Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka nisur me një tablo që vë seriozisht në pikëpyetje koherencën dhe përgjegjshmërinë e opozitës. Ndërsa maxhoranca mbështet një kandidat të vetëm, opozita paraqitet me 6 emra, duke fragmentuar vetë votën, por duke krijuar edhe dyshime për manovra të brendshme.
Përfaqësuesit demokratë, pasi dhanë firmat për disa kandidatë, u tërhoqën papritur nga mbështetja. Edhe kryetari i PD, që kishte nënshkruar më herët, deklaron tani tërheqjen e firmës. Ky luhatje i shton kaosin një procesi, ku duhet qartësi dhe qëndrueshmëri, duke ngritur pyetjen se kush e drejton realisht strategjinë e opozitës dhe nëse strategjia ekziston në të vërtetë.
Ky nuk është precedent i ri. Në vitin 2022, PD propozoi dhe mbështeti zyrtarisht Ledio Brahon për Avokat të Popullit, por situata përfundoi në konfuzion dhe moskoordinim politik.
Më herët në 2017 kur u zgjodh Erinda Ballanca pati akuza për pazare si pasojë e marrëveshjes së 17 majit mes Ramës dhe Bashës.
E sot historia duket se po përsëritet. Opozita shfaq dobësi të brendshme, mungesë vendimmarrjeje dhe një qasje që prodhon më shumë mjegull se sa garanci për një institucion të pavarur dhe të besueshëm.
Për qytetarët, mesazhi është i thjeshtë; kur opozita nuk di çfarë do, humbet jo vetëm pozicionet, humbet besimin.