*Vështrim mbi romanin më të ri të shkrimtarit Kristaq Turtulli “Dhimbja e Ikonës”, botim i dytë nga SHB “Prokultpress” e drejtorit Mr. Fatmir Halimi
“Ekzistonte një tmerr i shenjtë për gjithçka të panjohur dhe fatale. Është gjë e lehtë të admirosh mediokritetin, injorancën dhe të ëndërrosh kodrat e së nesërmes të mbuluara nga gjelbërimi e mbi to endet një re pupëlore. Por gjithçka mendohej dhe dëshirohej se e nesërmja mund ish tepër madhështore, mbase dhe skandaloze. Një enigmë ashtu si një univers i magjishëm, por pa kuptuar mund të degdisesh në gropat e errëta të pafundësisë. Një ansambël ndehur rrëmujshëm në kometën e përflakur, ngjan si një kryevepër e çmendur, por nëse afrohesh, shohësh nga afër llahtarisesh prej së tmerrshmes lemeri…”
Në letërsinë shqipe bashkëkohore, Kristaq Turtulli zë një vend të veçantë si një autor i cili përmes përmes prozës letrare romanore ndërthur mjeshtërisht realitetin shqiptar me frymën e reflektimit filozofik dhe shqetësimeve shoqërore-historike. Romani i tij më i ri, “Dhimbja e Ikonës”,
paraqitet si një vepër e thellë, e ngarkuar me simbolikë, metaforë dhe
reflektim, duke e vendosur lexuesin përballë kujtesës historike dhe dhimbjes
kolektive, që buron nga identiteti – rrënjët, humbja dhe degradimi moral i
shoqërisë shqiptare, si në Shqipërinë diktariale komuniste, ashtu edhe në atë
në tranzicion të përhershëm në periudhën post-komuniste, e përshkuar dhe
zhvilluar kjo me një “demokraci të brishtë”.
Në romanin “Dhimbja e Ikonës” të Kristaq Turtullit, lexuesi përballet
me një dramë të thellë morale, historike dhe filozofike që tejkalon kufijtë e
fabulës konkrete për t’u bërë një metaforë e Shqipërisë së shekullit XX dhe
fillim-shekullit XXI. Konflikti midis personazheve pozitivë si Fatbardh Ananezi
dhe Sotiraq Shoguri, përballë figurave negativisht arketipike si Stasi
(Anastasi) dhe veçanërisht i biri i tij Tasi Kotori, nuk është thjesht një
përplasje karakteresh apo fatesh personale. Është në të vërtetë një konflikt i
thellë i strukturës së vetë realitetit shqiptar, një duel mes dritës dhe
errësirës, një betejë e hapur mes dinjitetit njerëzor dhe degradimit moral.
Dhe të tëra ngjarjet autori i ka vënë në skenën e Korçës, këtë qytet
“Parisi i vogël’, me një fytyrë e panoramë evropiane, në radhë të parë si
meritë që i përket familjes së kryepersonazhit, Fatbardh Ananezit, për
bamirësitë dhe dhuratat e shumta që i dhuroi ajo asaj, si: spitalin modern për
kurim, liceun për arsimim, bibliotekën për art e kulturë, si dhe katedralen
monumentale kristiane, ku qytetarët të falen e kryejnë liturgjitë fetare… Por,
për shkak të pasojave të “luftës së klasave” në diktaturën komuniste, siç na
përshkruan autori, kjo familje do të deklasohet e persekutohet.
Pason që në hyrje të narracionit fluksi i madh i qytetarëve shqiptarë për të
marrë rrugën e migrimit për në Itali, mes tyre edhe Fatbardhi, i cili nga Italia,
pak më vonë, do të shpërngulet për në Amerikë.
Kjo shpërngluje masive si pasojë e politikave të kohës në Shqipërinë e
fillimviteve të ‘90-ta.
Ikona si metaforë e identitetit kombëtar dhe shpirtëror
Titulli i romanit, si shenjë simbol: “Dhimbja e Ikonës” nuk është vetëm
një shprehje poetike apo metaforike, por një koncept filozofik dhe historik që
ngërthen brenda vetes dramat njerëzore, rrëfime të përvuajtura dhe një
ndjeshmëri estetike e shpirtërore. Në traditën lindore, ikona është një imazh
i shenjtë, një dritare drejt hyjnores. Në këtë vepër, ikona shndërrohet në
simbol të shpirtit shqiptar, të atij kujtimi të paprekshëm që është rrënuar nga
erërat e kohës, nga dhuna e ideologjive dhe nga harresa.
Dhimbja që shkrimtari KristaqTurtulli e përshkruan nuk është vetëm
personale, por e përbashkët, kolektive. Ajo është dhimbja e një populli që ka
parë të shembet gjithçka e shenjtë, që nga besimi, morali e deri te
ndërgjegjja. Prandaj “ikona” nuk është vetëm një objekt sakral fetar apo
artistik, por është edhe një metaforë e njeriut të nëpërkëmbur, e shpirtit të
plagosur shqiptar në përballje me të kaluarën dhe me një të tashme që nuk
ngjall shpresë në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot.
Dimensioni historik dhe kujtesa kulturore
Në rrëfimin e Turtullit, historia nuk është thjesht një sfond, por
thelbësisht është aktore e dorës së parë në itineraret e jetës. Përmes një
strukture narrative, ku e shkuara ndërthuret me të tashmen, ai ndërton një
panoramë të errët të kohëve që shkuan, veçanërisht periudhave të
komunizmit dhe pas-komunizmit. Fati i ikonës – qoftë si objekt arti, si simbol
fetar, apo si kujtim familjar, përfaqëson shkatërrimin e trashëgimisë
kulturore dhe shpirtërore të një kombi që, për dekada me radhë, u detyrua të
mohojë vetveten.
Rrjedhimisht ky roman merr formën e një dëshmie dhe të një akt-
akuze njëkohësisht ndaj një kohe që grabiti jo vetëm jetën fizike të
individëve, por edhe ndërgjegjen e tyre, duke i zbrazur nga çdo ndjesi
sublime kombëtare e njerëzore. Kristaq Turtulli e përdor figurën e ikonës për
të na kujtuar sa shumë kemi humbur, madje dhe faktin e hidhur, se ndoshta
kjo humbje është e parikuperueshme për një kohë të gjatë.
Estetika e dhembjes dhe forca e kujtesës
Stili i shkrimit të Turtullit në këtë roman është i ngarkuar me tension
emocional, por njëkohësisht i ruajtur në një balancë të admirueshme midis
rrëfimit poetik dhe prozaik. Ai nuk bie në sentimentalizëm të lirë, por përdor
një gjuhë të kontrolluar, të pasur dhe shpeshherë aluduese, madje dhe
alegorike me mesazh të thellë, për të ngjallur tek lexuesi atë që mund të
quhet ndjeshmëri e heshtur historike.
Autori arrin të krijojë portrete njerëzish të rrënuar, por jo të dorëzuar;
ikona që janë thyer, por që në thyerjen e tyre ruajnë një farë bukurie të
lënduar, një dritë të zbehtë që flet për dinjitetin e nëpërkëmbur. Në këtë
kuptim, romani ka një mision më të gjerë: të na nxisë neve shqiptarëve që të
vëmë në kujtesë, të reflektojmë dhe të mos harrojmë gjëmat, kalvaret e
odiseadat e jetës në faza të ndryshme historike, plot rrëmujë, ankth e makth.
Një roman për kohën tonë
“Dhimbja e Ikonës” është më shumë sesa një histori e rrëfyer bukur.
Është një vëzhgim i thellë mbi krizën morale të shoqërisë shqiptare, një
pasqyrë ku shohim rrënjët e deformimit të sotëm: mungesa e vlerave,
rrënimi i traditave, harresa e kujtesës kolektive, dhe zëvendësimi i ikonës me
idhuj të rremë.
Turtulli, si një shkrimtar që di të ndërtojë ura mes kohërash, na kujton
se pa ikona – jo vetëm fetare, por edhe morale e shpirtërore, një shoqëri
është e destinuar të bredhë në errësirë, të humbasë busullën dhe të mos
gjejë më rrugën e vet.
Dualizmi moral si pasqyrë e historisë shqiptare
Turtulli na vendos përballë një antagonizmi moral të skajshëm: nga
njëra anë janë Fatbardhët e Sotiraqët, madje dhe Luljetat, bij e bija të një
tradite fisnike, qytetare, me rrënjë të thella në ndërgjegjen historike e
kulturore të vendit; dhe nga ana tjetër, janë Tasët, bij të një ideologjie që
zhbëri çdo kod etik, që ndërtoi pushtetin mbi frikën, persekutimin dhe
shkatërrimin e gjithçkaje që nuk i bindej diktatit të partisë.
Ky dualizëm s’duhet parë thjesht si ballafaqim midis së mirës dhe së
keqes në kuptimin biblik apo moralist. Është ballafaqimi i njeriut me
antihumanen – i njeriut që mbron jetën, trashëgiminë, lirinë dhe nderin, me
njeriun që e sheh pushtetin si mjet sundimi dhe rrënimi të çdo forme të
dinjitetit njerëzor.
Tasët dhe Gjylametët – simbol i së keqes së institucionalizuar
Tasi Kotori dhe i ati, Stasi, janë më shumë se figura narrative: janë
simbole të së keqes që institucionalizohet, burokratizohet dhe bëhet pjesë e
sistemit shtetëror dhe më pas e vetë strukturës sociale. E tillë është edhe
personazhja femër, mësuesja Keti Gjylameti, e cila punonte në sekretarinë e
shkollës dhe ishte gruaja e Ajarit, shefit të tmerrshëm, të degës së punëve të
brendshme. Këtë grua autori e përshkruan si “plakaruqe e neveritshme”,
“nursëze” dhe “kuçedër/shtrigë” tipike.
Ata janë shushunjat që thithin gjakun e moralit kombëtar dhe shpirtit
njerëzor. Nuk kanë ideale, nuk kanë ndjenja: kanë vetëm qëllime – të
mbijetojnë në pushtet, të kontrollojnë, të shkatërrojnë. Dhe më e frikshmja –
ata ringjallen edhe pas rënies së diktaturës, në forma të reja, më të
rafinuara, më cinike.
Në filozofinë politike, kjo mund të quhet “transfigurimi i së keqes”, ku
diktatori i djeshëm zë vendin e politikanit demokrat të sotëm, hetuesi i
dikurshëm bëhet avokat, ndërsa krimineli shfaqet si hero. Tasët nuk
zhduken: ata përshtaten, transformohen dhe mbijetojnë si kancer moral i
pandërprerë.
Në këtë sens negativ është një çikë dhe ish e dashura e Fatbardhit,
Dea, të cilën autori e përshkruan me gjuhën e kryepersonazhit si “kukulla e
shkollës”, ose “vogëlushja e llastuar”, e cila, me të ndarit nga Fatbardhi,
shkon në Greqi, ku shndërrohet në “zuskë djallëzore”: ndarë tre a katër
burra, bile dhe tre vajzat e saj do t’i ndajë nga burrat e tyre. Autori rrëfen në
vijim dhe pasojën vijuese po fatale: tre vajzat e përzënë nënën e shpëlarë
Dea nga shtëpitë e tyre, tani ajo vijon të jetojë me nënën e saj plakë në një
ishull të largët të Greqisë …
Fatbardhi, Sotiraqi dhe Luljeta – protagonistë të dritës që nuk e
braktisin dinjitetin
Fatbardh Anamnezi, Sotiraq Shoguri dhe e dashura e tij Luljeta janë
personazhe viktima të tragjedisë së vlerave. Ata përfaqësojnë atë shtresë
shoqërore që u shpërfill, u persekutua dhe u përjashtua vetëm pse mbante
me vete dinjitetin, kulturën dhe një kujtesë historike të vërtetë. Në një
shoqëri të kthyer përmbys, ku antivlerat zënë fronin e meritës, ata, që të dy,
janë “mbijetuesit moralë”, ata që nuk u përkulën dhe që u bënë dëshmitarë
të dhimbjes kombëtare, kurse e treta, Luljeta, do të bëhet viktimë, një
martire e atdheut që u vra mizorisht nga kaoskrijuesit e trazirave të ‘97-tës
në Shqipëri, pikërisht në ditën kur ajo me të fejuarin e saj, Sotiraqin, do të
celebronin martesën, për të vënë kurorën në Kishën e madhe në qendër të
Korçës, që quhet “Burimi Jetëdhënës” (autori na e ofron edhe historikun e
kësaj kishe, në detaje). Po viktimë atë ditë do të jetë dhe vet Sotiraqi, i
rrahur rëndë nga banda e Tasit dhe vet ai.
Filozofi Albert Camus thoshte: “Njeriu i ndershëm është ai që
kundërshton botën, edhe kur e di se do të humbasë”.
Kjo është esenca e figurës së Fatbardhit, të Sotiraqit dhe të Luljetës –
një rezistencë etike pa iluzion për fitore, një qëndrim që nuk matet me
përfitime, por me ndërgjegje e dinjitet të lartë njerëzor.
1997 – kulmi i kaosit si rikthim i së keqes
Ngjarjet e vitit 1997 në roman përshkruhen si çasti i shpërthimit të
gjithçkaje të akumuluar – një rebelim pa fytyrë, një kryengritje e
pamoralshme ku kriminelët, të korruptuarit, të paaftët dhe të dhunshmit
zënë pushtetin mbi rrënojat e një shoqërie që tashmë kishte humbur
busullën morale.
Kjo periudhë përfaqëson krizën e plotë të vlerave, ku nuk ekzistojnë
më ndarje të qarta midis të mirës dhe të keqes, por një amulli etike, një
rrëmujë ku gjithçka është e mundshme, dhe e drejta nuk ka më fuqi. Në këtë
kaos, Tasët bëhen më të fortë sepse nuk kanë skrupuj e as ndjenja humane,
ndërsa Fatbardhët, Sotiraqët e Luljetat më të brishtë, sepse janë të lidhur me
ideale.
Kjo është filozofia e mjerimit moral, ku shoqëria nuk i ndëshkon
kriminelët, por i shpërblen ata; ku drejtësia nuk është e verbër, por e
korruptuar; ku kujtesa kolektive zëvendësohet nga harresa e qëllimshme. Në
këtë sens e kemi dhe imazhin e personazhit tjetër, deputetit Jonuz – një
politikan që bashkëpunon jodenjësisht me Tasin.
Dhimbja si shenjë e shpirtit të gjallë
Pavarësisht të gjithave, dhimbja e ikonës – pra dhimbja për vlerat e
humbura, për shpirtin e plagosur, për idealet e poshtëruara, mbetet si një
dëshmi e jetës së brendshme të një shoqërie që ende nuk është dorëzuar
plotësisht. Dhimbja është ajo që e bën njeriun ende njeri, edhe në një botë të
përmbysur.
Në filozofinë ekzistencialiste, dhimbja është shenjë e ndërgjegjes: ajo tregon
se njeriu ende kujton, ende ndjen, ende refuzon të bëhet pjesë e
shkatërrimit.
Përmbyllje: Konfrontimi si pasqyrë e shpirtit të kombit
“Dhimbja e Ikonës”, pra, është një roman që lexohet me mendje dhe
zemër. Është një tekst që nuk i përket vetëm letërsisë, por edhe ndërgjegjes
historike, kujtesës kolektive dhe ndjeshmërisë estetike të një kombi në
kërkim të vetvetes. Me këtë vepër, Kristaq Turtulli dëshmon sërish se është
një zë i fuqishëm i letrave shqipe, një shkrimtar që nuk i shmanget të
vërtetës, sado e dhimbshme ajo të jetë.
Në fund, mbetet pyetja e madhe: a mund ta rikthejmë ikonën në
vendin e saj? Apo dhimbja e saj do të na përndjekë si një kujtim që nuk vdes
kurrë? Kjo është sfida që romani ia lë lexuesit, dhe mbase edhe gjithë
shoqërisë shqiptare.
Prandaj, shikuar nga këto këndvështrime, “Dhimbja e Ikonës” është një
traktat filozofik i shndërruar në letërsi, një rrëfim për përplasjen midis atyre
që mbajnë peshën e historisë dhe atyre që përfitojnë nga rrënimi i saj.
Konflikti midis Fatbardhëve e Sotiraqëve, nga njëra anë, dhe Tasëve e
mafiozëve të tjerë, nga ana tjetër, është metafora e madhe e Shqipërisë
moderne: një vend që jeton në hijet e të shkuarës, pa u shëruar, pa u
përballur me të vërtetën, pa një rindërtim moral të shoqërisë.
Turtulli nuk na jep një zgjidhje, por na jep një pasqyrë: nëse nuk
rikthejmë ikonën në vendin e saj – jo ikonën si objekt, por si ide dhe vlerë, do
të vazhdojmë të jetojmë në rrëmujën e antivlerave, të qeverisur nga Tasët
dhe të përbuzur nga historia.
Kjo është beteja jonë e madhe. Dhe është ende e hapur.
Definitivisht, falë Perëndisë që shoqëria dhe i tërë kombi ynë shqiptar
ka në atdheun tonë arbëror shumë Fatbardh Ananezë e Sotiraq Shogurë,
madje dhe shumë gra dinjitoze e heroina si Luljeta, dhe ia del të mbijetojë.
Përndryshe, nëse do dominon ata të sorollopit “tasian”, moti do na kishte
përbirë toka në
një “Shqipëri apokaliptike” !