TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
