Gruaja e moshuar, e mbetur pa strehë pas zbatimit të aktit normativ të qeverisë për kthimin e banesave tek ish-pronarët, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së shtunës pasi prej javësh jetonte në qiell të hapur në stolat e lulishtes para Bashkisë së Durrësit.
Apeli i dhene nga mediat mbi gjendjen e veshtire shendetesore te 87-vjeçares Sofie Qendro ka rene ne vesh te shurdher duke mos e shpetuar dot nga vdekja. Mbremjen e se shtunes, e moshuara mberriti ne gjendje kome ne urgjencen e Spitalit Rajonal te Durresit, ku dhe nderroi jete.
Pas ngjarjes ka reaguar Zyra e Avokatit te Popullit e cila thote se kerkesat bere qeverise se meparshme per nje zgjidhje per familjet qe jane lene pa strehe nuk kane marre pergjigje nga autoritetet shteterore.
“Dy jane zgjidhjet e rekomanduara: ose dhënia e garancisë nga shteti për përfitimin e kredive me 0% interes për qiramarresit qe nuk plotësojne kushtet e vendosura nga ana e Bankes, ose lëvrimi i fondeve për ndërtimin e banesave sociale për këta individë në një kohe sa më të shpejtë. Janë të dukshme pasojat e mosveprimit të autoriteteve shtetërore të qeverisë së mëparshme”, thotë zëdhënësja e Avokatit të Popullit.
Sofie Qendro, e moshuara e cila jetonte ne nje cader para Bashkise se Durresit, pas nxjerrjes nga shtepia per shkak te aplikimit te ligjit per kthimin e banesave te ish-pronaret, ka nderruar jete. Gjate gjithe ketyre diteve dy te moshuarit kishin kerkuar nje zgjidhje nga Bashkia. Pa pergjigje. Madje aq besim kishin te shteti sa refuzuan edhe nje inisiative private per ti ndihmuar pas botimit te nje artikulli per ta ne DITA. Por Sofia ne moshen e saj nuk mund te priste pa fund.
Mu në zemër të Durrësit, një stol i lulishtes përballë bashkisë është shndërruar në “shtëpi” banimi. Aty banojnë dy njerëz, dy varfanjakë, që jetojnë në mjerim afrikan, në një vend të NATO-s, që aspiron për t’u anëtarësuar në BE. Këta dy persona janë pjesë e kontigjentit prej mijëra shqiptarësh, që ra pre e operacionit tip “fshesa”, të ndërmarrë nga ministri Olldashi në muajt e fundit të sundimit të kabinetit Berisha. Këto dy viktima ishin strehuar që nga viti 1948 në shtëpi të konfiskuara nga regjimi komunist ish pronarëve legjitimë.
Në pamje të parë operacioni “fshesa” dukej se synonte të korrigjonte, ndonëse me shumë vonesë një padrejtësi, një krim të komunizmit. Faktikisht në jo pak raste ky operacion prag-zgjedhor ishte një nga veprimet e fundit të Kabinetit Berisha të nxitur nga motoja të vjedhim çfarë të mundemi deri ditën e fundit, që do jemi në kolltukët e pushtetit. Në të mirë të këtij konkluzioni shkon edhe fakti, që ka dhjetëra kontrata parablerjeje të pronave të ish pronarëve nga njerëz pranë ish pushtetit Berisha apo të afërm të ish pushtetarëve. Këto blerje bëhen me çmime më së paku dhjetë herë më të ulëta se mesatarja e tregut. Në këtë rast kemi të bëjmë me një plaçkitje të re të pronave të ish-pronarëve, por tashmë me mjete demokratike. Tipik në Durrës është rasti i plaçkitjes së pronave të patriotit të shquar Idhome Kosturi. Nëse një ditë do të hapen letrat për këtë plaçkitje pasurish të patundshme, me siguri qelitë e burgut të ri të Drenovës nuk do mjaftonin për të strehuar “batalionin” e hajdutëve të pronave. Kjo fshesë duke pretenduar të korrigjonte një padrejtësi thuajse shtatëdhjetëvjeçare, krijoi një padrejtësi të re dhe njëkohësisht u ofroi pushtetarëve një mundësi të re për të blerë për dy grosh prona të patundshme në zemër të qyteteve shqiptare.
Le t’u kthehemi dy viktimave, që edhe tani në vjeshtë flenë në stolin përballë Bashkisë së Durrësit. Zonja Sofie Qendro është 86 vjeçe. Ajo ka punuar gjithë jetën në ndërmarrje të ndryshme në Durrës dhe sot jeton me 14.000 lekë të reja pension duke fjetur në qiell të hapur në pritje të shirave të vjeshtës dhe ngricave të dimrit. Zonja vuan nga një koleksion sëmundjesh si spolindiatroza, kardiopatia dhe artriti i agravuar. Kuptohet, që 100 Euro pension me zor mbulon shpenzimet për ilaçe dhe për ushqimet më të domosdoshme sa për të mos vdekur nga uria, ndërsa për banesë mbetet stoli i lulishtes. Bashkë me zonjën në stol banon dhe nipi i saj Llazi Qendro, 64 vjeç, i cili që në vitin 1966 është me kartelë mjekësore të përpiluar nga neurologu i famshëm durrsak Miti Vokopola. Llazi është një person i mirënjohur nga durrsakët e para vitit 1990. Sot ai mbijeton me ndihmë ekonomike prej 9.500 lekësh në muaj. Këta të pastrehë nuk janë as kriminelë, as refugjatë lufte nga Siria, as edhe nomadë romë. Janë thjesht qytetarë shqiptarë, që trajtohen si qen jo si qenie njerëzore. Që të dy viktimat e VKM-ve të muajve të fundit të qeverisë Berisha gëzojnë statusin e të pastrehut, dhe duhet të pajisen me banesë shtetërore në përputhje me këtë statut, por faktikisht flenë në lulishte në mjerim të plotë. Llazi është përpjekur me dinjitet të mbijetojë duke larë vitrinat e dyqaneve dhe duke shfrytëzuar iniciativat e ndryshme të shoqatave bamirëse, por dëbimi nga banesa e ka dekurajuar komplet. Këtë goditje ai dhe tezja e tij plakë nuk po dinë si ta përballojnë.
A ka shpresë për Llazin dhe tezen e tij 86 vjeçare? Vështirë! Shoqëria shqiptare karakterizohet nga një hipokrizi e skajshme dhe cinizëm i pafund. Nja tre vjet më parë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve dhe disa media të njohura sulmuan ashpër Bashkinë e Durrësit dhe të Tiranës për barbarinë e treguar në vrasjen e qenve rrugaçë. Të tilla OJF nxituan të aplikojnë pranë ambasadave të huaja për fonde për ndërtim stela qensh komunalë të paktën në qytetet kryesore të Shqipërisë. Lavdi zotit qentë e rrugëve në Durrës sot janë shëndoshë e mirë dhe shëtisin me tufa edhe në qendër të qytetit, madje në të njëjtën lulishte, ku “banojnë” dy të mjerët personazhe të shkrimit tonë. Qentë në këtë rast gëzojnë të njëjtin standard me dy qenie njerëzore! OJF-të hipokrite ngritën stuhi në gotë uji për persekutimin ndoshta edhe të stisur të Klodit të “Big Brother”, derisa edhe Sekretarja Klinton ngriti zërin në mbrojtje të shqiptarit Klodi. Po shqiptarin, po durrsakun Llazi kush e mbron? Po për tezen e tij plakë, kur do kujtohet shoqëria, kur të ketë vdekur nga të ftohtit duke fjetur në stolat e lulishtes?
Ku janë OJF-të që u rrjepin miliona Euro e dollarë donatorëve të huaj për të sensibilizuar, për të bërë programe anti-varfëri, për të përkrahur më të paprivilegjuarit etj? Kryebashkiaku Dako ka premtuar se odiseja 20 mujore e ndarjes së banesave sociale për të pastrehët do marrë fund në mbledhjen e tetorit të këshillit bashkiak. Kryebashkiaku ka besim se konfiguracioni i ri i këshillit bashkiak do i japë fund lojërave politike në kurriz të të pastrehëve. Problemi është se zonja Sofi dhe Llazi nuk kanë miq, kështu që ka shumë mundësi, që shtëpi të marrin njerëz edhe më të pastrehë se Llazi, që fle në stolat e lulishtes. Dimri po vjen dhe nuk është çudi, që njëlloj si në shkrimet e Migjenit, kur durrsakët të zgjohen në mëngjes të mësojnë nga shiritat e lajmeve se një zonjë e nderuar vdiq duke fjetur në stolat e lulishtes. Po, ajo ka jetuar një jetë të tërë me nder, me djersën e ballit dhe indiferenca, cinizmi dhe hajdutëria mund ta çojnë drejt vdekjes me këtë jetë qeni,që po bën në pleqëri të thellë.




Me nipin e saj 67 vjeçar në mes të katër rrugëve
www.voal-online.ch