Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi, është arrestuar në Iran, ku më parë ishte liruar përkohësisht për arsye mjekësore.
Avokatja e saj franceze, Shirin Ardakani, e konfirmoi informacionin për Agjencinë Franceze të Lajmeve.
Narges Mohammadi, 53 vjeç, e cila ishte burgosur pas dënimit të saj nga një gjykatë iraniane, mori Çmimin Nobel në vitin 2023 për “luftën kundër shtypjes së grave në Iran dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë për të gjithë”. Ajo ishte liruar përkohësisht në dhjetor 2024.
Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, që jeton në Paris, njoftoi gjithashtu në X se Mohammadi u arrestua gjatë ceremonisë në qytetin lindor të Mashhadit, së bashku me një aktiviste tjetër të njohur, Sepideh Gholian.
Khosrow Alikordi, 45 vjeç, kishte përfaqësuar në gjykatë persona të arrestuar gjatë shtypjes së protestave të vitit 2022. Trupi i tij u gjet më 5 dhjetor dhe organizatat e të drejtave të njeriut kërkojnë hetim për vdekjen e tij.
Sipas Iran Human Rights, një organizatë me qendër në Norvegji, “ekzistojnë dyshime serioze se mund të bëhet fjalë për një vrasje nga shteti”.
Organizata HRANA (Human Rights Activists News Agency), me qendër në SHBA, publikoi pamje të Mohammadi gjatë ceremonisë, ku ajo shihej mes mbështetësve pa shaminë e detyrueshme për gratë në hapësira publike në Iran.
Sipas HRANA, të pranishmit thërrisnin slogane si: “Rroftë Irani!”, “Luftojmë, vdesim, por nuk pranojmë poshtërim” dhe “Vdekje diktatorit”, gjatë ceremonisë e cila, sipas traditës islame, mbahet në ditën e shtatë pas vdekjes së Alikordit.
Pamje të tjera të transmetuara nga rrjete televizive në persisht, me seli jashtë Iranit, e tregonin Mohammadin teksa ngjitej në një automjet dhe nxiste të pranishmit të vazhdonin thirrjet./Boldnews