Negociatat mbi garancitë e sigurisë që Ukraina kërkon të marrë nga SHBA dhe Evropa kanë bërë përparim të konsiderueshëm, raporton media amerikane Axios.
Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se administrata e Donald Trump është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës një garanci bazuar në nenin 5 të NATO-s, i cili do të miratohet nga Kongresi dhe do të jetë ligjërisht i detyrueshëm.
“Ne duam t’u japim ukrainasve një garanci sigurie që nuk është një çek i bardhë nga njëra anë, por që është mjaftueshëm e fortë nga ana tjetër. Ne jemi të gatshëm ta hedhim në votim në Kongres”, tha zyrtari amerikan për Axios.
Më herët, presidenti i SHBA theksoi se është bërë shumë përparim drejt zgjidhjes së konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në frontin diplomatik, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të takohet me udhëheqësit evropianë dhe Volodymyr Zelensky në Berlin këtë fundjavë. Ky vendim për të dërguar Witkoff nënvizon përshpejtimin e përpjekjeve të SHBA-së për të arritur një marrëveshje paqeje para fundit të vitit.
Çfarë parashikon neni 5 i NATO-s?
Neni 5 i NATO-s parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar. Panorama