Mëngjez janari. Ftohtë. Shumë ftohtë. Dita ka çelur, por dielli nuk duket. Rrugët, shëtitoret dhe parqet e qytetit janë të qeta, madje të shkreta. Vetëm pistat e vrapimit sikur e thyejnë pakë qetësinë me lëvizjet e shpejta të disa qytetarëve të apasionuar pas gjimnastikës. Janë të rrallë, të veshur e të ngjeshur mirë, me kokore, shall e dorashka, që i “blindojnë” nga një lloj i ftohti, i aftë për të depërtuar në lëkurë e më thellë. Disa të tjerë, tre ose katër gjithësejtë, provojnë “çmendurinë” e të rezistuarit me uniformë sportive, mbathje e kanatiere. Fryma e tyre përzihet me mjegullën e dendur që ka mësyrë mbi brymë. Është një ndeshje, një luftë e vërtetë, që njëra ose tjetra, të vendos pushtetin e saj në tokë. Sepse dihet, mjegulla dhe bryma nuk rrinë bashkë. Në Itali ky fenomen është proverbial: “la nebbia e la brina non stanno insieme”.
Nga ndeshja midis tyre është krijuar një terren i rrëshqitshëm që kërkon kujdes në çdo hap që hedh. Ndryshe e pëson njësoj si kjo grua që më parakaloi dhe jo më shumë se njëzetë metra përpara meje, rrëshqiti dhe u rrëzua keq. Nuk u ankua, por dukej se dëmtimi ishte i rëndë. S’mundej tazhvendoste dorën në xhepin ku kishte strehuar celularin. E kuptova çfarë kërkonte, formova numrin nga celulari im dhe thirra ambulancën. Diagnostikimi ishte i lehtë, sepse gjysma e parakrahut të djathtë, varej e lëkundej si lavjerrës. Personeli e mori dhe e rregulloi në vendin e duhur duke kërkuar prej meje, në se isha shoqëruesi i saj. Pastaj, ambulanca u nis me shpejtësi , la pas zhurmën e motorrit dhe gazin e scapamentos që ngrohu pak ajrin e lagësht e të ftohtë. Unë vazhdova të hapoj, tashmë me një kujdes të dyfishtë. Gati i numëroja hapat që hidhja. Mjegulla e kishte goditur rëndë brymën por akoma nuk kishte fituar mbi të. Në tokë vazhdonin të ishin prezent të dyja. Ishte çasti i ekuilibrit të stadeve. Temperatura zero gradë. Ngjante me një marrëveshje të përkohëshme për një armpushim të shkurtër. Secila kërkonte kohën e vetë për të rritur fuqitë e për të vendosur pushtetin. Mjegulla ta shkrinte plotësisht brymën që edhe pse e lagur, vazhdonte të kërrciste ndjeshëm poshtë gjurmëve të mia. Bryma vetë, synonte ngrirjen e plotë të ambientit në akull. Arma e saj ishte një thëllim i lehtë që ndihej në fytyrë bashke me lagështinë mjegullore. Dukej sikur të godiste me grimca kristali të buta, që përveçse të ftohta, ishin edhe bezdisëse.
Ndërsa lufta e ekuilibrit vazhdonte, unë shtyhesha përpara me kujdes, i tendosur për të përballuar të ftohtin, që sa vinte e bëhej më i ndjeshëm. Kur dola në anën tjetër të qytetit, një zonë më e ekspozuar nga era, mjegulla ia kishte mbathur dhe bryma kishte akulluar gjithëçka. Temperatura kishte shkuar disa gradë nën zero, duke konfermuar kështu fitoren e plotë të brymës. Shpejtova hapin të kthehesha në shtëpi, tashmë duke kaluar mbi akull, të cilin isha i vetmi që po e shkelja dhe rrëshqitja mund të ndodhte në çdo hap. Vazhdova ec jen si mbi gjemba, derisa hyra në rrugën e njohur të lagjes time, një shëtitore e gjerë me trotuare për shëtitje, pistë vrapimi dhe korsi për biçikleta. Të trija me drejtim paralel, dukeshin si një e vetme. Mjegulla i kishte zhdukur vijat ndarëse dhe e kishte shkrirë pothuajse plotësisht akullin. I duhej dhe pakë që ta kthente në gjendje të lëngët, për të vendosur pushtetin e për të sunduar e qetë. Aty afër, një grumbull lulesh shumëngjyrëshe, i kishin varur petalet dhe kishin nisur te vyshkeshin.
Ndërkaq kisha hyrë në koridorin e shtëpise dhe ambienti i ngrohtë e shtyu mendimin më tej se ajo që kisha parë e përjetuar atë mëngjez të ftohtë janari. Mjegullën dhe Brymën i mendova si dy parti elektorale në ditën e zgjedhjeve. Duke shfrytëzuar me kapacitet maksimal të dhënat e tyre natyrore, në disa zona kishte fituar njëra, në disa tjetra. Po sikur unë të isha zgjedhës në listat e tyre, të themi një lule në botën e madhe bimore, për kë do të votoja? Mjegulla i mbyt ato me lagështi, por ngadalë, duke i bërë të vuajnë më gjatë, deri sa vdesin. Nga ana tjetër nuk i lë të marrin masa mbrojtëse sepse i verbon dhe është e padepërtueshme nga rrezet e diellit. Akulli, si parti, është më trasparente. Kur është i fortë dhe i shoqëruar nga era e veriut, aleatja e tij më besnike, mund të sjellë tharjen e menjëherëshme me ftohmë. U rrëzon petalet, thekët, u thanë kërcejte, i shndërron në pleh. Megjithatë, duke qënë trasparent, i lë rrugë të lirë depërtimit të rrezeve të diellit, të cilat me fuqinë e tyre ngrohëse e zhbëjnë akullin dhe i shpëtojnë nga vdekja. Përkohshmëria e tij, ndonjëherë shërben edhe si kurë dezinfektimi për të larguar parazitët. Pra përveçse mund t’i vdesë, u jep mundësinë edhe për një jetë më të shëndetëshme. Pra këto parti të natyrës, nuk mashtrojnë, nuk gënjejnë, nuk vjedhin vota, dalin në fushëbetejë dhe shfrytëzojnë maksimalisht ato aftësi që u ka dhënë nëna natyrë dhe natyrisht, fiton më i forti, më rezistenti…
Kur dola nga fantazia në realitet, qesha fortë, sa të gjithë familjarët u stepën nga frika se mos isha marrosur. Asnjëri nuk e kishte parë me sy të mirë daljen time në atë mëngjez të ftohtë janari. I qetësova për shfaqjen jashtë realitetit dhe e përfundova arsyetimin tim për partitë me këtë frazë: “Sa ndryshe janë partitë e vërteta të vendit tim. Shfrytëzojnë çdo mjet, qoftë edhe me të pistin, mjafton të arrijnë qëllimin. Mua nuk më kanë fare në listë prej dy dekadash! Më trajtojnë si emigrant klandestin, jashtë dhe brenda shtetit!…”
Qerim Skënderaj
Komentet