Britania dhe më shumë se 20 vende të tjera bënë thirrje të hënën për një përfundim të menjëhershëm të luftës në Gaza dhe kritikuan modelin e shpërndarjes së ndihmës nga qeveria izraelite, pasi qindra palestinezë u vranë pranë vendeve ku shpërndahej ushqimi.
Franca, Italia, Japonia, Australia, Kanadaja, Danimarka dhe vende të tjera thanë se më shumë se 800 palestinezë janë vrarë, ndërsa kërkonin ndihmë dhe dënuan atë që e quajti “ushqim me pika të ndihmës dhe vrasje çnjerëzore të civilëve”.
Shumica e të vrarëve ishin në afërsi të vendeve të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e mbështetën për të marrë përsipër shpërndarjen e ndihmave në Gaza nga një rrjet i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.
“Modeli i ofrimit të ndihmës nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit paqëndrueshmërinë dhe i privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor”, thanë ministrat e jashtëm të vendeve në një deklaratë të përbashkët.
Deklarata:
Ne, nënshkruesit e listuar më poshtë, bashkohemi me një mesazh të thjeshtë dhe urgjent: lufta në Gaza duhet të përfundojë tani. Vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur në thellësi të reja.
Modeli i dhënies së ndihmës nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit paqëndrueshmërinë dhe i privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor.
Ne dënojmë furnizimin me pika të ndihmës dhe vrasjen çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijët, të cilët kërkojnë të plotësojnë nevojat e tyre më themelore për ujë dhe ushqim. Është e tmerrshme që mbi 800 palestinezë janë vrarë ndërsa kërkojnë ndihmë.
Mohimi i ndihmës thelbësore humanitare nga qeveria izraelite për popullsinë civile është i papranueshëm. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Pengjet e mbajtura mizorisht robër nga Hamasi që nga 7 tetori 2023 vazhdojnë të vuajnë tmerrësisht. Ne dënojmë ndalimin e tyre të vazhdueshëm dhe bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte.
Një armëpushim i negociuar ofron shpresën më të mirë për t’i sjellë ata në shtëpi dhe për t’i dhënë fund agonisë së familjeve të tyre. Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të heqë menjëherë kufizimet në rrjedhën e ndihmës dhe t’u mundësojë urgjentisht OKB-së dhe OJQ-ve humanitare [organizatave joqeveritare] të bëjnë punën e tyre shpëtimtare të jetës në mënyrë të sigurt dhe efektive. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët dhe të zbatojnë detyrimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Propozimet për të zhvendosur popullsinë palestineze në një “qytet humanitar” janë krejtësisht të papranueshme. Zhvendosja e përhershme me forcë është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ne kundërshtojmë fuqimisht çdo hap drejt ndryshimit territorial ose demografik në territoret e pushtuara palestineze.
Plani i vendbanimeve E1 i shpallur nga administrata civile e Izraelit, nëse zbatohet, do ta ndante shtetin palestinez në dy pjesë, duke shënuar një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe duke minuar në mënyrë kritike zgjidhjen me dy shtete.
Ndërkohë, ndërtimi i vendbanimeve në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin lindor, është përshpejtuar, ndërsa dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është rritur ndjeshëm. Kjo duhet të ndalet. Ne i nxisim palët dhe bashkësinë ndërkombëtare të bashkohen në një përpjekje të përbashkët për t’i dhënë fund këtij konflikti të tmerrshëm, nëpërmjet një armëpushimi të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm.
Gjakderdhja e mëtejshme nuk shërben për asnjë qëllim. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për përpjekjet e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit për ta arritur këtë. Jemi të përgatitur të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të mbështetur një armëpushim të menjëhershëm dhe një rrugë politike drejt sigurisë dhe paqes për izraelitët, palestinezët dhe të gjithë rajonin.
Kjo deklaratë është nënshkruar nga: Ministrat e jashtëm të Australisë , Austrisë , Belgjikës , Kanadasë , Danimarkës , Estonisë , Finlandës , Francës , Islandës , Irlandës , Italisë , Japonisë , Letonisë , Lituanisë , Luksemburgut , Holandës , Zelandës së Re , Norvegjisë , Polonisë , Portugalisë , Sllovenisë , Spanjës , Suedisë , Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar . Plus komisioneri i BE-së për barazi, gatishmëri dhe menaxhim krizash.
Thirrja për t’i dhënë fund luftës dhe mënyrës se si Izraeli ofron ndihmë, vjen nga disa vende që janë aleate me Izraelin dhe mbështetësin e tij më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara.
Fondacioni Humanitar i Gazës përdor kompani private amerikane të sigurisë dhe logjistikës për të sjellë furnizime në Gaza, duke anashkaluar kryesisht një sistem të udhëhequr nga OKB-ja që Izraeli pretendon se i ka lejuar militantët e udhëhequr nga Hamasi të plaçkitin dërgesat e ndihmës të destinuara për civilët. Hamasi e mohon akuzën.
OKB-ja e ka quajtur modelin e GHF-së të pasigurt dhe një shkelje të standardeve të paanshmërisë humanitare, gjë që GHF e mohon./ Reuters.