Një diskurs politik është përndezur si rrallëherë!
Kampet, tashmë, janë të njohura: qeveria m’një anë dhe, përballë, flegrat opozitare me shpurën e tyre mediale.
Por nëse kampet janë po ato, të vjetra sa dhe thellësia e tyre, një teh i mprehtë i ndan jetikisht.
I pari, anise nuk është gjithçka në dorën e tij, përpiqet të fuqizojë ledhet e shtetit matanë të cilit kërcëllet dhëmbët e prishur Serbia e dytë e Sllobodanit.
I dyti, ndërkaq, pret sehirshëm e fërkon duart. Një gëzim negativ, i lig dhe, i tillë, krejt fajtor pllakosë shpirtin e tij politik: presin disfatën e “targave”!
S’prish aspak punë që disfata e “targave” poentifikohet disfatë e Shtetit dhe Republikës!
E shtetit, pra, sepse cënohet ose paragjykohet keq aftësia shteformuese dhe errësohet udha drejt subjektivitetit ndërkombëtar të tij.
Dhe Republikës, sepse ligjet pozitive e, poaq, morali kombëtar ndalojnë, kudo botës së lirë, aninim e fshehtë a publik, madje njëshbërjen me armikun kujdestar të saj!
Ai nuk bëjnë medialistët, disa prej tyre, zëdhënësin e Dedinjes?
Përtej akoma, marrin përsipër, një Zot e di për ç’llogari, t’i mësojnë Vuçiqit dobësitë e palës shqiptare: planet, fuqinë, kufizimet, plasaritjet në oborr, frontin e dëshirimit fatkeq apo numrin e Ballabanëve dhe idhtësinë e tyre..!
Qentë lehin ku hanë, thotë një fjalë lapidare e popullit.
Por ja që, kohët, këto kohët tona shqiptare, e kanë moderuar atë: tani hanë në shtëpi e lehin në fqinjësi!
Por shtetësia e Kosovës, kryerja e saj, është e pakthim.
Për interesin e shqiptarëve dhe mërzinë e të tjerëve: armiq të huaj a sytë e tyre të ujshëm mes nesh që nuk do shitojnë më kurrë!
Komentet