Pa praninë e Shteteve të Bashkuara, Danimarka po organizon stërvitjet më të mëdha ushtarake në historinë moderne të Grenlandës, me emrin Arctic Light 2025, në një kohë kur aleatët e NATO-s po forcojnë bashkëpunimin e tyre mbrojtës në Arktik, mes interesit të shtuar amerikan për këtë ishull strategjik.
Komandanti për rajonin Arktik të Danimarkës, Soren Andersen, konfirmoi se edhe pse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte ftuar, nuk është kërkuar pjesëmarrja e asnjë njësie të forcave të armatosura amerikane.
“Ne bashkëpunojmë me kolegë nga Baza Hapësinore amerikane në Pituffik, por nuk janë ftuar njësi të përbashkëta në këtë stërvitje,” deklaroi Andersen për Reuters.
Më parë, SHBA kishin marrë pjesë në ushtrime të ngjashme nën drejtimin e Danimarkës në Grenlandë.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kopenhagë theksoi: “Edhe pse nuk marrim pjesë në këtë stërvitje të veçantë, vijojmë bashkëpunimin e fortë ushtarak me Mbretërinë e Danimarkës dhe aleatët tanë në Arktik.”
Mesazh politik nga Kopenhaga përmes stërvitjeve?
Sipas analistit të pavarur ushtarak, Hans Peter Michaelsen, ushtrimet “dërgojnë një sinjal të fuqishëm politik”, duke treguar mbështetjen e Danimarkës për Grenlandën, së bashku me aleatët e NATO-s.
“Këto stërvitje janë dizajnuar për të treguar amerikanëve se Danimarka kujdeset për Grenlandën dhe e bën këtë me ndihmën e vendeve të tjera të fuqishme të NATO-s,” vlerësoi Michaelsen.
Megjithatë, Andersen hodhi poshtë sugjerimet se stërvitjet synojnë të dërgojnë një mesazh të drejtpërdrejtë në drejtim të Uashingtonit.
Danimarka ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe aktivitetet ushtarake në Grenlandë, rajon gjysmë-autonom, pas komenteve të ipresidentit amerikan Donald Trump për blerjen e ishullit.
Marrëdhëniet mes Kopenhagës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar këtë vit, veçanërisht pas refuzimit të Trump për të përjashtuar publikisht mundësinë e një aneksimi me forcë të Grenlandës.
Vetëm muajin e kaluar, Danimarka thirri ambasadorin amerikan për sqarime, pas raportimeve për operacione të fshehta ndikimi nga qytetarë amerikanë në Grenlandë.
Ushtrimet Arctic Light 2025 zhvillohen nga 9 deri më 19 shtator dhe përfshijnë mbi 550 trupa, përfshirë forca speciale nga Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Norvegjia.
Sipas komandantit Andersen, gjatë stërvitjeve analizohen skenarë që përfshijnë rritjen e aktivitetit rus dhe kinez në Arktik, një zhvillim që po shkakton shqetësim në radhët e aleatëve perëndimorë.
Nga ana e saj, ambasada amerikane përshëndeti përpjekjet e aleatëve të NATO-s për të garantuar gatishmërinë për mbrojtjen e rajonit arktik.
gsh