Historia biblike e Davidit dhe Goliatit është shumë më tepër se një rrëfim i lashtë mbi një duel midis një bariu të vogël dhe një luftëtari gjigant.
Ajo është metafora e përjetshme e përplasjes mes të drejtës dhe padrejtësisë, mes të dobëtit dhe të fuqishmit, mes guximit moral dhe arrogancës së pushtetit.
Në çdo epokë njerëzore, Goliati ka marrë fytyra të ndryshme: herë si despot, herë si sundimtar, herë si pushtet politik, herë si pasuri dhe herë si makineri propagande.
Por Davidi ka qenë gjithmonë i njëjti — njeriu i zakonshëm, qytetari që kërkon drejtësi, gazetari që thotë të vërtetën, intelektuali dhe mendimtari që nuk hesht por mbetet në veprim.
Në realitetin e sotëm shqiptar, kjo metaforë merr kuptim mjaft domethënës. Raporti mes politikës dhe sovranit – popull është bërë disproporcinalisht i pabarabartë, ku Goliati është pushteti vetë — një pushtet i frikshëm që, pas shumë vitesh në duar të një shumice qeverisëse, shpesh tregohet arrogant, represiv dhe i pandjeshëm ndaj halleve të qytetarëve.
Në vend që të përballet me problemet reale të shoqërisë, ai merret me vetveten, me luftën për të përqendruar në një dorë të vetme të gjitha pushtetet, me synimin e vetëm për të qëndruar sa më gjatë në fron, për të ruajtur privilegjet e shumta të pamerituara dhe për të kontrolluar çdo qelizë të shoqërisë dhe të jetës publike.
Ndërkohë, njerëzit e thjeshtë, ata që mbajnë mbi supe barrën e halleve pafund dhe peshën e përditshme të jetës, ndihen gjithmonë e më të braktisur dhe të pambrojtur.
Politikat sociale janë të fragmentuara, të pamjaftueshme dhe shpesh të orientuara jo për t’i ndihmuar shtresat e dobëta, por për të forcuar imazhin e pushtetit dhe për të pasuruar përmes të mirave publike vetëm një pakicë njerëzish të fuqishëm ekonomikisht, që luajnë “bixhoz” përmes trafikut të influencës dhe lidhjeve okulte nepotike e korruptive me pushtetin politik.
Në vend të solidaritetit, është mbjellë indiferenca; në vend të drejtësisë sociale, është ngulur thellë padrejtësia e përditshme që prek çdo familje të zakonshme.
Ky është sfondi social dhe politik mes dy Shqipërive që shfaqet realisht në të përditshmen tonë, ku shohim:
Shqipërinë reale, të prekshme nga gjithë qytetarët e zakonshëm, dhe atë iluzive, të marketuar plot mirëqenie e “begati”, me vezullime dritash e plot ngjyra, me turizëm elitar, me samite e reklama tunduese për evropianët dhe kancelaritë e huaja, të servirura dhe kuruara magjishëm nga industria e përnatshme e propagandës audiovizive.
Armatë mediash apo ushtri Goliati?
Por përtej politikës, sot kemi një tjetër Goliat po aq të rrezikshëm — pushtetin mediatik, të kthyer në një armë propagande dhe manipulimi.
Një armatë e tërë pseudoanalistësh dhe influencierësh, të cilët më shumë i shërbejnë pushtetit sesa të vërtetës, kanë pushtuar ekranet dhe rrjetet sociale.
Ata nuk janë gazetarë-profesionistë në kuptimin e fjalës së ndershme, por mercenarë të verbër, që shpesh dhe me vetëdije mbrojnë të korruptuarit, justifikojnë padrejtësitë dhe krijojnë një realitet të gënjeshtërt në perceptim përpara opinionit publik vendas dhe faktorit ndërkombëtar.
Në vend që të jenë zëri i sovranit, ata bëhen gjithëherë zëri i zhurmshëm i Goliatit modern, që shpërndan mjegullën dhe tymnajën e gënjeshtërt.
Në çdo mbrëmje televizive, në çdo debat që duhej përmes transparencës të ndriçohen realitetet e prekshme dhe me shumë paradokse në realitetin shqiptar, shohim një fushatë të re dhe intensive të shpëlarjes së trurit, ku e vërteta mbytet nga propaganda dhe nga zelli për të kënaqur pushtetin.
Kjo ushtri e padukshme, e mirëfinancuar dhe e supershpërblyer nga politika, është bërë tashmë një armë e rrezikshme kundër vetëdijes dhe ndërgjegjes publike.
Ajo i shërben vetëm të fortëve, duke e bërë edhe më të rëndë peshën e jetës për më të dobëtit e shoqërisë: për pensionistët që me pensionet qesharaka nuk mbulojnë as ilaçet e tyre, për invalidët e harruar, për fëmijët pa familje dhe pa kujdes prindëror, për njerëzit e sëmurë që përplasen dyerve në spitale dhe nuk gjejnë shërbimet bazike.
Këta janë “Davidët” e vërtetë të kësaj shoqërie pseudomoderne— njerëz plot tallaze nga jeta e vështirë që përballen çdo ditë me padrejtësinë dhe indiferencën e një sistemi që u ka kthyer shpinën.
Fjalët e Montanellit, si një kambanë alarmi për të zgjuar ndërgjegjen kolektive
Në këtë realitet të zymtë, fjalët e Indro Montanellit tingëllojnë më të forta se kurrë. Ai thoshte:
“Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.”
Dhe paralajmëronte me mençuri:
“Ne gazetarët duhet të bëjmë llogaritë me një armik të pashpirt. Dhe në vend që ta luftojmë atë, jemi vënë në shërbim të tij: ky është televizioni.”
Këto fjalë nuk janë thjesht kujtesë profesionale, por një manifest moral për gazetarinë dhe për gjithë shoqërinë shqiptare, sepse kur gazetarët shiten, e vërteta zhduket; dhe kur e vërteta zhduket, liria dhe demokracia vdes.
Për sa kohë që mikrofonët, kamerat dhe faqet e gazetave janë në shërbim të pushtetit e jo të njerëzve, shoqëria humbet busullën morale që e mban atë gjallë.
Davidët e heshtur
Çdo kohë ka Davidin dhe Goliatin e vet. Por sot, beteja nuk zhvillohet më në fusha lufte, me gurë e shpata, por në hapësirën e fjalës dhe të ndërgjegjes.
Më i forti nuk është ai që ka më shumë pasuri e pushtet, por ai që ruan ndershmërinë e zërit, që nuk e përdhos të vërtetën dhe që nuk i shitet askujt.
Montanelli e përkufizonte me saktësi këtë mision kur thoshte:
“Gazetari nuk është pronar i fjalës, por shërbëtor i saj.”
Nëse gazetaria e humb misionin e saj, shoqëria humb udhëzimin…. Nëse e vërteta blihet, atëherë liria shitet.
Por sa kohë që ekziston qoftë edhe një gazetar, një qytetar, një njeri i zakonshëm që guxon të thotë “jo”, që nuk dorëzohet përballë Goliatit të pushtetit dhe të padrejtësisë, shpresa nuk ka vdekur, sepse edhe një fjalë e ndershme, si guri i Davidit, mund të rrëzojë një gjigant të gënjeshtrës.
Dhe kur kjo ndodh, nuk është vetëm Davidi që ngrihet, por një komb i tërë që ringjallet dhe ringrihet në vendin që meriton.
Tiranë – 22 tetor, 2025