Dimër, 2024
1.
Edhe sikur gjatë, deri në dremitje mesnate, të përhumbja mbi rreshtat, vështirrë të gjeja fill kaq të denjë për shkrimin tim.
“Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë
në zjarr e tym na shkoi kjo jetë
gjithmonë drejt luftrash shtegëtojmë
siç shtegëtojnë drejt dimrit retë”.
Janë vargjet e gjeniut Kadare, që pa fjalë e përskajime të mëdhenj, pikturonte saktë, e hyjnisht bukur, luftën si pjesë e fatit të pazgjedhur të natyrës njerëzore…
2.
Por në esenë e thellë mbi luftën (Libri: “Katër shkrime morale”), frymëzuar nga ndërhyrja ushtarake brito-amerikane në Irak, viti 2003, Umberto Eco tjerrë, ndërkaq, fijet e një shprese që formohet si linja vizatimesh në qelqnajën mjegulluar.
Luftrat moderne, thosh ai, nuk do të zhvillohen më, si dikur, mes dy armatash në fushnajë, pa prekur asnjë jetë përreth. Ndaj njeriu, nga totaliteti i saj dhe mneri bërthamor, ka gjetur alternativën e shkëlqyer: ndërkalesën elegante nga lufta përflakëse, në luftën e ftohtë. Thjeshtë pse ajo efekton poashtu fitimtarë e të humbur.
Rezulton se Carl Klausevitz dhe teoria e tij e pamëshirë paskan ikur, tashmë, matanë agimeve të përgjakura.
Pastaj a nuk do të neutralizojë kjo prurje kohësh ndarjen dramatike, të intelektualëve sidomos, në paqësoristë e belicistë? Sepse nëse të parët bërtisnin se lufta është brutale, të dytët ua kthenin: por dhe tirani Sadam është prototip i mizorisë!
Që këtej pra, historia do duhej të lëshonte armët e dorëzohej. Posi Umberto besonte dhe Francis Fukuyama (“Mbarimi i historisë”, 1992). Madje sihariq do të shpallej gjithandej rruzullit zbulimi i madh, se pikërisht demokracia liberale qenkësh pikëfundmja e historisë.
E s’do kishte më as luftëra e varre, as heronj e të mundur…
Athua? Do t’a sedefëronte atë stolish të bukura koha që vinte?
Demokracia liberale ose, poaq, shantazhi i tmerrit bërthamor, bënin gurthemelin e paqes?
Kronikat politike krejt të vona, provojnë ironikisht të ndryshmën e vizionit solemn të Fukuyamës. Një komb i lirë mbase nuk do të agresojë të tjerë, afër apo larg, por mund të jetë viktimë yshtjeve të huaja imperiale.
Balanci i supozuar i frigës atomike, ndërkaq, mbase ruan ushtritë e mëdha në kazermë, duke shmangur një luftë të madhe të përbotshme…Porse, është sërish poky shantazh që nuk ndalon dot luftrat lokale me cinizmin e lig. Bllokon ndihmën dhe rezistencën e aleancave me justifikimin se, në të kundërt, bien këmbanat e ferrit atomik…
3.
E pra, megjithë pretendimin dëshirak, fjalëftohti Carl Klausevitz, qëndron gjithnjë në majëtempullin e mendimit politik. Madje, korife i pamposhtur i filozofisë së luftës.
Vërtetë, ndonjëherë, ndryshe nga gjenerali prusian, politika e tevonshme rrjedhon të dalë vijim i luftës me mjete të tjera. A nuk është Serbia pasmillosheviqjane dëshmia tipike e shndrresës? Me ndjesinë e humbësit, serbi Vuçiq pohonte: s’do vonojë shumë për t’u parë pjesa e dytë e lojës…Domethënë betejat e reja të pafitueshme për Rajhun serb, aty ku e kishtë lënë pa kryer, idhulli i tij Sllobodan që vdiq në burgjet e Europës.
Mirëpo, prapë, teoria e Klauzevitz-it jeton natyrshëm motin e saj të përtrirë.
Pas 77 vjetësh disfate të ariozofisë, kur gjermanët dhe Europa, lanë pas gjeopolitikën duke braktisur historinë, një mjes të hershëm e të virgjër frori, trupat ruse marshuan në Ukrainë.
Në fakt, gjithçka i ngjante një kinofilmi nga lufta e dytë botërore. Europa jetonte, akoma e dehur, ëndrrën e paqes dhe lumnisë së përjetshme.
Por, papritur, njerëzit u gjendën në qendërzjarrin e luftës. Fërkonin sytë për të parë e lexuar më mirë lajmin e pabesueshëm e fatal.
Veçse ajo kishte ndodhur. Dhe krejt afër kufijëve të lirisë.
Ndaj dhe Ukraina e agresuar vëmendsonte: Klausevitz-i rron. Më i gjallë e prekshëm se kurrë.
4.
Më pat mbetur në kujtesë shumë kohë, një vështrim përspektiv i Thilo Sarrazin-it (“Gjermania po vetëzhbëhet”). Që në hyrje shkruante: ne ende nuk e dimë se ç’luftëra do të bëhen në të ardhmën…
Zbërthimi i thjeshtë i fjalës së tij nuk hidhte dilemën jetike: a do të kishte, por në ç’kohë, ku dhe ç’luftëra do të vinin!
Eh, sikur të jetonte tani Letrari e Dijetari i shquar Umberto, për të ndier në shpirt lodhjen dhe dridhmat vetmitare të Europës.
Dhe, natyrisht, t’i shprehte ndjesë postmortum, Carlit të pafajshëm, dijetar ushtrie dhe etike (1780-1832), nga Breslau i bukur i Prusisë.
Tani na shfaqet prorë si përgamen i lashtë, vargu i tejpamës “nga lufta në luftë vemi ne…” (“Kënga e ushtarëve të vjetër”), derisa, përtej imagjinatës, të popullohet yjësia dhe planeti i kaltër të mbetet vendlindja romantike e njeriut..!
(r. k.)