TIRANË- Belinda Balluku është rikthyer sërish në GJKKO, pasi seanca u ndërpre për gati 2 orë. Ishin avokatët e saj dhe të dy zyrtarëve të tjerë ata që kërkuan më shumë kohë për tu njohur me aktet e dosjes.
Balluku ka përforcuar ekipin e saj ligjor për tu mbrojtur. Krahas motrës së saj, Pamela Qirko, ekipit të saj iu është shtuar edhe Ardian Kalia, i cili më herët ka ushtruar detyrën e gjyqtarit.
Në GJKKO janë paraqitur edhe kreu i KESH, Erald Elezi dhe ai i ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata e Posaçme ka lëshuar dy masa sigurie “arrest në shtëpie” për dy vartësit e Ballukut. Ndërsa për zv.kryeministres, gjykata vendosi ndalim daljeje jashtë vendit si dhe pezullim nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria./Dosja.al