NGA VALENTINA MADANI/ Pasi SPAK “hyri” në tunelin e Llogarasë dhe gjeti prova për abuzime me paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërtoi akuzat mbi të cilat mori të pandehur ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Por, ndonëse e pandehur, daljet publike të ministres nga shumëkush u panë si sfidë ndaj opinionit publik e jo një shenjë reflektimi. Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, kjo sjellje tregon mungesë përgjegjësie politike dhe se pas akuzave të SPAKut. Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë për gazetën “Panorama” se, “dorëheqja është një hap dinjitoz për t’u përballur me ligjin si qytetar i zakonshëm dhe jo i veshur me mantelin e pushtetarit dhe me mundësinë që të jep pushteti për të prishur provat.
Ai përmend se në çdo demokraci funksionale, transparenca dhe ndarja e përgjegjësive janë themeli i besimit publik, ndërsa në Shqipëri shpeshherë partia dhe qeveria kthehen në “strehën e fundit të maskarenjve politikë”.
Z.Preçi flet për raportin e brishtë të politikës shqiptare me drejtësinë, për rrezikun e “kapjes së shtetit” dhe për domosdoshmërinë që qytetarët të rrisin kërkesën për llogaridhënie ndaj të zgjedhurve e të emëruarve të pushtetit. Zef Preçi u bën thirrje qytetarëve që të dalin nga llogoret e rrjeteve sociale dhe të rritin kërkesën e llogarisë ndaj pushtetarëve.
Z.Preçi, qeveria ka miratuar projektbuxhetin 2026 dhe dokumenti pritet të kalojë së shpejti në Parlament. A mendoni se buxheti i shtetit është kthyer në një mjet politik për të financuar klientelën e pushtetit dhe jo atë të interesit publik?
Buxheti në thelb reflekton materializimin e politikave të qeverisë, përparësitë zhvillimore që ajo mbështet, klasën shoqërore që përfiton, segmentet e biznesit që ofrojnë mallra dhe shërbime e për rrjedhojë, rriten në mjedisin ekonomik të vendit etj.. Nëse qeveria ndjek procedurat e parashikuara në kuadrin kushtetues të vendit duke vepruar në mënyrën transparente dhe duke respektuar garën, ekonomia prosperon dhe zhvillohet në përputhje me vullnetin e shprehur të votuesve.
Por kur këta të fundit blihen, dhunohen, mashtrohen, shesin votën etj., në vend rritet varfëria, ndërsa bizneset jo vetëm që nuk rriten për të kaluar nga i vogël në të mesëm dhe nga biznes i mesëm në biznes të madh, duke çelur vende të reja pune, duke importuar teknologji etj., por nxitojnë të bashkëjetojnë me elitën politike drejtuese të vendit, bashkëjetesë që shkatërron garën, nxit krijimin e bizneseve, që bazohen tërësisht në kontratat qeveritare dhe në shfrytëzimin grabitqar të burimeve natyrore të vendit, etj., të cilët në opinionin vendas njihen si oligarkët etj..
Për një numër shkaqesh të lidhura kryesisht me përdorimin e çdo mjeti të mundshëm për zgjatjen e qeverisjes dhe marrjen e mandateve të njëpasnjëshme nga maxhoranca aktuale, duket se buxheti i shtetit më përpara se gjithçka tjetër është mjeti politik për realizimin e këtij qëllimi.
Është pikërisht për këtë arsye që edhe segmente të komunitetit të biznesit, në simbiozë me pushtetin, synojnë të realizojë qëllimet e veta që shprehen në ligje të porositura apo në ligje të tjera me efekte negative në të mirën e përbashkët, siç është së fundi edhe falja e detyrimeve fiskale prej rreth 1 miliard eurosh për periudhën 2014-‘24. Në fakt, përvoja botërore tregon se politika të tilla ndiqen shumë rrallë, janë gjerësisht të argumentuara dhe nuk ndërmerren sa herë që segmentet e biznesit kliente të qeverisë dhe oligarkia mbërrijnë marrëveshje me elitën politike drejtuese të vendit në dëm të buxhetit të shtetit si në rastin tonë.
A është i tillë edhe abuzimi me tunelin e Llogarasë? Si e lexoni dosjen “Balluku”? A kemi të bëjmë me një rast individual korrupsioni, apo me një sistem të ngritur që prek nivelet e larta të qeverisjes?
Për shumicën e atyre që ndjekin në vijimësi zhvillimet kryesore të dekadës së fundit në Shqipëri, histori të tilla nuk përbëjnë më lajm. Kjo sepse historia e penetrimit të kapitalit të huaj në ekonominë tonë kombëtare, që në kohët moderne i quajmë investime të huaja, lidhet kryesisht me blerjen, korruptimin, intimidimin dhe detyrimin për t’i shërbyer pa kushte të elitës politike drejtuese të vendit, me përdorimin e fuqisë së pushtetit për të zgjatur qeverisjen, për të bërë “para të lehta” dhe shumë më pak me zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, që rregullon praninë e këtyre investimeve. Për këtë mjafton të shihni se si përcaktohet klima e biznesit në vendin tonë në vijimësi dhe kryesisht zbatueshmërinë e ligjeve nga agjencitë e huaja të vlerësimit, duke përfshirë edhe DASH.
Thënë ndryshe, që një investitor i huaj të bëjë biznes në Shqipëri, duhet që të gjejë “kontaktet e duhura”, kontakte që në vartësi me rëndësinë e sektorit apo me madhësinë e kapitalit që do të investojë shkojnë nga një kryetar bashkie te kreu i qeverisë. Për rrjedhojë, janë këta të fundit që për interesa korruptive të vetat apo të lobeve të biznesit të lidhura me ta, “diktojnë” partnerët vendas dhe kushtet e tjera të investimit duke iu larguar kështu mbrojtjes së interesit publik. Këtu gjendet shpjegimi se përse në shumicën e rasteve kompani të panjohura apo të dyshimta rriten nën mbështetjen e politikanëve të caktuar dhe si rregull, bien bashkë me ta; se përse kontratat shtetërore, psh., ato koncesionare, në mjaft raste janë të njëanshme dhe vendosin palën e huaj në një pozitë më të favorshme; se përse shteti shqiptar ka humbur thuajse të gjithë kontestimet me arbitrazhet ndërkombëtare etj..
Mbas këtij shpjegimi besoj se është e qartë që historia e aferës së dyshuar të tunelit të Llogarasë, e simotrës së saj – aeroportit të Vlorës, apo edhe e shumë historive të ngjashme me to në lidhje me koncesionet qeveritare të dy dekadave të fundit e me investitorët “strategjike” tashmë të njohura nga publiku nuk janë gjë tjetër veçse afera të dyshuara korruptive, vendimmarrje klienteliste, mundësi pasurimi të paligjshëm, përndryshe cenim serioz i interesave publike.
Kjo nuk e shfajëson assesi znj.B.Balluku dhe cilindo politikan, nëpunës apo zyrtar të përfshirë në ideimin dhe mundësimin e kryerjes së këtij investimi që përveç mosrespektimit të kuadrit ligjor për buxhetimin, projektimin, mbikëqyrjen, licencimin, marrjen në dorëzim të veprës publike etj., duket se ka sjellë si pasojë vjedhjen e një shume të konsiderueshme prej disa dhjetëra miliona eurosh nga taksat e qytetarëve shqiptare. Thënë ndryshe ka dyshime të bazuara për korrupsion politik dhe interesa okulte financiare, që fillimisht kanë mundësuar eliminimin e garës për ndërtimin e tunelit si një vepër publike me të gjitha pasojat e njohura dhe të panjohura të kësaj afere.
Si i shihni daljet publike, edhe pse ministrja Balluku është marrë si e pandehur nga SPAK? A duhet të përballet me drejtësinë pa fuqinë e pushtetit?
Unë personalisht respektoj dhe mbroj fuqimisht parimin ligjor të prezumimi të pafajësisë. Kjo do të thotë që çdo person i akuzuar, duke përfshirë edhe znj. B. Balluku në funksionin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të konsiderohet e pafajshme derisa SPAK të provojë fajësinë e saj përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kjo do të thotë që barra e provës i takon tërësisht Prokurorisë Speciale dhe po kështu edhe cilado palë tjetër e interesuar siç është masmedia, shoqëria civile etj., duhet të ketë durimin dhe mirësinë të mos përfshihet në gjyqe popullore që komprometojnë procesin në fjalë.
Në këtë këndvështrim, edhe daljet publike të politikanes në fjalë pas marrjes si e pandehur nga SPAK duken të sforcuara, tingëllojnë si një sfidë e hapur ndaj ndjeshmërisë së opinionit publik dhe si një tentativë e hapur për t’iu shmangur përgjegjësive, përgjegjësi e cila normalisht fillon me largimin nga posti, mirë është me dorëheqje vullnetare nga ana e saj, jo domosdoshmërish, ose me shkarkimin nga kryeministri e Kuvendi dhe me përballjen dinjitoze me akuzën në GJKKO. Dorëheqja është akt personal përgjegjshmërie e individit me pushtet, hap dinjitoz për t’u përballur me ligjin si qytetar i zakonshëm dhe jo i veshur me mantelin e pushtetarit dhe me mundësinë që të jep pushteti për të prishur provat. Përndryshe vlen shprehja se streha e fundit e maskarenjve politike është partia, qeveria, bashkia…
Çfarëdo opsioni tjetër siç mund të jetë përpjekja për politizimin e kësaj afere, fshehja mbas mbrojtjes së 83 “Diellave” të Kuvendit nuk bën gjë tjetër veçse zgjat debatin pa kuptim, nxit çorientimin e opinionit publik dhe cenon rëndë besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, duke filluar me drejtësinë e reformuar. Në fakt, në çdo vend tjetër, më shumë se opozita politike, do të ishte vetë politikani i akuzuar dhe maxhoranca ku bën pjesë të interesuar për qartësimin përmes mocionit me debat në Parlament të situatës dhe distancimin publik ndaj çfarëdo dyshimi.
Një fjalë e vjetër e popullit tonë thotë se “kush fsheh, shfaq më mirë” – uroj të mos jetë ky rasti. Kjo ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, me transparencën ndaj taksapaguesve e votuesve dhe jo me fatin politik personal të këtij apo atij politikani, që në të vërtetë është shumë më pak i rëndësishëm përballë nevojës ulëritëse për llogaridhënie kur bëhet fjalë për taksat e qytetarëve të vendit dhe pasuritë e tij.
Çfarë keni parasysh kur thoni se “është koha për zgjim qytetar dhe përgjegjësi individuale e institucionale”?
Në shumë analiza dhe studime tonat është evidencuar qartë që pavarësisht qëndrueshmërisë numerike të maxhorancës qeverisëse nga njëri mandat në tjetrin, pjesëmarrja qytetare në qeverisje mbetet problematike, llogaridhënia institucionale është zëvendësuar nga arroganca qeverisëse, kurse konkurrenca apo gara në prokurimet publike, emërimet në administratën shtetërore etj., është tkurrur dukshëm e zëvendësuar nga vendimmarrje të llojit ‘5D” (afera e hetuar në Bashkinë e Tiranës ku drejtuesit kryesorë të emëruar politikisht krijojnë kompani biznesi dhe devijojnë shuma të konsiderueshme fondesh publike drejt tyre duke siguruar fitime të pamerituara, duke ushqyer korrupsionin politik, duke cenuar parimin e garës si parimin bazë e ekonomisë së tregut).
Në këtë këndvështrim, si dhe duke marrë parasysh problemet e lidershipit të opozitës, fragmentimin e shoqërisë civile dhe të biznesit në tërësi, mendoj se sot, më shumë se kurrë, është koha për zgjim qytetar dhe përgjegjësi individuale e institucionale. Dmth., sipas meje, njerëzit duhet të dalin nga llogoret e rrjeteve sociale, të rritin kërkesën e llogarisë ndaj të zgjedhurve dhe të emëruarve në menaxhimin e fateve të përbashkëta, secili duhet të kuptojë se braktisja e vendit nuk është alternativa më e mirë dhe se demokracia nuk është problem i ambasadorëve apo BE-së përpara se të jetë problem i qytetarëve dhe familjeve shqiptare.
A mund të thuhet se tenderat e Ministrisë së Infrastrukturës kanë qenë pjesë e një skeme sistematike klienteliste?
Nga studimi i problematikave të qeverisjes dhe politikave antikorrupsion që janë ndërmarrë gjatë çerek shekullit të fundit në vendin tonë kam, krijuar bindjen se ryshfeti – forma e korrupsionit të trashëguar nga regjimi komunist për shkak të burimeve të kufizuara është zëvendësuar gjerësisht nga korrupsioni i lidhur me vendimmarrjet në fushën e prokurimeve publike, dhënien e lejeve e licencave të ndryshme në procesin e liberalizimit të tregjeve dhe gjatë dekadës së fundit edhe nga “kapja e shtetit” e shprehur në vënien e procesit vendimmarrës dhe ligjbërës në shërbim të interesave financiare të një grushti biznesmenësh, që rëndom njihen edhe si oligarkë dhe penetrimi me ekonominë reale duke përfshirë edhe veprat publike të parave të pista me të gjithë pasojat që sjell ky fenomen.
Forma më e dukshme janë “ligjet e porositura”, dmth., të ligjeve të ndërmarra posaçërisht për të garantuar këto interesa, duke cenuar interesat publike e duke vështirësuar njëkohësisht edhe veprimtarinë e agjencive shtetërore audituese e ligjzbatuese si psh., të KLSH, SPAK-ut etj. Unë nuk mund të flas me kompetencë për tenderat e shumtë dhe në vlera prej dhjetëra e qindra milionë euro të dikasterit të drejtuar nga znj.B.Balluku, por fakti që një numër drejtuesish të lartë, që kanë ideuar projektet, përzgjedhur kompanitë, mbikëqyrur punimet e marrë me dorëzim veprat apo ndërtimet publike me këto fonde janë në dyert e drejtësisë si psh., të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Autoritetit Portual të Durrësit, etj. të çon në përfundimin se emërimet në poste të tilla thjesht mbi baza të besimit personal dhe nepotizmit partiak janë tërësisht të gabuara dhe nuk mund të justifikohen me “mollët e dardhat” e ngrëna gjoja prapa krahëve të shefave politike të tyre.
Madje, as falënderimet paneregjike të patronazhistëve nga z.Rama nuk mund të fshehin faktin se koha kur gjenden bedela (ata që shkonin në vend të një tjetri në ushtri ose në punë të detyruar kundrejt një pagese) për të vuajtur dënimin për llogari të shefave politike është drejt fundit dhe madje, as rritja e pajustifikueshme e pagave të punës në sektorin publik nuk mund të joshë pafundësisht për angazhim në postet administrative atë pjesë të shoqërisë me integritet të munguar, arrivistët dhe që në këmbim të pasurimit të shpejtë personal janë të gatshëm të sakrifikojnë në burg disa vite të jetës edhe për llogari të shefave politike.
Kush mban përgjegjësi kur tenderat abuzivë kalojnë filtrat ligjorë të ministrisë, administratës apo institucionet e mbikëqyrjes?
Pavarësisht notave pozitive që qeveria e z.Rama ka marrë dhe po merr në vijimësi në procesin e përshtatjes se kuadrit ligjor të vendit me ato të BE-së, problem kryesor në vendin tonë është moszbatimi si duhet i kuadrit ligjor dhe institucional në fuqi. Thënë ndryshe, nuk mjafton që të kemi ligje të mira thjesht të përkthyera në gjuhën shqipe, por nevojiten edhe kapacitete institucionale për zbatimin e tyre. E këtu vijmë te problemet serioze të administratës publike që vijon të mbetet e rekrutuar mbi baza klanore e nepotike, gjerësisht e politizuar, e kontrolluar me dorë të hekurt politikisht, pa një mbrojtje solide që të mund të angazhohet në mbrojtje të interesit publik.
Të jemi të qartë, përpjekjet e lobeve të biznesit dhe krimit të organizuar për të vënë nën kontrollin e vet bëhen në çdo vend, edhe në vendet me demokratike të botës. Por ndryshimi është se ndërsa atje ka një ndarje të qartë pushtetesh ndërmjet gjymtyrëve të shtetit, dhe një ndarje dhe bashkëpunim të përgjegjshëm institucional ndërmjet agjencive shtetërore, në vendin tonë nuk ndodh kështu. Nuk është vështirë për të konstatuar përqendrimin de facto të ushtrimit të pushtetit në duart e Kryeministrit Rama dhe të një grushti njerëzish të mandatuar prej tij, pavarësisht kufizimeve të kapacitetit, integritetit, ekspertizës dhe përgjegjshmërisë që shumë prej tyre i gëzojnë.
Kjo ndodh pavarësisht parashikimeve kushtetuese dhe madje, duke injoruar edhe rolin e Kuvendit, i cili sidomos gjatë viteve të fundit nuk ka asnjë kontroll mbi qeverinë dhe po tenton të rrisë fuqinë kontrolluese edhe të kësaj të fundit mbi drejtësinë dhe institucionet kushtetuese apo të krijuara me ligj të veçantë, pavarësisht se ky institucion zotëron të gjitha instrumentet e ushtrimit të këtij roli, të cilët janë përcaktuar në Kushtetutën e vendit dhe në Rregulloren e Kuvendit. Pas këtij shpjegimi bëhet e qartë se përse përgjegjësia mbetet “pa autor” edhe kur parashikimet ligjore janë të qarta, kur procedurat ndiqen formalisht apo edhe anashkalohen etj.
Mjafton të sjell si shembull, nëse qeveria do të ishte konsultuar në kohë me Autoritetin e Konkurrencës – agjencinë shtetërore antimonopol, përpara dhënies së autorizimeve për kontratat publike të Partneritetit Publik-Privat për koncesionet në shëndetësi apo për inceneratorët; për përfshirjen e sektorit privat në shërbimin spitalor të vendit dhe kontratat përkatëse të ratifikuara në Kuvend që në thelb krijuan situatë monopolistike dhe oligopolistike në tregjet përkatëse etj., do të ishin kursyer qindra miliona euro nga taksat dhe nga xhepat e popullsisë. Por kjo do të kërkonte që edhe institucionet të përmbushin rolin e vet sipas ligjit dhe jo të shndërrohen si “refiugum pecatorum” (streha mëkatarësh) për politikanë të dështuar dhe të korruptuar.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i takon detyrimit ligjor të institucioneve shpenzuese të fondeve publike dhe administruese të burimeve natyrore të vendit për të respektuar rekomandimet profesionale të auditit të jashtëm (KLSH) dhe po të tentohet të krijohet një front i gjerë politik anti-SPAK që fillon me bashkëpunimin e pamjaftueshëm të agjencive përgjegjëse si LDKPI, administratës tatimore e doganore, policisë së shtetit, etj., dhe përfundon me kërcënimet e shprehura në masmedia, madje edhe Kuvendin e Shqipërisë në drejtim të këtij institucioni në vend që ta mbështesin atë pa rezerva. Të jemi të qartë, çdo hallkë që nuk ka përmbushur detyrimet e veta sipas ligjit, duhet të përballet me të, sepse nëse çdo agjenci shtetërore përmbush detyrat e veta, edhe korrupsioni nuk do të gjente truall kaq të favorshëm sa yni.
A ka përgjegjësi politike kryeministri, kur disa ministra të tij kanë përfunduar nën hetim ose pas hekurave?
Në periudhën e regjimit të shkuar ishte krijuar fabula se “uji është i pastër në burim, por turbullohet rrugës” duke përcjellë filozofinë e paprekshmërisë së Njëshit si burim i kthjellët i dijes dhe vullnetit të mirë përballë paudhësive të atyre që e rrethojnë. Personalisht besoj se mund të jetë edhe e kundërta, dmth., siç thoshte Dante Alighieri 5 shekuj më parë, se secili mban afër vetes ata që i ngjasojnë më shumë (ai kishte fjalën për Duken e Firencës në atë kohë).
Unë nuk kam ndonjë evidencë specifike për të folur mbi përgjegjësinë apo për përfshirjen e drejtpërdrejtë të z.Rama në shkeljet e provuara apo të dyshuara të ligjit nga bashkëpunëtorët e afërt të tij duke filluar me ministrin e kanabizimit të vendit një dekadë më parë, deri te tuneli i Llogarasë dhe aeroporti i Vlorës aktualisht dhe për këtë nuk dëshiroj të bëj diversion në këtë interviste. Por, për diçka jam i bindur: hetimet në proces për një numër vendimesh të qeverisë dhe Kuvendit të drejtuar prej tij, ashtu si vendimmarrjet për inceneratorët, portin e Durrësit e deri te “Paketa e Maleve” janë shoqëruar me dyshime të mëdha mbi ligjshmërinë e këtyre vendimeve, për interesat e deklaruara dhe ato të fshehta që qëndrojnë mbas tyre, por edhe për përfituesit politike dhe financiare nga këto vendime etj..
Shkurt, mendoj se për të karakterizuar raportet e qeverisë aktuale me korrupsionin dhe kapjen e shtetit, më shumë se kurrë vlen fraza latine “Hannibal ante portas (“Hanibali para portave”) siç deklamonte Ciceroni dy mijë vjet më parë, në fakt është “SPAK-u ante portas”… Përgjegjësia politike e një kryeministri dhe ministrave të tij funksionon vetëm nëse Kuvendi është në pozitën e vet kushtetuese dmth., mban përgjegjëse qeverinë dhe entet rregullatore të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe jetës së vendit. Përndryshe gjithçka ngjan me një fasadë të madhe, ku qeveria improvizon të ardhmen e vendit, ndërsa propaganda e ofron këtë të ardhme me ngjyra të ndezura që joshin militantët, administratën, të varfrit e shtresa të tjera të shoqërisë që nuk kuptojnë sa duhet funksionimin e sistemit dhe rolin që luan pjesëmarrja qytetare në një vend demokratik që aspiron për anëtarësim në BE.
Cilat janë mekanizmat më të zakonshëm me të cilët abuzohet në tenderat publikë në Shqipëri, sidomos në sektorin e infrastrukturës?
Mjafton të shihen psh., raportet monitoruese të “Open Data Albania” për të konstatuar tenderat e panumërt të shënuar me “flamur te kuq” ku mungon konkurrenca, fituesit e paracaktuar kontraktohen me shuma afër fondit limit, ku vetëm një numër i kufizuar kompanish biznesi kanë akses në tendera, madje edhe kompani nën hetim penal brenda dhe jashtë vendit, ku nuk mungojnë edhe rastet kur shumë kompani marrin pjesë vetëm formalisht dmth., marrin pjesë pa paraqitë ofertë financiare etj., deri te përgjimet e rrjedhura nga dosja hetimore e çështjes së tunelit të Llogarasë e deklarimet mediatike të një biznesmeni nga Kosova për të kuptuar trukimin “nga lart” të tenderave dhe kontrollin e fortë politik mbi to për qëllime dhe interesa që pritet të zbardhen nga hetimet penale.
A mund të keni një përllogaritje të përafërt sa humb Shqipëria çdo vit nga tenderat e manipuluar?
Unë nuk mund të ofroj ndonjë të dhënë të kësaj natyre dhe nuk dua të spekuloj. Por nëse shohim raportet e auditit të jashtëm, fjala është për disa qindra miliona euro në vit për përsëritje të së njëjtës problematikë për shkak se institucionet nuk zbatojnë rekomandimet e auditit, për nëpunës shkelës të ligjit që çuditërisht “gradohen” në detyra edhe më të larta publike e administrative duke iu siguruar kështu mbrojtje politike vetëm që të mos përballen me ligjin (ndoshta edhe që të mos flasin për ato që dinë) etj..
Gjithsesi, sfera e prokurimit publik dhe menaxhimit të burimeve natyrore të vendit mbeten ndër fushat kryesore të abuzimit me pushtetin, që nuk mund të korrigjohen me deklarimin e vitit të kaluar të z.Rama se “me procesin e digjitalizimit të prokurimeve publike asnjë ministër nuk do të ketë lidhje me tenderat” apo me përrallën moderne të “Diellës”. Në fund të fundit, të gjithë duhet të kuptojmë se procesi i prokurimit është materializim i programit politiko-qeverisës të maxhorancës dhe largimi i ministrave nga vendimmarrja rrezikon përparësitë e qeverisjes.
Por problemi i vërtetë qëndron te vullneti politik i pamjafueshëm për të respektuar rregullat e shkruara të prokurimit dhe praktikat e mira në këtë fushë, të motivimi i fortë i politikanëve të lartë drejt pasurimit të paligjshëm dhe gara e shfrenuar midis tyre për pasurim të shpejtë. Kjo është aq e vërtetë sa kur ndonjëri prej tyre bie në rrjetën e SPAK-ut, duke mos e kuptuar gropën ku ka rënë, vazhdon të jetojë në një realitet virtual si “Luiza në botën e çudirave” duke menduar si: “Përse me kapën mua?” “Cili isha unë që të merrja kaq e aq vendime për fondet buxhetore në një ditë?”, ndërsa thellë-thellë mendon se …atje kishte hajdute edhe më të mëdhenj se unë (?!)./GAZETA PANORAMA