VOAL

VOAL

Cili ishte roli i Kishës në Luftën II Botërore dhe spiunazhet kundër Hitlerit? – Nga Joseph C. Goulden

December 5, 2015

Komentet

Lufta e vitit 1920- Si hoqi dorë Roma nga sovraniteti i Vlorës – Çfarë parashikonte protokolli shqiptaro-italian më 2 gusht

AGIM JAZAJ/ Në kujtesën e kombit, me kujtesë, dhe në faqet e historisë, mbeten të gdhendur edhe 400 luftëtar që ranë për çlirimin e Vlorës, të vitin 1920, mbetur të përjetshëm, për aktin atdhetar, ëndërrimin e tyre; shenjtërimin dhe jo shëmtimin e atdheut; atdheun e shenjtë dhe të shtrenjtë. *atdhetari, mëndje ndrituri, dhe pendëarti; Mid’had Frashëri: shënon fort në historinë e Shqipërisë dje, dhe për të nesërmen: “Vlorë, një emër paskëtaj, me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

 

Dy data: 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri më të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë”. 105 vite më parë, më 5 qershor të vitit 1920, nisi lufta e Vlorës e vitit 1920, përballë ushtrisë së organizuar italiane, e cila kishte të vendosur në Shqipëri dy divizione. Përballë asaj ushtrie, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare, duke përmendur edhe numrin e tyre, me rreth 4 mijë luftëtar. Dhe aksioni i nisur për çlirimin e Vlorës. Më 5-6 qershor u sulmuan njëherazi, të gjitha garnizonet italiane, të përqendruara, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Dhe në vijim të operacioneve, sulmeve më; 11 qershor të vitit 1920, nisi sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe të rrethinave.

KUVENDI I BARÇALLASË

Në këto rrethana përfaqësuesit më të mirë, trimat dhe atdhetarët e popullit të Vlorës, Tepelenës e Mallakastrës, duke pasur edhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar, u mblodhën në Barçalla- Dukat, më 3 qershor të vitit 1920, nga ku u morën vendime të rëndësishme, përballë gjeneralëve me spaleta, u ngritën gjeneralët, atdhetarë nga e gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, me “diplomën” e atdhedashurisë dhe të së vërtetës, për të mbrojtur nderin, dinjitetin, truallin amtar. Në atë kuvend burrash, atdhetarësh, u zgjodh një këshill prej 35 anëtar, nga i cili u zgjodh dhe komandant i Luftës: Ahmet Lepenica, i cili pas 6 ditësh dha dorëheqjen dhe vendin e tij e zuri Qazim Koculi. Shtabi, gjithashtu, zgjodhi edhe komandantët e luftës, i përbërë prej 12 anëtarësh:

1-Osman Haxhiu, Vlorë
2-Qazim Kokoshi, Vlorë
3-Azbi Cano, Mavrovë
4-Alem Mehmeti, Tragjas
5-Hamit Selmani, Dukat
6-Beqir Agalliu, Vlorë
7-Duro Shaska , Kocul
8-Murat Miftari, Tërbaç
9-Ali Beqiri, Velçë
10-Hysni Shehu, Sevaster
11-Myqerem Hamzaraj, Kaninë
12-Sali Bedini, Armen

Vendimi për nisjen e Luftës së Vlorës, u mor në; “Kuvendin e Barçallasë”- Dukat, i mbajtur më 29 maj 1920. Kuvend, i cili zgjodhi për drejtimin dhe vazhdimin e luftës; “Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, me kryetarin e tij; Osman Haxhiu.

KUVENDI I BEUNIT

*Lufta e Vlorës, e vitit 1920 kulmon në historinë e popullit shqiptar, e organizuar dhe të bashkuar nga patriotët më në zë të kohës, njerëzit e dijes, të pushkës dhe të haberit, të cilët u mblodhën dhe vendosën pas Barçallasë në; Beun të Vajzës në; “Kuvendin e Beunit”:

“Në Beun kur u mlodh,
Dymbëdhjetë komision…

Dhe “Kuvendi i Beunit” i mbledhur nën kreshtat e malit “Tartar” mbi kurorën e fshatit Vajzë, më 2 qershor të vitit 1920, nga paria e Labërisë, Vlorës dhe me gjerë, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu, vendosën njëzëri për t’u ngritur në luftë i gjithë populli, për të hedhur në det okupatorin, për të çliruar Vlorën.

Në të dy këto Kuvende, u përcaktuan detyrat për ç’do fshat e krahinë. Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në ç’do zonë, në luftën çlirimtare, të pabarabartë.

Në këto kushte, më 20 maj të vitit 1920, u krijua “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”. Dhe më 3 qershor 1920, ky komitet lajmëroi dhe zhvilloi mbledhjen e “Beunit”, e shënuar në histori si; “Kuvendi i Beunit”. Kuvendi vendosi të merrnin pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga një person për çdo familje. Aty ku dhe u morën vendime të rëndësishme për të çliruar vatanin, nga pushtuesit fashist. Komiteti Kombëtar nën drejtimin e patriotit të shquar, Kryetarit të këtij Kuvendi; Osmën Haxhiu, dhe nën komandën e komandantit të Luftës; Ahmet Cane Lepenica, dhe Komiteti Kombëtar i përbërë nga trimat, luftëtarët dhe dijetarët, nga gjithë treva e Labërisë, Vlorës dhe jo vetëm, por dhe nga Tepelena, po vendosnin fatet e vendit. kudo, bijtë e shquar që nga; Rrapo Çelo, e Kanan Maze, Sado Koshena e Hysni Shehu, Sali Murati e Zigur Lelo, Selam Musai etj, vendosën dhe u hodhën në Luftën e Vlorës, në vitin 1920. Dhe në vijim; “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, i dërgoi ultimatumin komandantit të forcave pushtuese italiane: Setemio Piaçentinit:

“Ultimatum te Piaçentini,
E çoi Mehmet Selimi”…
Mehmet Selimi- ish bir i Mallkeqit

Në ultimatumin formulohej: “Sot populli shqiptar, i bashkuar më shumë se kurrë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti, nëpër pazaret e Evropës, si shpërblim i ItaloGrekëve-Serbëve”. Dhe vendosi të marë armët. Ultimatumi kërkonte përgjigjen, brenda datës 4 qershor të vitit 1920. Në mbarim të kohës së Ultimatumit, më 3 qershor 1920, trupat vullnetare u ndan sipas planit të “Komisionit të Luftës”. Duke u gdhirë e diel, 5 qershor i vitit 1920, nisi lufta e popullit, e vegjëlisë, lufta e shënjtë patriotike, kundër qendrave ushtarake të vendosura në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Llogora, Jonufër.

RANË KOMITA NË KOTË…

Në krye të krahinës së Kudhësit, si udhëheqës e komandant, u caktua Rrapo Çelua. Thirrjes patriotike të Rrapo Çelos, për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit iu përgjigjën, i pari: Kanan Maze me burrat e djemtë e fshatit Shkozë, Mehmet Fegë Xheliliaj me ata të Dushkarakut, Rexhep Sulejmëni, me ata të Vajzës, si dhe gjithë çetat e fshatrave: Sevaster, Mazhar, Golimbas e me radhë, nga gjithë krahina e Kudhës Grehotit. Më 2 qershor të vitit 1920, batalioni i Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, u nis për në Beun. Në këtë mbledhje historike, ku foli kryetari i Mbrojtjes, Osmën Haxhiu, i cili iu drejtua vlonjave dhe jo vetëm me thirrjen: “Duke filluar nga ky moment, ne i shpallim Luftë pushtuesit italian, që na ka zaptuar me forcë Vlorën, Sazanin, trojet tjera nga: Tepelena, Kota, e Himara”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend u betuan: “Të vdesim për dhenë e shtrenjtë, të vdesim për Mëmëdhen”! Si rezultat i këtyre betejave, repartet xheniere dhe postat e karabinierisë, u spastruan, ku ishin të instaluara në fshatrat; Sevaster, Dushkarak, Vajzë, etj.

Beteja për shparatallimin e garnizonit të Kotës nga dhe nisi, e skalitur në vargje:

Ranë komita në Kotë,
Komita në Kotë ra,
Si në Kotë edhe më poshtë,
Majë vreshtave të mëdha,
Çeta Kudhës po luftonte,
Me drejtim për në Kala,
Vallë kush i komandonte,
Rrapo Çelua nëpër ta…
Përpara portës me bojë,
Vritet Zigur Leloja
Bravo djemtë e smokthinjote,
U vranë u bënë lakëra,
Bolenës hallall i qoftë,
Pë ata trima që dha!

Vargjet na çojnë larg dhe na sjellin të afërt figurat e patriotëve, të atyre burrave që e donin vatanin, shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, antitezë e këtyre që: Grabitën Shqipërinë, për të vënë pasurinë…

“Vlorë copëza stërralli,
Të ndrin shtati, të qesh balli”…

Vargjet e poetit Ali Asllani, më thotë miku im i pendës Kristo Mërtiri, u tromaksin gjumin mëkatarëve sot, i ndjekin pas, edhe në botën tjetër, do mbeten pa varr…

Koha dridhet e përdridhet,
Prej gradimit katër shkallë,
Nuk do mbetet gjë në dorë,
Vëçse vulë’ e zezë në ballë…

Një ndër Patriotët, udhëheqësit dhe luftëtarët e kësaj lufte: Rrapo Çelo- Kudhësioti, me çetën e tij të krahinës së Kudhësit, në këtë epope, la pas për brezat, epopenë e tij….

Jeta e tij, nëpërmjet veprës, i kapërceu kufijtë e fshatit, krahinës duke u bërë një figurë e madhe e kazasë, krahinës së “Kudhës Grehotit”, të Labërisë, Vlorës, dhe të vendit, duke i rezistuar dhe apeluar kohës…

Në moshën 24 vjeçare, në momentet më të vështira të atdheut, kur plaku i mençur, diplomati i Vlorës, Ismail Qemali, luftonte nëpër Europë, për të ngritur shtetin shqiptar, për të njohur kufijtë e Shqipërisë, Rrapo Çelua ndiqte me shumë vëmendje, gjithë evenimentet historike, reagimin e shteteve të mëdhenj dhe përkrahjen që i jepnin prijësit e Pavarësisë Kombëtare. Rrapo Çelua sqaronte: “Së shpejti do të vijë dita të njihen kufijtë e vendit tonë. Edhe ne do të kemi shtetin tonë, Flamurin Kombëtar, që mbajti Skënderbeu lart për 25 vjet luftë”.

Në ditët e para të nëntorit të vitit 1912, me 300 djem e burra të krahinës së Kudhësit, të organizuar në repartin luftarak, nën komandën e tij, mbërrijnë në Vlorë, për t’i dalë përpara ç’do të pa priture, në mbrojtje të Qeverisë të sa po krijuar të Ismail Qemalit.

Bashkë me popullin e Vlorës, dhe të krahinave të tjera të vendit, pritën me gëzim e krenari ardhjen e Ismail Qemalit, nga Durrësi.

Me shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në Vlorë dhe krijimin e qeverisë provizore, Rrapo Çelo dhe trimat e tij, kudhësiot u vunë në mbrojtje të kësaj qeverie të brishtë, qëndronin në gatishmëri për të bërë ç’do sakrificë. Rrapo Çelua dhe shumë burra të tjerë të krahinës, u ngritën më këmbë, rrëmbyen dyfekët, kur forcat greke zaptuan pabesisht Korçën dhe Gjirokastrën dhe mbërritën në Tepelenë e Kurveleshin e Poshtëm. Komiteti i Mbrojtjes në Beun, të Vajzës dha objektivat dhe objektet e sulmit për ç’do çetë, fshat e krahinë.

SHPARTALLIMI I PARË, I GARNIZONIT TË KOTËS

Për Çetën e Kudhësit u caktuan si objekt (nisja e betejës) shpartallimi i Garnizonit të Kotës, si një rajon i rëndësishëm që lidhte, Vlorën me Tepelenën dhe grykën e Mesaplikut, i cili mbrohej me një regjiment fanterie, nga 150-200 trupa. Komanda e garnizonit armik të Kotës, pas ultimatumit, dorëzuar nga Mehmet Selimi, e përfshirë në panik, i përgjigjet dhe kënga e gdhendur:

“Telatë po ven e vinë,
Punon Kota me Kaninë,
Gjenerali me Zabinë,
Se shqiptarët errinë…

Më 4 qershor të vitit 1920, pas organizimit të forcave të krahinës së Kudhësit, ku u përfshinë djemtë trima të; Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Dushkarakut, Mazharit, Ploçës e Amonicës, u grumbulluan në qafën e Ploçës dhe nisën marshimin nëpërmjet Dorbërit, Harvalasë, Brusnje e BelikHysoverdhit, në bashkëveprim me çetat e Smokthinës, Mavrovës, për të sulmuar e shpartalluar garnizonin e Kotës. Në orën 03 të natës, luftëtarët trima të Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos dhe heroit Kanan Maze, u hodhën në sulëm. Në këtë përleshje, për mungesë të armëve dhe municioneve, u përdorën edhe sëpata, hanxharë, kosa, madje edhe sfurqet… Për të përmendur është rasti i luftëtarit; Zyber Bejto Kudhësiotit, nga Dushkaraku, i cili me një sfurk në dorë, me zvarritje, i shkoi ushtarit italian në llogore, i vuri sfurkun në fyt…

Dhe kënga legjendë i thuret legjendarit:
Luftoi Zyber Bejtua,
Me shkopin në dorë,
I shtriu të vdekur,
Pushtuesit, një taborr…

Më 5 qershor, të vitit 1920, forcat e krahinës së Kudhësit, Mesaplikut dhe të fshatrave për rreth, shpartalluan plotësisht garnizonin e Kotës. Në këtë betejë, u plagos edhe Kanan Maze, nga Shkoza, Hero i Popullit. Pas marrjes së garnizonit të Kotës, forcat e Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, në bashkëpunim me forcat e Mesaplikut, të komanduara nga Sali Murati dhe ato të Selam Musait, ndoqën këmba-këmbës, deri në qafën e Sherishtës, në Kalanë e Kaninës, në qafën e Koçiut, deri sa hodhën në det zaptuesit italian. Aksionet për marrjen e qendrave të fortifikuara dhe beteja për çlirimin e Vlorës, u realizua me një përleshje të përgjakshme. Jehona e kësaj lufte, u dëgjua dhe u përhap si rrufe, jo vetëm brenda Shqipërisë, fqinjëve, por edhe në kancelaritë europiane. Populli i vogël shqiptar, pa përkrahjen e askujt, u ndesh me një armik të pabarabartë, si në numër, ashtu dhe në armatim.

Kemi derdhur gjak më okë, ndaj “lulëzon” kjo tokë…

Në këtë luftë frontale, që zgjati gati tre muaj, u derdh gjak me okë, për të lulëzuar kjo tokë… Vlora u çlirua, zaptuesit u hodhën në det. Këtë betejë e gjejmë të gdhendur në vargjet e rapsodit, në këngë e përjetësuar, skalitur në mendjen dhe shpirtin e popullit: Lufta e Vlorës zgjati për 3 muaj luftime të ashpra, dhe shënohet në gjerdanin e artë të historisë si: Ndër epopetë më të lavdishme, pjesëza të asaj lufte i këndohet dhe sot pas 105 viteve: Kanë kaluar 105 vite dhe vargjet e këngës, kanë skalitur fortë: ngjarje dhe data, akte dhe heronj kumbojnë në vite, vijnë me klithmat e ditës, edhe në ditët e sotme, duke na kujtuar Luftën e Vlorës, të 1920-s, dhe kënga më vargjet këndohet edhe sot: Vargjet e këngës me krisma lufte- gjëmonin në shpirtin e patriotëve, luftëtarëve: Këngët derdhen nëpër vite, këndohen në brezat, ruhen në sepetet e moçme, hapen në përvjetorët dhe shpërndahen dhe në gjithë krahinat e Vlorës- Legjendare, në gjithë vendin, dhe për gjithë kombin.

Lufta e Vlorës e Vitit 1920!
“Qaf’e Koçiut moj grykë,
Ç’hata bëre atë ditë,
Me topa me alitrik,
Katërqindë e ca shehit…
Katërqindë e ca të vrarë,
Vallë qysh e dhanë xhanë?
Pa bukë e pa njeri pranë…

Dhe… 400 luftëtarët që ranë për çlirimin e Vlorës, në Luftën e 1920-s, mbeten të shënuar në memorjen e kombit, me kujtesë, në altarin e përjetësisë…/Gazeta Panorama 

Ahmed Bushati: Enveri për orë e orë të tëra qëndronte në një bar të Parisit, në pritje të ndonjë në pritje të ndonjë klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt pagesës…

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.


Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

  Në Gjurmët e një ditari

Për jo ma shumë se tre muej kohë, në kampin e mrekullueshëm të Beratit

Tue mos u zgjatë me ngjarjet e zakonshme të nji kampi pune, nga nandori i 1952-it, lamë Çengelajt dhe u drejtuem për në kampin e Urës Vajgurore, “Lapërdha” e Beratit, ku prej kohësh të burgosun të tjerë po punojshin për ndërtimin e nji aerodromi ushtarak. Në këtë kamp “madhështor” u bashkuem dy kampe e do të qëndrojshim bashkë derisa t’u pregatiste ai i Vlashukut, që ishte destinacioni i jonë. Kampi i Urës Vajgurore, do t’u mbante mend si kampi ma i madh që kishte qenë ndonjiherë, ndonëse për nji periudhë të shkurtë, me ma shumë se katër mijë të burgosun, si dhe kampi ku nji shumicë të burgosurish politikë, do të njiheshin mes tyne e prej ku nji ditë do t’u largojshin, tue pasë lanë e marrë mbresa të pashlyeshme për të gjithë jetën.

Ndërmjet tjerëve, atje do të takojshim edhe shokët tonë të Shkodrës, që kishin pasë dalë në kamp mbas nesh, si Sami Repishtin, Xhevat Metën, Ernest Përdodën, Tomë Sheldinë, Et’hem Bakallin, Zef Nikën, Nush Tukën, si dhe Feti Qukun e Mark Lleshin, që po bijshin për herë të dytë në burg, etj. Do të gjejshim gjithashtu në atë kamp edhe shokë nga të burgjeve të tjerë me të cilët ishim njohë e lidhë qysh dy e tre vjet ma parë ndër kampe të tjerë. Takimet e të burgosurve politikë, mbas disa kohësh që t’mos ishin takue me njeni-tjetrin, do të ishin si takime bashkëluftëtarësh. Takime të tilla do të krijojshin vazhdimisht atmosferë të gëzueshme e inkurajuese, për vetë vuejtjet e kauzën e përbashkët që ata kishin.

Në këtë kamp, për herë të parë, do të takojshim Patër Mëshkallën, te i cili, si ndoshta te asnji tjetër, ishin shkri në nji gja, thjeshtësia e sinqeriteti, inteligjenca e kultura, si edhe nji ngrohtësi deri në afinitet edhe me ne, çka do të bante që atij, pavarësisht moshës që kishte e petkut që mbante, t’iu manifestojshin qysh në takimin e tịj të parë me ne. Te Patër Meshkalla do të më bante përshtypje pamja e tij, që edhe pse disi si e zeshkët e gjithë rrudha, do të na bahej tërheqës dhe e dashtun edhe prej afrimit të menjëhershëm e, besimit të pa asnji rezerve që ai po shfaqte për ne.

Vuejtja nga njena anë, si dhe kontakti me njerëz të zgjedhun për nga karakteri, që të keshë pasë me të e disa herë edhe për nga kultura, shtue këtyne librat e sidomos synimet, patën ba që nji kategori të burgosurish me moshë të re, të kishin fitue atë shkallë formimi të parakohshëm, sa do të kishin qenë vërtetë nji dobi reale për vendin, nëse komunizmi do të ishte përmbysë, qysh atëherë.

Edhe atje në Berat, si në kampe të tjerë, do të njifshim shumë njerëz të mirë, mes të cilëve edhe fshatarë të thjeshtë, emnat e të cilëve, për kohën e gjatë që ka kalue, më janë fshi nga kujtesa, por jo gjithherë edhe fytyrat e nji fisnikni e tyne. Sa kohë që u ndodhshim në atë kamp, mezi ç’do të pritshim që të mbaronte dita e punës, për të takue në mbramje individë e grupe shokësh, që me qëndrimin e tyne të papërkulun ndër burgje e kampe, kishin ba emën.

Nga të burgut të Vlonës, Meçan Hoxha do të ishte nji prej atyne nacionalistëve të kulluet e njeri i mirë, të cilit ndoshta ma shumë se çdo gja tjetër, do t’i a tregojshin shprehja e qetë e dashamirëse e fytyrës së tij të qetë që kishte, toni i ulët e i shtruem i fjalëve të matuna e konfidenciale që përdorte, si të nji njeriu me të cilin të ishim njohë prej kohësh, çka ne, si të rinj që ishim, do të na bante me besue se të gjitha sa ma sipër, t’i burojshin prej nji nacionalizmi të tij të pastër e të thellë, si rrallë kush tjetër.

Njeri shumë i mirë nga të burgut të Vlonës, do të ishte edhe Fatos Kokoshi, që ishte në gjendje të të tregonte nji numër të pambarim filmash, që kishte pasë ndjekë dikur në Francë. Po ashtu Abdurraman Kreshpani, nji tjetër nacionalist i devotshëm, që vite ma parë kishte ndërpre studimet në Itali e, kthye në Shqipni për të luftue me armë në dorë pushtuesin italian, i inkuadruem brenda radhëve të Ballit Kombëtar. Inxhinieri Besim Grezhica, nji tjetër njeri i mirë e i papërkulur. Po kështu vlonjatët, disi ma të rij, si Ventigjar Hamzaraj, që disa vite të shkollës së mesme, i kishte krye në Paris, si bir i nji nëpunësi të ambasadës shqiptare që kishte qenë. E kështu edhe të rinjt, Numan Numani, Teufik Gabrani, Lavdosh Begja, djelm të mirë e të vendosun, që mbetshin si edhe ma parë, besnikë të Ballit Kombëtar.

Në atë kamp qeshë ba mik me nji Bexhet Shehu, pavarësisht diferencës në moshës që kishte me mue. Kishte studjue në Austri dhe prej natyre ishte model i njeriut të sjellshëm e të dashun. Nji herë Bexheti do të më thonte: “S’mund të them se u besonj falleve, por ama është e vërtetë, se kunata ime e pau në filxhan arrestimin tim, qysh dy ditë para. Ajo shikoi filxhanin e kafesë, që sapo e kisha pirë, dhe menjëherë u tret në fytyrë e sytë iu mbushën me lotë. “Çfarë pe në filxhan”? e pyeta unë, dhe ajo njëherë përnjëherë, nuk m’u përgjigj, por pasi unë këmbëngula, ajo duke u dridhur, më tha: Bexhet, të shikonj në burg. Dhe vërtetë unë në ato dy ditë u arrestova”.

Si mik që tashma e kisha Bexhetin, nji ditë do t’i bajsha pyetjen: “Bexhet, ndër të burgosun, kush po sakrifikon ma shumë, ju që në shtëpi keni lanë gra e fëmijë, apo ne që këtu po shkrijmë vite të papërsëritshme rinie”? “I dashur Ahmet”, – do të fillonte me më folë me buzëqeshje Bexheti, – “kësaj pyetje, që vërtetë është interesante, vështirë t’i japësh nji përgjigje të saktë. Duhet gjetë nji njeri tjetër”!

Shyqyri Borshi do t’ishte po aq simpatik, për të burgosurit e atij kampi, sa ç’kishte qenë dikur për vajzat e pjacës së Shkodrës. Temperamenti i gëzueshëm i tij e, humori i përhershëm, kishin ba që atë ta njifshin e ta dojshin të gjithë. Disa herë Shyqi, i hypun mbi nji vagon të mbushun me dhé, tue kalue para të burgosurve që ishin në punë e sipër, do t’u thirrte me sa za të kishte: “Ej, ej, po kalon para jush artisti i burgjeve e, kampeve të Shqipnisë”.

Familjen e Shyqit, me origjinë të largët prej Borshit të jugut, dhjetë vjet ma parë, lufta e kishte sjellë nga Podgorica në Shkodër. E kishin arrestue m’kot, kur kishte qenë ushtar diku andej kah jugu. As që donte të dinte për politikë dhe ndonjiherë do të më kishte thanë: “Kur pata shkue mbas luftet në Zagreb, për të vazhdue studimet universitare, Shkodrën e pata lanë tue u marrë me politikë. Ndër shtëpia e në rrugë, ndigjojsha njerëzit se thojshin: po dalin sot e po dalin nesër këta hora, e tash po vijnë anglezët e amerikanët, etj., etj., ndërsa kur unë studjojsha në Zagreb, kisha përshtypjen se atje, askujt s’i shkonte ndër mend me u marrë me politikë, e se ne studentët u merrshim vetëm me mësime e dashni. U ktheva në Shqipni, e Shkodrën e gjeta përsëri tue u marrë me politikë, ashtu si e kisha lanë dikur”!

Nji tjetër djalë simpatik në atë kamp, do t’ishte Qamil Kacmoli prej Shijakut, nji tip me karakter leal, të gëzueshëm, ekspansiv e të dashun, e me trup të hedhun. Tregojshin se gjatë luftës, ishte numrue ndër ma trimat që kishte pasë ajo zonë e Shijakut. E kishin burgosë për zhgënjimin që ai kishte pasë pësue. Mark Prela e Sami Repishti, që me të ishin ba shokë qysh ma parë, na e patën njohë e lidhë edhe ne me të. Nuk mund të harroj me këtë rast, dy fshatarë të thjeshtë që ato ditë punojshin ngjitë me ne. Më duket se ishin nga Vloçishti i Korçës e, se njeni prej tyne, e kishte emnin Izet, të cilin na e quejshim; “xha Izet”, si plak që ishte. Gjeneral Nexhip Vinçanin e ramë nga pozita qysh atëherë, ai e kishte të vetin.

Xha Izeti e ai shoku i tij, qyshë me mbarimin e Luftës së Parë Botnore, kishin pasë emigrue në Amerikë e, tregimet e tyne për Amerikën, sado të thjeshta që ishin, prapëseprapë tërhiqshin e kënaqshin kureshtjen tonë. Pranë u ndodhte vazhdimisht edhe nji tjetër fshatar prej anës së tyne, me emnin Koço, që si dy të mësipërmit, edhe ai kishte punue për disa vite në Amerikë e, që mes tjerash, do të na tregonte: “Në ditën e 4 korrikut, Festës së Pavarësisë së Amerikës, parakalojshin me flamuj grupe nga të gjithë vendet e botës. Shqipëria, sipas alfabetit, vinte e para pas Amerikës dhe për këtë gjë, grekërit desh pëlcisnin nga inati e për çdo përvjetor ata protestonin, duke thënë se shqiptarët, nuk duhet të kalonin para tyre”!

Nga fundi i qëndrimit tonë në këtë kamp, komanda do të zbulonte hapjen e nji tuneli, në faqen ballore të nji grope të madhe septike prej dheu. E ishte për të ardhë shumë keq. Kishte kohë që nji grup të burgosurish, në mshehtësi e rrezik të madh, kishin punue gjatë shumë netëve për hapjen e atij tuneli e, si edhe ndonjiherë tjetër, vetëm kur ai t’mos donte veç edhe pak punë për të dalë jashta rrethimit prej telash me gjemba, ata do t’u zbulojshin e, t’u dënojshin me shumë vite të tjerë burgu. Edhe nji episod i parëndësishëm do të më ndodhte në nji ndër ato ditë të fundit të qëndrimit tonë në atë kamp: ndërsa isha largue pak nga vendi i punës, shikoj se brenda nji ferre, diçka po lëvrinte.

Mora me të shpejtë nji lopatë e, nisa të hap rrugën në drejtim të saj, dhe shpejt vërejta se aty kishte nji çerdhe gjarpnijsh të rinj, të cilëve fillova t’u biej me lopatë, ndërkohë që drejt meje po vijshin tue më thirr për emën, Met Rrapushi, – furrtari i njohun në Shkodër – dhe ish-studenti, Merxhan Smajli, që të tronditun siç ishin, po m’u lutshin që ta ndërpritsha atë punë. Mënyra me të cilën ata po ma kërkojshin atë gja, – si t’ia kërkojshin nji njeriu të huej, e jo mue, shokut të tyne – si dhe xixëllimat e lotëve në sytë e tyne të skuqun, shtue edhe fjalët “Aman Ahmet, se ti nuk e din, se ç’ka ka përbrenda vetes nji gjarpën”, banë që unë, jo vetëm që t’u tërhiqsha menjiherë prej atij veprimi të porsa filluem, por prej dhimbjes që po provojsha për ta, s’po dijsha as si me u kërkue ndjesë, për ç’kisha ba.

Kampi i Vlashukut

Vazhdonte me qenë dimën kur nji ditë, ne të kampit nr. 2, të hypun ndër makina, lamë kampin e Urës Vajgurore e, shumë shokë tonë të vjetër e të rinj e, tue dredhue gjatë disa dhjetëra kilometrash nëpër rrugë të pashtrueme, për anë do kodrash të ulta, mbërritëm te nji vend ku s’u dukte fshat e asgja e, që u quente Vlashuk. Do të ishte nji kamp – viti 1953 – të cilit fronti i punës, nuk do t’iu largonte anjiherë, me që punimet do të ishin të përqendruem në hapjen e nji kanali me gjatësi të shkurtë, por me përmasa të mëdha, si gjanësi e thellësi.

Do të vinte nji kohë, që për të nxjerrë dheun e gërmuem prej fundit të atij kanali të thellë 25 metra, do t’u dojshin trembëdhjetë skela të alternueme, në të dy faqet e tij, përmes të cilave, lopatë mbas lopate, ai dhé të dilte përjashta. Në thellësi të kanalit, drita depërtonte pak e se dheu atje kishte ngjyrë mes blusë e të blertës, se ishte shumë i ngjeshun e që kundërmonte edhe nji erë të randë, që ndoshta i ngjiste asaj të piritit a vojit të gurit, e që shpeshherë donte me të zanë edhe hundët.

Punimet në fundin e kanalit, veç vështirësisë së gërmimit të nji dheu të fortë e të ngjeshun si tutkall, si dhe rreziqeve eventuale që paraqiste, gjatë stinës së verës kishte dy të mira: freskinë dhe ujin e mbledhun ndër pellgje të vegjël anës kanalit, ujë me të cilin na do të shuejshim etjen tonë e të shumë shokëve të tjerë, sipër ndër skela, pa pyetë për shijen e tij të pakandshme, që kishte marrë prej kundërmimit të dheut, prej kah ai buronte.

Që të mos u shembshin faqet e thella të kanalit të hapun, ishte konsumue nji sasi e pallogaritshme materiali drusor për veshjen e tyne, por që megjithatë, prej presionit të madh të masave të dheut anash, e sidomos mbas ndonji shiu që mund të kishte ra, të ngopuna me lagështinë siç do t’ishin, disa herë ato do të humbshin pikat e tyne të mbështetjes e do të bajshin që dy faqet e kanalit, t’u puqin mes tyne, tue çue dam punën tonë të disa ditëve. Për fatin tonë, shembjet do të ndodhshin vazhdimisht mbas mesnate, aq sa ne të burgosnit, tue qeshë, do të thoshim: “Duket se njitash, ka fillue Zoti me na dashtë”. Kur të vinte prandvera me ditët e saj të zgjatuna, puna do t’u organizonte në katër turne gjashtë orëshe, që u ndërrojshin në krye të çdo jave. Fati do ta sillte që pesë nga gjashtë vetë që kishte sofra e jonë, t’ishin në nji turn, ndërsa unë i vetëm, në turnin tjetër.

Gjatë asaj jave që unë do ta kisha turnin e punës në mbas dreke, rolin e kuzhinierit për drekën do ta kryejsha unë. Ishte ajo kohë kur unë vazhdojsha me studjue gjuhën angleze, me anë të nji metode italiane “Lisly”, dhe me qëllim që ta pratikojsha atë, çdo porosi që kisha për shokët, kur ata t’u kthejshin prej turnit të parë, si lidhun me gjellën a tjetër gja, unë do t’ua lejsha të shkrueme në anglisht, mbi nji copë letër të ashpër thasësh çimentoje.

Brenda nji kampi prej rreth dy mijë e gjashtëqind të burgosurish, – ma të shumtët politikë – anjëherë nuk do të të hiqshin vërejtjen fytyrat e të burgosurve dhe i shikojshe për herë të parë. I burgosuni politik zakonisht mban lidhë brenda nji rrethi mjaft të gjanë shokësh e miqsh, sikurse ruan e respekton edhe disa njohje që atij t’i ishin afrue rastësisht, të cilat zakonisht mbyllin pak a shumë botën e njerëzve të tij të burgut, jashtë të cilit ai përgjithësisht nuk del. Kështu nji ditë unë, mbasi pata mbarue punë para kohe, nga thellësia e kanalit ku punojsha, u ngjita sipër që të pritsha përfundimin e punës për të gjithë. Rasti e solli që aty të hyjsha në bisedë me nji të burgosun nga Berati me emnin Qemal, i cili aty punonte me nji elektro-vinç të madh.

Qysh në fillim te ai njeri do të më bante përshtypje fytyra e tij e pastër e shumë bardhoshe, si dhe toni i qetë i zanit të tij, që sa herë që fliste, do ta përcillte me buzëqeshjen e nji njeriu të mirë e me edukatë. Mbas nji bisede prej rreth nji orë, u ndamë sikur të kishim qenë njohë prej kohësh. Mbasi të kishte mbarue punë edhe turni i dytë, pra në mbramje, kur po hajshim darkë, unë do t’u flitsha për të shokëve të sofrës. Po ç’ndodhi ndërkaq? Për nji koinçidencë të pabesueshme e fatale, këta shokë të mij, do të më tregojshin se pikërisht atë vinçier, me emnin Qemal, e kishte pase zanë nën vete vinçi at mbas dreke, tue ia pasë qitë zorrë e tru përjashta!

Vdekja e nji të burgosuni në nji kamp pune, disa herë kalon me indiferencën e atyne që atë nuk e kanë njohë ma parë dhe me pikëllimin ma të thellë nga ana e shokëve të tij. Kështu nji shok i Qemalit, që më duket se emnin e pat Nuri, nga pikllimi për vdekjen e Qemalit, qysh atë natë, luejti mendsh. E izoluen brenda nji barake të vogël, që vinte pak mbrapa kapanonit tonë dhe për nji javë resht ai djalë, ditë as natë, nuk do të pushonte se thirruni me za të naltë: “Qemal, o Qemal, Qemal ore”!- tue mbushë me dhimbje e lanë edhe pa gjumë, shumë të burgosun aty rrotull. Ruzhdi Baja, kushri i imi e, që në atë periudhë flinte brij meje, i shqetësuem që s’po e zinte gjumi prej të thirrunave të atij Nuris, do të turfullonte: “Boll na u dhimbt ai djal që diq, veç edhe kështu mos me të lanë me mbyllë sy, të lodhun si jena, s’po di ça me thanë”! Kund nja nji javë mbrapa, Nuriun nuk e ndigjuem ma të thërriste: dikush na tha se e kishin nisë për spital.

Në këtë kamp të Vlashukut, kujtoj me respekt e tashma vetëm për figurë disa njerëz të mirë prej Beratit e rretheve të tij, ndër ta sidomos nji burrë të shkurtë, me emnin Syrja. Si Syrjanë, po nga Berati kujtoj me këtë rast edhe nji ish-student, pak brun e simpatik, që njenin prind e kishte me origjinë italiane. Nga Berati ishte edhe studenti Ilia Thereska, që gjimnazin e kishte ndjekë në atë të Gjinokastrës. Po ashtu, kamp mbas kampi, do t’u njifshim e do t’u afrojshim shumë me nji grup kolonjarësh shumë të mirë, që në krye të tyne kishin nji plak me emnin Muço, Muço Shkëmbin, nji zotni gjithë prestigj, që e meritonte nderin që iu bante nga të gjithë.

Ma i riu ndër ta, do të ishte Kamberi, që na e thirrshim Kambo. Qysh në kamp të Beratit, ishim njohë e krijue lidhje shoqnore me intelektualë, si Isuf Vrionin, që si bir ambasadori që kishte qenë në Francë, të gjitha ciklet shkollore, përfshi edhe ndonji vit të fillores, i kishte pasë krye në Paris, ku kishte qenë laurue dy herë e, nji herë të tretë në Milano të Italisë. Po kështu do t’u afrojshim edhe me dy shokët e tij, Milto Liton e Foto Balën, që bashkë me Isufin, do të formojshin nji treshe të pandame.

Foto Bala ishte rritë me Enver Hoxhën. Bashkë kishin krye gjysë-gjimnazin e Gjinokastrës, bashkë në lice të Korçës e, bashkë edhe në Montpellier të Francës. Foto Bala, jo vetëm që ishte intelektual i plotësuem, por kishte edhe nji mënyrë të të treguemit shumë të kandëshme e elokuente. Ndër të tjera, ai do të na tregonte për Enver Hoxhën, për sjelljet e tij në përgjithësi, për mungesën e plotë të karakterit të tij, për “manierat” femnore që ai përdorte deri në neveri, sa herë që kishte të baj me femna, si dhe për shumë aventura të tij, shumë e shumë herë të fëlliqta.

“Do të ishte Enver Hoxha, i vetmi shqiptar që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt nji pagese, do ta merrte me vete atë bukurosh”, do të na thonte Foto Bala. E vazhdonte: “Si i shthurur që ishte, kushedi sa herë me ishte futur në shtrat, disa orë pas mesnate, duke më thënë: “Foto, Foto, bëj një çikëz vend, sa të futem edhe unë”. Dhe kur Enveri do të vinte në krye të Shqipnisë, dëshmitarin e sa maskarallëqeve të tij, Foto Balën, ai do ta mbante dhjetë vjet në burg, kurse të atin, që e kishte pasë farmacist në Durrës, do t’ia pushkatonte, për çka Fotoja do të thonte: “Po ai pizeveng, mirë me mua, po me babain ç’pat”?

Më shumë njerëz të mirë, do t’u njifshim e do t’u lidhshim si shokë në këtë kamp, por unë s’pakut do të kujtoj edhe dy, njeni Niko Koka e, tjetri Lem Daçi, të dy prej Shkodret, të arrestuem në Durrës, ku kohët e fundit kishin qenë me punë e banim, si dhe njifarë Eshref Zagorçani prej Pogradecit, që pak vite ma parë, kishte pasë ndërpre studimet e nalta në Austri. Mes tjerëve, do të kishim atje edhe studentin Ali Cali, nga Tirana.

Tue vazhdue me qenë në këte kamp, ndodhi që nji të shtunë në darkë, njenit prej shokëve të sofrës, familja i solli ushqime. Daja, – ekonomati e kuzhinieri i jonë – po u merrte me sistemimin e tyne. Thabit Rusi, tue mos shikue mirë prej dritës së pakët të kapanonit, përmbysi gabimisht nji shishe voji e, mbrapa nisi të turfllonte; “Ku paska qenë që s’e pashë?! E marrtë dreqi”, etj. Ndërkaq Maliq Bushati, tue mos pasë qenë koha për gjumë, ishte shtri në dyshek e mbulue edhe me batanije. Ndërkohë që Thabiti vazhdonte të shprente idhnimin për humbjen e nji shisheje voji aq të çmueshme për ne, unë do të vërejsha se si Maliq Bushati, u tundte e shkundte nën batanije dhe mbasi e zbulova e pyeta: “Ç’ka ke që tundesh”?! e ai pa muejtë me frenue gazin e, tue vazhdue me u dridhë edhe ma shumë, do të m’u përgjigjte:

“Shyqyr që duel edhe nji tjetër me derdhë, se ju mbetët tue thanë për gjithçka; Maliqi, Maliqi”. Dhe me të vërtetë, nëse do t’u derdhte a t’u thyente nji gja, t’u griste a t’u ndyente nji plaçkë, për autor do të kishin pasë përgjithësisht dorën, brylin, kambën, gjunin a kryet e Maliqit. Po ashtu, edhe nji morr po t’u vërente se ishte futë brenda vendeve tona, do t’ishim të sigurt, se atë e kishte sjellë Maliqi, edhe në qoftë se ai në atë ditë të kishte veshë rroba të lame. E ngjiste kështu, sepse Maliq Bushati, sa askush tjetër, do t’u fuste ndër skutat e ma të vorfënve e, të të harruemve të kampit.

Daja, çdo mëngjes, do të mbushte kutitë e duhanit për të gjithë e, në veçanti atë të Maliqit, do ta raste edhe me duer, dhe tue ia dorëzue, do t’i thonte: “Maliq, kjo për gjithë ditën ee”? Dhe Maliqi, megjithëse aty për aty, do t’iu përgjigjte me “Po, mor po”, kur t’u kthente prej punës, si asnji tjetër prej nesh, punën ma të parë që do të kërkonte me ba, do t’ishte zgjatja e kutisë së duhanit bosh, drejt Dajës, sepse ai si gjithnji, do të kishte takue Prekën, Hajdarin, Nduen, Muhon, po edhe Koçon a ndonji tjetër, me të cilët ai vazhdimisht, do të ndante duhanin.

Sa herë që Maliq Bushatit, t’i vinte ndonjë gja e re prej shtëpijet, si këmishë, brekë etj., ai do të mendonte se nuk i takojshin atij e, përgjithësisht m’i hidhte ato mue, si ma i riu i sofrës që isha, gja që natyrisht unë s’do t’ia pranojsha asnjiherë, sikurse nuk do t’ia pranojsha as nji kafshatë mishi, që mund t’i kishte ra nga kazani, e që ai, tue ia hjekë vetes, sa pa nisë me ngranë, do të kërkonte që të m’a hidhte në gavetë time! Memorie.al

“ONE MAN’S JOURNEY TO FREEDOM” (UDHETIMI E NJI NJERIUT PER NE LIRI) GENE X. KORTSHA

Marrë nga libri i

të Madhit Dijetar

Gene X. Kortsha

“ONE MAN’S JOURNEY TO FREEDOM”

(UDHETIMI E NJI NJERIUT PER NE LIRI)

GENE X. KORTSHA

1924 – 2016

   Tridhetë e tri vjet ma parë me 1998 , Don Preng Ndrevashaj i tregon Genc Korçes, çka ai ka ndigjue prej Peter Freeman (Sinishtaj) komandant i skuadres pushkatare, që ka ekzekutue këta tre të burgosun. Peter Freeman ka kenë emni i marrun me mend kur ai ka fillue nji jetë të re në Kanada.

     ”Freeman, i ka thanë Don Prengës, kur i pushkatuen  tre të bugosunit, dy prej tyne kanë ra përdhe, ndersa At Antoni asht zhdukë nga pamja i rrethuem prej nji rêjet. Oficeri në komand ka shkue afer trupave të shtrimë perdhe.

Trupat e Lef Nosit dhe Maliq Bushatit shihen të perplasun perdhe, ndersa trupi i At Anton Harapit

qendron i padukshem, i rrethuem prej nji rêje. U deshten disa minuta që të zhduket Rêja. Atëherë dhe vetem atëherë, ushtarët pane trupin e dobët të San Françeskut në Mbretninë e vdekjes.

     Ne vjetin 2004, në nji bisedë në mes Genc Korçes dhe  Viktor Dostit , kur Genci i tregon atij ngjarjen e P. Anton Harapit, Ai shtoj nji hollësi interesante . Ai tregoi që para shumë vjetësh në Shqipni, nji ushtar që ka kenë antar i skuadres pushkatare i ka tregue atij të njajten hollësi per rêne që ka errësue trupin e P. Antonit per nji kohë mbas pushkatimit.”

                                                                     Gene Kortsha.

Shenim nga Fritz RADOVANI:

Botohet pandryshue asgja nga shkrimi i të Ndjemit G. KORTSHA.

Asht marrë nga Dijetari i Madh Gene X. KORTSHA në vitin 2014.

            Melbourne, 3 Qershor 2025,

 

“Pasi ia dënuan djalin në burg politik, Nikolinin e përzunë nga teatri dhe kolegët ia kthyen shpinën, edhe kur ai u sëmur…”! / Historia e trishtë e artistit të famshëm

 

Çdokush ka një histori, e shënjon atë. Një histori të vërtetë. Dhe e vërteta është edhe më e bukur, sado e trishtuar që është e thuhet. E vërteta është e thjeshta. Dhe ky artist gjenial, ishte i tillë: i thjeshtë, i vërtetë, i bukur…me një histori tragjike jete. Historia vetë është një mit, ose thënë më me elegancë, miti riprodhon brenda materies së vet, histori nga më të përveçmet e, nga më të habitshmet. Një nga këto histori që fqinjëron me mitin për nga habia, e veçanta, e rralla dhe tragjikja, është edhe ajo e prindërve të Nikolin Xhojës, që do të zinte fill në qytetin italian të Brindisit, në vitin 1920. Aty do të shkelte këmba e një vajze shqiptare me origjinë vllahe dhe me emrin Parashqevi Bushi, së bashku me disa emigrantë të tjerë nga Durrësi.

Rastësia, po ndofta edhe bukuria e saj fizike, do ta sillte që këtu ajo të njihej edhe me pronarin e disa kinemave të këtij qyteti, me Teodor Gioia, i cili do të bëhej edhe burri i saj, pa kurorë, e do të lindte fëmijën e parë, si nëpër histori filmash. Fëmija do të quhej Ugo e, do të kishte edhe ai historinë e vet të trishtuar, të rritjes në një institucion Bamirësie, për vet rrethanat e krijuara të asaj kohe. Dy vjet më pas, më 12 maj 1926, do të lindte edhe djali i dytë, Nikolini, një fëmijë e mbarë, i bukur dhe i shëndetshëm.

E frikësuar se mos e humbiste edhe këtë djalë, Parashqevia e braktis të shoqin, ikën fshehtazi, me traget nga Brindizi, bashkë me foshnjën e dytë, për të nisur edhe një herë, kalvarin e një jete të dhimbshme, ca më të vështirë nga ajo e të parëve të saj, që e mbartnin jetën mbi samarin e mushkave, nga njëri vend në tjetrin, mbi tokë e nën qiellin e hapur…!

Krejt e vetme vendoset në një kthinë mbi kodrinën e Sefer Efendiut në Durrës dhe nis të punojë si rrobalarëse, për të nxjerrë bukën e gojës, për vete e fëmijën e saj, që po rritej përmes këtij fukarallëku të tejskajshëm. E gjithmonë, si nëpër skenarë filmash, do të shfaqet një bamirës fisnik, sikundër qe punonjësi i legatës angleze, Profiri Gllatkin, i cili do të zbuste këtë jetë të vrazhdë, së gruas së re e të vetmuar.

Po nata zë ditën e dita zë natën dhe gjërat përsëriten. Varfëria e ashpër e pasiguria e jetës, i detyron ata që ta sistemojnë Nikolinin në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, ku djaloshi do të hidhte shtat si ai filizi i pemës, i rimbjellë pranë gurishteve të një lumi…! Gjersa u bë për në shkollë e kthehet pranë së ëmës në Durrës. Me mësime shkolle, me shoqërinë e rrugës e me ndonjë punë që bënte si korrier në Bankën e Qytetit, nën statujën madhore e të hijshme të Mbretëreshës Teuta.

Mirëpo do të vinte nga Mati një njeri tjetër, që do të shpallej “Mbret i Shqiptarëve”, i cili u hapi “dyert” edhe Italianëve. Pas pak aty mbërritën edhe ushtarët e tyre, me vapore, tanka e avionë. Një dualitet i dhimbshëm zhvillohej tani në shpirtin e Nikolinit: I ati i të cilit kishte kombësi italiane dhe nuk qe bërë më i gjallë! Megjithatë, Banka herë mbyllej e herë hapej.

Kishin ardhur kohë të vështira…!

Diku, aty afër u dëgjuan krismat e mitralozit të Mujo Ulqinakut, si edhe u ndje në gjithë vendin një rezistencë spontane. Ndërkohë që Mbreti Zog, me suitën e tij, po ikte në drejtim të Jugut. Ç’po ndodhte kështu?! Nikolini qe ende i hutuar atë ditë, kur korrierin e nisën të shpërndante letrat me njoftimet e reja dhe në derën e Bankës trokiti një djalosh tjetër, i veshur me uniformën e ushtrisë italiane, që kishte po atë fytyrë, po me ato flokë të zeza e, me onde valësh. Dhe që tha se kërkonte Nikolin Xhojën! Nëpunësve iu duk një shaka e rrezikshme, ngaqë Nikolini, po kërkonte Nikolinin!

Befasimin e njerëzve të mbetur gojëhapur, do ta sqaronte vetë ushtari italian, se nuk ishte Nikolini, po i vëllai i tij, Ugo Xhoja! Ai përmendi edhe nënën e tyre, se donte t’i takonte patjetër që të dy, po që koha nuk e priste asnjë sekondë, për të mos i “fluturuar koka”, nëse nuk do t’i bashkohej kolonës ushtarake, që marshonte në drejtim të Gramshit. Dy orë më pas, nënë e bir, do të niseshin edhe ata në drejtim të Gramshit, me makina të rastit, përmes rrëmujës, krismave e frikës. Italia i kishte shpallur luftë Greqisë dhe territori shqiptar, qe bërë “shesh lufte”.

Fatet e luftës përziheshin me fatet e njerëzve! Dhe nëna do ta gjente të birin, Ugo, të vrarë. Dhe vëllai nuk do ta përqafonte dot më, vëllain e madh të shpuar nga plumbat…! Të kujt? Kush e vrau Ugon?! Qe ditë e premte. Dhe nënën e tyre, e quanin Premte, – (Parashqevi, në gjuhën greke), nga ku kishin zbritur vllahët në shtegtimet e tyre, për të ardhur gjer këtu, gjysma të gjallë e gjysma të vdekur!…

I gjithë vendi u kthye në “shesh lufte” e djaloshi 19 vjeçar, duhej të zgjidhte “udhën e vet” të jetës. Dhe e zgjodhi, duke hedhur pushkën krahut e, të dilte malit, tok me iluzionin se këto “kohë të turbullta”, do t’i davariste komunizmi, i cili fillimisht kishte disa ide e mesazhe të krishtere, për vëllazërim e dashuri njerëzore! Është fjala për “zjarrin” e brendshëm të një të riu, kur e rrëmbeu “furtuna” e luftës partizane.

Askush nga partizanët nuk e besonte, se në radhët e tyre do të kishin edhe një djalosh me origjinë italiane, që ishte aq i gatshëm të luftonte kundër bashkëkombësve të vet, që zbarkuan në Durrës. Po ai do t’u thoshte atyre, se e ndjente veten “shqiptar të vërtetë” dhe se qe kundra kësaj lufte, që i “mori” vëllain, si “mish për top”, në luftën Italo-Greke.

Mirëpo, partizanët nuk mund të mos çuditeshin me këtë njeri që, bashkë me pushkën, kishte marrë me vete edhe kitarën e tij. Qe pasioni i tij i hershëm kënga, që fëmijë, po edhe geni (do të thoshnja), nga i ati që projektonte në kinematë e tij në Brindizi, të gjithë filmat e botës së kulturuar. Shoqëruar me ndjesinë e aktrimit, tek lozi në mal skeçin e Besim Levonjës, për prefektin e Tiranës, – një rol që do ta interpretonte të plotë edhe pas çlirimit të vendit, (pas suksesit të bujshëm që pati me këtë rol edhe Mihal Popi e, disa vite më vonë Robert Ndrenika), për t’u bashkuar me ta në Durrësin e çliruar, në një shfaqje të përbashkët, kur atë e “rrëmbeu” teatri i këtij qyteti, me emrin e Aleksandër Moisiut.

Talenti i këtij aktori (të pashkollë), do të shpalosej katërcipërisht në këtë teatër profesionist e, do të ishte aktori më në zë, me një shtrirje të gjerë, në komedi, estradë, dramë e në operetë, po edhe në film. Unë do të mrekullohesha me rolin e Podgolisinit nga komedia ‘Martesa’ e Gogolit e kjo do të ishte nga shkrimet e mia të para si Kritik i Teatrit, që do të vijoja me interpretimin humoristik e fort të besueshëm, që i bënte tashmë Qazim Mulletit të Levonjës.

Paskëtaj ai do të lozte në disa pjesë teatri nga dramaturgjia ruse e asaj kohe e, do të ishte shumë origjinal në 25 vepra të repertorit nacional, për të ndritur në dramatizimin e një romani të Dritëro Agollit, me rolin e Komandantit Rrapo, me po atë shkëlqim që pati edhe në komedinë “Karnavalet e Korçës”, me një personazh proverbial, si Nikollaq Jorganxhiu, ndonëse kryevepra e interpretimeve të tij, do të mbetej Gorodniçi i Gogolit.

Po nuk do të binin më poshtë as rolet mjeshtërore nga komedia klasike, me Shekspirin, Molierin, Goldonin etj., ku humori i tij ishte më se i këndshëm e i natyrshëm. Suksesi i tij do të ishte i menjëhershëm në skenën e Estradës, ku e kthenin me duartrokitje disa herë edhe nëpër skeçet, si edhe në operetat që u realizuan në Durrës, me vepra të Dunajevskit, Dungut e Marës, tek të cilat qe brilant edhe si këngëtar e instrumentist. Pa lënë mënjanë edhe filmat e tij gazmorë, sidomos me personazhin simpatik të Xha Beqos, aq të natyrshëm, me organicitetin e një shkalle superiore.

Nikolin Xhpoja, ishte e mbeti një personalitet i pazëvendësueshëm artistik. Ai sillte diçka të vetën në skenë, edhe nga trashëgimia e artit italian të “Comedia dell’Arte”, si edhe nga “neo realizmi” italian i interpretimit të rrugës, ashtu vetiu, me plot improvizime e befasira të natyrshme, si askush tjetër. Me një larmi e gjerësi interpretuese. Kurdoherë i papërtuar e vital. Me një lirshmëri skenike e sens improvizimi të jashtëzakonshëm, pa i fiksuar rolet asnjëherë e, duke e ndjerë procesin e krijimit gjithmonë si në premierë.

Aktor me një shpirt të madh njerëzor, i dashur e i domosdoshëm, shëmbëlltyrë klasike, e veçantë, për Teatrin Shqiptar e sidomos për brezin e ri të aktorëve që e nisin “udhën e aktrimit” e shkollimin e tyre profesional, me shumë dëshirë e pastaj përfundojnë si figurantë teatri a si kamerierë, pjatalarës a shitës benzene, jashtë vendit të tyre…!

Njëherësh, “Artisti i Popullit” Nikolin Xhoja, qe një komik i mrekullueshëm në skenë e në ekran, si edhe tragjik në jetë. “Nikolin Xhojën e kishte krijuar ZOTI për teatrin, me një pamje simpatike,- më thoshte shoqja ime e klasës e partnere e tij në po këtë teatër, – Qe i bukur në jetë, i bukur në skenë dhe i këndshëm në shoqëri. Por, kur shkelte në pragun e teatrit, bëhej serioz, i përmbajtur dhe i vëmendshëm”.

Partia e Qeveria e asaj kohe, i afronte këta njerëz të talentuar, u jepte teserën e Partisë së tyre, si edhe tituj të lartë, po nëse të “rrëshqiste këmba” e të delje nga “vija e kuqe e oborrit të tyre”, të bënin edhe “gropën”, – sikundër do t’i ndodhte edhe Nikolinit komunist. Atë e degraduan menjëherë për djalin e tij Ugo, me të cilin ringjalli emrin e të vëllait të vrarë në luftë, që e akuzuan për “një fjalë goje”, për “Agjitacion e Propagandë” dhe e rrasën brenda hekurave të burgut.

Nikolini dhe e shoqja e tij Meropi, – aktore edhe ajo, kaluan ditët më të zeza të jetës së tyre. Po ç’kishte bërë vallë i biri i tyre? Qe habitur, se si qe vendosur në krye të Partisë në Durrës, një karrocier i pashkollë e injorant! Dhe pas këtij “akti” e përjashtojnë nga partia dhe e ndalojnë që të hipte në skenë. Aktori i madh sëmuret dhe shtrohet në spital, me diagnozën; “cerrosi epatica”, me mëlçinë e shkatërruar nga alkooli i tepërt që pinte, për të ngushëlluar veten në atë vetmi tragjike, kur të gjithë i kthyen kurrizin e, nuk e pranuan në teatër, as të vdekur në arkivol, për t’i bërë homazhet e rastit këtij artisti gjigant, që nuk i vjen më Shqipërisë!

Duke e përfunduar këtë histori tragjike të trishtuar edhe me marrjen e shtëpisë pas vdekjes, duke i nxjerr në rrugë familjen që la pas, fëmijët, mobiliet e varfra dhe tekstet e roleve të tij të pavdekshme, që i merrte era e detit të trazuar…! Unë eci këto ditë nëpër kalldrëmet e rrugës të fshatit tim, ku miku im Xhoja, ka xhiruar rolin famoz të Xha Beqos, në filmin “Kapedani”, me partner Albert Verrinë, shokun tim të klasës së aktrimit dhe më rrëmbejnë kujtimet e trishta për artin, thjeshtësinë e humorin e përveçëm të këtij njeriu, që bujti edhe në shtëpinë time, me gjithë ekipin e xhirimit.

E,- të më besoni, – e ndjej veten të bekuar që shkrova për të një libër monografik, pa më ndihmuar askush, as për atë vit pune (me ec e jake të panumërta Athinë-Durrës!) e as me dy promovimet në Durrës e Athinë, rrethuar nga indiferenca e zyrtarëve, e vetë Teatrit, bile edhe e të afërmve të tij, që e kishin lënë ta mbulonin ferrat, varr-oshin e artistit të madh, që duhej të qe një vend pelegrinazhi i nderuar për të gjithë. Kur, edhe në këtë promovim që u zhvillua brenda Teatrit, në “Odeonin” me emrin e artistit, nuk u pa e arsyeshme që të merrte pjesë edhe trupa e teatrit, si të vazhdonte “mëria” me këtë personalitet të Artit Shqiptar (!?).

Po ashtu sikundër më kishte ndodhur, për fatin e keq timin, për të gjashtë librat që pata shkruar e botuar, për Kollosët e Aktrimit Shqiptar: Mihal Popin, Naim Frashërin, Margarita Xhepën, si edhe portretet krijuese për Kadri Roshin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Besim Levonjën, Mihal Stefën, Tano Banushin, Bexhet Nelkun, Robert Ndrenikën, Yllka Mujon e për 15 artistë të tjerë që lanë gjurmë në skenë e në kinematografinë tonë, për të ikur i qetë, edhe unë, në “banesën e përjetshme” e, për t’u takuar aty me shumicën e tyre.

Mandej është e trishtë të mendosh se institucionet e interesuara, teatrot e as të afërmit e këtyre personaliteteve, nuk i kërkojnë për t’i promovuar e blerë këto libra, për t’i patur ndër arshivat e bibliotekat e tyre tyre. Edhe në promovimin e bërë në Akademinë e Arteve, me interesimin e profesor Milto Kutalit e Rektorit Kastriot Çaushi, shumica e studentëve të aktrimit, preferuan më mirë ta kalonin kohën në Kafenenë e Shkollës…!

Medet! Preferohet vetëm që t’ua dhurosh ato, librat studimore për aktrimin, për t’i patur nëpër rafte e çanta, se sa të dëgjonin se çfarë thonin profesorët e tyre rreth këtyre botimeve, pa menduar se gjer këtu arrihet me një punë të madhe krijuese, sakrificash e mundimesh të pallogaritshme në kohë e, asnjëherë të paguara. Parimi i djeshëm i “vullnetarizmit” kudo e ngado, ka mbetur si ato “pullat postare” me figurën e Udhëheqësit të dikurshëm. Ndërkohë që vlerësohen e përjetësohen figurat me të rëndësishme të Kombit, kultura e ndërgjegjja e tij.

Të paharruarit e përjetshëm…! Sikundër qe për ne të gjithë, edhe shqiptaro-italiani NIKOLIN XHOJA. I mëvetshëm edhe ky…! Se mund të harrohen ministra, deputetë, kryeministra e presidentë, po jo këta, që i shkruan emrat në “ALTARIN E KOHËS”…! Memorie.al

 

“Çfarë bisedoi ime gjyshe me Musine Kokalarin, për ato 14 ditë, në një dhomë spitali të Rrëshenit, ku spiunët me pseudonimet…”?! – Dëshmia e pinjollit të Bajraktarit të Kthellës, emigrant në Itali

 

“Kanë qenë dy javë bashkë në nji dhomë spitali në Rrëshen. Të njajtin ushqim që pregaditnim për nanën (vjehrrën) me i çue t’u spitali, të njajtin pregaditnim edhe për Musinenë. Qe një grue e artë, e mrekullueshme” – më rrëfeu para ca ditësh nana, për Musine Kokalarin. E pashë plot kureshtje e surprizë time nanën, drejt e në sy, dy sekonda, me një dyshim të vobektë, mos edhe kjo është një ndër 50 mijë mirditorët, që sot rrëfejnë e “rrahin gjoksin” në kor, se si arritën t’ia lehtësonin dhimbjet shpirtërore znj. Kokalari, kur ajo gjendej në internim në Rrëshen (ani-pse kur pat vdek, vetëm dy-tre vetë, bashkë me puntorin e Komunales, e shoqëronin kamionin e caktue për funeral).

Mirëpo këto pohime për brezin e nanës time, kanë një vlerë, vërtetësi e seriozitet të pacënu, sa vetë Bibla. E s’kanë lidhje me “korin rrahagjokës”, të rrjeteve sociale. Padyshim nana me gruen e axhës, duart e të cilave kishin gatu për të njohur e të panjohun në jetën e tyne, kanë pas të njajtin përkushtim e njet edhe për “gruan e ardhun nga Jugu i largët”, njëlloj si për një teze!

Kishin gatu për të njohun e panjohun sepse, ishin pjesë integruese e një familje, ku hala kishte mbijetu kodi i mikpritjes së mirditorit. E në kullat e së cilës shpesh herë, madje shumë shpesh herë, trokitnin dhe gjenin strehë, edhe të panjohun të largët, hallexhinj që i kishte zanë nata jashtë, apo rrugëtarë, nevojtarë bujtinash.

Gjyshja e Musineja, një kureshtje e pa masë më shtyu: ç’mund të kenë bisedue me njena-tjetrën, në ato katërmbëdhjetë ditë apo, më mirë në ato katërmbëdhjetë netë, të një dhomë spitali?!

Them biseda nate, duke pas parasysh se veshët përgjues të spiunave, me pseudonime nga më absurd, të tipit: “Malësori”, “Piktori”, “Trimi”, “Çiftelia”, “Fizarmonika”, “Muzikanti”, mësuesi etj., duhet të kishin pushu së përgjuari, natën nëpër dhomat e spitalit. Të bindur tashmë se dy gra të thyera në moshë, do i pezullonin planet e tyre, për përmbysjen e pushtetit popullor.

“A drue s’kishin halle, me i qa njana-tjetrës”! – u shpreh nana përgjatë atij rrëfimi, së cilit s’desha t’i anashkalonte asnjë presje të vetme.

Gjyshja e Musineja, bashkëmoshatare e me një të kaluar, eksperience e drama jete, afërsisht të ngjashme. Musineja intelektuale e shkrimtare nga familjet me të ndritura e fisnike të Gjinokastrës, jetue në Tiranën e viteve ’30-të.

Në të njëjtën periudhë me t’ime gjyshe, gruen më të mprehtë dhe me personalitet që mund të njihej, e cila mangësinë e arsimimit, e zëvendësonte me veti të tjera të jashtëzakonshme, shtesë.

Bashkëshorte e një ushtaraku të ri karriere, pinjoll i një familje bajraktari, djalë plot virtyte i cilësuar për karizëm po aq sa për pashi, duke formu së bashku një çift me emër, në kohën e tyre…!

Ç’mund do kishin bisedu njena me tjetrën! Ajo sigurisht do i ketë rrëfye, për dy vëllezërit që i vrau diktatura, për gjygje, për luftë, për internimin, për vuajtjet, për vetmi.

Ndërsa gjyshja sigurisht do i ketë rrëfye, për vëllain antikomunist të vramë, për burrin po ashtu të vramë nga e njejta diktaturë, e për agresivitetin konstant që po kjo farë e keqe, tregonte me bijtë e saj. E për të njëjta vuejtje e halle.

Ose ndoshta kanë bisedue për rininë e tyne, ëndrrat e tyne të djeguna e përcëllume në kohën më të mirë! Ose ndoshta kanë bisedu për Tiranën e viteve ’30-të. Një qytet e shoqëni me mangësi të mëdha patjetër, por me shpresa e pritshmëni shumë, për rininë e asaj kohe!

Ose ndoshta kanë rrëfye Italinë. Njena Romën e, tjetra Barin. Jam kurioz me e dijtë, sa halle kanë qa së bashku ime gjyshe e Musineja, në ato 14 ditë e net spitali, në Rrëshenin e fillim viteve ’80-të! Kurozitet që s’do shuhet kurrë.

Ne…mirë se tek gjyshërit për arsye “anagrafike”, nuk arritëm të gërmonim e mësonim, por edhe brezi i prindërve tanë, po na e lenë lamtumirën pa ua shfletu mirë librin e shkollën e tyne të jetës!

E do vijë një moment, që për historinë tonë, do u nënshtrohemi vetëm historianëve – prototip të improvizuar në fb. Dhe jo vetëm! Memorie.al

“Ç’janë këta plumba?!”- Minutat e fundit të Ramize Gjebresë! E vërteta e letrës së Enver Hoxhës dy orë pasi e pushkatuan më ’44! ! Çfarë përmban ditari dhe akuza për imoralitet

Ramize Gjebrea ishte një partizane e Luftës së Dytë Botërore, e akuzuar për sjellje imorale nga një gjykatë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dhe e pushkatuar në fshatin Ramicë, Vlorë në 1944-ën.

Gjebrea e ekzekutua më 5 mars të vitit 1944, pa asnjë provë, por me urdhër nga lart, që kurrë nuk u mor vesh nga cili nënshkruhej. Ajo ishte e fejuar me Nako Spirun, por nga disa letra doli që kishte nisur një histori dashurie me Zaho Kokën. Ramizeja ishte përgjegjëse e rinisë, ndërsa ai zv. Komisar i Brigadës. Në 22 apo 23 shkurt 1944, u arrestua. Dokumentet dëshmojnë se vetëm 3 ditë më vonë u zhvillua gjyqi partizan që gjykoi Ramize Gjebrenë e që përbëhej nga: Manush Myftiu (kryetar i gjyqit), Dervish Hekali, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli.

Gjyqi filloi më 25 shkurt dhe përfundoi më 6 mars. Por dënimin Gjebresë ia dha gjyqi politik i partisë, i cili përbëhej nga: Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Pajo Islami, Hito Çako dhe Xhako (Ramadan Xhangolli), i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare. Ajo u kritikua për shkeljen e moralit partizan. Ishte një kohë kur partizanët përfliteshin për moralin e tyre nga kundërshtarët politikë për shkak që kishin marrë edhe femra në ushtrinë e tyre, çfarë kishte ndikuar në reputacionin e tyre. Ramize Gjebrea u pushkatua para gjithë Brigadës së saj nga dy partizanë dhe një partizane në fshatin Ramicë të Vlorës.

Ishte një dënim tronditës për të gjithë anëtarët e Brigadës që e çmonin Ramizenë. Zaho Koka u fal, por pas disa muajsh edhe ai ndërroi jetë, pasi i doli përpara autokolonës së gjermanëve. Pas ekzekutimit prapa shpine, nga Gjykata e Brigadës së V-të, Gjykata e Lartë, në vitin 1945, kreu një gjyq formal, ku u hetua rreth pafajësisë apo jo, të fajit të saj, por jo për fajtorët e vërtetë të krimit. Ndërkohë që gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, për publikun, Nako Spiru- i fejuari i saj – e mbështeti figurën e saj gjatë gjithë kohës.

FJALËT E FUNDIT

Shkrimtari Ismail Kadare e ka përshkruar në këtë mënyrë ditën e ekzekutimit të partizanes 21 vjeçare.

“Po gdhin më në fund mëngjesi i dënimit. Ramona, e hutuar krejt, del nga hauri. Sytë i lëbyren, mezi i hedh hapat. I kanë thënë se do të flasë përpara brigadës dhe kjo i ka përtërirë shpresën e faljes. Tek ecën, kërkon me sy Zaho K., bashkëfajtorin, që duhet të ishte i lidhur si ajo, por nuk e sheh kund. Me një shpresë të fundit, kërkon të fejuarin, Nako S., por as ai s’duket. Duket vetëm brigada e rreshtuar në pllajë, një mur hijerëndë, që hesht. Tri vajza partizane, me armë në duar, pakëz mënjanë, ndjekin me sy të turbullt ecjen e së vetmuarës. Ajo i afrohet një flamurthi, ku ndoshta duhet të ndalonte për të folur. Ndërkaq, midis heshtjes ndihen krisma. Dhe midis krismave, dëgjohet zëri i saj: ç’janë këta plumba! Kthen kryet dhe, si në mjegull, sheh tri vajzat partizane që shtien drejt saj. Por, ngaqë iu dridhen duart, plumbat s’e kapin. Bëhet gati të klithë përsëri: ç’janë këta plumba?, kur një partizan, me sy të çakërritur, shkëputet nga rreshti dhe i turret pas për të zbrazur pas qafës së brishtë të vajzës, armën e tij. Ramona bie më në fund, për të mos u ngritur më”, ka shkruar Kadare.

Në librin e tij “Dashuri & Plumba” Dr. i Shkencave Pavllo Gjidede shkruan se dosja e Ramize Gjebresë për herë të parë është hapur në fillim të viteve ’70, por më gjerësisht ajo është bërë e njohur në vitet e demokracisë. Por ligji përcakton se për çështje intime, një dosje hapet vetëm pas 100 vjetësh. E në këtë rast, pjesa themelore ka të bëjë me një çështje intime, nga e cila ka ardhur dhe reagimi i ashpër që e dënoi atë me vdekje. Studiuesi Pavllo Gjidede, i cili është marrë gjatë me hetimin e kësaj historie, ka mundur të nxjerrë në dritë dhe një pjesë nga ditari personal i Ramize Gjebresë. Në ditarin e saj janë shkruar këto fjalë: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mia. Në të vërtetë kam dëshirë, që edhe sot, edhe nesër të më kuptojnë shokët dhe shoqet. Secili ka dëshirë të pëlqehet dhe të kuptohet. Edhe unë për të krijuar një lidhje të re me njerëzit… S’më kanë parë sytë djalë si ky!

Më duket sikur jam rritur me të. Më pëlqen ta dëgjoj kur flet… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik. Për 10 ditë rresht Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Ekzekutimi i krye në 6 mars ’44. Thuhet se dy orë më vonë në Shtabin e Brigadës së 5-të mbërriti një letër e Enver Hoxhës ku urdhërohej: “Asnjëri të mos ekzekutohet”. Ka mbërritur apo jo një letër e tillë, është pak e besueshme. Studiuesi Pavllo Gjidede vë dyshimin vërtetësinë e këtij thashethemi pasi sipas tij asgjë arkivore nuk e pohon një gjë të tillë. Megjithatë në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhet një letër e firmosur nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, drejtuar Nako Spirut ku shkruhet: “… Megjithëse djallja (lexo Ramizeja) s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët nuk e kanë kuptuar… Shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kishte bërë Ramizeja… dhe morën atë vendim të shpejtuar, pa pyetur Komitetin Qendror”.

KUSH E DHA URDHRIN

Sipas të dhënave të fundit arkivore, ka qenë Dushan Mugosha (Dusan Mugosa), delegati i Partisë Komuniste Jugosllave (asaj kohe ndihmonte partizanët, në Ramicë të Vlorës) së bashku me anëtarë të tjerë të Gjykatës së Brigadës së V-të Sulmuese, ata, të cilët kanë dhënë urdhrin për ekzekutimin e Ramize Gjebresë. Kjo e fundit, mësohet nga Nijaz Dizdareviç, konsulenti jugosllav në ndihmë të rinisë shqiptare, gjatë kohës së Luftës, i cili në vitin 1988, boton një libër në gjuhën serbo-kroate, të titulluar “Albanski Dnevnik” (Tipografia “Globus”, në Zagreb të Kroacisë). “Ramize Gjebrea nuk është vrarë pa dijeninë e Dushan Mugoshës”! Liri Belishova, e cila më vonë u bë gruaja e Nako Spiro, dëshmoi në një intervistë të vitit 2010 që gjykata partizane kish ndjekur urdhër nga Enver Hoxha për të ekzekutuar Gjebrean. Sipas Belishovës, urdhri i Hoxhës u bazua në rekomandimet e Dushan Mugoshës, i dërguari i Josip Broz Titos për të ndihmuar lëvizjes çlirimtare kombëtare.

Ajo, gjithashtu, tha se Gjebrea kishte një inteligjencë dhe gojëtari që ishin të pakrahasueshme me ato të grave të tjera shqiptare të përfshira në ushtrinë çlirimtare dhe se përpara se të dilte partizane kishte qenë femra e vetme që marrë pjesë në veprimet guerilase ne qytet. Në dhjetor të 2013, revista “Shqiptarja” botoi për herë të parë ditarin personal të Gjebreas. Në përshkrimin e dosjes ku ruhet (76/1, fondi 14, A.Q.SH) bëhet ky përshkrim: “Ditar i mbajtur nga shoqja Ramize Gjebrea (dorëshkrim), ku pasqyrohen lëvizjet e saja nga Tirana-Berati-Vlora-GjirokastraBrigadën e I-rë etj., ku shkruan mbi ngjarjet e rëndësishme si: njoftimin që ka marrë për vrasjen e shokut Ramiz Aranitasi dhe varrimin e tij (23-25/6/ 1943); fillimin e punimeve në mbledhjen e Ramicës Vlorë 2.8.1943; takimin me D. [Detin = Nako Spiro] më 26.10.1943 dhe bazat e saj në Tiranë, etj.; mbledhjen e aktivit të Partisë të Qarkut Vlorë më 7-9/12/1943 në Ramicë; mbledhjen e konferencës për zgjedhjen e Komitetit të Rinisë Antifashiste në Kuç 17/12/1943; mbi gjendjen shëndetësore, etj.

Ditari është i shkëputur më datat 9-15/I/1944, kohë në të cilën ka qëndruar në Ramicë të Vlorës”. Ramize Gjebrea lindi në Gjirokastër në 1923. Studioi në shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”. Më vonë u arrestua nga fashistët në vitin 1942, por u lirua për shkak të mungesës së provave, dhe më pas iu bashkua lëvizjes nacionaçlirimtare, fillimisht si sekretare e rinisë së Beratit dhe pastaj si pjesë e shtabit të Brigadës së V Sulmuese. Ramize Gjebrea shquhej për oratorinë e saj dhe emri i luftës ishte Ramona. Ramize Gjebrea, pushkatohet në 5 mars të vitit 1944, pa asnjë prove.

/Gazeta Panorama

KOMUNISTAT  ”HERONJ”  SHEMBEN  KISHEN  KU  U  KONORZUE  GJERGJ KASTRIOTI  SKENDERBEU !- PERGATITI Fritz RADOVANI

 

 

                               KISHA E VAUT T’ DEJËS 1361, KU  U KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI

1361 – 1967

Kjo ishte Kisha Monumentale e vitit 1361, në Vaun e Dejës, pranë Shkodres, ku ishte kunorzue Heroi Kombtar i Popullit heroik Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe Donika

Mbasi u fundosën në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, mbi 32 Kisha Monumentale, “duhej hjedhë në erë edhe Kisha e Vaut të Dejës…”, dhe per këte veper terroriste u gjet monstra e anadollakut në PPSh e Shkodres nga Ramiz Alia, Fadil Ymeri.

“Askush” në “pseudo-Akademinë Shkencave” të Tiranës, as sot nuk e di se kush urdhëroi me i shembur Kishat Monumentale në Shqipërinë socialiste të turkoshakut terrorist Ever Hoxha!”

Europa vazhdon me “heshtë”! Edhe pse Shqiptarët po ngordhin … Heshtja e turpi e kanë mbulue atë vend!
“Rilindja” u ka sigurue pa triska “buk’ e marre”, sa po do, madje, dhe me eksportue. Me kusht: “Vetem të shfarosni e shkatrroni Shqipninë e Gjergj Kastriotit –
Skenderbeut dhe Nanë Terezes !”
A doni edhe dokumenta?
Edhe dokumentat ja ku i keni:
JA TESTAMENTI I ANADOLLAKUT TERRORIST EVER HOXHA:
Tiranë, më 27 SHKURT 1967:
Melbourne, 29 Maji 2025.

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, do të shfaqej në tanë shëmtinë e vet mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…” Kujtimet nga diktatura

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjoni s’do të lente rast pa shfrytëzue, veç si të bante të tjerët me qeshë. Ka pasë p.sh. rast që Gjoni, si të merrte gjellën si mbas radhës në kazan, do të vërente se në gavetën e tij, përveç lëngut të hollë, kishte në të vetëm nji spec, të cilin për humor, do ta nxirrte përjashta gjoja si me idhnim, ta përplaste edhe për toke njiherë, dhe mbasi para tjerëve, t’i jepte vendimin për ekzekutim, për fajet që gjoja kishte krye ai spec në të kaluemen e tij të keqe, për çudinë e të burgosurve rreth tij, mbasi ta pastronte fare pak me dorë, pra si mbas vendimit të marrë pak ma parë, atë spec, në mënyrën ma spektakulare, ai përfundimisht do ta hidhte prej nalt e, drejt në gojën e tij të hapun si çorap!

Talljet e Gjonit nuk njifshin pengesë e s’kishin kufi. Kishte ndodhe që Gjoni, gjoja i indinjuem për gjellët pa gja brenda, – gjellë që ne i quejshim “lang spirilangje” – do të mbante nji fjalim të shkurtë para gavetës së tij e, në zemërim e sipër, të bante sikur po pështynte në të, e ndonjiherë, për ma shumë humor, edhe të kishte pështye vërtetë në të, dhe në kohë që disa të burgosun të pritshin që ai atë gjellë ta hidhte për tokë, Gjoni nga ana e tij, i uritun ndoshta ma shumë se të tjerët për fizikun e madh që kishte, t’u ulte pa bë za e, ta hante qetësisht e me shumë oreks po atë gjellë.

Nji herë po gërmojshim dhë rranzë nji kodre, ku na patën dalë me shumicë kafka e gjymtyrë njerëzish të vdekun, ndoshta qinda vjet ma parë dhe Gjoni, kushedi sa e sa herë e pa fare marak, do të vinte në gojën e tij asi kafkash e, nga nji pozicion pak i naltesuem, të pozonte me madhështi në imitim të Farinates së Dantes, tue lëshue me atë rast nji turrë fjalësh të mëdha e pa kuptim.

Nuk do të kisha besue se trutë e dalë prej rrashtës së njeriut, t’i futeshin atij me dorë e, për së gjalli, prap në vend të vet, e ai mbas do kohe të kthehej përfundimisht në gjendje normale. Kjo gja patëm ndigjue se i ndodhi nji ditë Nuh Dylit prej Bërdicet, kur atë e pat xanë nën vedi një masë e madhe dheu, ndërsa po gërmonte për fund të tij.

Postën e letrave në këtë kamp e shpërndante njifarë Xhafer Kondit prej Korçe, njeri i sjellshëm e siç dukej edhe me kulturë. Lidhun me letrat, veç njerëzve të shtëpisë e ma të afërmve të mi, do të më shkruente rregullisht edhe Simja, kurse shokët e tjerë, me ndonji përjashtim shumë, shumë të rrallë, nga frika, nuk do të më shkruejshin.

Si ushqim bazë gjatë gjithë historisë së kampeve, do t’ishte vetëm kaçamaku, – qulli i Shkodrës- që e gatuejshim vetë, ushqim që për vite e vite do të mbante gjallë mijra e mijra jetë të burgosurish. Përmbas tij, shumë përmbas tij, do të vinte buka e grunit e thame në diell prej familjeve tona, të cilën, – sikurse e dimë – si të privuem nga e drejta e triskës, ato do ta blejshin me të shtrenjtë, kur edhe mundësitë e tyne financiare qëndrojshin shumë ma poshtë, se të pjesës tjetër të popullsisë.

Grosha u konsideronte gjella ma e mirë, të cilën ne mund ta përdorshim jo ma shumë se nji ose dy herë në javë, sidomos të dielave. Disa paketa makaronash, pak miell gruni, sa për nji hallvë në të rrallë, – veçanërisht kur vijshin ushqimet, ose ndër raste festash – vezë, pak sheqer e marmelatë, do të ishin artikujt e fundit, të konsideruem prej nesh “luksi”, brenda nji pakoje që na e sillte familja.

Rëndësi të veçantë për të burgosurin ka pasë duhani, për atë që e pinte, pa të cilin ai do të luente mëndsh. Shkrepsat nuk u lejojshin, e në vend të tyne na do të përdorshim “gur-unurin” si shekuj ma parë, që konsistonte në nji copë gur stralli – për njëtën me cilësi e të cilit në ishim ba mjeshtra – “eshkës”, që kur u digjte, përhapte aromën e saj aq të këndshme dhe nji copë felikuj të ndritshëm që do të përbante “unurin”. Gur, unur e eshkë, çdo njeri që pinte duhan, do t’i mbante brenda nji qesejet të vogël të futun në xhep e, të varun nga nji fill spangoje për ylyk të pantallonave.

Sheshi i vogël para kuzhinës u konsideronte si qendra e kampit, që në kohë të mbramjes u shndronte rregullisht si në nji “milet bahçe” (lulishte popullore), ku si të thuash, u jepshin koncerte të improvizueme nga disa të burgosun Tiranës, si p.sh. nga Qemal Shatku, bir ish-ministrit Shefki Shatkut, që për karagjozllëk, do të vinte mbi krye nji fes të kuq të naltë e me tufë përmbrapa, e që për “dajre”, do të përdorte nji bidon uji bosh që tingllonte fort. Në atë kor merrte pjesë edhe Ibrahim Hasnaj, që me sa u dukte, ishte ashik i madh i kangës tiranase.

Mes tjerëve, do të të zinte syni edhe Selimin, jevgun tiranas që ishte i shëndetshëm, i sjellshëm e i hijshëm e që gjatë ditës u shkrinte tue këndue, nji kangë me emnin e dashnores së tij, kujtimi i së cilës, – si na e thonte ai vetë me seriozitet e dhimbje – nuk iu ndante ditë as natë. “Orkestra” në fjalë, veç edhe nja dy bidonave të tjerë që të shurdhojshin veshët, si instrument tjetër, do të kishte edhe nji gërnetë të fuqishme e cila, për shqetësimin e madh që të shkaktonte ndër veshë, ia kalonte të gjithë bidonëve bashkë. Këto të ashtuquejtun “koncerte”, u ndiqshin natë për natë prej të burgosurve të Tiranës në përgjithësi e, sidomos prej atyne ordinerë.

Në valën e kësaj atmosfere relativisht të mirë e tolerante, kishte pjesën e vet edhe qëndrimi i mirë i disa prej policëve të burgut, që në kamp na qenë afrue si ma të lirë që e ndjejshin veten, e ndonjenit prej tyne, ne do t’i ishim hapë deri në fund. Ishte pikërisht ajo kohë kur ishim njoftue se në emigracion ishte formue “Komiteti i Shqipnisë së Lirë”, me kryetar Mit’hat Frashërin, koha pra, kur na filluem me besue se politika perëndimore më në fund po lëvizte edhe në drejtimin tonë e, se mes shumë reperkusioneve që do të kishte ajo, ekzistonte edhe mundësia e arratisjes tonë masive prej kampit.

Për këtë gja, unë nji ditë bisedova në mënyrë tepër sekrete e konfidenciale, me rreshter Tofikun, Teufik Luzin prej fshatrave të Beratit, që kishte nën kontroll rojet rrethe-rrotull nesh, gjatë kohës së punës. Rreshter Teufiku pranoi tue m’u lutë që t’mos e bisedojsha parakohe atë gja me shokët dhe paraprakisht më tregoi drejtimin që ne do të merrshim në rastin e nji arratisjeje, drejtim të cilin ai, i vendosun qyshë ma parë në nji të përpjetë kodre, do ta mbulonte me zjarrin e nji mitralozi, drejtim e pikë që m’i tregoi, që në ditën e parë të bisedimit. Kah fillimi i muajit qershor, në vend të Tasi Markos, për komandant na sollën Beqir Bajën nga Elbasani, sjellja e mirë e të cilit të lente përshtypjen se nuk rridhte prej udhëzimeve të marra prej nalt, sa prej vetë atij si njeri.

Ndryshimi i tij me Tasin, – ish-furrtar i hershëm në Korçë – u dukte edhe në takimet e tij të drejtpërdrejta me të burgosun, si ma i sinqertë e qytetar që ishte. Shpeshherë mbas drekave deri në të errun, ai vetë do të gërmonte dhe me nji buldozer, rendimenti i të cilit thojshin se shkonte në favor të të burgosurve. Kjo jetë e qetë kampi që po vazhdonte q’prej disa muajsh, do t’u ndërpriste papritmas e të ndryshonte shumë për të keq, si pasojë e arratisjes nga kampi i tre të burgosurve ordinerë nga Mirdita, njeni prej të cilëve me emnin Frrok, kuzhinieri i kampit, nji i ri i shkurtë e i shëndetshëm, që u dukte i shkathët e me humor – nji tjetër me emnin Bardhok, – i dobët fizikisht e pak i gjatë, si dhe nji i tretë, shok i tyne.

Për ma shumë se nji javë puna u ndërpre dhe ne na mbyllën ndër kapanone, nën nji terror të vërtetë. Nuk kishim të drejtë të lëvizshim fare prej vendit dhe as të bisedojshim shoq me shoq. Brigadierë e spiunë ordinerë, të armatosun me shkopinj të trashë e tue pasë pranë gjithmonë policët ma të këqij e të besueshëm të komandës, do të qarkullojshin pa pushim, sa në nji anë të kampit, aq në tjetrën, të gatshëm me i ra cilitdo me pretekstin ma të vogël. Për të shkue në W.C. gjatë atyne ditëve, u donte marrë leje dhe rrugën prej kapanonit deri atje, duhet ta përshkojshe me vrap, dhe nuk ishte thanë që në ndonji prej këtyne daljeve të detyrueshme, t’mos kishe marrë ndonjë goditje të fortë shkopi në shpinë, ose ndër kambë. Nji pjesë prej nesh që për sedër nuk vrapuem, patëm fat, që për pak nuk u vumë edhe nji herë në provë të vështirë.

Terror ditën e natën. Rriheshin të burgosun pa pretekst e paralajmërim në rresht për apel apo, në rresht para kazanit me gjellë, në shtrat e kudo. Disa ditë ma parë kishte ndodhë edhe largimi i Hajdar Rusit prej kampit, mbasi që ai kishte rrahë komandantin e burgosun të kampit, Hamdi Lenën. Nji tjetër ngjarje që rrezikonte të mbante në fuqi atë gjendje të rëndë, apo ta përkeqësonte edhe ma shumë, do t’ishte ajo që për protagonistë do të kishte Rrok Palin e Xhevat Qukun, që vazhdojshin të ishin bashkë në brigadën e tretë. Dhe kishte ndodhë kështu: ndërkohë që Hamdi Lena qëndronte – si në çdo drekë – në krye të kazanit kur u shpërndante gjella, mes tij e Rrok Palit, që priste radhën me gavetë në dorë, kishte shpërthye nji grindje.

Në përkrahje të Rrokut ishte futë Xhevati, të cilin policët e gatshëm, për ndëshkim, e kishin lidhë për nji shtyllë. Rroku që kishte mendue se mos Xhevatit të ekspozuem në diellin përvlues të drekës, mund t’i binte të fikët, kishte vrapue në drejtim të tij me nji matare uji në dorë, gja që kishte zemrue policët, të cilët me atë rast, kishin zgjidhë Xhevatin nga varja e në vend të tij, varë Rrokun, i cili, për shëndetin e dobët që kishte, në krye të pak minutave kishte nisë të lëshonte do klithma të frikshme për jetën dhe përfundimisht të ishte i varun për litar pa ndjenja. Ka qenë fat i madh për të, që pikërisht në momente, rastësisht të kalonte andej komandanti Beqir Baja, që megjithëse ndër ato ditë nuk po u sillte ma mirë me ne, do të bante të mundun që Rrokun ta dërgonte urgjentisht në spital të Peqinit e, që ai t’u kthente edhe nji herë në jetë!

Mbas ma shumë se nji jave të mbyllun ndër kapanone, na nxorën nji ditë përsëri në punë. Klimës së ashpërsueme të kampit i duhet shtue edhe vapa e madhe e vitit 1950, për të cilën patëm ndigjue se ishin regjistrue nivele shumë të nalta temperature. Dita ishte shumë e gjatë dhe e nxehtë, sikurse edhe norma shumë e madhe. Nga të nxehtit e madh, sidomos rreth kohës së drekës, në do të shikojshim me sy vibracionet e ajrit, dridhjet e imta të mijra e mijra valëve kund nja nji metër a ma pak mbi sipërfaqen e gjithë osekut, – hapsina mes dy skarpatash – të mbyllun anash prej dy skarpatash të nalta…! S’pakut nja dy herë unë kam dalë me vrap jashtë osekut të thellë, ku seriozisht më qe dukë se po më merrej fryma.

Mandej etja për ujë, nji torturë e vërtetë për të gjithë. Sulmi që u bante ndër ato ditë rreth nji bidoni me ujë, që vinte në krye të dy-tri orëve për ma shumë se njëqind vetë, nuk ka të përshkruem. Lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstreme…! Britmat e forta që gumëzhijshin nga nji grumbull i papërmbajtur të burgosurish, që u shtyjshin mes tyne si për jetë a vdekje, e përplasjet e matareve e të do enëve tjera të aluminta që u shtrngojshin fort ndër duerët energjike e nervoze të të burgosunve të thamë deri në çmendi për pak ujë, do të ishin skena ferri të vërtetë, e që u përsëritshin disa herë në ditë.

Asht fakt e duhet pohue, se përgjithësisht të burgosunit politikë dhe nji masë e pakët prej ordinerësh të përmbajtun, situata të tilla, sado që të vështira, do t’i përballojshin pa u dhanë e me dinjitet, tue pasë preferue heshtjen e sakrificën, në vend të shkarjes në trup e ujit jetëdhënës. Ndër raste të tilla, kushedi sa herë brenda nji dite, këta njerëz të mirë e me sedër, do të përcillshin me shikime përbuzëse bidonin e ujit, që u parakalonte gjithnji i zbrazun. Në kësi rastesh, ndër fytyrat e tyne do të vërejsha nji buzëqeshje të hidhun, ndoshta nji si keqardhje apo revoltë të butë e njerëzore, që gjithësesi nuk shprehte zemrim.

Nuk duhet lanë pa u tregue se na të rinjtë, tue kërkue me qenë shembulli sakrificë, – siç e kishim për detyrë – veten e kemi lanë vazhdimisht për në fund. Kështu ndër ato ditë, edhe në sikurse të tjerët, u digjshim për nji pikë ujë, e ka ndodhë jo pak herë që ujin e siguruem qoftë edhe me ndihmën e të tjerëve, na t’ua shpërndajshim rrugës ma të vjetërve, ma të pamundunve e t’u kthejshim te shokët me matare bosh. Katërmbëdhjetë kampe do të kalojsha t’isha i burgosun e mbas kaq shumë jete të shkueme, dy matare uji të pime në kohë e kampe të ndryshëm, njashtu si dy safa uji dikur në Sigurim, unë s’do t’i harrojsha asnjiherë, as sot. Rasti i parë i përket periudhës për të cilën po flasim:

Si shumë herë tjera, nji ditë po u kthejsha për te shokët me matare bosh. Ruzhdi Çoba që po më vërente, shkëputet nga puna e më del para tue më pyete: “A pive ujë”?! “Jo”, iu përgjigja. “Prit”, – më tha Ruzhdia dhe u largue me vrap për te plaçkat e tij. Prej poshtë tyne ai nxuer nji matare uji, e cila kur m’u zgjat prej duerëve të tij, unë po e shifsha me lakmi të mshehun se si ajo ndriste bulash të freskëta djerse. “Bukët” e Zhan Valzhanit e “mollët e ndalueme” të Migjenit, duken si punë kalamajsh, po të krahasohen me nxitjen që të jep nji matare uji, kur je i etun për vdekje.

“Pije”, – mẽ tha me ton Ruzhdia, si të donte me shmangë afrimin e ndonji personi tjetër të mundshëm, dhe unë piva aq sa rregullisht u pinte në nji matare, e cila llogaritej se u donte të njomte edhe buzët e thame të ma shumë se tre-katër vetëve të tjerë. Porsa unë e tërhoqa atë prej gojet, Ruzhdia ndërhyni me të shpejtë e autoritet: “Pije, pije”! dhe ndërsa unë e kundërshtojsha, ai do të më përsëriste edhe ma me këmbëngulje: “Pije, pije ma, hajt shpejt se asht risku i jot”! dhe unë mandej e piva deri në fund atë matare të paharrueshme uji, tue shue si duhet për herë të parë etjen e sa ditëve.

Gjatë kësaj kohe, unë u ndjejsha i sëmurë me do ethe të vazhdueshme e megjithatë, isha i detyruem të dilsha në punë, për gjendjen që ishte krijue në kamp ato ditë. Nuk gëzojshim ma të drejtën e vizitës mjekësore. Mue s’m’u hante prej disa ditësh dhe kambët s’më mbajshin, ndërsa etja për ujë, s’m’u ndante ditën as natën. Kisha bindjen se ato ethe më vijshin si përsëritje e sëmundjes së malarjes, që e kisha pasë vuejtë para disa vitesh. Munda të siguroj do hapa “atebrinë” e “plasmokine”, që kisha përdorë dikur kundër asaj sëmundje, e që ma banë mandej fytyrën jo ma pak të verdhë nga ç’ishin edhe vetë. Shokët e mij, tue pa dobësimin tim fizik, si dhe ngjyrën e verdhë qẽ kisha marrë në fytyrë, flitshin për mue mshehtas meje e, unë bajsha sikur s’u kujtosha për asgja.

Qëndrimi në atë kamp të Urës së Bonos nuk zgjati veç edhe pak kohë e nji ditë, kur mund t’ishte fillimi i muajit korrik, na lajmuen që të mblidhshim plaçkat, se do të ndrrojshim kamp. Destinacioni? Si gjithmonë i panjoftuem. Vendosja e jonë ngusht e ngusht ndër makina, ka qenë nji torturë e vërtetë, e cila do të zgjaste deri sa të mbrrijshim në destinacion. Nëse nuk më gabon kujtesa, na kanë pasë palosë nji mbi nji nga gjashtëdhjetë të burgosun, për çdo karroceri makine “Zis”, që do të thonte dyfishi i kapacitetit të saj normal. Aq të ngjeshun do t’ishim nga të gjitha anët, sa absolutisht nuk ekzistonte anji mundësi për të lëvizë sadopak nji bërryl a nji gju, që kishin mbet të mbërthyem si me gozhdë.

Endrojshim si në stivë e të futun me bërryla në brinjët e shoqishojt e, me gjunj të mbledhun deri nalt mbi gjokset tonë. Vetëm shkopinjt e policëve që pa asnji pretekst bijshin sa mbi kryet e nji të burgosuni, aq mbi të nji tjetri, mund të mbajshin nën vete atë gjendje të padurueshme. Dhe si kurdo që ka vend edhe për të qeshë, në këtë rast të vështirë, unë nuk do t’u mbajsha pa qeshë, kur të vërejsha se si nji polic me emnin Ferit, u binte me shkop kokave të qethuna zero nji ditë ma parë të dy shokëve të mi, asaj të Hilmi Kamatës e Ahmet Koplikut.

Mbas rreth tridhjetë kilometrash rruge, mbërritëm ma në fund në atë vend që u quente Beden, ku qyshë në fillim do të më hiqte vërejtjen peizazhi i tij i zhveshun e i zymtë, ku po u vendoste për herë të dytë ai kamp famëkeq, prej të cilit jo të gjithë do të kishin fatin me u largue të gjallë prej tij.

Kampi i Bedenit i vitit 1950

Ndryshimi në trajtim i nji kampi të burgosurish prej atij të nji kampi tjetër, për të njatën periudhë, nuk do të përbante aspak anomali për nji regjim komunist e, për nji Ministri të Punëve të Brendshme që në krye kishte nji njeri kriminel e kapriçioz, siç ishte Mehmet Shehu. Kampi i Bedenit i vitit 1950, si kamp i nji terrori të egër dhe i nji stërmundimi të madh fizik, do të kishte të gjitha karakteristikat e nji kampi komunist të shfarosjes dhe nuk do të ndryshonte në asgja prej atij me të njatin emën i dy viteve ma parë, veçse në faktin se në këtë të dytin të burgosurve, do t’u lejojshin ushqimet që atyne ua sillshin familjet, gja që kishte kenë e ndalume në atë të dy viteve ma parë.

Të burgosurit si ma parë, ishin të ndamë në grupe të vegjël pune prej dy-katër vetash dhe ishin të detyruem që normën prej katër metrash kub dheu shumë të fortë për njeri, ta gërmojshin në thellësi të kanalit, – që ishte lanë pa shkue në kuotën e duhun prej të burgosunve të dy viteve ma parë – dhe mandej atë dhe të gërmuem, me nji karro të vjetër për anë skarpatës së naltë, u donte ta nxirrshin përfundimisht jashtë kanalit.

Kjo normë që normalisht ishte e parealizueshme, nuk do t’u arrinte prej asnji të burgosuni, po që se mbi të nuk do të binte shkopi i policit, po qe se atij nuk do t’iu hiqte për atë ditë racioni i bukës dhe në atë rast, edhe po t’mos iu merrte fytyra para të gjithëve. Nji normë aq e madhe do t’u realizonte vetëm tue punue gjatë gjithë nji dite të gjatë vere e, pa e ulë asnjëherë ritmin e punës, pavarësisht rrezeve pervluese të diellit e etjes së madhe për ujë.

Atyne që s’do të realizojshin normën, iu priste buka për atë ditë dhe rreth mesit të natës, të shoqnuem prej nji polici, do t’u paraqitshin në komandë për të dhanë llogari te ma i rrezikshmi e sadisti, toger Ademi, prej fshatrave të Gjinokastrës, dhe kjo, mbasi ai i burgosun të kishte pritë nji ose dy orë radhën përjashta, nën mbikëqyrjen e nji polici.

Meqë si mbas udhëzimit, trajtimi i të burgosurve do të merrte edhe për ma keq, Ministria e Punëve të Brendshme Tiranë, ndërroi dy prej ish-kuadrove kryesorë të komandës, kështu komandantin Beqir Baja, e zavendsuen me Beqir Liçin, edhe ky me gradë major, që nji vit ma parë kishte qenë komandant në kampin e Orman-Pojanit, komandant që mes nesh e quente “Napolon”, si i mbushun që ishte nga vetja, si edhe për distancën autoritare që mbante nga të gjithë vartësit e tij; kurse në vend të komisarit të mëparshëm, do të na sillshin aty toger Ademin, nji njeri që për kah ligësia, do t’ia kalonte të gjithë atyne që na kishim pasë deri atëherë e, që do të kishim në të ardhmen. Edhe kur nji ditë të burgosurit të kishin mbetë koc e lëkurë, ai ndër mbledhje me të burgosun, do të thonte me mburrje krimineli: “Vetëm mushkritë do t’jua lëmë”!

Bashkë me dy kuadrot e masipërm, aty sollën edhe të burgosurin Vango Mitrojorgji, nji ish-funksionar i naltë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në kohë të Koçi Xoxes, që pavarësisht zellit të madh që ai kishte tregue gjatë punës së tij kriminale, Enver Hoxha do ta dënonte bashkë me Koçi Xoxen, për të justifikue para popullit krimet e kryeme deri atëherë prej tij e partisë që ai kryesonte. Vango Mitrojorgji nga ana e tij, kishte sjellë me vete fodullëkun e nji ish-komunisti militant e, dinakërinë e nji ish-kuadri me randësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gja që ia tregonte edhe fytyra e sjellja. Në atë kamp ai do t’u trajtonte me të gjitha favoret e nderet e mundshme, të nji ish-kuadri të naltë e të besueshëm, i respektuem nga komanda. Memorie.al/Memorie.al

Nasze Zycie (1939) Qëndrimi i Ahmet Zogut dhe familjes mbretërore shqiptare në Riga

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Maj 2025

Gazeta letoneze “Nasze życie” ka botuar, të dielën 23 korrikut 1939, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth qëndrimit të familjes mbretërore shqiptare në Riga, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Qëndrimi i Ahmet Zogut në Riga

Ish-mbreti shqiptar Ahmet Zogu me gruan e tij në rrugët e Kemerit. — Burimi : Nasze życie, e diel, 23 korrik 1939, faqe n°9
Ish-mbreti shqiptar Ahmet Zogu me gruan e tij në rrugët e Kemerit. — Burimi : Nasze życie, e diel, 23 korrik 1939, faqe n°9
Burimi : Nasze życie, e diel, 23 korrik 1939, faqe n°3
Burimi : Nasze życie, e diel, 23 korrik 1939, faqe n°3

Nga data 13 deri më 17 korrik, ish-mbreti shqiptar Ahmet Zogu qëndroi në Riga me gruan, djalin 3 muajsh dhe katër motrat. Suita e ish-mbretit përbëhet nga rreth një duzinë njerëzish. Zogu mbërriti në Riga nga Varshava dhe prej andej u nis me anije për në Suedi.

Gjatë qëndrimit në Riga, Zogu ka qëndruar në Hotel Shën Petersburg. Të ftuarit kaluan kohën e tyre duke vizituar dhe duke bërë pazar. Të premten Zogu dhe bashkëshortja e tij kanë vizituar Kemerin, ndërsa të shtunën Pallatin e Shtypit në Sigulda. Të dielën në mëngjes, ish-mbreti vendosi një kurorë në Bratne Mogiła, ndërsa mbretëresha mori pjesë në meshën në Kishën e Zojës së Dhimbjeve. Pasditja iu kushtua vizitës në Muzeun Historik Komunal.

Në një intervistë për shtypin, ish-mbreti ndër të tjera deklaroi se do të vazhdojë të punojë për pavarësinë e vendit të tij. Popullsia e Rigës tregoi vazhdimisht simpatinë e saj për ish-monarkun.

Ish mbretëresha Geraldinë dhe ish-mbreti Ahmet Zogu në stacionin e trenit të Rigës. — Burimi : Daugavas Vēstnesis, 14 korrik 1939.
Ish mbretëresha Geraldinë dhe ish-mbreti Ahmet Zogu në stacionin e trenit të Rigës. — Burimi : Daugavas Vēstnesis, 14 korrik 1939.
Ish-Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu me ish-Mbretëreshën Geraldinë në stacionin e Rigës. Ish-Mbreti përshëndet mysafirët e shumtë. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e premte, 14 korrik 1939, f.3
Ish-Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu me ish-Mbretëreshën Geraldinë në stacionin e Rigës. Ish-Mbreti përshëndet mysafirët e shumtë. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e premte, 14 korrik 1939, f.3
Ish-mbreti me familjen dhe shoqëruesit e tij largohet nga stacioni i Rigës. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e premte, 14 korrik 1939, f.3
Ish-mbreti me familjen dhe shoqëruesit e tij largohet nga stacioni i Rigës. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e premte, 14 korrik 1939, f.3
Ish-mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu dhe ish-Mbretëresha Geraldinë largohen nga hoteli “Kemeri”. Te porta ishin motrat e mbretit, princeshat. — Burimi : Atpūta, 21 korrik 1939, faqe n°13
Ish-mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu dhe ish-Mbretëresha Geraldinë largohen nga hoteli “Kemeri”. Te porta ishin motrat e mbretit, princeshat. — Burimi : Atpūta, 21 korrik 1939, faqe n°13
Ish-mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe mbretëresha Geraldinë. — Burimi : Pašvaldību Darbinieks, Korrik 1939
Ish-mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe mbretëresha Geraldinë. — Burimi : Pašvaldību Darbinieks, Korrik 1939
Ish-Mbreti i Shqipërisë, Zogu, vendos një kurorë me lule në Varrezat e Vëllezërve. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e hënë, 17 korrik 1939, f.10
Ish-Mbreti i Shqipërisë, Zogu, vendos një kurorë me lule në Varrezat e Vëllezërve. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e hënë, 17 korrik 1939, f.10
Ish-çifti mbretëror me shoqëruesit e tyre në Pallatin e Shkrimtarëve dhe Gazetarëve në Sigulda. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e hënë, 17 korrik 1939, f.10
Ish-çifti mbretëror me shoqëruesit e tyre në Pallatin e Shkrimtarëve dhe Gazetarëve në Sigulda. — Burimi : Jaunākās Ziņas, e hënë, 17 korrik 1939, f.10

Hampstead News (1944) Homazhi i Mbretit Zog për Edith Durhamin

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Maj 2025

“Hampstead News” ka botuar, të enjten e 30 nëntorit 1944, në ballinë, homazhin e Mbretit Zog me rastin e ndarjes nga jeta askohe të udhëtares dhe shkrimtares britanike Edith Durham, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Homazhi i Mbretit Zog për eksploruesen

Burimi : Hampstead News, e enjte, 30 nëntor 1944, ballinë
Burimi : Hampstead News, e enjte, 30 nëntor 1944, ballinë

Mbreti Zog i Shqipërisë i bëri homazhe javën e kaluar zonjushës Edith Durham, udhëtare dhe shkrimtare, e cila vdiq më 15 nëntor në Glenloch Road, Hampstead.

Të gjithë jetën e saj ia kushtoi Shqipërisë, tha ai. Ajo na dha zemrën e saj dhe fitoi zemrën e malësorëve tanë, për të cilët kishte simpati të veçantë. Shqiptarët nuk e kanë harruar kurrë — dhe nuk do ta harrojnë kurrë — këtë grua angleze, sepse kujtimi i miqve të tyre të vërtetë mbetet përjetë me ta.

“Nga dalin fondet për shpenzimet e Bllokut?”, si i dënoi Enver Hoxha më 1956 diskutantët e konferencës! Frika pas zhvillimeve në kampin socialist- Nga SKIFTER KËLLIÇI

 Dihet se pas vdekjes së Stalinit, në mars të vitit 1953, në gjirin e PK të BS filloi lufta për pushtet. Malenkovi trashëgoi postet kyçe të pushtetit: sekretar i parë i PK dhe kryeministër. Por pa kaluar disa javë, me mbështetjen e Molotovit, Bulganinit, Kaganovicit, që eliminuan ministrin e Brendshëm stalinist Beria, postin e kreut të partisë në shtator të atij viti e rrëmbeu Hrushovi, (1894-1971), i cili luajti një rol shumë të madh në politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik, sidomos për sa i përket korrigjimit të aspekteve të veçanta të teorisë dhe praktikës staliniste, të uljes së tensionit ndërkombëtar midis dy blloqeve antagoniste dhe kryesisht midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

“Procesi i destalinizimit u zhvillua sidomos në luftën kundër kultit të individit, në rehabilitimin e shumë personave të dënuar nga Stalini dhe udhëheqës të tjerë të vendeve komuniste, në rishikimin e planeve ekonomike, duke i kushtuar më tepër vëmendje prodhimit të artikujve të konsumit të përditshëm”, shkruhet në FESH, botimi i dytë, 2008 vëll. 2, faqe 982. Por jo vetëm kaq: Hrushovi ndërmori një hap që pa pritur ndikoi edhe në ecurinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe këtij vendi që cilësohej deri atëherë si përjetësisht “miku ynë më i shtrenjtë”, ndonëse këtë epitet, siç e pamë, Enver Hoxha e kishte përdorur edhe për Jugosllavinë dhe do ta përdorte më pas edhe për Kinën. HRUSHOVI NË BEOGRAD.

“Krisja në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike , – shkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime,”- filloi aty nga viti 1955 kur Hrushovi shkoi për vizitë në Beograd dhe deklaroi se veprimi i ndërmarrë nga Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore (Kominformi), ndaj Jugosllavisë më 1948, ishte i gabuar, se Titoja ishte një marksist i vërtetë dhe fajtor për dënimin e që iu bë Jugosllavisë, ishte Stalini.”(faqe 197).

Dhe vazhdon: “Për çdo parti dhe për çdo vend këto deklarata të Hrushovit mund të merreshin si të besueshme, por për ne shqiptarët që e kishim provuar në “lëkurën” tonë “marksizmin” e Titos dhe të qeverisë së tij, ato ishin të pabesueshme”. (po aty). Dhe Ramiz Alia ka plotësisht të drejtë. Nuk e vlen të zgjatemi në këtë pikë, po të gjykojmë masakrat e përbindshme serbo-malazeze dhe maqedonase në dekadat e para të shekullit të XX, që detyroi veçanërisht kosovarë e dibranët të linin trojet e tyre dhe të vendoseshin në Shqipëri, masakrat e Tivarit më 1945, për të ardhur në vitin 1948, kur serbomëdhenjtë synuan që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë, por jo pa edhe për servilizmin dhe puthadorinë e neveritshme të Enver Hoxhës. Por edhe “marksizmin” e Stalinit e dëshmon edhe Pakti Molotov-Ribentrop, pra midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë hitleriane, më 23 gusht të vitit 1939, për të cilin ish-ministri i jashtëm sovjetik, Kucinski i asaj periudhe, ka shkruar: “Me nënshkrimin e këtij traktati Stalini ia arriti qëllimit që Hitleri të shpërthente luftën jo kundër nesh, por kundër Perëndimit.(“Politika ruse në qerthullin e pabesisë”, pr.dr.Eshref Ymeri, sipas burimeve të arkivave sovjetike, artikull në internet, në gjuhën ruse, 24.09 2008.)

Dhe më poshtë, ja dhe një pohim tjetër satanik i Stalinit, shkëputur nga fjalimi i tij, mbajtur katër ditë para nënshkrimit të këtij pakti, më 19 gusht të vitit 1939: ”Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njeri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e Revolucionit Proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij”. (Pr.dr.Eshref Ymeri, sipas librit “Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”, Shtëpia Botuese “Novoje Vremja”, Moskë,1993 faqe 333).

Kështu, duke ndarë me Gjermaninë hitleriane Poloninë në dysh dhe duke u ndodhur në kufi me të, siç pohon Stalini në vazhdim të fjalimit të mësipërm, Bashkimi Sovjetik do ta pushtonte edhe atë…do të arrinte deri në Gjibraltar, (po aty), pavarësisht së kjo ide, e denjë për ambiciet çmendurake të Hitlerit,( 1889-1945), i ra si bumerang në kokë, kur ky i fundit, duke shkelur pabesisht Paktin Molotov-Ribentrop, e sulmoi vendin e sovjetëve më 22 qershor të vitit 1941. S’ke ç’thua?! Kështu Stalini vërtetonte plotësisht se ishte “marksist i kulluar”, që zbatonte parullën: “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni”, por… nën zgjedhën ruse!”. Zbatimin e ambicieve të car Pjetrit të Parë, (1672- 1725), për një Rusi sa më të madhe, Stalini e dëshmoi këtë edhe me pushtimin vendeve baltike, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, më 1940, të cilat u çliruan nga zgjedha sovjetike vetëm pas shpërbërjes së BRSS-së në vitin 1990.

BISEDA E HRUSHOVIT ME ENVERIN

Por të kthehemi te Jugosllavia e Titos. Ajo ishte dhe mbeti vend marksist, po aq sa dhe Shqipëria e Enver Hoxhës, po aq sa edhe vetë Bashkimi Sovjetik i Stalinit ose Hrushovit dhe vendet e tjera komuniste kudo në botë, përderisa atje udhëhiqte vetëm një parti që quhej Lidhja Komuniste, që kishte një kryetar, ashtu si të gjithë sekretarët e partive komuniste të këtyre vendeve, pra edhe në Shqipëri, që zgjidhej pas çdo kongresi partie, të cilat zakonisht zhvilloheshin në çdo pesë vjet, për të mbetur deri sa të vdiste në atë post, si Lenini,(1870- 1924), Stalini, (1879-1953), Mao Ce Duni, (1893-1976), Dimitrovi, (1882-1949), vetë Tito, (1892-1980), Enver Hoxha, (1908-1985) etj., që ushtronin “diktaturën e proletariatit”, siç kishte propoganduar Marksi dhe Engelsi në veprat e tyre, pra “diktaturën e shumicës mbi pakicën”, së cilës i shërbenin leva të tilla të shtetit komunist, si ushtria dhe veçanërisht organet e specializuara të kësaj diktature – KGB-ja në Bashkimin Sovjetik, STASI në RD Gjermane, Sigurimi në Shqipëri dhe UDB-ja në Jugosllavi dhe vende të tjera komuniste, ku mungonin të drejta e njeriut, liria e fjalës, ku zbatohej lufta e klasave, ku të tërë ata që cilësoheshin armiq të shtetit komunist, dënoheshin me burgime dhe internime.

Tjetër gjë se Titoja nuk deshi të qëndronte vasal i Bashkimit Sovjetik, sepse synoi të ndiqte një rrugë nacionale, të veçantë nga komunizmi stalinist, duke synuar të krijonte marrëdhënie edhe me Perëndimin dhe për këto “devijime” nga teoria marksiste, Stalini e dënoi duke e përjashtuar nga kampi socialist. E, megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak Titon që të vazhdonte rrugën e tij me reforma ekonomike që Stalini dhe pas tij Enver Hoxha i përmblodhën me termin “socializëm specifik” dhe ky i fundit demaskoi vetadministrimin jugosllav “si teori dhe praktikë kapitaliste, e veshur me frazeologji marksiste”, (FESH, botimi i parë, faqe 1164), vetadministrim i cili vite më pas zuri të zbatohej në një mënyrë, ose në një tjetër edhe në vende të tjera komuniste, duke përfshirë edhe vetë Bashkimin Sovjetik.

Por më e rëndësishmja në këtë drejtim është vetë pohimi i Ramiz Alisë gjatë bisedave midis delegacionit sovjetik dhe shqiptarë në Kremlin, në prill të vitit më 1957, ku bënte pjesë edhe ai vetë, atëherë kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe ministër i Arsimit, kur, midis të tjerash, Hrushovi, duke folur për Titon dhe rolin e tij në ngjarjet në Hungari më 1956, për të cilat do të flitet më poshtë, shpjegon: “-Edhe ne nuk kemi shumë besim te jugosllavët. Por duhet të kemi parasysh situatën e sotme. Ne nuk kemi asnjë interes që ta hedhim Jugosllavinë përsëri në prehrin e imperializmit”. (“Jeta ime”, faqe 207).

E kuptueshme, po të kemi parasysh edhe ato që janë shkruar më sipër. Vetëm për Enver Hoxhën Jugosllavia nuk ishte shtet komunist. Përse atëherë, për disa veçori në ndërtimin e socializmit, të cilat do t’i vlerësonte Hrushovi, Bashkimi Sovjetik duhej ta linte Jugosllavinë të mbetej nën ndikimin e sferës perëndimore?

Veç kësaj, Jugosllavia, me përjashtim të Kosovës, krahinë autonome, ishte vend shumëkombësh sllav, ku republika më e madhe ishte Serbia, me të cilën carët rusë kishin pasur miqësi të kahershme, sepse rusët, pra sllavët e veriut, kishin lidhje shumë të afërta gjaku me serbët, pra sllavët e jugut, me malazezët, si dhe me serbët e Bosnjë-Hercegovinës, me maqedonasit e Maqedonisë, vende ku fliteshin gjuhë të përafërta më rusishten, që shkruheshin me të njëjtin alfabet cirilik, me tradita, gjithashtu, të përafërta shpirtërore e kulturore dhe, mbi të gjitha, të një fejeortodokse!

Në luftën ruso-turke të vitit 1870 Perandoria cariste kishte luftuar, veç të tjerash, që sllavët e Ballkanit, (dhe jo shqiptarët), të çliroheshin nga zgjedha otomane, madje të fitonin edhe toka me popullsi shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë edhe në veri të Shqipërisë, si Plava, Gucia, që u përmend më sipër… Po edhe kroatët e sllovenët qenë sllavë.

Kështu që afrimi i Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë, po të marrim parasysh të gjitha këto rrethana, ishte i natyrshëm. Për hir të mosmarrëveshjeve me Shqipërinë, Jugosllavia nuk mund të braktisej edhe pse ajo kishte pasur synime pushtuese ndaj Shqipërisë. Pastaj, më 14 maj të vitit 1955 u krijua Traktati i Varshavës, me afat prej 20 vjetësh, në të cilin, veç vendeve të tjera socialiste në Evropë me Bashkimin Sovjetik në krye, bënte pjesë edhe Shqipëria. Në një nga dispozitat e Traktatit parashikoheshin: ”…konsultime të ndërsjellta… për veprime të përbashkëta, për ndihmë ushtarake, në rast të një sulmi të armatosur, ose të një kërcënimi mbi njërin, ose disa anëtarë të Traktatit.”(FESH, botimi i dytë, 2008, vëll. 3, faqe 2736)

Si pasojë ”…dyshimi ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët, ashtu siç e kishte më pas më të theksuar për sovjetikët ”, që, sipas Ramiz Alisë sollën si pasojë që Enver Hoxha të kishte: “Një farë paranoje sipas meje të justifikuar”, (“Jeta ime”, faqe 199), nuk kishte bazë. Të paktën në vitet 1955 -1961 duke qenë anëtare e Traktatit të Varshavës, Shqipërinë nuk mund ta kërcënonte asnjë shtet perëndimor, si Italia ose Greqia, por as edhe Jugosllavia.

KONGRESI I 20-TË I PKBS, (SHKURT, 1956)

Por Enver Hoxhën në këtë kohë e shqetësonte deri në makth diçka tjetër. Dihet se fill pas Kongresit e 20-të të PK të B.S,(shkurt 1956), ku Hrushovi dënoi ashpër kultin personal të Stalinit, nën frymën e këtij kongresi u zhvillua Konferenca e Tiranës, (16-20 prill 1956). Shumë delegatë të konferencës, të nxitur edhe nga artikulli Enver Hoxhës “Marksizëm-leninizmi na mëson se populli është krijuesi i historisë”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit’” një ditë para fillimit të kësaj konference, pra më 15 prill, ku ai “dënonte”, gjithashtu, kultin e Stalinit, ngulte këmbë “për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë… “që “… çdo anëtar partie të kuptojë së në parti nuk mund të ketë frikë”, se ne “nuk jemi për ashpërsimin e luftës së klasave…”, se “…në mjaft raste janë dhënë dënime me akuza të fryra deri në Kongresin e Parë të Partisë ”, pra shumë delegatë u shprehën hapur dhe me guxim për zbatimin e vendimeve të këtij kongresi, kërkuan demokratizimin e mëtejshëm të partisë, kritikuan udhëheqjen për shkëputje nga masat….

Në dosierin “Enver Hoxha, Konferenca e Tiranës, (16-20 prill 1956), Ramiz Alia dhe Peco Kagjini”, që kam botuar disa vjet më parë, kam shkruar gjatë për ngjarjet e kësaj konference, të cilën më vonë Enver Hoxha (edhe në librin e vet “Jeta…” edhe Ramiz Alia), e cilësoi në mënyrën më absurde dhe pa asnjë fakt, “komplot të përgatitur nga revizionistët jugosllavë” dhe e mbyti me terror.

Diktatori ynë u tremb shumë për fatin e tij të ardhshëm, sepse pa se, ndërkohë, në vende të tjera socialiste kishte nisur procesi i rehabilitimit të udhëheqësve të dënuar në periudhën staliniste, si Rajku në Hungari,(1909-1949), Kostovi në Bullgari,(1897-1949), Slanski në Çekosllovaki, (1901- 1952), Gomulka në Poloni, (1905-1982) dhe udhëheqës të tjerë stalinistë po mënjanoheshin në këto vende, dukuri që mund të ndodhte edhe në Shqipëri.

Për fat të keq, këto ngjarje kaq tronditëse ndërkombëtare, nuk i përshkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”. As këto që po rendis më poshtë: Në konferencën e Tiranës një pjesë e mirë e delegatëve në diskutimet e tyre shtruan edhe problemin se gjendja ekonomike e popullit po vështirësohej gjithnjë e më shumë, kurse vetë udhëheqja e partisë dhe e shtetit jetonte në kushtet e një mirëqenieje që po rritej. “Ne duam të pyesim, ministrin e Tregtisë, shokun Kiço Ngjela, dhe ministrin e Financave, Abdyl Këllezi, – nënvizonte Vehip Demi, sekretari i Partisë së Radio Tiranës, – nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e Bllokut të Udhëheqësve, në cilin kapitull të buxhetit futen ato? Ne duhet të pranojmë se masat poshtë bisedojnë shumë për çështjen e Bllokut. Ne nuk mund ta fshehim këtë gjë. Ne si komunistë nuk dimë t’i sqarojmë masat, sepse ne vetë nuk e shohim të drejtë ekzistencën e Bllokut”. (AQSH, fondi i Komitetit të Partisë së Tiranës, Dosja A,A/1.A/2,1956).

Ishte kjo një nga arsyet që, i lajmëruar nga e shoqja e tij Nexhmia, Enver Hoxha erdhi me vrap nga Vlora, ku kishte shkuar që të përgatiste raportin e Kongresit të 3-të të PPSH-së, i cili do të mbahej pas një muaji, dhe shtypi me dhunë zërat e diskutuesve një pjesë e të cilëve u arrestuan edhe u dënuan më burgime dhe internime, sepse kishin nxirë realitetin tonë “të mrekullueshëm socialist” dhe, mbi të gjitha, ishin ngritur kundër vijës marksisteleniniste të partisë .

Por në qershor të po atij viti në një mbledhje të Byrosë Politike për probleme ekonomike Enver Hoxha detyrohej të pranonte:

“Situata jonë është shumë e vështirë. Tani është rasti më i mirë të për t’i shtruar këto çështje’”.(Celo Hoxha, gazeta “Standard”, 10 mars 2013, bazuar ne AQSH, 1956,dosja 44).

Kurse Mehmet Shehu, duke iu përgjigjur Rrapo Dervishit, këtij injoranti, anëtar i Byrosë Politike, që bënte pyetjen: ”Si ndodhi kjo punë që jemi në gjendje të vështirë?”, i përgjigjej:

“Ne jemi në gjendje të vështirë, sepse kemi 900 milionë rubla borxh. Sa te lahen, këto bëhen 1 miliardë e 600 milionë rubla. Më 1965 bëjnë 12 miliardë rubla. Kështu do të jemi në situatë shumë të vështirë, sepse, po të mos na japin kredi, atëherë gjithë eksporti ynë duhet të jepet për borxhin dhe kështu mbaron ekonomia jonë popullore”. (po aty). Kjo gjendje e brendshme, me të vërtetë shumë e rëndë, e trembte Enver Hoxhën. Por atë e trembte edhe situata ndërkombëtare. Në radhë të parë, revolucioni që shpërtheu në tetor të atij viti në Hungari dhe që solli largimin e stalinistit të urryer, Rakoshi, (1892-1971). Dhe , si$ do të dëshmohet më pas nga ecuria e ngjarjeve që përshkruan Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, ishin para së gjithash të këto arsyet që Hungaria kërkoi të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik. Paralajmërimin e parë ia dha Tito.

”Ai në muajin tetor të vitit 1956 , pra menjëherë pas Konferencës së Tiranës në një fjalim që mbajti në Pula të Jugosllavisë, theksoi se për të çuar deri në fund vijën e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duhet të rrëzohen udhëheqës të tillë si E.Hoxha e të tjerë, – shkruan Ramiz Alia”. (“Jeta ime”, faqe 200).

Dhe në disa drejtime, kishte të drejtë, përderisa Enver Hoxha mbetej stalinist. Por Hrushovi, duket nuk i vuri rëndësi këtij fakti, ndoshta duke menduar se e kishte Enver Hoxhën në dorë. Por këtu, siç do të shohim më poshtë, gaboi./Gazeta Panorama 

TURPI EDHE PERSERITET! 9 QERSHOR 1973- HAPET MUZEU ATEIST I SHKODRES- Nga Fritz RADOVANI

 

PAPA GJON PALI II… PËRBALLË GJ.KASTRIOTIT N’ TIRANË KA THANË ME 25 PRILL 1993:
“Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.”

Muzeut Ateist në Shkoder, ishte “I VETMI NĔ BOTĔ” dhe, as sot nuk kemi një studim të plotë, që perveç ideatorëve të Byrosë Politike të PPSh, Populli Shqiptar nuk di as qellimin dhe as funksionin që ka krye ai Muze antinjerzor dhe antikombtar, i hapun në qendren historike të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Ai Muze Ateist u ndertue mbi gropat pa shenja dhe emna të të vramëve dhe të mbytunve nga sigurimi i shtetit barbar komunist, që ashtu si hapi atë “Muze I VETMI NË BOTË, ashtu edhe ka krye GJENOCIDIN KOMUNIST TË VETMIN NË BOTË!” Sot, flasin Arkivat!
Ky Gjenocid antinjerzorë asht krye me mjetet ma të dhunshme dhe të mnershme kunder Popullit dhe Klerit Katolik Shqiptar, që në këte kohë duhet të na rikujtojnë Martirët e Mëdhaj që dhane jeten e vet, per një Ideal Fetar dhe Atdhetar të pavdekshem dhe të Perjetshem. Sot kujtojmë:
Imzot Ernesto ÇOBA (1913 – 8 Janar 1980); Ipeshkvi i Dioçezit Shkoder.
Don Marin SHKURTI (1933 – 1 Prill 1969); Don Shtjefen KURTI (1898 – 20 Shtator 1971); Don Anton DOÇI (1915 – 1973);Don Mikel BELTOJA (1935 –10 Shkurt 1974);Don Prekë NIKÇI (1921 – 15 Mars 1974);Don Mark HASI (1920 – 11 Shtator 1981);Don Zef BICI (1919 – 10 Maji 1968);Don Mark DUSHI (1920 – 10 Maji 1968); Don Lazer JUBANI (1925 – 29 Korrik 1982);
Don Lec SAHATÇIJA (1906 – 4 Prill 1986); Don Nikoll GJINI (1911 – 1987);
Imz. Lazer SHELDIJA (1928 – 10 Shtator 1988);Don Pjeter GRUDA (1922 – 13 Janar 1989). E sa e sa të pranguem persa vite në burg dhe tortura.
(1944 – 1989) Gjenocidi ka vra dhe zhdukë 66 Klerikë Katolik në Shqipni dhe ka zhdukë gjithsejt 103 Klerikë të Nderuem.
Mbas 1967 të burgosun dhe të dënuem me shumë vite punë të randë, janë 23 Klerikë të besimit Katolik. Perjashtimi i Besimeve tjera nga ky “revolucion” barbar kishte qellim kryesor metoden e vjeter anadollake “Perçaj e sundo”! Pasojat vazhdojnë edhe sot nder të gjitha Trojet Shqiptare, tue fillue me Shtëpijat Muze të vjetra deri te ato të Atdhetarëve At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, Kulla e të Madhit Prekë Cali.
Muzeu Ateist nuk duhet shkatrrue asnjëherë! Aty duhet punue per me u ba një nga ma të mëdhajat Biblioteka të Shqipnisë, ku duhen ruejtë me kujdesin ma të madh të gjithë botimet e librave dhe revistave të “Realizmit Socialist” nga viti 1944 e deri tek botimi i Librit të fundit të kësaj epoke shkatrrimtare të Shqipnisë Europjane!
Aty duhen protokollue diskutimet e të gjithë “revolucionarëve të 1967” të cilët, nga viti 1944, nuk kanë pushue tue akuzue dhe shpifë per qytetarët, e madje, tue kerkue edhe pushkatimin e sa e sa vetëve të pafajshem, që sigurimi shtetit kerkonte me i zhdukë edhe si fise.
Askush nuk asht burgosë e interrnue pa “deklarata fallco” nga dashakqijtë e paturp agjenta të sigurimit shtetit kriminal.
Askush nuk asht largue ose pushue nga puna pa shpifjen e një agjenti apo spijuni barbar komunist!
Askujt nuk i asht kontrollue shtëpia dhe shtetizue pa aprovimin e kryesisë së lagjeve mbushë me agjenta sigurimi.
Askush nuk ka shkue agjent jashta shtetit pa u garantue kthimi i tij nga një komunist vllavrasës.
Askush nuk e tregon një vend pushkatimi pa aprovimin e degës së mbrendshme edhe pse i dijnë edhe sot.
Askush nuk tregon vrasësit nder piramida dhe kush urdhnoi tek vendi ekzekutimit.Askush nuk boton listat e diskutantëve shpifës në 1967 në Institutin Pedagogjik Shkoder.
Askush nuk tregon kush ua pergatiti diskutimet këtyne injorantave kunder klerikëve nder gjyqe dhe mbledhje n’ Institutin Pedagogjik…
Askush nuk tregon kush vjedhi dhe po i perdorë punimet shkencore të të vramëve të ruejtun nder arkivat e Shtetit per marrje titujsh…
HAPNI DOSJET, MOS KINI FRIKË NGA TË VRAMIT DHE TË ZHDUKUNIT !
“Të gjallët vazhdojnë me hanger bar, por parimet nuk i shkelin…” Kjo asht porosia e PPSH, e cila ua ka mbushë xhepat këtyne hajdutëve!
***
Revolucioni kultural dhe ideologjik i 1967 mbasi shkatrroi Besimet, gjuhen Shqipe. Ai dekompozoi njeriun! Shikoni antarët e qeverisë së sotme ”të rilindur, bijtë trashigimtarë besnikë të tyre”! Po ua kalojnë baballarvet!
Mbas mbylljes perfundimtare të objekteve të Kultit, drejtuesi anadollak i “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” skilja Ramiz Alia, krijoi në Shkoder një Komision me një nga besnikët e tij të njohun Jup Kastratin “Kryetar i komisionit perzgjedhjes leteraturës fetare kishtare”, i cili i ka sherbye deri në vdekje. Mbasi grumbulluen dhe seleksionuen të gjitha veprat letrare nga bibliotekat e institucioneve dhe ata personale, dorshkrimet dhe punimet me vlerë vazhdojnë me u botue edhe sot nga hajdutët “dr. Prof…”. Tepricat e materialeve u ekspozuen në “Muzeun Ateist”. Shteti Shqiptar asht i vetmi nder shtetet komuniste që vazhdon me nderue dhe me dekorue shpifsa e terroristë, që nder dosjet e tyne vlon gjaku i të Pafajshemve, që me mënyra të ndryshme vazhdojnë me vuejtë, nuk i kanë kthye pronat, nuk i japin punë fëmijve tyne, se nuk i GARANTON njeri! Madje, edhe po i detyrojnë me ik jashta shtetit…
Edhe kjo rrugë pa asnjë “Dritë në horizont”… Asht Ri-ngjallje ose ”Rilindje” në Vazhdimsi! E vetmja e drejtë e tyne asht ”braktisja e Atdheut”.
Vrasësve tradhtarë të Popullit Shqiptar mos ju shlyftë kurrë Gjaku nga dyertë e tyne! Kjo asht porosia e të gjithë Atyne që vdiqën me zemer t’plasun. E mos harroni se kushedi sa vite do të ikin pa u dijtë sakt shifra e të gjithë Atyne Martirve që dhane jeten e Tyne per Atdhe dhe Liri,
E deri kur do të vazhdojnë kjo gjendje, më duket se edhe Europa ka harrue!
Zhvillimet e kohës së fundit ashtusi në Shqipni dhe në Kosovë, tregojnë me “shkronja të mëdha”, se interesat e kujt po mbrojnë Europa.
Po mos harroni kurr se, Gjaku i Martirve të Atdheut tonë Gjergj Kastriotit- Senderbeut dhe i së Madhes Nanë Tereza, vazhdon me gufue n’ Atdhe!
Shqipnia ishte e Tyne, asht e bijve të Tyne dhe, do të jetë pergjithmonë sa të jenë jeta: Trashigimtaria e Virtyteve të Veprave të Tyne Atdhetare!
Shqipninë kur nuk e tjetersuene turqit dhe sllavët, Ajo asht e Perjetëshme!
Mjer Ajo në dorë të kujt ka mbetë!!
Melbourne, 23 Maji 2025.


Send this to a friend