Nga mitologjia greke mësohet se Anteu ishte i biri i Poseidonit, zotit të detit dhe hyjneshës së tokës Gea, gjigant i fuqisë së papërballueshme. Thuhet se jetonte në Lihi dhe secili që vinte në tokën e tij e detyronte që të luftojë me të. Në ato dyluftime rëndom mundte kundërshtarët deri në vdekje. Kundërshtari i tij i fundit ishte Herakliu. Në dyluftimin e mundimshëm Herakliu e zbuloi fshehtësinë e fuqisë së Anteut: në të vërtetë, kur Anteu e ndiente se po dobësohet, ngjitej ngurtësisht për tokë dhe fuqia sërish i kthehej. Prandaj Herakliu e çon lart në ajër, andaj gjiganti ishte i ndarë prej nënës tokë, e humb fuqinë dhe Herakliu ia zë frymën.
Legjenda e Anteut, në vetëdijen e njeriut modern nuk ruhet aq për nga ndikimi i krijimeve të shumta betejat e tij me Heraklin, por më tepër për atë se fati i Anteut është njëri prej ilustrimeve më domethënëse të fatit të secilit vend, që mund të dështojë po qe se heq dorë nga rrënja, nga toka ku ajo përthith ato që i duhen qenies.
Nëse legjenda e Anteut figurativisht përcakton fatin e një vendi nga lidhja me të, si një rrënjë, vepra “Kosova, djep i shqiptarizmit”, e Hamit Kokalarit, kësaj metafore ia atribuon vetëdijen tonë historike përbrenda kohës dhe hapësirës etnike, me Kosovën si epiqendër të saj thuajse në gjitha fazat historike.
Ky determinim, nuk ka të bëjë vetëm me shfaqjen e këtij koncepti, që nga aspekti i nacionalizmit, kryesisht lidhet me rilindjen kombëtare, si zhvillim tejet i rëndësishme, që u hapi rrugë proceseve që quan te shqiptarizmi kulturor për te ai politik si një parakusht për platformën e pavarësinë kombëtare më 28 nëntor 1912. Përkundrazi, Kosova si Dardani antike në kuadër të trinomit të mbretërive ilire në antikitet, bashkë me Maqedoninë dhe Epirin, njëherësh shihet edhe si djep i antikitetit, ku lidhjet e saj me Trojën dhe qytetërimin mesdhetar, asaj i japin përmasat e një faktori ndër më të rëndësishmit të kohës. Kokalari, duke kaluar nëpër këto stacione historike, Dardaninë e fokuson qendër ku zhvillohet njëra ndër betejat më të ashpra midis politeizmit dhe monoteizmit, që përfundoi me fitoren e të dytës, në shekullin IV, me zyrtarizimin e krishterimit nga perandori Konstantin i Madh me origjinë dardane. Në këtë rrjedhë shihet edhe koha e Justinianit dhe vikariati në Justiniana prima – nën juridiksionin e Ilirikut, që asokohe administrativisht i takonte pjesës lindore të perandorisë romake. Dardania në kuadër të Ilirikut, po ashtu, shfaqet faktor tejet i rëndësishëm, që lidh pjesën qendrore me atë mediterane-egjease e deri tek Azia e Vogël dhe e Mesme. Kjo hapësirë luan rol të rëndësishëm edhe gjatë Bizantit, rënies së tij dhe zhvillimeve që quan tek depërtimet osmane, ku Beteja e Kosovës, paraqet ngjarjen që do t’ia japë vulën pushtimeve pesëshekullore osmane kur orienti do të ndikojë dukshëm vetëdijen politike dhe kulturore të oksidentit deri te koha jonë.
Natyrisht se faktet historike që lidhen me pushtimet osmane dhe realitetet shoqërore-politike dhe kulturore që u krijuan për pesë shekuj, ku shqiptarët gjatë kohës së Skënderbeut ishin të parët që i kundërshtuan, por me kalimin e kohës, u akomoduan në strukturat më të larta të hierarkisë së pushtetit ushtarak dhe politik të saj (me shumë vezirë, pashallarë, ushtarakë dhe diplomatë të lartë), Kosovën, si njërin ndër vilajetet më të rëndësishme dhe të mëdha të perandorisë osmane në pjesën europiane (Rumeli) e vendosin po ashtu në qendër të zhvillimeve të ngritjes, shtrirjes po edhe të atyre të shpërbërjes së saj (nga Kriza lindore e deri te fundi i saj në dhjetor të vitit 1912).
Në këtë zhvillim, në këtë hapësirë, ka pikënisjen edhe nacionalizmi politik shqiptar dhe proceset që i prinë dhe e përcollën si platformë e shqiptarizmit, që autori e quan “djep” të saj, e kthyer në një metaforë historike, që përkundër rënieve dhe sukseseve, përkundër tragjedive dhe fatkeqësive me të cilat u përcoll rrugëtimi i çlirimit nga Perandoria Osmane deri te pavarësia kombëtare dhe ngjarjet tjera që e përcollën atë (luftërat ballkanike, lufta e parë dhe e dytë botërore, koha e diktaturës së komunizmit), erdhi deri te koha e jonë, jo si mit, por si një realitet etnik, kulturor dhe politik dhe, së fundi, shtetëror.
Po qe se kjo metaforë shikohet kur ajo u soll si libër (në vitin 1943), në përputhje me realitet e kohës, ato të Luftës së Dytë Botërore, kur etnia shqiptare, në kuadër të sferave të interesit të Fuqive të Boshtit dhe të përcaktimeve të reja shtetërore në hartën politik europiane, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Versajës, nga viti 1941 deri në fund të vitit 1944, përjetoi ribashkime të pjesshme, tejet të rëndësishme, mund të quhej edhe pjesë e një ditirambi përbrenda një elegjie, së cilës, ideologjia komuniste, mori përsipër t’ia përcaktonte epilogun mortar. Kësaj transcendence letrare, ndërthurja me realitetin e hidhur politik, në kuadër të ngjarjeve dramatike të realitetit shoqëror-politik shqiptar, siç ishin ato që solli Konferenca e Londrës e vitit 1913 dhe e Paqes së Parisit 1918, sikur ia përcaktuan fatin që “djepi i shqiptarizmit” – Kosova dhe Maqedonia, të pushtuara gjatë luftërave ballkanike dhe të ripushtuara gjatë atyre të Luftës së Madhe botërore, që i ishin lënë Mbretërisë Serbo-kroate-sllovene (Jugosllavisë së Versajës), për t’u kthyer në “djep të shtetit mesjetar serb”!
Në këto rrethana tepër tragjike, shteti i brishtë shqiptar, i pranuar ndërkombëtarisht i përgjysmuar, në përputhje me detyrimet nga Lidhja e Kombeve rreth ratifikimit të kufijve me Greqinë dhe Jugosllavinë, për ta siguruar ekzistencën, sipas “logjikës shtetërore”, u desh ta pranojë humbjen e “djepit të shqiptarizmit”. Ky veprim politik, u legjitimua, në njërën anë, me ndalimin e lëvizjes irredentiste shqiptare, që asokohe përfaqësohej nga “Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës”, i themeluar në Shkodër në qershor të vitit 1918, si një faktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik veçmas në veri të Shqipërisë deri në vitin 1925, ku edhe paraprakisht u instrumentalizua për qëllimet e luftës së brendshme politike. Dhe, në tjetrën anë, u legjitimua me mospërkrahjen e lëvizje kaçake në Kosovë dhe Maqedoni, që për pasojë pati likuidimin e saj të dhunshëm nga Beogradi edhe në bashkëpunim me shtetin shqiptar, siç ishte rasti me shuarjen e “Zonës neutrale të Junikut” në vitin 1923.
Kur pas puçeve dhe kundërpuçeve të qershorit-dhjetorit 1924, shteti shqiptar, në fazën e konsolidimit (nga shpallja Republikë në vitin 1925 dhe Monarki në vitin 1928), kishte filluar rrugën e mundimshëm të bërjes shtet-torzo, që nënkuptonte lojërat diplomatike dhe politike midis Romës dhe Beogradit, që me konventën shtetërore Shqipëri-Itali, të vitit 1927, do të zhvendosen përfundimisht kah Italia, “djepi i shqiptarizmit”, harrohet fare edhe nga shkaku i paradigmës historike se periferia kthehet në qendër, ndërsa qendra (Kosova) kthehet në periferi, me fatin tragjik që të shuhet fare përmes gjenocideve, etnocideve dhe kulturocideve, të nisura gjatë luftërave ballkanike dhe të vazhduara , me çka ajo duhej të kthehej “në djep historik dhe shpirtëror serb”, siç quhej “Serbi mesjetare”. Gjithnjë në përputhje me platformën e njehur të “Naçertanjes” së Garashaninit, ky proces kishte të bënte me programet shtetërore të kolonizimit të trojeve shqiptare me serbë dhe malazias nga Dalmacia, Mali i Zi dhe pjesët tjera të Jugosllavisë që për parakusht shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi sipas konventës shtetërore të Jugosllavisë me Turqinë.
Nëse për gjenocidin e ushtruar nga ushtritë pushtuese serbe, malaziase dhe greke gjatë luftërave ballkanike, shteti shqiptar nuk mund të kishte ndonjë përgjegjësi kur dihen rrethanat nëpër të cilat kaloi hapësira shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e okupuar nga fuqitë pushtuese të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, siç nuk mund të kishte përgjegjësi as gjatë intermexos së Luftës së Parë Botërore midis viteve 1916-1918, kur një pjesë e viseve të pushtuara të Kosovës dhe Maqedonisë u futën nën administrimin autonom të Austro-Hungarisë dhe një pjesë e jugut (Republika e Korçës) nën francez, megjithatë, përkundër asaj që logjika shtetërore e detyronte që t’u përmbahej vendimeve të konferencës së Parisit për kufijtë e përcaktuar në raport me fqinjët (Greqinë dhe Jugosllavinë) të ratifikuar me to midis viteve 1925-1926, shteti shqiptar mbylli sytë ndaj etnocidit dhe kulturocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Kulturocidi u pranua, së pari me asimilimin e shqiptarëve ortodoksë në serbë dhe mandej me konvertimin e përkatësisë kombëtare të shqiptarëve fillimisht në atë fetare (myslimanë) dhe pak më vonë në atë turke. Konvertimi kombëtar në atë fetar, pati për pasojë mospranimin e gjuhës shqipe e cila u zëvendësua me atë turke nëpër medrese dhe në jetën shoqërore-politike së cilës “platforma” iu krijua me hapjen e medresesë së Mbretit Aleksandër në Shkup si dhe themelimit të shoqatës islamike “Xhemjet”. Ndërsa identiteti kombëtar, mbas pak u zëvendësua me atë turk, me çka mbretëria jugosllave etninë e gjithmbarshme shqiptare e ktheu në “pakicë kombëtare turke”. Si veprimi i parë dhe i dytë, lidheshin me konceptin e etnocidit dhe të kulturocidit në shërbim të humbje së gjurmëve fizike dhe identitare historike dhe kulturore të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike përmes asimilimit dhe shpërnguljes. Politikisht, këto procese, duhej ta shuanin njëherë e përgjithmonë lëvizjen e irredentizmit shqiptar e me të edhe të idesë së një Shqipërie etnike, të penguar nga dy konferenca ndërkombëtare, e Londrës dhe e Parisit. Me këto procese, njëherësh, i krijohej platforma marrëveshjeve të Lozanës, të citit 1923 për shkëmbimin e popullatave në drejtimet: shtetet e Ballkan (Jugosllavi, Greqi dhe Bullgari) kah Turqia dhe anasjelltas që mbështeteshin mbi etnitë e pakicave fetare si mbetje osmane, në njërën anë – turke (shqiptarët dhe boshnjakët në Jugosllavi) dhe në tjetrën të grekëve ortodoksë nga Turqia që duhej të shkëmbeheshin me shqiptarët e besimit mysliman në Greqi (kryesisht nga Çamëria dhe Trakia) rreth një milion në secilin drejtim.
Shteti shqiptar, mbylli sytë ndaj këtyre proceseve. Për politikën shqiptare të kohës, që përpëlitej për të siguruar ekzistencën e dosidoshme shtetërore me aleanca të ndryshme shpesh joparimore, duke heqë dorë edhe nga qendra e saj historike dhe politike, siç ishte Kosova nga antikiteti (me mbretërinë e Dardanisë) dhe qendër e lëvizjes së shqiptarizmit politik e legjitimuar me organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, me Lidhjen e Pejës të vitit 1899, kryengritjet e vitit 1908-1912, që ia hapën rrugën pavarësisë të shpallur më 28 nëntor 1912, njëherësh hoqi dorë nga themelet e saj, gjë që atë e ktheu në një objekt koniunkture, siç do të ndodhë në prag të Lutës së Dytë Botërore me pushtimin italian dhe në fund të saj, nga viti 1944-1948, me kthimin në shtet vasal të Jugosllavisë, duke mohuar madje edhe aktet e rëndësishme historike (vendimet e Konferencës së Bujanit) për vetëvendosje, me çka, figurativisht, u pranua humbja e Anteut nga Herakli, nga dobësia e hetuar që e kishte ai kur fuqia i humbte nga shkëputja prej tokës, rrënjës së saj.
Shkëputje e Kosovës nga trungu shqiptar, në të vërtetë ishte një veprim i paraprogramuar që edhe shteti i përgjysmuar shqiptar, jashtë të shkëputej nga lidhja historike, etnike dhe kulturore, në mënyrë që, pa rrënjët të thahej. Fitorja e Heraklit ndaj Anteut, që merrte fuqi nga toka e vet, duhej të ishte e plotë dhe e përhershme.
Libri i Hamit Kokalarit “Kosova, djep i shqiptarizmit”, i botuar në vitin 1943, kur në rrethanat e Luftë së Dytë Botërore, Fuqitë e Boshtit nazi-fashist, kishin anuluar realitet politike dhe shtetërore të Konferencës së Londrës (1913) dhe asaj të Paqes së Parisit (1918), ribashkimit shqiptar, nga 1941-1944, ia ktheu platformën historike dhe politike, mbi të cilën u shpall pavarësia kombëtare më 18 nëntor 1912. Ashtu siç kishte ndodhë në vitin 1878, kur në Prizren u mblodh Kuvendi i Lidhjes Shqiptare dhe me këtë fillimisht u kundërshtua copëtimi i tokave shqiptare dhe, më vonë, me kërkesën për bashkimin e katër vilajeteve në një shqiptar, shqiptarizmi u kthye në një program politik, që i hapi rrugë zhvillimeve që çuan të pavarësia kombëtare më 28 nëntor 1912, në tetor të vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Prizren u mblodh Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare, që i përgatiti parakushtet asamblesë kombëtare për shpalljen e Shtetit etnik shqiptar, me 74 mijë kilometra katrore, nën ombrellën e Rajhut gjerman në rrethanat e një marrëveshjeje me të, ku shteti shqiptar ruante neutralitetin. Shikuar figurativisht, miti për Anteun, po demantohej me atë se shqiptarizmit po i kthehej djepi i vet, Kosova.
Ndonëse ideja e shqiptarizmit e lidhur me Kosovën si djep te saj historik, etnik dhe politik, me intermexon gjatë luftës së dytë botërore, me bashkimet e cunguara kombëtare edhe si të përkohshme (nga viti 1941-1943 në kudër të Italisë së Musolinit dhe si Qeveri Shqiptare nën Rajhun gjerman nga tetori i viti 1943 deri në tetor të vitit 1944), pati fatin e Fuqive të Boshtit të mundura nga Aleanca Antifashiste Botërore, gjë që asaj iu pagua një çmim i madh tragjik nga komunistët e bashkuar, megjithatë ruajti kujtesën historike dhe etnike të të qenit bashkë, pra të asaj fuqie të Anteut që i bënte ballë Heraklit.
Diktaturat komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi me diktatin ideologjik, që shuante të gjitha indet e kombëtarizmes në dobi të klasores (të njeriut të ri socialist, pa kujtesë historike dhe pa besim), Kosovës, së mbetur në Jugosllavi, por si etni politike me statusin e rajonit autonom nën Serbi, që më vonë (nga viti 1968 dhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974) do të ngrihet në nivel të njësisë federative jugosllave, nuk ia hoq idenë e të qenit shqiptare. Fillimisht, ishte lëvizja irredentiste revolucionare e NDSH-së dhe më vonë ajo ideologjike e lidhur me enverizmin (deri në vitin 1968) dhe ajo për barazi kur do të shfaqet kërkesa për Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, që shqiptarizmit i dhanë impulse të vazhdueshme. Madje në një dimension thuajse absurd, meqë vetëdija evolutive e kosovarëve shkonte kah perëndimi dhe lidhja me të, ndërkohë që ajo nën regjimin enverist, shqiptarin e mbyllur dhe të armiqësuar me gjithë botën, e kthente në monstrum të Gullagut!
Shikuar nga këndvështrimi sotëm, libri i Kokalarit “Kosova – djep i shqiptarizmit”, shfaqet po aq i rëndësishëm si edhe atëherë kur u shkrua, meqë elegjisë që lidhej me metaforën e humbje së Anteut, kur u shkëput nga toka, serish ia kthyen vargjet e ditirambit, me çka u thye miti i fitores së Heraklit.
Kur thuhet kështu kihet parasysh fakti se Kosova për afër një shekulli nën pushtimin serbo-jugosllav, nuk pranoi që djepi i saj historik, etnik dhe politik të zëvendësohet në “djepin serb”, siç kërkonte Beogradi. Gjenocidet, etnocidet, kulturocidët dhe veprimet tjera deri te ato të fundit me mjetet e luftës, që u parandaluan me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj forcave policore dhe jugosllave nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 12 shkurt 2008, paradigmën e “djepit të shqiptarizmit” e kthen te “djepi i shtetësisë shqiptare”, si formulë e neoshqitarizmit, që formës ia ruan përmbajtjen…
Prishtinë, shtator 2025