1.
Më kujtohet, anise jo ditëndodhja e saktë (a ka rëndësi tani?), kur para ca vitesh pati një keqkuptim. Një ngatërresë administrative e qarkullimit të mallrave, apo mbase, ishte ligjshmëria e tregut që patatet e Kosovës nuk kaluan dot kufirin e Shqipërisë.
U kalbën shirave ose, një masë e madhe që kishin në kronikën e tyre shumë mund e djersë sfilitëse, do ktheheshin në shtëpi.
Mes dashurisë dhe interesit sillet bosht i kësaj bote. Dhe tre tipesh janë interesat e një vendi sovran e të lirë.
Është interesi politik, pastaj interesi shtetëror dhe, sipërani i tyre, interesi kombëtar.
Kosova e Shqipëria, ndaj, mund të definojnë e ndjekin legjitimisht dy interesat e parë jetikë.
Mirëpo, përherë, një komb i ndarë e me shtet akoma të pakryer në shekullin e “fashizmit elektronik”, sakrifikon shumë (do të duhej n’se është historik!) për ç’arrihet në frymë kohe dhe gjase, pranë bedenash të interesit të epërm kombëtar!
Atdheu nuk është tjetër veçse kujtim fëminie, thotë Rezhis Dëbre dhe, shton ai, një refren dallgësh e krojesh e të kohës që rrjedh…
E, sa breza shqiptarësh kanë përftuar të ndarë në ftomë historie, pa përmallim ujvarash e kujtim fëminie… Kishin vetëm kujtime vendlindjesh të përcopëzuara, gozhduar stemash të huaja, por pa kuptim të përbashkët atdheu. Mbi këtë fokus dhimbjeje ndërtonin dhe imazhin e tillë për te: të veçuar e gardhuar, me atë ndjesinë e fatalitetit që të krijon makthi i përsëritur pambarimisht!..
Kësimoti, ndërkaq, historia, alternimi i Rendeve botërorë, do t’u bënte një dhuratë të vonë. Pjesa, gati gjysma, e atdheut të mbetur jashtë “Shqipërisë bregdetare”, do ringrihej nga hiri i shekujve.
Dhe portat do të hapeshin për ëndrrën e madhe…
Interesi kombëtar, prandaj, është më i lartë. Më sublim se një titull politik a feudë partie. I tillë, ai vete përtej fuqisë, shpesh të verbër pushtetare dhe, natyrisht, matanë “krizës së patateve”, tashmë të harruar në palesën e kohës.
Jo, është gabim! Madje as serbi Aleksandër (siç ka qejf t’i thotë dashunisht Rama) nuk është ideatori i parë që shqiptari Edvin do t’a ndiqte mezipritshëm. Formula doli e ngjizur tjetërkund e, që andej, do i’i pëshpëritej aleatit të koduar Vuçiq, për t’u bekuar më pas njëj entuziazmi të fshehtë dhe vetë rusi Lavrov.
Nuk është e papritur që serbi i presidencës kolegjiale boshnjake t’i përqaset Ballkanit të hapur.
Madje, sa snob, imitonte qëndrim, gjeste e lidhje duarsh diku në fund të gjoksit si vëllai i madh i Dedinjes.
Apo prania e premierit malazez shqipërisht i tharë si një zgurë lisi mjeran. E që, si kolegu krejt binjak shqiptar, për t’i bërë qejfin serbit Vuçiq, e shikonte, i nënqeshte dhe i afrohej anueshëm si një rob i
bindur.
Por rezultoi ndërkohë t’mos jetë më e çuditshme që sundimtari i Tiranës Rama t’u printe Abazo-viçit dhe Ahmetit Ali (që “viqin” e tij ruan në gji), në aventurën e rrethimit sllav të Kosovës.
3.
Në turin ballkanës, njëj binari tjetër paralel, Kancelari federal Scholz do të darkojë dhe në Selanik me përfaqësues të nismës rajonale: Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Si dihet, tashmë, SEECP-i (shkurt), është themeluar herët, por jetësuar më vonë, viti 2008, me seli në Sarajevë. Dhe do përfshinte shtete të tjerë akoma: anëtare të Bashkimit europian dhe, poashtu, miq të fuqishëm të shqiptarëve.
Tani, nëse Ballkan-hapuri thonë të afirmojë dy nismat paraprake: këtë të Sarajevës dhe, më pas, të Berlinit, një qendërpeshë Europe, atëherë përse duhej t’i dublonte ato?
Përgjigja krejt e qartë: sepse dy nismat e para përjashtonin hegjemonin serb dhe, vetishëm, kthetrat e gjeopolitikës ruse në Ballkan!
Një pyetje me interes vjen e thjeshtë: përse greku të organizojë dy ditë pas Ohrit darkën e Selanikut? Të rikthejë SEECP- në e nisur para 26 vitesh, kur Ballkani kishte fizionomi tjetër?
4.
Tirana e këtyre viteve, prirur korrektësie politike që i voliste Brukselit, pozicionohej rëndë: bashkimi kombëtar do të ndodh në Europë. E pra, brenda konceptit mbinacional dhe vlerave të demokracisë libertare.
Sa zhgënjyes ishte aherë dhe Pandi Majko që ruante prorë një fjalë të ngrohtë për vëllezërit e vrarë e prerë nga serbët andej kufirit! Por ai do t’i replikonte ftohtësisht Premierit të Kosovës që ende, pa u dehur në flatra mondaniteti, guxoi të fliste për bashkim kombëtar. Do takohemi në Bruksel, i çonte njatjetim nga bregu i shpërfilljes.
Po tani? Do bashkohen m’një nënkrijesë Europe, pagëzuar Ballkan i hapur, që akomodon interesa serbë e, rrjedhimisht, hemisferë ruse? Që, madje, përtall e rivalizon vogëlsisht eurokracinë brukseljane?
Meqë do të mbeten nivel i dytë, i poshtëm i integrimit komunitar, aherë ku do të bashkohet Shqipëria pra, nëse ndonjëherë, me Kosovën e Iiridën?
Në Bruksel, ku nuk hyjnë dot?
Kështu, në gjurmë ideologësh për Federata e Unione jugosllave, sheh ai bashkimin kombëtar?
Këtë, mjerisht, parathonë të gjitha shenjat në horizont!
Ndaj, me gjasë, “Atdheu” i Debresë del të jetë ndryshe, krejt ndryshe në syrin dhe zemrën e “kalorësit të ortodoksisë”…
Komentet