVION
Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këto operacione hetimore, “Ora News” ka siguruar pamje të Arbër Veliajt në avionin, sipas burimeve, të linjës Tiranë–Vjenë, ku mendohet se ndodhen edhe zyrat e bizneseve të tij.
Fotot janë të ditëve të fundit, por ajo që mbetet e paqartë nga të njëjtat burime është nëse bileta e prerë nga Arbër Veliaj është vetëm me “vajtje”, apo me “vajtje–ardhje”./Boldnews.al
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bën thirrje për pjesëmarrje masive sot më 22 dhjetor, duke theksuar se beteja për ndryshimin e realitetit politik nuk i përket vetëm partive opozitare, por çdo qytetari që kundërshton krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Postimi i plotë në FB:
“Protesta e Opozitës në 22 Dhjetor
Në mbledhjen e kryesisë, Kryetari i Partisë Republikane theksoi se është koha që jo vetëm Partia Demokratike, Partia Republikane, por gjithë opozita pa dallim, çdo qytetar, të jetë prezent dhe të luftojë për të ndryshuar realitetin e dominuar nga krimi, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria.
Raporti i OSBE/ODHIR denoncoi se zgjedhjet ishin një farsë, ku shteti dhe Partia Socialiste u bënë një, duke vjedhur paratë e taksapaguesve për të blerë vota, faljen e gjobave dhe bonusin për pensionistët në shkëmbim të votës. ODHIR deklaroi se krimi i organizuar, i lidhur me pushtetin, bleu vota, intimidoi votuesit dhe vendosi në parlament përfaqësuesit e tij. Po ashtu, deklaroi qartë se liderët e opozitës u proceduan dhe arrestuan përpara zgjedhjeve politikisht, në shërbim të pushtetit.
IDU (Unioni Ndërkombëtar për Demokraci), ku bën pjesë Partia Republikane Amerikane e Presidentit Trump, Partitë Popullore Europiane theksuan se zgjedhjet në
Shqipëri u manipuluan nga Partia Socialiste, e lidhur me korrupsionin dhe krimin, dhe Shqipëria duhet të gjejë mekanizmat për një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kongresi Amerikan, në seancën e Komisionit për Europën, deklaroi se në Shqipëri po shkatërrohet pluralizmi dhe zgjedhjet e lira; krimi dhe korrupsioni janë një kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë. Ata kërkuan një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe nuk përdoret si armë politike e pushtetit.
Të gjitha këto kanë vlerë kur opozita dhe shqiptarët të bashkohen në një lëvizje të fuqishme masive kundër qeverisë së Edi Ramës, e cila po zbraz Shqipërinë dhe po shkatërron të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit, duke e kthyer atë në momentet më të errëta të historisë shqiptare.”
Komentet