Nga Mark Galeotti, SPECTATOR
Edhe pse është e dyshimtë që shumë lexues do të ndiejnë keqardhje për ta, ka qenë një javë e keqe për elitat ruse. Ka pasur një valë vetëvrasjesh të supozuara apo të vërteta dhe arrestimin e një magnati ari teksa përgatitej të largohej nga vendi.
Të premten, Andrei Badalov, nënkryetar i Transneft – kompania më e madhe shtetërore ruse për transportin e naftës nëpërmjet tubacioneve – ra nga dritarja e apartamentit të tij në Moskë. Kjo e bën atë personin e tetë të profilit të lartë rus që vdes në këtë mënyrë që nga viti 2022.
Edhe pse policia thotë se ai la një letër vetëvrasjeje, tashmë sugjerimi se këto raste mund të jenë vepra të qëllimshme është bërë pothuajse një meme makabre.
Të nesërmen, Konstantin Strukov, drejtori ekzekutiv i kompanisë Yuzhuralzoloto – prodhuesi i tretë më i madh i arit në Rusi – po përgatitej të udhëtonte për në Turqi me avionin e tij privat, kur qeveria ia revokoi pasaportën, agjencia federale e aviacionit i bllokoi nisjen, dhe përmbaruesit hipën në avion për ta arrestuar. Ai akuzohet për korrupsion masiv dhe sistematik, duke përdorur ndikimin e tij financiar dhe politik për të marrë nën kontroll asete në industrinë e qymyrit dhe arit, të cilat më pas i ka regjistruar në emër të të afërmve dhe njerëzve të besuar.
Pastaj, të hënën, Roman Starovoi u shkarkua nga posti i ministrit të transportit – megjithëse duket se në atë moment ai tashmë kishte vdekur në makinën e tij, me armën personale pranë tij – ironikisht, një armë ceremoniale që i ishte dhënë si nder në vitin 2023. Deri vitin e kaluar, ai kishte qenë guvernator i rajonit të Kurskut, dhe duket se pasardhësi i tij, Alexei Smirnov – tashmë nën arrest për përvetësimin e rreth një të pestës së fondeve të destinuara për ndërtimin e mbrojtjeve kundër sulmeve ukrainase – e kishte implikuar edhe Starovoi-n.
Padyshim, thashethemet flasin për “defenestrime” të detyruara (hedhje nga dritarja), për një spastrim të ri, por e vërteta ka gjasa të jetë njëkohësisht më pak e errët dhe njëkohësisht më shqetësuese për Kremlinin. Shteti rus vret, por zakonisht nuk ka nevojë të vrasë anëtarë të elitës. Ky është një sistem ku të gjithë janë të korruptuar, të gjithë kanë “skelete në dollap”, dhe kjo është pikërisht mënyra si i pëlqen Putinit: ai ka justifikime sa herë që dëshiron të bëjë dikë shembull.
Arrestimi poshtërues para kamerave, gjyqi spektakolar, konfiskimi i pasurive të jashtëzakonshme të fituara përmes korrupsionit dhe klientelizmit – këto janë armët e Kremlinit.
Disa, ndoshta shumica e këtyre vetëvrasjeve, mund të jenë pikërisht ato që duken. Ristrukturimi i ekonomisë për shkak të militarizimit dhe sanksioneve ka krijuar fitues dhe humbës; normat e larta të interesit dhe mbyllja e shumë rrugëve të vjetra të eksportit dhe importit kanë sjellë presione të forta selektive. Në disa raste, biznesmenët mund të kenë marrë jetën e tyre për shkak të presioneve personale dhe profesionale të papërballueshme – dhe sado e pazakontë të tingëllojë, metodat e vetëvrasjes shpesh ndjekin një “zakon kombëtar”. Në SHBA, shumica e vetëvrasjeve ndodhin me armë zjarri; në Indi është e zakonshme përdorimi i pesticideve; ndërsa në Hong Kong dhe Rusi, njerëzit shpesh zgjedhin të hidhen nga ndërtesa të larta.
Megjithatë, jo të gjitha këto vdekje janë domosdoshmërisht vetëvrasje të vërteta. Presionet në rritje ndaj ekonomisë duket se po i shtyjnë disa interesa bizneso-politike më të mprehta apo më të dëshpëruara drejt një gare më të ashpër dhe më brutale për pasuri. Ndërsa “byreku kombëtar” zvogëlohet, lufta për të mbajtur të pandryshuar copën tënde, bëhet më e egër. Zakonisht kjo ndodh përmes ndikimit politik për të fituar tendera ose favore, ose përmes reiderstvo – ‘sulme’ të orkestruara me dokumente të falsifikuara apo gjykatës të korruptuar për të marrë kontrollin e kompanive rivale. Por ndonjëherë përdoren edhe metoda më të rënda: vrasjet me pagesë janë sërish në rritje, dhe edhe pse zakonisht realizohen në mënyra të dukshme, disa “vetëvrasje” mund të jenë fare mirë të pavullnetshme.
Megjithatë, për çdo vdekje ka edhe më shumë arrestime të zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar. Marrëveshja e pashkruar e Putinit me elitën ka qenë gjithmonë: ata mund të vjedhin, por vetëm brenda disa kufijve dhe vetëm për aq kohë sa qëndrojnë besnikë ndaj Kremlinit. Kjo nuk ka ndryshuar, por kufijtë e pranueshëm të pasurimit personal dhe ajo që kuptohet sot me “besnikëri” duken të lëvizshme – dhe të paparashikueshme.
Siç më tha një burim nga Moska: “Elita është e gatshme të qëndrojë brenda vijave të kuqe – por ajo që i tmerron është se nuk dinë më ku janë këto vija.”
Kjo situatë ndikon edhe tek ata që dikur ishin të paprekshëm. Strukov, për shembull, ishte një figurë e fuqishme brenda aparatit të rajonit Chelyabinsk të bllokut “Rusia e Bashkuar” të Putinit, dhe zv.kryetar i legjislaturës rajonale. Po ashtu, Starovoi ishte një mbështetës i fortë i “Rusisë së Bashkuar” dhe protektor i Arkady Rotenberg, një nga shokët e fëmijërisë së Putinit dhe – jo rastësisht – një nga njerëzit më të pasur në vend. Shumë nga objektivat e fundit dikur janë lavdëruar dhe privilegjuar. Ish-ministri i mbrojtjes, Timus Ivanov, i dënuar së fundmi me 13 vjet për ryshfet, ishte Hero i Rusisë.
Kjo duket më pak si një pastrim i qëllimshëm dhe më shumë si konvulsionet e një sistemi në krizë të ngadaltë. Një elitë biznesi gjithnjë e më shumë e angazhuar në një garë kanibaliste për pasuritë në tkurrje, një Kremlin që nuk i beson më atyre nga të cilët varet për të drejtuar vendin dhe ekonominë, që kërkon përputhje me rregulla të paformuluara, të paqarta dhe të lëvizshme.
Kjo padyshim nuk do të thotë se putinizmi po shkon drejt një rënieje të afërt. Por tregon qartë se, ndërsa makineria e luftës vazhdon të punojë, dëmi që po i shkaktohet regjimit rus është shumë real. sn