Ja një fjalë e shënjtë, për kuptimin që ka e, si vepër, shumë herë shpëtimtare kombesh. E ka krijuar nevoja e të dobëtit për t’i bërë ballë padrejtësisë së të fortit a një pune që kërkon më shumë fuqi. “Bashkimi bën forcën” ka thënë i urti. Duket si një formulë banale për konceptin e saj fare të thjeshtë, të njohur e të zbatuar që nga kohrat e fiset më primitive gjer te popujt më të qytetëruar.
Vetëm Perëndia s’ka nevojë për ndihmën e kujt, se është i gjithfuqishëm ; njeriu ka, sado i fuqishëm të jetë. Njeriu ka nevojë për ndihmë si individ, kundër një tjetri më të fortë, ashtu edhe si pjestar i një shoqërije kundër një tjetre më të madhe e më të fuqishme. “Dy mace mbytin një ujk” thotë një proverb i yni. Dhe kjo nevojë është e shojshoqme : siç ka nevojë një më i dobët për një tjetër më të fortë, ashtu nganjëherë ka nevojë dhe ky i dyti për të parin. Sa më shumë forca të bëhen bashkë aq më e madhe bëhet shuma e tyre, që do të thotë forca e të gjithëve dhe, njëkohësisht, e secilit. Ja, ky është bashkimi.
Po njeriu është i çuditshëm : gjërat që harron më dëndur janë ato që ka përpara syvet. Ku ka njeri a grup njerëzish në botë që të mos e ketë provuar pamjaftësin’e fuqisë së tij në shumë rasje të jetës ? Në botën e qytetëruar e shohim bashkimin në formë organizatash të gjithëfarëshme, që nga qelëza familjare e gjer te kombi, në të tëra sheshet e veprimtarisë njerëzore : organizata të lira ndër popujt e lirë, të detyrueshme e me një disiplinë të hekurtë ndën diktaturat, sidomos komuniste.
Mirpo, or i dashuri këndonjës, bashkimi që është kurdoherë i dobishëm e nganjëherë i domosdoshëm e shpëtimtar, ka një armik të tmerrshëm, i cili është lindur bashkë me njerinë dhe qëndron mu në shpirtin e tij : e ka emrin egoizëm e do të thotë “unë e askush tjetër” apo, një çikë më e lehtë, “ më parë unë e pastaj të tjerët”! Egoizma është vetë djalli. Kur ka zënë vënt në një shpirt të dobët, e bën njerinë skllav dhe e shpie nga të donjë e ku të donjë. E natyrisht kurdoherë ndër të liga. Shpirti i fortë lufton me të, përpiqet t’a dëbonjë e të qëndronjë i lirë.
Në çdo rasje, egoizma kërkon të të bindnjë se si ti s’ka tjetër njeri, ti je i aftë e i zoti për çdo gjë, ty t’është ngrënë e drejta : edhe sikur vetëm një analfabet, punëtor i thjeshtë në qofsh, ajo do të t’a mbushë mëndjen se ti ke aqë zotësí sa të rregullosh punët e tërë një fabrike, t’urdhërosh n’ushtrí tërë një batalion e makar të bëhesh dhe gjeneral e, më në funt, pse të mos març në dorë frerët e qeverisë, frerët e Shtetit e të bëhesh i parë i kombit, siç të përket e të ka hie ! Kësaj i thonë ambicje është e bija e egoizmës. Pa merre me mënt pastaj, nëse ti je dhe intelektual, d.m.th., siç pandehet ndër ne, nëse ti di dhe të këndosh e të shkruash ! Mos pyet : historija është plot me shëmbulla njerëzish të famshëm, gjenerala, shtetista, mbretër, perandorë që s’kanë parë shkollë me sy. Dhe djalli i njeh këta të tërë për t’i a futur ndër mënt egoistit. Kështu të flet djalli – egoizëm, e të flet me aqë talent, di t’i radhosë aqë bukur fjalët, që po s’pate një shpirt të përgatitur prej natyre e prej edukate, të duket se është duke folë vetë Perëndija dhe fjalët të tingëllojnë në vesh me një melodí qiellore. Duhet ay shpirti që thamë për t’a lipsur djallin me fjalët e Krishtit : “vade retro satana !”. Ndryshe të ka bërë për vehte.
Nëse ti je aqë “modest” apo i pakurajë për ndërmarrje tepër ambicjoze, egoizma do të të zërë nga një tjetër damar. Se mos të shikoi vallë një çikë shtrëmbër ndokush që ti e di dhe e ke pranuar se për ca gjëra, të pakën për ca, është përmbi ty ? Egoizma, gati e plot zell për të mbrojtur “dinjitetin t’ënd personal”, menjëherë ka për t’u revoltuar : “Uah ! po ç’e pandeh vehten ay qën – bir – qëni ? E ç’na pandeh neve të tjerët ?”.
Manovrat e djallit – egoizëm, për të na skllavëruar e degjeneruar, s’kanë të sosur as për numur, as për llojë dhe as për mjeshtrí. Ne dhamë këtu nja dy shëmbëlla të vogla dhe nga më të zakonshimet ndër ne Shqiptarët. Dhe ç’bëhet pastaj bashkimi ndër kondita individuale dhe ultra-individuale të këtilla? Ne këtu na intereson vetëm vehtja jonë, d.m.th. populli shqiptar përgjithësisht, po direkt e veçanë emigrata shqiptare që rron në botën e lirë. Pra ç’bëhet, thamë, bashkimi po të mos kemi mjaft forcë shpirtërore për t’i dhënë dërmën egoizmës me tërë bijat e tmerrshme të saja ? Bashkimi, bashkim i vullnetshëm, i lirë e i sinqertë ka për bazë një farë tolerance reciproke dhe pranimin spontan të një farë gjerarkije kapacitetesh që egoizma i fshin nga zëmra e nga mëndja dhe kall në vënt të tyre mërinë, nakarin e përbuzjen. Prandaj, për t’u bashkuar, më parë nga çdo gjë tjetër neve na duhet një kurë morale.
Kjo fletore, që u themelua me kryefjalën programore të bashkimit shqiptar në mërgim, s’ka ndonjë formulë magjike për këtë kurë e për masa të tjera që munt t’i ndihmojnë qëllimit. Vetëm se s’ka asnjë dyshim që një patriotizëm e vërtetë, e kthiellët, pa kleçka, pa prapamendime, ësht’e zonja t’a bënjë bashkimin, t’a prodhonjë këtë mrekulli për ne. Vetëm në fuqin’e këtij virtuti e kemi na shpresën te patriotizma e çdo Shqiptari të kësaj emigrate tragjike. Sepse këtë virtut na s’i a mohojmë pëgjithësisht asnjë Shqiptari. Dhe mu mbi të e pështet kjo fletore besimin e saj për një paqësim zëmrash e ashtu për një bashkim apo, t’a quajmë makar bashkëpunim vëllazëror mes gjithë Shqiptarëve të mërgimit. Sido qoftë, për t’i shërbyer me mish e me shpirt këtij qëllimi të lartë, na po i përvishemi punës me atë besim. S’ka asgjë tjetër që na shtyn e na jep kurajë në kët’udhë veç ndjenjës patriotike. S’kemi asnjë paragjykim për askënd. Njerzit e grupet politike na interesojnë aqë sa mund të jenë të dobishëm apo të dëmshëm për çështjen kombëtare, në rradhë të parë për çështjen e veçantë të bashkimit. Nuk duam të zëmërojmë askënd, se dëshira jonë, përkundrazi, është që të zbutim dhe jo t’ashprojmë zëmra. Do t’u jemi mirënjohës jo vetëm atyre që do të duan të na ndihmojnë me argumentet e tyre në favor t’idesë së bashkimit, po edhe kundrështarëve të ksaj ideje apo të metodave t’ona për realizimin e saj. Na nuk duam të polemizojmë, po duam të diskutojmë vetëm. Është një temë kjo e bashkimit, rreth së cilës çdo Shqiptar ka të drejtë, madje dhe detyrë, t’a thotë një fjalë.
Komentet