Berlin, vjeshtë 2016
1.
Një skenarist amerikan filmash, Aaron Sorkin (“Stive Jobs”, “The Newsroom” etj.), i shkroi në gazetën “Vanity Fair”, vajzës së tij 15 vjeçare Roxy dhe nënës së saj Julia Sorkin, një letër plot merak e frikë.
Natën që vajti, shkruan ai, bota ndryshoi krejtësisht. Në mënyrën që unë s’ia dola ta ndaloj. Dhe, për një baba, kjo është ndjesi e tmerrshme. S’ kje hera e parë, vijon ai, që s’ fitonte kandidati im i preferuar, por e para herë që të fitojë një derr me ide të rrezikshme..!
2.
Nga notesi im:
– Tkurrje e Amerikës nga hegjemon i globit – në koncept partneriteti mbi shpërndarjen multilaterale të fuqisë.
– Kremlini (kjo “mbetje dinosaurësh”), pretendon restaurimin e shkëlqimit imperial: anekson Krimenë dhe poshtëron Europën.
– Tundohet Ukrajina për të hyrë në Aleancën atllantike, por do të humbasë paqen dhe copa të tëra territori nga rebelët rusë në stilin e “SAO”-ve të dikurshme të Sllobodanit.
– “Pranvera arabe”, rezulton një përbetim me teorinë e kaosit dhe sundimit. Fondi investimor i Gadafit prej 70 miliardë dollarësh, si dëshmi, administrohet nga vëllai i ish- Premierit brit, William Blair.
– Autorësi dyshimtare, jashtarabe, e një krijese infernale me emrin e errtë “Isis”!
– Xhihadistë bredhin me qefin në gji nëpër vatrat e trëmbura të kaurrëve…
– Të vrarët e pafaj të “Charlie Hebdo”-së parisiene, trondisin shpirtërat e fjetur në kontinentin e munxosur dhe ëndërruar.
– Tragjedia e një kombi, Alepo, qindramijë jetë të prera e apatridë sirianë në teatrin e përgjakur ku amerikanët rivalizojnë rusët, persët luftojnë saudët e turku kurdët e paepur…
– Kalvar i refugjatëve që puthin vdekjen detare në udhë për të mbërritur tek “Nëna Merkel”.
– Orgji e pafund mortore e Boko Haram në tokën e harruar të të zinjëve.
– Kimët koreanë bëjnë sfidë bërthamore që mbytë në ankth vëllezërit e vet.
– Destabilizim i Turqisë me shpërthime e të vdekur, në përpjekje cënimi të baraspeshës në Ballkan.
– Blloku mesdhetar i Europës, i atyre të “shpejtësisë së dytë”, kredhet në krizë frymëndalëse të borgjeve shtetërore.
– Pabesi transatllantike, spiunim i aleatëve… Uashingtoni përgjon Kancelaren e shastisur, e ajo vetë Ankaranë e zhgënjyer.
– Brexit-i londinez dhe fillimçartja e ngrehës komunitare.
– Mefshtësi e dalëzotsit strategjik të shqiptarëve e, për pasojë, revansh ngulmëtar i Serbisë ndaj Kosovës: shprishja e brendshme, e heshtur dhe tinzare e gjithëshmërisë toksore të saj.
3.
Ja, kështu dukeshin disa fragmentë të kësaj bote ndër vitet e ikur, që pamë dhe i përjetojmë ende trishtueshëm posa agon ditë e re.
Dhe ishin, vallë, vepër e “Derrit (Trump) me ide të rrezikshme” apo ndodhën në motin e (si e pat cilësuar Berluskoni) këtij “djaloshi të rrezitur” që në mesdimër lamtumiret me Zyrën ovale?!
Kujtoj saktësisht po këtë skemë demonizimi të Bushit të ri, kur një gazetë gjermane do ta portretonte atëherë si njeriun që kishte pikësynim të pamundurën: me qenë Jezus në shtëpi e Julius në marrëdhëniet ndërkombëtare! Madje, pati dhe aherë artistë që sikur deshën të emigronin, por nuk kam dëgjuar të ketë kapërcyer oqeanet kush, e pas 8 vjetësh egzili të kthehej sërish…
Më ka rënë të lexoj diku se qoftë dhe një buzëqeshje e vetme më shumë, hedh një gurë në peshoren e lumnisë së botës. Pikërisht, pra, në midiskohën e tij, do të gëzonin zemrat shqiptare: ai do të parashpallte në Tiranë Indipendencën e Kosovës.
Tani analistë mejhanesh provinciale të Prishtinës, në delir të padurueshëm madhështie, i mbajnë leksione edukimi demokratik e kulture politike popullit amerikan, pa fshehur aspak qortimin e krekosur për zgjedhjen e bërë…Gjithësesi përtej mundësive të vocrra dhe sjelljes së mirë, mjerisht.
Ç’ komedi!
Mëshira, mësonte Lao Ce, është turpëruese, dhe, ndaj, njeriu duhet të bëj prorë një introspektim, të vështrojë thellë fillimisht veten e tij. Askush nuk është me faj që Kosova është shaluar nga ky soj pinjojsh që asnjëherë më satrapë s’i ka njohur dheu i saj.
Fundja, “ke qenë i pranishëm keq në jetë, nëse nuk e ke parë dorën që, në mënyrë të ëmbël, vret”..!
Komentet