Mira, historia juaj e luftës me kancerin është shembull force dhe shprese për shumë gra. Arbana, ju keni treguar gjithmonë se dinë ta prekni publikun përtej spektaklit, përmes temave njerëzore që ngjallin reflektim dhe shpresë.
Në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, mesazhet që përcollët ishin frymëzuese: Luna, tregoi se është një uragan force, dhe së bashku me Mirën dhe Beniadën dhanë mesazhin se kanceri mund të luftohet, se pranimi i tij nuk është fundi, por fillimi i një beteje që mund të fitohet. Mesazhet ishin fantastike dhe frymëzuese.
Arbana dhe Mira,
një grua që dëgjoi emisionin, ndoshta gjen kurajo dhe thotë: “Po, unë do e luftoj kancerin!”.
Dhe të nesërmen ajo shkon në Spitalin Onkologjik dhe përballet me të pamundurën:
Brakiterapia është jashtë funksionit, kështu që gratë me kancer gjinekologjik nuk marrin dot rrezatimin e brendshëm.
PET Scan-i nuk ekziston, ndaj pacientët detyrohen të marrin rrugët e huaja për një ekzaminim minimal.
Gratë me kancer gjiri një muaj marrin “Phesgo”, muajin tjetër nuk e gjejnë, se s’ka, se vonohet tenderi, se s’ka lekë, se ka abuzime, se ka keqmenaxhim. Si mund të lihet trajtimi përgjys? A ka më vlerë një mjekim i tillë?
Kjo është e vërtetë. Dhe këtë e ka vërtetuar edhe raporti i fundit i KLSH për barnat tumorale, i cili ka dokumentuar me fakte torturat që u bëhen pacientëve onkologjikë.
Ju keni zgjedhur të flisni për shpresën. Shumë mirë. Por nëse nuk flisni edhe për realitetin, rrezikoni të bëheni fasadë e së njëjtës propagandë që po i mban gratë dhe vajzat peng të mungesave, abuzimeve dhe neglizhencës.
Arbana dhe Mira,
ju nuk jeni vetëm imazhe të bukura para kamerës. Ju jeni gra që keni përjetuar, që keni ndjerë, që keni parë nga afër këtë betejë. (Mira personalisht dhe Arbana tregoi një histori për nënën e saj). Zëri juaj vlen. Dhe kur zëri juaj mungon përballë të vërtetës, heshtja bëhet bashkëfajësi.
Mos u mjaftoni me rrëfime frymëzuese. Sepse për gratë që sot luftojnë me kancerin në Shqipëri, frymëzimi nuk mjafton. Ato duan trajtime, ilaçe, aparatura, dhe mbi të gjitha, duan që dikush të thotë publikisht të vërtetën e tyre.
Kjo është e vërteta sot e shumë grave që ju kanë ndjekur dhe që thellë në shpirtin e tyre, kanë dashur të ishin në vendin tuaj, jo se donin paratë apo famën, por sepse dyert hapen më kollaj, apo mundësitë janë më të shumta. Dhe mundësi të vetme nuk kanë vetëm Onkoligjikun. Dhe kush e ka provuar në lëkurë apo ka pasur një familjar me këtë sëmundje, duhet së paku ta thotë një fjalë edhe për këtë realitet. Sepse dhemb shumë!