Secili prej tyre shqyrtonte një “pikë bllokimi”, një teknologji thelbësore për ekonominë që Kina nuk mund ta prodhonte vetë duke e detyruar të mbështetej në importe të huaja.
Shtatë vjet më parë, kur lufta tregtare e SHBA-së me Kinën sapo kishte filluar, Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë e Kinës bëri diçka të pazakontë. Gazeta e saj zyrtare, e cila zakonisht kufizohej me artikuj lavdërues për arritjet e Kinës, publikoi në tre muaj 35 artikuj që shpjegonin dobësitë e vendit.
Secili prej tyre shqyrtonte një “pikë bllokimi”, një teknologji thelbësore për ekonominë që Kina nuk mund ta prodhonte vetë duke e detyruar të mbështetej në importe të huaja. Seria, me titull “Çfarë po na mbyt?”, ishte një ushtrim i jashtëzakonshëm vetëkritike. Ajo shënoi gjithashtu një pikë kthese, e cila në atë kohë kaloi pothuajse pa u vënë re jashtë Pekinit.
Kina kishte kuptuar se lufta tregtare nuk kishte të bënte vetëm me tarifat doganore, por edhe me cenueshmërinë. Ajo katalogoi dobësitë e saj dhe më pas nisi të identifikonte ato të SHBA-së. Shtatë vjet më vonë, kjo largpamësi po jep frytet e saj. Donald Trump u takua me homologun kinez, Xi Jinping, në Korenë e Jugut, takimi i parë midis dy liderëve që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi rezultoi në arritjen e një marrëveshjeje tregtare njëvjeçare. Deri në kohët e fundit, ky takim pritej të ishte i qetë, për të konfirmuar armëpushimin tarifor që është në fuqi që nga vera dhe për të hapur rrugën për një marrëveshje tregtare më ambicioze vitin e ardhshëm. Por, pak javë më parë, për habinë e Trump dhe të pothuajse të gjithëve, Kina shpalli kontrollet e saj më të ashpra të eksportit deri më sot, duke i dhënë vetes fuqinë për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit amerikan.
Pasuan kërcënime të zemëruara kundërpërgjigjeje nga Trump dhe një lojë fajësimi e ashpër. A po përgjigjej Kina, siç pretendonin zyrtarët e saj, ndaj provokimeve amerikane? Apo po shkaktonte qëllimisht kaos në ekonominë globale, siç argumentonte administrata e Trump?
Në fakt, vetëbesimi i Kinës pasqyron një të vërtetë tronditëse: ajo po fiton luftën tregtare me SHBA-në. Ajo ka shpikur forma të reja presioni ekonomik, të frymëzuara nga metodat amerikane, por më efektive; po i dekurajon vendet e treta që të rreshtohen me Amerikën dhe po forcon pozitat e Xi në vend.
Por fitoret në luftërat tregtare rrallëherë janë të plota ose të përhershme. Kina duhet të tregojë kujdes që të mos e teprojë me përparësinë e saj, përndryshe sukseset mund t’i kthehen në dëm. Që nga vendosja e tarifave të para të vogla nga Trump në vitin 2018, zyrtarët kinezë kanë përsëritur të njëjtën thënie: “Nëse doni të luftoni, do t’ju luftojmë deri në fund. Nëse doni të bisedoni, dera jonë është gjithmonë e hapur”. Në praktikë, theksi i Kinës po zhvendoset qartësisht drejt luftës.
Në një situatë të vështirë
Bisedimet arritën vetëm deri diku: marrëveshja tregtare e negociuar gjatë presidencës së parë të Trump ishte e pamundur që në fillim. Për më tepër, SHBA-ja, si nën Trump, ashtu edhe nën Joe Biden, vendosi gjithnjë e më shumë kufizime mbi eksportet drejt Kinës. Pekini arriti në përfundimin, jo pa arsye, se Amerika nuk kishte ndër mend të bënte paqe. Ai gjithashtu beson se Trump ka më shumë gjasa të përgjigjet ndaj presionit sesa ndaj lëvdatave apo vetëpërmbajtjes.
Nëse lufta do të kishte të bënte vetëm me tarifat, Kina ndoshta do ta kishte humbur. SHBA eksportoi në Kinë mallra me vlerë 140 miliardë dollarë në vitin 2024; ndërsa Kina i dërgoi SHBA-së 440 miliardë dollarë mallra. Kjo i jep Amerikës tri herë më shumë objektiva për të goditur. Por Kina ka gjetur mënyra të tjera për të luftuar. Sistemi politik i Kinës u jep zyrtarëve të saj më shumë mundësi. Merrni për shembull sojën, që deri vonë ishte importi më i madh nga SHBA-ja.
Qeveria thuhet se ka urdhëruar blerësit kinezë të zhvendosin të gjitha blerjet drejt vendeve të tjera, kryesisht Brazilit dhe Argjentinës, duke lënë prodhimin amerikan të kalbet në fusha, një “akt armiqësor ekonomik”, siç e cilëson Trump. Hetimet antitrust ndaj korporatave të mëdha amerikane si Google, DuPont, Nvidia dhe Qualcomm janë shtuar gjatë vitit të fundit, paralelisht me rritjen e tensioneve.
Por arma më efektive e Kinës ka qenë imitimi i kontrolleve të eksportit të SHBA-së. Një shembull domethënës ndodhi në dhjetor, në ditët e fundit të presidencës së Biden. Vetëm 24 orë pasi Amerika shpalli kufizime të reja mbi eksportet e çipave kompjuterikë drejt Kinës, Pekini ndaloi eksportet drejt SHBA-së të galiumit, germaniumit dhe antimonit, të gjithë elemente të përdorura në prodhimin e pajisjeve të teknologjisë së lartë.
Nëse Trump do t’i kishte kushtuar vëmendje, ai do ta kishte parë këtë episod si paralajmërim. Në prill, pasi Trump shpalli tarifa të ashpra në “Ditën e Çlirimit”, Kina dhe SHBA-ja u përfshinë në një përplasje pothuajse komike me kundërmasa reciproke, që çuan të dy vendet të vendosnin tarifa mbi 100% mbi produktet e njëra-tjetrës. Ky përshkallëzim dominonte titujt e lajmeve.
Por më e rëndësishme në planin afatgjatë ishte vendimi i Kinës për të kufizuar eksportet e shtatë elementeve të rrallë dhe magneteve të lidhura me to, që përdoren në armë, makina dhe elektronikë. Eksportuesit kishin nevojë për licenca për të dërguar minerale të rralla jashtë vendit dhe blerësit amerikanë mbetën të përjashtuar.
“Ne thjesht nuk do të tolerojmë më që SHBA të na godasë, dhe besojmë se kemi aftësinë të kundërpërgjigjemi”, thotë Tu Xinquan nga Universiteti i Biznesit dhe Ekonomisë Ndërkombëtare në Pekin.
Kina kishte identifikuar një pikë bllokimi që shkaktonte probleme serioze në SHBA. Mineralet e rralla përdoren pothuajse në çdo produkt të teknologjisë së lartë. Megjithëse janë mjaft të zakonshme në aspektin gjeologjik, Kina dominon nxjerrjen dhe pothuajse ka një monopol në rafinimin e tyre.
Ndërsa rezervat jashtë Kinës po pakësoheshin, kompanitë paralajmëronin se fabrikat e tyre së shpejti do të detyroheshin të ndalonin prodhimin. SHBA-ja u tërhoq. Ajo ra dakord të ulte tarifat mbi mallrat kineze në 30% si pjesë e një armëpushimi 90-ditor, i cili më pas u zgjat. Kina uli tarifat e saj mbi mallrat amerikane në 10% dhe rifilloi eksportet e elementeve të rralla.
Javët e fundit kanë sjellë një tjetër valë armiqësish. Në fund të shtatorit, zyra amerikane e sanksioneve zgjeroi listën e zezë për të përfshirë filialet me shumicë të kompanive të ndaluara. Zyrtarët amerikanë thanë se thjesht po mbyllnin një boshllëk ligjor, por Kina e konsideroi këtë si një përshkallëzim të madh, pasi ndikonte mbi mijëra kompani. Amerika gjithashtu po avanconte me tarifat e reja ndaj anijeve të prodhuara në Kinë që përdorin portet amerikane, pavarësisht kundërshtimeve të Pekinit.
Më 9 tetor, Kina e çoi kontrollin e saj të eksportit në një nivel të ri, duke krijuar një regjim global licencimi për pothuajse të gjitha mineralet e rralla tokësore, si dhe për teknologjitë e prodhimit të tyre dhe për bateritë me jone litiumi. Nëse zbatohet në mënyrë të rreptë, Kina mund të diktojë pothuajse se cilat produkte të teknologjisë së lartë do të prodhohen jashtë kufijve të saj dhe nga kush. Sean Stein, nga Këshilli i Biznesit SHBA–Kinë, thotë se Kina në thelb po e “tall” Amerikën.
Kufizimet amerikane mbi eksportin e gjysmëpërçuesve ishin krijuar për ta ndaluar Kinën të prodhonte çipa më të vegjël se 14 nanometra. Kontrolli i ri kinez mbi elementet e rralla vendoste mbikëqyrje shtesë për eksportet e përdorura në prodhimin e këtyre çipave.
“Ata po dërgojnë mesazhin se ka ardhur koha për hakmarrje”, – thotë Stein. Ajo që e bën kontrollin e eksporteve kaq të fuqishëm për Kinën është pesha e saj industriale. Prodhimi i saj industrial, 35% e totalit global, është trefishi i atij të SHBA-së dhe më i madh se ai i tetë vendeve të tjera së bashku. Deri në fillim të viteve 2000, prodhuesit kinezë ishin më të varur nga materialet amerikane sesa kompanitë amerikane nga ato kineze.
Deri në vitin 2020, kjo marrëdhënie ishte përmbysur, madje më tepër: prodhuesit amerikanë janë tre herë më të varur nga inputet kineze sesa anasjelltas, sipas ekonomistit të tregtisë Richard Baldwin. SHBA tani kryeson vetëm në disa fusha kritike, ku më të rëndësishmet janë gjysmëpërçuesit e teknologjisë së lartë. Por Kina po derdh para në industrinë e çipave dhe po bën përparime, duke zbutur gradualisht efektin e kufizimeve amerikane. Sa u përket elementeve të rralla, situata është e kundërta: Amerika ka vetëm një minierë aktive dhe pothuajse asnjë kapacitet rafinimi.
Një partneritet prej 3 miliardë dollarësh me Australinë, i nënshkruar më 20 tetor, synon ta ndryshojë këtë, por ndërtimi i minierave dhe impianteve të reja të përpunimit mund të zgjasë deri në pesë vjet. Kina e sheh këtë “si një asimetri e përkohshme ndikimi në favorin e saj”, – thotë Feng Chucheng nga Hutong Research, një firmë kërkimore kineze.
Thënë hapur, kufizimet amerikane mbi çipat janë problem për Kinën, por kontrollet e saj mbi elementet e rralla rrezikojnë të paralizojnë SHBA-në. Një fuqi e tillë vjen me rreziqe. Është e lehtë të argumentohet se Kina mund ta ketë tepruar. Regjimet e saj të licencimit zbatohen në shkallë botërore, jo vetëm ndaj Amerikës.
Kjo ka shqetësuar vendet e treta. Deri në shtator, Kina kishte miratuar vetëm 19 nga 141 kërkesa europiane për licenca, me gjasë, një shtrëngim i qëllimshëm. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, flet për nevojën për të mobilizuar vende të tjera që të çlirohen nga ndikimi i Kinës. Kina po llogarit që administrata Trump nuk do të arrijë shumë përparim. Përpjekjet e saj për t’u koordinuar me Australinë, Kanadanë, Europën dhe Indinë duken hipokrite pas muajsh sulmesh tarifore ndaj tyre.
Një provë e hershme është mosmarrëveshja për kontrollin e Nexperia, një prodhues çipash me pronësi kineze dhe seli në Holandë. Qëllimi i Kinës, në fund të fundit, është të bëjë që vendet të kenë po aq frikë nga përplasja me të, sa kanë nga sfidimi i SHBA-së. Rregullimi i kësaj politike është i vështirë. Lëvizjet tepër agresive mund të nxisin një reagim të fortë ndërkombëtar, duke dëmtuar eksportuesit kinezë. Tashmë grupi i shtatë vendeve të pasura (G7) po punon për të krijuar alternativa ndaj Kinës për materialet kritike. Megjithatë, Pekini nuk ka arsye për t’u frikësuar.
Ende në vitin 2023, G7 ra dakord për një “plan me pesë pika” për të kufizuar dominimin e Kinës në elementet e rralla, por deri tani ka pak për të treguar. Disa nga vonesat e Kinës në dhënien e licencave lidhen me vështirësinë e ngritjes së një sistemi kaq të ndërlikuar nga e para. Por burokratët gjithashtu kanë kërkuar informacione për përdoruesit finalë.
Ata u kanë kërkuar disa blerësve të huaj të ngarkojnë foto të fabrikave të tyre, për shembull, për të provuar se nuk kanë lidhje me industrinë e mbrojtjes. Sistemi, nëse zbatohet sipas përshkrimit, do të ishte një shtesë e rëndë për rregullat e tregtisë botërore. Regjimi amerikan i kontrollit të eksporteve supozon se kompanitë janë të pafajshme derisa të provohet e kundërta. Në rastin e Kinës, çdo kompani duhet të provojë pafajësinë e saj.
“Nëse lexon kontrollin e Kinës fjalë për fjalë, ai është shumëfish më agresiv sesa çdo gjë që SHBA ka bërë ndonjëherë”, thotë Gerard DiPippo nga instituti kërkimor RAND Corporation. Edhe pse pas Samitit të Koresë së Jugut, Kina ra dakord për heqjen e kufizimeve në eksportet e metaleve të rralla, ajo tashmë ka dëshmuar se mund t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë amerikane.
Një element veçanërisht domethënës i kontrolleve të saj të reja të eksportit është përfshirja e baterive me jone litiumi, të cilat janë thelbësore si për automjetet elektrike, ashtu edhe për rrjetet energjetike. Nëse Kina dëshiron të përdorë fuqinë e saj industriale si armë, ajo mund të shkojë përtej elementeve të rralla.
Suksesi i Kinës në luftën tregtare po forcon gjithashtu autoritetin e Partisë Komuniste në vend. Vendimi i administratës Trump për ta goditur Kinën me tarifa u bazua, pjesërisht, në besimin se ekonomia e saj ishte në gjendje të rëndë dhe presioni i jashtëm do ta detyronte të kërkonte mëshirë. Vetëm këtë muaj, Bessent deklaroi se vendimi i Kinës për të vendosur kontrolle eksporti ishte “një shenjë e dobësisë së saj ekonomike”. Si ai, ashtu edhe Trump, kanë thënë se Kina ose është tashmë në një rënie ekonomike, ose mund të përfundojë në të tillë nëse nuk tërhiqet.
Ata gabohen. Ekonomia kineze, megjithëse e zhytur në krizën e pasurive të paluajtshme dhe përballë deflacionit, ka fusha me vitalitet. Ashtu si vetë SHBA, edhe ajo po përjeton një bum në Inteligjencën Artificiale, me shpenzime në rritje në çdo gjë që lidhet me IA. Një indeks i 300 kompanive më të mëdha kineze është rritur pothuajse me 20% këtë vit, një kontrast i fortë me fillimin e luftës tregtare në 2018.
Sigurisht, ekonomia nuk përkufizohet vetëm nga bursa, por performanca e saj kundërshton narrativën e një recesioni të thellë. Më thelbësore është mënyra se si lufta tregtare ka përforcuar obsesionin e Xi për të mbrojtur Kinën dhe për të forcuar ofensivën e saj ndaj Amerikës.
“Në vend që të vrapojë drejt bisedimeve, tani Xi është ai që po lëviz dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbajnë hapin”, – thotë Jon Czin nga Instituti Brookings. “Nuk duket sikur Trump është ai që e kontrollon situatën tani dhe kjo është ajo që dëshiron Kina. Xi po drejton dinamikën”.
Një kritikë e zakonshme ndaj Xi është se qeverisja e tij ka qenë e dëmshme për ekonominë. Bizneset private janë ankuar për qasjen e tij shtetërore dhe janë prekur nga goditjet në sektorin financiar, të pasurive të paluajtshme dhe teknologjisë. Por sfidimi i Amerikës dhe i “ngacmimeve” të saj ekonomike duket se është jashtëzakonisht popullor, gjykuar nga rritja e postimeve patriotike dhe videove të shkurtra në rrjetet sociale.
Ren Yi, një bloger proqeveritar me audiencë të madhe, e përmblodhi këtë frymë në një artikull shumë të lexuar dhe shpërndarë në rrjetet sociale.
“Vëzhguesit me sy të mprehtë e dinë se Amerika i ka luajtur tashmë pothuajse të gjitha letrat e saj dhe pret t’i hedhë me padurim të gjitha në tavolinë”, shkroi ai. “Por Kina sapo ka filluar të luajë dhe ende ngurron t’i tregojë letrat e saj”.
Çfarë mund të përfaqësojë fitorja për Kinën? Ajo duhet të veprojë me kujdes.
Kina ka ende dobësi: Amerika mund të ndalojë dërgesat e motorëve të avionëve ose, siç ka lënë të kuptohet Trump, të kufizojë eksportin e softuerëve të avancuar që Kina ka nevojë për projektimin e gjysmëpërçuesve.
Më shqetësuese për Kinën, ajo nuk ka asnjë përgjigje ndaj fuqisë së SHBA-së mbi financat globale. Amerika mund të ndërpresë rëndë tregtinë dhe investimet ndërkombëtare të Kinës duke ndaluar bankat e mëdha kineze të tregtojnë në dollarë. Suksesi do të vijë nga tregimi i vendosmërisë pa e poshtëruar Trump.
Në prag të takimit në Korenë e Jugut, këshilltarët kinezë sinjalizuan se nuk ishin me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje tregtare. Në vend të kësaj, ata dëshironin rikthimin e një dialogu më të qetë mes dy superfuqive. Pavarësisht marrëveshjes së arritur, tarifat nuk do të zhduken, por të paktën nuk pritet të rriten më tej, një garanci që do të mirëpritej nga bizneset në të dyja anët. Të dyja qeveritë mund të bien gjithashtu dakord të zbusin kontrollet e tyre të eksportit. Si gjest mirëbesimi, Kina do të rifillonte blerjet e sojës, një hap që Trump e dëshiron dhe që Kina mund ta bëjë lehtësisht. Kërcënimet, kundërkërcënimet dhe përshkallëzimet e vitit të kaluar kanë marrë fund, të paktën përkohësisht.
Faza e re e luftës tregtare SHBA–Kinë
Një armëpushim i zgjatur do t’u jepte të dy vendeve kohë për t’u përgatitur për fazën e ardhshme të luftës së tyre tregtare, e cila në fund do të rikthehet. Zyrtarët amerikanë tani e kanë një vlerësim më të qartë të cenueshmërive të tyre, që përfshijnë bateritë, përbërësit farmaceutikë dhe më shumë.
Zvogëlimi i tyre do të kërkojë vite dhe fonde të mëdha. Doshi flet për nevojën e një “shkalle aleate”: nëse Amerika bashkëpunon me vende të tjera, nga G7 deri tek India, mund të kapërcejë lehtësisht fuqinë industriale të Kinës. Por kjo kërkon që Shtëpia e Bardhë të jetë e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me aleatët, diçka që nuk është ndër pikat e forta të Trump.
Edhe Kina ka një rrugë të gjatë përpara. Përveç përpjekjeve për të zotëruar gjysmëpërçuesit, ajo po garon për epërsi në Inteligjencën Artificiale. Për më tepër, do t’i duhet të përballet me dy sfida të krijuara vetë. E para është e brendshme. Shtytja për vetëmjaftueshmëri kërkon investime të mëdha kapitale, të cilat kanë zhvendosur burime nga konsumi.
Lufta tregtare e ka përkeqësuar këtë gjendje. Ndërtimi i kapaciteteve shtesë, subvencionimi i fabrikave të çipave, krijimi i rezervave të materialeve kritike, të gjitha këto kushtojnë para që mund të ishin përdorur për të rritur pensionet ose për të përmirësuar kujdesin shëndetësor. Në një moment, Xi mund të detyrohet të zgjedhë midis përparësisë për vetëmjaftueshmëri dhe nxitjes së konsumit për të stabilizuar rritjen. Lufta tregtare mund të fitohet, por nuk është e lirë.
Sfida e dytë ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare. Shtatë vjet më parë, Kina kishte frikë se do të shtyhej në qoshe nga SHBA-ja. Sot ajo përballet me një problem të ndryshëm: si të përdorë ndikimin e saj të ri pa bërë që vendet e tjera të ndihen të kërcënuara dhe të kërkojnë strehë tek Amerika. Që Kina po përballet me këtë dilemë, dhe jo më me frikën e një sulmi tregtar amerikan, tregon sa shumë është zhvendosur ekuilibri. Por vetëbesimi i tepruar bart rreziqet e veta./Monitor.al
Komentet