Është absolute që deputetët socialistë e dinë që kyeministri po gabon, në drejtimin e Shqipërisë. Tundimi për të mos thënë atë që mendon por atë që udhëheqësit i pëlqen të dëgjojë, është buka e përditëshme e intelektualëve dhe deputetëve të PS-së. Kjo lloj race e re intelektualësh (e gjen në të gjitha partitë) as që është e interesuar për të vërtetën, dhe ka një hendek midis asaj që ata thonë në publik dhe asaj që mendojnë realisht.
Kjo është drama më e madhe e intelektualit politikan shqiptar në përgjithësi dhe atij socialist në veçanti. Ky lloj intelektuali, kur është në pushtet është më i rrezikshmi, më intriganti dhe më servili. Sepse kërkon të të imponojë atë që mendon udhëheqësi dhe jo atë që është e vërtetë. Ky lloj deputeti parapëlqen t’i bëjë qejfin kryetarit, duke përfituar kudo, e duke vënë para së gjithash interesin e tij vetiak dhe familjar. Lufta për të zenë një mik me rëndësi ose një vend të rëndësishëm në drejtim, kërkon të bësh të pamoralshmin, t’u vesh stërkëmbëshin atyre, që deri dje i ke pasur shokë, duke mburrur e shenjtëruar lidershipin. Socialistët duket se të gjithë sot janë viktima të kësaj ideje, që po rrënjoset nga Edi Rama.
Roli qesharak që mori përsipër për “Ballkanin e Hapur,” apo “udhëheqësit global” plot miq e shokë, që jep leksione e mend në konferencat e mbledhjet në Europë, është blerë me para apo favore në dëm të Shqipërisë. Dhënia e Portit të Durrësit arabëve, Sazanin dhe Zvërnecin dhëndrit të Trampit, 8ha tokë Melonit, 80 ha tokë nga Baza e Pashalimanit mafies italiane, afera me portin e Limionit në Sarandë, projekti për Syrin e Kaltër me Melonin, dhënia e Portit të Vlorës, Fushës, tokat e bregdetit miqve e shokëve, etj, nuk kanë sjellë aspak zhvillim për vendin. Skandali me Tunelin e Llogorasë dhe TEC-et lundrues, po nxjerrin kaq shumë qelb e llum njerëzor sa heshtja, deputetët socialistë, i bën po aq fajtorë sa dhe Rama e Ballukët.
Përndryshe si është e mundur që në 83 deputetë, kur dhjetëra kryetarë bashkie, ministra e drejtues të lartë janë në burg, në ndjekje penalë, kur çdo ditë ndodhin skandale e vjedhje të papara e padëgjuara kurrë më pare, të mos ngrihej një deputet apo ministër e të pyeste: “Zoti Rama ku po shkojmë kështu? Nuk mund të fshiheni më pas gishtit! Në gjithë këto skandale, gjithë këta drejtues të lartë të PS-së që janë në burg ose nën hetim dhe të tjerë që presin rradhën a mbani përgjegjësi? Të gjithë të emëruarit janë zgjedhje juaj?”
Unë si qytetar pyes: Jeni ju deputetë e ministra dakord me drejtimin e Ramës? Shumë keq! Keni frikë? Prapë keq! Jeni dhe ju hajdutë dhe prisni rradhën të vidhni? Ende më keq! I gëzoni rrogës dhe privilegjeve?! Atëherë turpi ju mbuloftë dhe paçi përjetë mallkimin e fukarenjëve! Jeni dakord me modelet e Xhaçkës, Beqos, Zengjinesë, Veliajt, Ballukut e kompani? Epo në mos sot nesër do kërcasin sërish byzylyqet dhe burgu u pret.