Më 22 shtator 1953 ndërroi jetë juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj. Ai është një nga personalitetet më të ndritura të historisë së arsimit shqiptar dhe një nga figurat më të respektuara të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe viteve të para të shtetit shqiptar të pavarur. Ai la një gjurmë të thellë në historinë e zhvillimit kulturor, arsimor dhe politik të Shqipërisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.
Marash Ivanaj lindi më 1891 në qytetin e Podgoricës, në Malin e Zi, në një familje shqiptare atdhetare nga Malësia. Familja e tij kishte lidhje të forta me lëvizjet patriotike dhe ishte e njohur për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Pasi përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm, ai vazhdoi studimet e larta në Itali, në Universitetin e Napolit, ku u diplomua për filozofi dhe jurisprudencë. Gjatë qëndrimit të tij në Itali, Ivanaj u njoh nga afër me idetë progresiste evropiane dhe me konceptin e shtetit modern, çka do të ndikonte më vonë thellësisht në punën e tij si reformator.
STUDIMET
Studimet i kreu në Itali nga ku kthehet në Shqipëri me dy doktorata të kryera, një në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë. Kur kthehet në Shqipëri përfshihet në fushën arsimore dhe të publicistikës. Rreth vitit 1932 ai bëhet pjesë e politikës dhe jetës parlamentare, ku kryesisht merret me çështjet e arsimit. Projektligji i 11 prillit 1933 do të quhej si reforma “Ivanaj” dhe do të sulmohej jo vetëm në shtypin e kohës por edhe në arenën ndërkombëtare ku do të bëhej subjekt gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, pasi reforma solli mbylljen e të gjitha shkollave fetare në vend.
Pas dorëheqjes së tij nga posti i ministrit, Ivanaj vazhdoi të kontribuonte në fushën e arsimit dhe publicistikës. Ai ishte një njeri me integritet të lartë moral dhe nuk iu nënshtrua asnjëherë trysnive politike. Me ardhjen e pushtimit fashist në vitin 1939, ai refuzoi të bashkëpunonte me regjimin okupator dhe u tërhoq nga jeta publike. Pushtimi italian do të sillte largimin e tij nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme dhe rikthimin e tij në 1945 pas garancisë së qeverisë së re se karshi tij nuk ka proces gjyqësor të hapur. Në shtator të vitit 1934 paraqiti ligjin e ri për arsimin, duke e bërë 5- vjeçaren fillore arsim të detyruar. Krijoi gjithashtu institute edukuese dytësore të ndryshme.
“Ligji i Arsimit”, ose siç u be i njohur si “Ligji Ivanaj” ishte ligji më i rëndësishëm e më i plotë i periudhës se qeverise Evangjeli. Qëllimi i reformës së ministrit Ivanaj ishte që shkolla shqipe të kishte karakteristikat dhe fizionominë e saj, të ishte laike, shtetërore, kombëtare e demokratike, me tekste bashkëkohore të ngjashme me shkollat e perëndimit dhe të edukonte e orientonte në atë drejtim brezin e ri. Këto ide kërkoi të sanksionoheshin me ligj dhe në shumë raste ia arriti qëllimit edhe për shtetëzimin e shkollave private, veçanërisht ato italiane dhe greke. “…Shkolla jonë, duhet të japë edukatë qytetare e laike, sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lirë, me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor…”.
(Ky fragment i shkurtër është shkëputur nga fjala e mbajtur prej Mirash Ivanajt, si ministër i Arsimit kombëtar, në Parlamentin shqiptar, më 10 prill 1933). Më 30 gusht 1935 dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi Gjykata e Hagës detyroi qeverinë shqiptare që të moderonte politikat e saj ndaj shkollave minoritare. Emërohet kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i mbretit Zog deri më 7 prill 1939. U largua nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 1939 duke refuzuar pushtimin fashist të vendit. Kthehet në Shqipëri në tetor 1945 i kërkuar edhe nga Gjergj Kokoshi dhe i bindur që nuk kishte asnjë mëkat mbi shpinë.
PËRBALLJA ME REGJIMIN
Pas Luftës së Dytë Botërore, kur në pushtet erdhën komunistët, Ivanaj tentoi të kontribuonte sërish në rindërtimin e arsimit, por u përjashtua për shkak të bindjeve të tij demokratike dhe për shkak të lidhjeve me periudhën e mëparshme monarkiste. Më vonë, ai u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti një pjesë të jetës së tij në kushte të vështira. Emri i tij si pjesë e listës intelektuale do të përfshihej shumë shpejt në listat e sigurimit të kohës nga ku “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947. Ai u akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpunëtor i angloamerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, ai humbi jetën në burg. Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të Mirash Ivanajt. Një ditë, në shtëpinë e vuajtjeve, sipas kujtimeve të Jakov Miles, erdhi Mehmet Shehu me Bedri Spahiun.
Në dhomën e përkthimeve, takuan edhe Mirash Ivanajn. Plaku me respekt u ngrit në këmbë: “Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua”, – i tha Bedri Spahiu, asokohe ministër i Arsimit. “Jo pikëpamjet, por bindjet e mia – e korrigjoi Mirashi – t’ju them të drejtën: asnjë nuk kam ndryshuar”. “Atëherë nuk qenke tjetër veçse një plak matuf”, – iu shfry Mehmet Shehu.
“Jam nji mendimtar dhe nji demokrat që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë”. Disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar. Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, mbylli sytë për jetë. U shua në Spitalin e Tiranës, pas një ndërhyrjeje të thjeshte kirurgjikale, në moshën 62-vjeçare. Ishlaboranti i spitalit Enis Boletini, ka rrëfyer kohë më parë në spital u mor vesh që trupi i Mirash Ivanajt, gjendej në auditorët e Anatomisë të Fakultetit të Mjekësisë, për eksperiment e demonstrim mësimor. Për ironinë tragjike të fatit ai i shërbeu arsimit shqiptar edhe i vdekur. Dhjetë vjet më pas më 1963-in, trupin e ish-ministrit të Arsimit, Mirash Ivanaj, e gjetën të hedhur në gropë pa emër, pa arkivol, përmbys me fytyrë përdhe, si një të burgosur, të cilin e dënojnë përsëri pas vdekjes. Të afërmit e tij e nxorën nga vendi ku e kishin hedhur për ta varrosur njerëzisht në varrezat e Sharrës, e gjetën të hedhur në gropë pa emër, pa arkivol, përmbys me fytyrë përdhe, si një të burgosur, të cilin e dënojnë përsëri pas vdekjes.
REFORMATORI
Vetëm pas rënies së komunizmit, figura e tij u rivlerësua si një nga personalitetet më të ndritura të kombit shqiptar. Sot ai përkujtohet me respekt të thellë për vizionin e tij për një arsim të unifikuar, kombëtar dhe laik. Emri i tij mban një nga gjimnazet më të njohura të Tiranës, gjimnazi “Marash Ivanaj” dhe figura e tij studiohet në tekstet shkollore dhe në historinë e arsimit shqiptar. Marash Ivanaj ishte më shumë se një ministër arsimi; ai ishte një idealist, një reformator dhe një atdhetar i përkushtuar që sakrifikoi gjithçka për të mirën e vendit. Kontributi i tij në ndërtimin e themeleve të arsimit shqiptar është i pashlyeshëm dhe vizioni i tij për një Shqipëri të arsimuar dhe të përparuar mbetet frymëzues edhe sot.
Në një kohë kur Shqipëria përballej me shumë sfida identitare dhe zhvillimore, Ivanaj dha shembullin e intelektualit që nuk u tremb nga presionet, që nuk iu nënshtrua interesave të ngushta dhe që punoi me përkushtim për të ardhmen e kombit. Prandaj, ai meriton të kujtohet jo vetëm si një figurë historike, por si një model për brezat e rinj.
/Gazeta Panorama