Në oborr të fqinjit paska dasëm,
vajzën më të bukur po marton,
në sytë e tu gjumi bëhet hasëm,
mbete gjithë mbrëmjen në ballkon.
Nusja mes dasmorësh porsi zanë,
-si kjo nuse, thonë, s’ ka të dytë,
ajo rri me vështrimin mënjanë,
tek ballkoni yt i mbetën sytë.
Dhëndrri në mes valles djeg shaminë,
ajo shaminë tënde lan me lot,
ti je gati të djegësh shtëpinë,
hidhërimin nuk e shuake dot.
Midis jush kish lindur dashuria,
dashuri e bukur si një ëndërr,
por me ju nuk ish dakort komshia,
se për vajzën deshte tjetër dhëndërr.
Çiftin urojnë: Lumturi për jetë!
Krushqit të gëzuar venë e vijnë,
në orkestër qesh një klarinetë
përmes telash qan një violinë.
Ndue Lazri