Aktivisti në mbrojtje të mjedisit Lavdosh Feruni, është kallëzuar për shpifje lidhur me deklarata që ka bërë për TEC-et lundruese në Vlorë.
Në një komunikim për mediat ai u shpreh se nuk ka shpifur dhe se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, të cilën e quan në rastin me të mirë gabim nga qeveria, dhe në rastin më të keq aferë e madhe korruptive.
“Do ta shikojmë këtë gjë, nuk pranuam seancën e pajtimit. Ne nuk kemi shpifur. Nuk mund të pranonim një lloj pajtueshmërie ndaj atyre që kemi thënë, sepse janë 100% të sigurta. Po shoh këtu që ajo shpifja e parë që paskam bërë unë është që ‘TEC pushtues i Bangladeshit, po i afrohet Vlorës, a do ta japim Vlorën?’. Është e vërtetë që TEC ka ardhur nga Bangladeshi, dhe me parullën a do japim Vlorën, ne bëmë një protestë.
TEC-et në Vlorë nuk janë ndezur, se po të ishin ndezur dhe të digjnin aq naftë sa është thënë, do të ishte një katastrofë mjedisore. Nuk besoj se do ndizen. Më ngjan si çështja e inceneratorëve edhe kjo me TEC-et lundruese.
Besoj se e vërteta është në rastin më të mirë një naivitet dhe veprim i gabuar i qeverisë, sepse është e pamundur që të bëhet një hallkë fosilesh dhe industri të tjerash që mendohet që vendoset aty, dhe në rastin më të keq është një aferë korruptive e përmasave gjigante”, u shpreh ai për mediat.bw