Gjykata e Tiranës shpalli të paligjshme veprimet e drejtorit të KAYO, Ardi Veliu, ndaj News24 dhe mediave të “Focus Group”.
Gjykata vendosi që “Panorama Group” sh.a të kthehet te ambientet të cilat të shtunën në orët e para të mëngjesit u zaptuan nga Policia e Shtetit dhe KAYO e Ardi Veliut.
Gjykata vendosi që gazetarët të aksesohen në mjediset e kompanisë dhe brenda 48 orëve të rikthehen sendet dhe materialet që KAYO mori me kamionë.
Gjithashtu, Gjykata e Tiranës vlerëson të paligjshëm ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe pengimin e tyre në ushtrimin e detyrës.
Për katër ditë me radhë, News24 u vendos përpara një presioni të paprecedentë, që nisi me bastisjen e zyrave në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë pa një vendim gjykate, nga Policia e Shtetit dhe punonjësit e kompanisë shtetërore KAYO. Televizionit më të madh informativ në vend iu fik sinjali i transmetimit, ndërsa gazetarët, stafi teknik dhe punonjësit e tjerë u nxorën jashtë dhe nuk u lejuan të aksesonin vendet e tyre të punës.
Ndërsa pasditen e djeshme, kompania KAYO kreu akte të tjera të paligjshme ndaj News24, duke shembur përmes IKMT-së objektin ku ruheshin pajisjet e transmetimit. Në orët e vona u plaçkitën zyrat dhe me dhjetëra kamionë u grabitën dosjet dhe materialet e gazetarëve, vendndodhja e të cilave nuk ende nuk dihet.