Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka ngritur pengesat për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës për procedurat e përshpejtuara të azilit. Vendet e BE-së mund t’i hartojnë vetë lista të tilla, vetëm nëse zbulojnë burimet për vlerësimet e tyre. Për më tepër, gjyqtarët në Luksemburg vendosën se rregulli aktual, kërkon që e gjithë popullsia në vend të jetë e sigurt.
Rasti kishte të bënte me “Modelin e Shqipërisë” , modelin kontrovers të Italisë për procedurat e shpejta të azilit jashtë vendit. Përcaktimi i vendeve të sigurta të origjinës është një parakusht për zbatimin e këtij modeli. Ata që vijnë nga një vend i ashtuquajtur i sigurt i origjinës dhe aplikojnë për azil në BE, mund të refuzohen më shpejt. Vendet e BE-së mund të përcaktojnë vetë se cilat vende i konsiderojnë të sigurta. Në vendimin e saj, GJED tani përcakton se ky vlerësim duhet të jetë i verifikueshëm.
Për më tepër, sipas vendimit, Shtetet Anëtare nuk mund ta caktojnë një vend të tretë si vend origjine “të sigurt” nëse grupe të caktuara njerëzish, siç janë personat homoseksualë, nuk janë të sigurt atje – të paktën derisa të hyjë në fuqi një rregullore e re e BE-së për azilin.
“Modeli i Shqipërisë” i Italisë
Në rastin specifik që qëndron në themel të vendimit të GJED-së, dy persona nga Bangladeshi kundërshtuan refuzimin e kërkesave të tyre për azil, sepse vendi i tyre i origjinës konsiderohet i sigurt nga Italia. Ata ishin midis migrantëve që u çuan nga Italia në kampe në Shqipëri.
Ideja themelore e “Modelit të Shqipërisë”, është të shqyrtojë kërkesat për azil nga emigrantët e rritur meshkuj që vijnë nga të ashtuquajturat vende të sigurta origjine dhe kapen në Mesdhe në procedura të shpejta jashtë vendit. Për këtë qëllim, Italia përfundoi një marrëveshje me Shqipërinë për të ngritur dy kampe në territorin shqiptar.
Është projekti prestigjioz i qeverisë së koalicionit të krahut të djathtë të Italisë nën kryeministren Giorgia Meloni, por aktualisht është pezulluar për shkak të rezistencës brenda gjyqësorit italian. Sipas një raporti nga organizata e të drejtave të njeriut Action Aid dhe Universiteti i Barit, qendrat funksiononin në mënyrë efektive vetëm për pesë ditë në vitin 2024 – dhe me kosto shumë të larta.
Padi nga dy refugjatë
Dy refugjatët nga Bangladeshi erdhën më vonë në Itali dhe ngritën një padi atje. Meqenëse gjykata italiane nuk ishte e sigurt nëse lista e vendeve të sigurta të origjinës e qeverisë italiane ishte në përputhje me ligjin e BE-së, ajo e referoi çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Në Austri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mongoli, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Shqipëri, Gana, Marok, Algjeri, Tunizi, Gjeorgji, Armeni, Benin, Senegal, Namibi, Koreja e Jugut dhe Uruguai, konsiderohen vende të sigurta të origjinës për azilkërkuesit./ Der Standard.
sn