Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut, vetëm një ditë para se Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e Këshillit të Ministrave për pezullimin e saj nga detyra.
Balluku është pezulluar nga funksionet e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zëvendëskryeministres për shkak të hetimeve që po kryhen ndaj saj nga GJKKO.
Baçi theksoi se kryeministri Rama duhet të ishte më transparent me publikun, duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me teknikalite ligjore, por me respektimin e procedurave dhe ruajtjen e integritetit të procesit hetimor.
“Rama do të ishte më i qartë me publikun nëse do të pranonte se nuk është çështje teknike ligjore. Ministri, pavarësisht se ka mandatin e deputetit, është nëpunës publik dhe nuk ka një ligj të veçantë për zgjedhjen e tyre. Kështu që GJKKO nuk ka zhbërë asnjë ligj, por ka ndjekur rrugën për të ruajtur hetimin nga një person i gjithëpushtetshëm në qeveri si Belinda Balluku,” deklaroi ai.
Ai komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar situatën si të paprecedentë. Sipas Baçit, kjo është e vërtetë vetëm në sensin që në Bashkimin Europian, në raste të ngjashme, ministrat japin dorëheqjen menjëherë.
“Rama thotë se është rast i paprecedentë, dhe ka të drejtë, sepse në BE, kur ka raste të tilla, japin dorëheqje. Ndaj është i paprecedentë,” tha ai.
Baçi u ndal edhe te akuzat për “grusht shteti”, duke qartësuar se një koncept i tillë nuk qëndron në këtë rast.
“Grushti i shtetit nuk është kur gjykata merr një vendim, por kur qeveria nuk zbaton një vendim gjykate. GJKKO ka marrë një vendim sipas ligjeve me të cilat funksionon,” theksoi analisti, duke nënvizuar se respektimi i vendimeve të gjykatave është parim themelor i shtetit të së drejtës.