1. Vjosa Osmani deklaroi në intervistë në KTV më 2 qershor se dekreti i saj për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka qenë kundërkushtetues. Argumenti i saj mbështetet në dy teza: (1) se dekreti ishte vetëm formalizim i një realiteti kushtetues që tashmë ishte krijuar dhe (2) se Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi shkelje nga ana e saj.
2. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhoi efekt juridik.
3. Në të drejtën kushtetuese, kur një akt shpallet pa efekt juridik, kjo do të thotë se ai nuk është i aftë të prodhojë pasojat juridike për të cilat është nxjerrë. Nëse dekreti do të kishte qenë plotësisht i bazuar në interpretimin e paraqitur nga Presidentja, Gjykata nuk do të kishte pasur nevojë të ndërhynte për të ndaluar efektet e tij dhe për të krijuar një regjim të ri kushtetues prej 34 ditësh.
4. Zonja Osmani tha se Gjykata konfirmoi se ajo nuk e kishte shkelur Kushtetutën. Por aktgjykimi nuk e konfirmoi vlefshmërinë e dekretit. Përkundrazi, ai ndaloi prodhimin e efekteve juridike të tij, e riktheu procesin në Kuvend dhe krijoi një afat të ri 34-ditor për konstituimin.
5. Po të ishte dekreti kushtetues dhe efektiv, nuk do të kishte më Kuvend për t’u kthyer dhe nuk do të kishte proces parlamentar për t’u vazhduar.
6. Argumenti i Presidentes ishte se shpërndarja e Kuvendit kishte ndodhur automatikisht dhe se dekreti i saj vetëm e formalizonte atë realitet. Mirëpo Gjykata Kushtetuese, në praktikë, tha të kundërtën: ajo urdhëroi vazhdimin e procesit parlamentar dhe tregoi se situata kushtetuese nuk ishte përmbyllur në mënyrën e pretenduar nga Presidentja.
7. Gjykata ndërhyri për të ruajtur funksionalitetin kushtetues të institucioneve. Duke marrë parasysh momentin delikat të krizës politike, ajo e përdori formulimin më të kujdesshëm të mundshëm, se dekreti ishte “pa efekt juridik”, pa u shprehur për përgjegjësinë kushtetuese të Presidentes dhe pa dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë mbi natyrën e shpërputhjes së dekretit me Kushtetutën.
8. Shpërndarja e Kuvendit nga Presidentja e zgjedhur prej atij Kuvendi përbënte një ndër ndërhyrjet më të rënda në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, aq sa Gjykata Kushtetuese u detyrua ta shpallte dekretin pa efekt juridik dhe ta rikthente procesin kushtetues në Kuvend.