Ish-presidenti Jimmy Carter njoftoi të enjten se kanceri i tij është shfaqur në katër pika të vogla në tru dhe se do të fillojë menjëherë trajtimin me rrezatim.
Zoti Carter u shfaq optimist dhe bëri shaka gjatë një konference për shtyp ku ai foli hapur për kancerin e tij.
Deri tani, dhimbja ka qenë shumë e vogël, tha zoti Carter, i cili shtoi se nuk ka ndjerë ndonjë dobësi trupore. Megjithatë, ai tha se do të ndërpresë punën në Qendrën Carter dhe do t’i japë përparësi trajtimit mjeksor me rreze që fillon të enjten pasdite.
Ish-presidenti tha se në fillim ai mendonte se kanceri ishte i kufizuar në mëlçi dhe se operacioni që bëri në fillim të këtij muaji e kishte hequr krejtësisht atë. Por në të njëjtën ditë, tha ai, një skanim tregoi se tumori i ishte përhapur në tru.
“Çdo gjë është në duar të Zotit. Unë jam i përgatitur për çdo gjë që mund të ndodhë,” tha 90-vjeçari Karter.
Ai nuk dha ndonjë prognozë, por tha se do të marrë trajtim mjeksor për të paktën disa muaj dhe e la të hapur mundësinë e udhëtimit në Nepal në muajin nëntor.
Komentet