Alice dhe Ellen Kessler, ikonat e skenës gjermane dhe europiane, kanë ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, dy motrat kanë zgjedhur vetëvrasjen e asistuar, një praktikë e lejuar ligjërisht në Gjermani në rrethana të caktuara.

Trupat e tyre u gjetën në banesën ku jetonin prej vitesh në Grunëvald, pranë Mynihut, në dy apartamente ngjitur, të ndara vetëm me një mur lëvizës. Policia u njoftua pasi ato kishin ndërruar jetë; hetimet paraprake kanë përjashtuar çdo përgjegjësi të personave të tretë. Sipas Bild, binjaket kishin lënë në testament dëshirën që pas kremimit hiri i tyre të vendosej në të njëjtën urnë.
Nga Saksonia në skenat botërore
E lindura në vitin 1936 në Nerchau të Saksonisë, pranë Lajpcigut, Alice dhe Ellen Kessler nisën që fëmijë karrierën e tyre në baletin e Operës. Në vitin 1952, vetëm 16-vjeçare, u larguan nga Republika Demokratike Gjermane dhe u vendosën në Gjermaninë Perëndimore, në Dyseldorf, hapi që do të shënonte fillimin e një karriere ndërkombëtare me artistë të kalibrit të Frank Sinatra dhe Fred Astaire.

Në Itali, do të bëheshin të famshme falë këmbëve të tyre të gjata, aq sa u quajtën “këmbët e kombit”, dhe performancave që i shndërruan në mite televizive. Në vitet ’60 triumfuan në skenat e Studio Uno me Minën, në spektaklet e Don Lurio-s, në Giardino d’inverno, më pas në Carosello, Milleluci dhe Canzonissima, materiale që sot vijojnë të jenë ndër videot më të shikuara në YouTube.

Karriera e tyre shtrihej nga baleti te muzika, nga televizioni te kinemaja, ku luajtën për Dino Risin në Il giovedì dhe me Alberto Sordin në I complessi. Në moshën 40-vjeçare u shfaqën edhe në kopertinën e Playboy, duke u bërë ikona të një epoke që ndryshoi televizionin europian.
Në një intervistë dhënë vite më vonë agjencisë ANSA, ato kujtonin me mall bashkëpunimet me Minën, Raimondo Vianello-n dhe Johnny Dorelli-n, duke e cilësuar këtë të fundit si “më të afërtin me stilin tonë amerikan”.
Një jetë në unison, dhe një fund po aq i pandashëm
Ashtu siç jetuan gjithë jetën, në skenë, në ekran dhe në kujtesën kolektive, Alice dhe Ellen Kessler u ndanë nga jeta së bashku. Figura të kulturës pop europiane, binjaket mbeten një simbol i epokës së artë të televizionit gjerman e italian.Pamfleti