Përveçse u ofron gazetarëve dhe demokratëve një burim të pashtershëm lajmesh, përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të mbuluar çështjen Jeffrey Epstein shërbejnë si një provë e vlefshme për një pyetje që do të ketë gjithnjë e më shumë rëndësi sa më thellë të hyjmë në mandatin e dytë të Donald Trump-it: Deri në çfarë mase ekziston populizmi MAGA si një forcë politike më vete, e veçuar nga impulset dhe kapriçot e liderit të saj me kapelë të kuqe?
Përgjigjja më e përhapur ka qenë gjithmonë që nuk ekziston si e tillë, se MAGA është thjesht një kult personaliteti, ku çdo kthesë ideologjike pranohet për sa kohë që “Burri i Madh” e udhëheq atë.
Por kjo ngatërron lidhjen personale mes Trump-it dhe mbështetësve të tij besnikë, një lidhje që nuk këputet nga mosmarrëveshje politike të thjeshta, me aftësinë e tij për t’i bindur ata të ndryshojnë realisht qëndrimet e tyre, fushë ku fuqia e tij është më e kufizuar.
Presidenti është një simbol jashtëzakonisht i fuqishëm i impulsit populist të gjerë në Perëndim. Por ai nuk e krijoi këtë impuls dhe nuk vendos vetë i vetëm se çfarë kërkon ose ku përfundon. Në vend të kësaj, ka një negociatë të vazhdueshme midis asaj që presidenti dëshiron të bëjë dhe asaj që mbështetësit e tij janë të gatshëm të pranojnë.
Në disa raste, ajo që kërkon MAGA vepron si një kufizim ideologjik mbi impulset politike të Trump-it. Kjo vërehet sidomos në çështjen e imigracionit, ku ndonëse presidenti personalisht është për masa kufizuese, gjithsesi lë hapësirë për një derë të gjerë në “murin e tij të bukur dhe madhështor”.
Sipas interesit të grupit që ka përballë, ajo derë mund të hapet për punëtorë të fermave dhe hoteleve, për mbajtës të vizave H-1B, apo për studentë të huaj që shpresojnë t’u bashkëngjitet një “green card” me diplomën.
Por duket e qartë se, po të varej vetëm nga ai, presidenti ndoshta do të përfundonte duke negociuar një reformë imigracioni që kënaq më shumë drejtues biznesesh sesa Stephen Millerin. Megjithatë, Trump nuk e bën një marrëveshje të tillë, sepse e di që Milleri përfaqëson formën më të pastër të ndjenjës kundër imigracionit, dhe edhe vetë lideri i MAGA-s duhet t’i nënshtrohet asaj.
Në raste të tjera, ajo që kërkon MAGA zbulohet gradualisht dhe presidenti ndjek këtë zhvillim. Kjo ndodhi gjatë pandemisë së Covid-it, ku Trump shpesh ishte një hap pas impulsit populist. Ai e trajtoi shpërthimin fillestar si diçka të parëndësishme, ndërsa e djathta online ishte duke u alarmuar. Ai pranoi masat kufizuese dhe izolimin pikërisht kur impulsi populist po shndërrohej në një kundërshtim libertar ndaj Faucit. Më pas, ai vetë mori atë kritikë libertare, por e bëri në mënyrë të çrregullt, duke lënë Anthony Faucin përgjegjës për pjesë të mëdha të politikës. Po ashtu, dëshira e Trump-it për të festuar suksesin e Operation Warp Speed ishte në përplasje të vazhdueshme me skepticizmin ndaj vaksinave në bazën e tij, dhe përqafimi i tij i mëvonshëm ndaj “MAHA”-s dhe Robert F. Kennedy Jr. ishte në fakt një dorëzim ndaj asaj baze.
Pastaj ka raste kur MAGA kërkon thjesht perceptimin e suksesit, dhe kështu aftësia e Trump-it për të drejtuar bazën e tij në një drejtim ideologjik apo në një tjetër varet nga fakti nëse ai duket sikur po ia del mbanë.
Kjo u pa edhe në politikën e administratës së tij për Lindjen e Mesme. Kur Shtëpia e Bardhë po mendonte t’i bashkohej Izraelit në luftën kundër Iranit, zëra të pretenduar si populistë si Tucker Carlson dhe Steve Bannon argumentonin se bombardimi i programit bërthamor të Iranit do të shkatërronte koalicionin e tij, ndërsa komentatorë më luftarakë këmbëngulnin se votuesit e vërtetë MAGA ishin pro sulmit ndaj Iranit.
Por mund të jetë që çdo qëndrim MAGA për ndërhyrjen ushtarake është thjesht i kushtëzuar nga fakti nëse duket i shpejtë dhe i lehtë. Pra, MAGA mund të kishte përqafuar qëndrimin e Bannon-it dhe Carlson-it nëse Irani do të ishte kundërpërgjigjur fuqishëm dhe me sukses, por përderisa kjo nuk ndodhi, Trump arriti të luante rolin e luftëtarit pa humbur mbështetjen populiste.
Tani, le të kthehemi te çështja Epstein, ku mund të shihen të tri këto dinamika në lojë. Premtimi fillestar për të zbuluar dosjet e Epstein-it ishte një rast kur MAGA udhëhoqi Trump-in, pasi vetë presidenti nuk ishte fort entuziast për këtë çështje. Përpjekja e tij e dështuar për ta mbyllur thjesht këtë kapitull ishte një shembull i përpjekjes për t’u shkëputur nga “litarët” e MAGA-s, dhe tërheqjes mbrapsht, këtë herë më ashpër se zakonisht. Ndërkohë, manovrat e mëvonshme, zbardhja e dëshmive të jurisë! kalimi i vëmendjes te Russiagate! intervista me Ghislaine Maxwell!, janë përpjekje për të ofruar ndonjë fitore, ndonjë sukses për të kënaqur kërkesën e MAGA-s për një triumf mbi “Shtetin e thellë”.
Por ndoshta dinamika më e rëndësishme, që qëndron nën sipërfaqen e debatit mbi Epstein-in, nuk ka të bëjë vetëm me vetë Trump-in, por me vetëdijen e përbashkët se MAGA do të vazhdojë të ekzistojë në një formë apo tjetër edhe pas përfundimit të presidencës së tij. Dhe ajo formë, ashtu si versioni aktual, nuk do të imponohet nga ndonjë dekret i vetëm; ajo do të krijohet përmes ndërveprimeve midis atyre që duan ta udhëheqin populizmin dhe kërkesave e pritshmërive të votuesve të tyre.
Mund të ndodhë që Trump-i në thelb është një ndikim zbutës, që i balancon kërkesat ekstreme dhe paranojake që, nën pasardhës më të dobët, do të dominojnë më plotësisht agjendën populiste. Ose mund të ndodhë që pa Trump-in si simbol, një pjesë e MAGA-s do të rikthehet në një formë më tradicionale të republikanizmit, duke lënë një grup të izoluar podkasterësh paranojakë jashtë sistemit. Ose ndoshta një lider i ardhshëm populist do të krijojë një përzierje të paparashikueshme, një MAGA të re për një epokë tjetër.
Por e gjithë kjo mbetet ende për t’u krijuar, shpikur, zbuluar. Dhe kështu, veprimi më i rëndësishëm në të djathtën amerikane, ndërsa mandati i dytë vazhdon, do të përqendrohet te eksplorimet e debatueshme të asaj toke të madhe të pazbuluar: MAGA pas Trump-it./ NYT – Syri.net/